Thursday, July 05, 2012

"Para se kryeministri britanik të mbyllë kufijtë e Britanisë së Madhe për grekët, të kthejë mermeret e Parthenonit në Athinë”

Shqetësim të madh kanë shkaktuar në Athinë deklaratat e ditëve të fundit të kryeministrit David Cameron, sipas të cilit Britania e Madhe është e përgatitur të mbyllë kufijtë për qytetarët grekë, në rast të një dalje të mundshme të Greqisë nga monedha e përbashkët.

Ministri i Jashtëm grek Dimitris Avramopulos kërkon t’i shprehë ambasadorit britanik pakënaqësinë e qeverisë greke mbi deklaratat e Cameron, që tha se është i gatshëm të vërë kufizime në hyrjen e grekëve në Britani.

Ministri i Jashtëm udhëzoi Sekretarin e Ministrisë për të thirrur në një takim Ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar David Lantsman në Athinë, dhe t’i vërë në dukje se deklarata të tilla mund të krijojnë një përshtypje të gabuar, duke komplikuar përpjekjet për të konsoliduar besimin, i cili është thelbësor, në përballimin e krizës ekonomike.

Gjithashtu PASOK ka kërkuar që kryeministri britanik të hedhë poshtë apo të përgënjeshtrojë atë që ka thënë, pasi sipas socialistëve, komentet e tij ofenduese krijojnë nervozizëm artificial në tregje.

Edhe eurodeputeti gjerman Shacimarkakis, kritikoi deklaratat e Cameron. “Para se kryeministri britanik të mbyllë kufijtë e Britanisë së Madhe për grekët, të kthejë mermeret e Parthenonit në Athinë”, komentoi ai.

No comments: