Tuesday, September 18, 2012

Privati merr në zotërim plazhet dhe parkingjet-Goro: koncesion per shetitoren-dy njoftime te kunderta

“Rruga Drimades”, privati merr në zotërim plazhet dhe parkingjet

Detajet

Projekti i ndarë në tri pjesë: plazhi, shëtitorja dhe njësitë tregtare

ARD KOLA

Aktualisht, fshati i Dhërmiut tërheq 25 për qind të kërkesave për leje ndërtimi, në raport me totalin e administruar nga Bashkia e Himarës, por në 5 vitet e ardhshme, mendohet që interesi për leje zhvillimi të arrijë me 45 për qind (në raport me totalin).

Kjo është njëra anë që tregon interesin e investitorëve për këtë zonë, pjesë e perlës së Jugut. Projekti i miratuar më 1 gusht nga qeveria, për të dhënë me koncesion një vijë pranë bregdetit me gjatësi 3 kilometra nga Dhërmiu deri në Perivello (ku futet edhe zona e Drimadhes), konsiston në ndërtimin e një shëtitoreje dhe parkingu të gjatë privat, ku palmat anash rrugës do t’i japin një tjetër panoramë zonës. Ndonëse nuk pranohet hapur, duke parë projektin, bie në sy ndarja me parcela e plazheve private, anash shëtitores, e quajtur në projekt “Rruga Drimades”. Do të jetë pikërisht pronari i ri që do të menaxhojë, në partneritet me të interesuar të tjerë, zhvillimin e zonës. Gjithashtu, me lejen e koncesionarit, në krahun tjetër të shëtitores, pranë vijës së ullishtave, mund të ngrihen njësi akomoduese apo tregtare. Sa i takon çështjes së pronarëve të truallit, qeveria pret studimin final të OSBE-së për titujt e pronësisë (jo sipas Ligjit 7501), për të mësuar njëherë e mirë se kujt i takon toka. Megjithatë, Ministria e Turizmit pretendon se pjesa që jepet me koncesion është e shtetit dhe nuk ka konflikte prone.

Duke mbetur te projekti, qeveria mund të përfitojë një tarifë koncesionare, masa e së cilës nuk është caktuar ende, kurse Bashkia e Himarës, një tarifë qiraje, plus të tjera avantazhe nga zhvillimi i zonës, duke i qëndruar prioritetit të sektorit të turizmit.

Nga projekti mësohet se hartimi i tij, pra përfundimi është realizuar në muajin janar, kurse qeveria e ka miratuar në gusht, pra diskutohej prej kohësh. Të dhëna turistike për zonën që do të jepet me koncesion gjen vetëm në projektplanin urbanistik të Bashkisë së Himarës, miratuar në muajin maj. Gjithsesi, sa i takon numrit të vizitorëve, mendohet se (të dhënat e vitit 2004) janë rreth 3000 turistë që qëndrojnë 5 deri në 15 ditë, megjithatë kjo shifër është rritur nisur nga zhvillimi i zonës në dy vitet e fundit.

Aktualisht, kapacitetet ekzistuese turistike të bashkisë përfshijnë 1200 shtretër të shpërndarë në 80 hotele dhe rreth 3000 dhoma të veçanta, sipas një vlerësimi të përafërt të bashkisë. Kjo korrespondon me një shifër prej 7200 shtretërish. Rreth 45 për qind e kapacitetit total të shtretërve të hoteleve janë të vendosura në Dhërmi dhe 25 për qind në zonën e Himarës.

“Njësia hapësinore e Dhërmiut – Gjilekut ka karakter zhvillimi me zona të reja, që kanë densitet relativisht të lartë, me mundësi zhvillimi deri në zonën bregdetare, duke përfshirë edhe dy plazhet e Dhërmiut dhe të Perivolos. Palasa është e bashkangjitur në këtë sistem. Kjo zonë ka potencial zhvillimi të kapaciteteve të turizmit dhe zonave të reja, por këtu ndeshen presione të konsiderueshme”, thuhet në planin urbanistik të Bashkisë së Himarës.

Shtylla e parë e këtij plani përfshin krijimin e infrastrukturës bashkëkohore për turizëm dhe pajisjet përkatëse, në mënyrë që të zhvillojë një ekonomi të lirë dhe krijimin e një zone si destinacion turistik, me cilësi dhe standarde të larta, e që do të tërheqë një numër të madh vizitorësh, për një periudhë më të gjatë të qëndrimit. Kjo do të sjellë të ardhura më të larta për zonën. Kjo kërkon së pari, tërheqjen dhe orientimin e investimeve private në zhvillimin e vendeve të caktuara përgjatë bregdetit. Zona e Dhërmiut, Jala dhe Himara mund të jenë të përshtatshme për këtë qëllim.

Resortet

Resortet bregdetare, në të ardhmen, do të zhvillohen në pjesët e paprishura të plazhit, duke ofruar mundësinë për vizitorët që të shijojnë ecjen zbathur buzë detit dhe pranë një sfondi malor, pa dëgjuar zhurma

Vendndodhja dhe historia

Dhërmiu është ndërtuar në një shpat të Malit të Ceraunian, në rreth 200 metra lartësi. Ky është një fshat i këndshëm tradicional, në të cilin ndodhen ende kisha të shekujve 13 dhe 14 në mesin e kishës së Ipapandias. Në të ndodhet edhe manastiri i Theodoros Saint, kushtuar Shën Theodhorit. Në pjesën ballore të plazhit, ndodhet Shpella e Piratëve (Spilia ton Piraton), e cila është e arritshme nga deti dhe toka. Shpella u bë e njohur nga libri i shkruar nga Petro Marko dhe filmi që mban të njëjtin titull. Pamja nga deti është unik dhe shumë e veçantë.


Goro: Nuk ka koncesion jo për plazhin, por vetëm për shëtitoren

Zona

Himara – Bashkia e Himarës përfshin një nga zonat më atraktive për turistët në atë që quhet si Riviera Shqiptare

Plazhet – Himara ka në administrim plazhet e famshme të Himarës, Dhërmiut, Jalës, Gjipesë, Drimadhes, Palasës, Piqerasit, Qeparosë etj.

Investimet – Qeveria shqiptare ka trumbetuar me të madhe çështjen e rindërtimit të rrugës së bregut, e cila është zgjeruar

Pronat – Një nga problemet e pazgjidhura në zonën e bregut është çështja e pronave. Ndaj nuk janë ofruar investime serioze

Flet kryetari i Bashkisë së Himarës: Do të ndërtohen parkingje

Ylli Pata

Kryetari i Bashkisë së Himarës, Gjergji Goro, deklaroi dje për “Shqip” se koncesioni që pritet të jepet në zonën e bregut në Dhërmi, nuk prek plazhet publike, por thjesht do të ndërtojë një shëtitore, vende parkingu dhe do të sistemojë zonën në një investim, që në fakt nuk mund ta bëjë bashkia e qytetit. Zoti Goro thekson se gjithçka është në fillimet e saj, pasi sipas të gjitha rregullave do të zhvillohet tenderi, do të miratohet projekti e më pas do të nisë zbatimi. “Le të shpresojmë se do ta kthejmë këtë ide në vepër”, thekson zoti Goro, i cili përsërit se nuk jepet në koncesion plazhi por vetëm ajo që quhet “lungo mare”…

Zoti kryetar, është botuar në Fletoren Zyrtare një vendim i qeverisë për dhënien e koncesionit një kompanie që ndërton në plazhin e Dhërmiut. Do ta menaxhojnë privatët detin?

Në asnjë mënyrë. Plazhi, ka qenë, është dhe do të jetë në vazhdim publik dhe në shërbim të pushuesve. Nuk ka asnjë lloj privatizimi. Bëhet fjalë për një projekt që do të zhvillojë shëtitoren përgjatë plazhit, me të gjitha aksesorët e saj, pra parkimin dhe shërbimet e ndryshme, që mund të ndërtohen përgjatë linjës. Që do të thotë, ne kemi llogaritur që për të sistemuar këtë hapësirë publike duhet një investim që mund të llogaritet rreth 2 milionë euro. Këtë investim ne nuk mund ta bëjmë si bashki, por mund ta bëjnë privatët, të cilët mund të ndërtojnë dhe administrojnë një hapësirë të sistemuar publike. Ç’do të thotë kjo. Do të thotë parkingje për automjetet që do të vijnë në kohën e plazhit, të cilat do të jenë të sistemuara dhe për këto parkingje kompania që do të fitojë të drejtën, do të duhet të administrojë të drejtën, por padyshim që do të ketë detyrime të përcaktuara në mbrojtjen dhe respektimin e mjedisit, për të cilat ne jemi mjaft rigorozë.

Zoti Goro, do të marrë të drejtën e administrimit të plazhit kompania koncesionare?

Jo, nuk bëhet fjalë për administrimin e plazhit. Plazhi mbetet publik dhe do të jetë bashkia ajo që do të merret me administrimin e hapësirës për pushuesit. Investimi që bëhet fjalë, ka të bëjë vetëm dhe vetëm me shëtitoren. Në këtë hapësirë mund të ndërtohen dhe ambiente shërbimesh si lokale, apo dhe ambiente argëtimi, por vetëm në shëtitore.

Kur do të përfundojë ky projekt?

Jemi në fillimet e procesit. Së pari do të miratohet projekti, Bashkia e Himarës do t’i shikojë të gjitha detajet me hollësi, nëse zbatohen apo jo kërkesat tona për zhvillimin e zonës dhe mbrojtjen e mjedisit, si dhe promovimin e zhvillimit. Të gjitha këto, në zbatim të planit urbanistik për t’i dhënë Himarës vendin që meriton si një zonë turistike europiane edhe në realitet. Ne e dimë që shqiptarët, por edhe turistët e huaj e pëlqejnë Himarën, Dhërmiun apo të gjithë zonën e Bregut, por ne duam t’i japin kësaj zone pritshmërinë që publiku ka për shërbime dhe pushime në nivel të lartë. Por ky është një projekt që do të shqyrtohet në të gjitha hallkat e tij. Pra do të miratohet projekti, do të zhvillohet tenderi, firma fituese do të plotësojë dokumentet, e më pas do të nisë ndërtimi. Ne si bashki do të promovojmë të gjitha ato sipërmarrje që do të plotësojnë kërkesat në zhvillimin e zonës dhe ruajtjen e mjedisit. Padyshim që në këtë rast do të shërbente dhe krijimi i hapësirave për punësim, por edhe një rritje për ekonominë e zonës, e cila jeton me turizmin dhe i ka dhënë shumë ekonomisë kombëtare, duke i shërbyer qytetarëve.

Kakomeja

Një nga zonat emblematike të bregut është rasti i Kakomesë, ku nuk u arrit të ndërtohej dot një resort i një kompanie të madhe perëndimore, si rezultat i moszgjidhjes së çështjes së pronësisë

Kreu i Bashkisë së Himarës thekson se do të sistemohet nga kompania zona e quajtur “lungo mare”

Comment (copy paste nga Shqip)

Stefan 19 minutes ago

Nje problem i madh ngelet dhenia e plazheve publike kompanive apo individeve private te cilet mbushin anen e detit me shezlongje dhe tenda duke i detyruar pushesit te paguajne. Ky eshte nje megaskandal, ne asnje vend nuk ju jepet nje liri totale privateve te babezitur. Ne cdo cope plazhi duhet te kete nje zone krejt te lire per pushuesit te cilet nuk desherojne te paguajne cmime te kripura, por ju mjafton cadra e tyre personale. Shembull per kete eshte Llamani, Himare i mushur dinga, cep me cep me shezlonge. Madje dhe parkingu nuk eshte publik por duhet te paguash. Po keshtu disa gjire te tjera te vogla, te cilat ju jane dhene me koncesion personave qe nuk kane lidhje fare me zonen e Himares. Bashkia duhet te vendose qarte kufizimet per keta te babezitur qe po behen zoter aty ku jane lare himarjotet brez pas brezi. Kete gje nuk e gjen ne asnje nga ishujt e Greqise qe jane te famshem per vizituesit nga gjithe bota. Publiku gjen parkim falas, ana e detit eshte krejt ne dipozicion te tyre dhe lokalet jane tej vijes KU ESHTE PLAZHI.
Ka plot shembuj si e ka organizuar bota. Pra esenciale: plazhe publike, parkinge publike. koncesionet per privatet te jene ne nje zone te kufizuar. Cdo koncesion qe ju jep privateve liri veprimi eshte i denueshem. I vetemi model per shfrytezimin e plazheve eshte ai i aplikuar ne Spile, himare apo Potam, ku zona e plazhit eshte e lire dhe krejt e ndare nga aktiviteti i lokaleve te cilat jane vetem per te sherbyer nevojave te tjera te pushuesve.

No comments: