 
        
Ndër njerëz të ndryshëm, pyetja më e rëndomtë që ngjalli vrasja e 
ish-kryeministrit reformator serb Xhinxhiç, ishte shumë pragmatike: Pse u
 vra xhanëm? Me atë kurs pro evropian, që po ndiqte i ndjeri dhe me një 
brand të natyrshëm të moderuar, pas regjimit të Sllobos, hamendësitë 
ishin të shumta. Ndër disa prej personaliteteve të njohur pyetur në 
Serbi, ishte dikush që do përgjigjej në mënyrën më lakonike. “Ai bëri pakt me djallin. Dhe kur djalli të thërret, nuk ke se çfarë t’i bësh më...”.
 Përgjigja linte shteg për shumë interpretime, por arsyetimi ishte shumë
 i drejtpërdrejtë. Ashtu si ndodh me vrasjet e politikanëve të njohur, 
kujtojmë në këtë aradhe figurën e madhe të J.F.Kenedit, Malkolm X, Luter
 King, Aldo Moros koha la vend për shumë spekulime. Dhe, kur këto 
ndodhin në vende me hapësira demokratike të madhe, atëherë çfarë mund të
 presësh për ballkanasit.
Një e tillë, për fat të keq, u ka ndodhur të përndjekurve shqiptarë. 
Flirti që kanë bërë me politikanët e sotëm i ka bërë të jenë shumë të 
cënueshëm ndaj lloj-lloj skenarëve. Pakti i tupshëm  me këtë djall të 
madh që është politika shqiptare e dy krahëve sot i ka kushtuar realisht
 shumë të përndjekurve shqiptarë. Ata, vetë, megjithë deklaratat dhe 
grevën e gjatë, nuk jetojnë dot pa politikën.
Akti i gradës së fundit së dyve syresh prej tyre për të djegur veten 
publikisht ka treguar fundin e një kauze, e cila nuk u respektua dhe nga
 vetë të përndjekurit që janë në fuqi. Paradoksi është edhe më i madh 
kur mendon se ndërsa qeveria në fuqi, aleate organike me këtë shtresë i 
përqesh dhe i anatemon në mënyrën më të turpshme, krahu tjetër politik 
mbartës i ngarkesës emocionale të së shkuarës, ka marrë flamurin e 
mbrojtjes.
Nga ana tjetër, deri ditën e vetësakrifikimit ekstrem, por edhe më 
pas shqiptarët janë treguar tejet indiferentë me ta. Intelektuali Sami 
Repishti dhe vetë i kësaj kategorie, do e apelonte me dhimbje fenomenin 
nga SHBA. Dhe, arsyeja është e thjeshtë, paçka se zotëria nuk e ndjen 
dot nga largësia. I përndjekuri shqiptar ka marrë atribute që e kanë 
larguar nga e vërteta. Shumë syresh pa asnjë kontribut janë shitur dhe 
kanë uzurpuar pa fund privilegje. Vetëm me kartën e të përndjekurit 
lloj-lloj surretërish pa asnjë kontribut kanë përfituar benefice të 
pamerituara, duke përzënë masivisht të tjerë, që kanë punuar vetëm falë 
profesionit dhe kokëuljes. Modestia e tyre në Shqipëri quhet dobësi. 
Ndërsa egërsia e akteve të shumë prej njerëzve që luanin kartën e të 
përndjekurit ishte tejet kufijve. Këtë makutëri e shfrytëzoi shumë mirë 
qeveria, që nga ana tjetër vonoi dhe vonoi me lloj skemash 
dëmshpërblimin e shumë të përndjekurve të vërtetë, me dinjitet, apo edhe
 që s’kishin më fuqi të kërkonin atë që u takonte. Ndaj, të tjerët, ata 
që s’vuajtën si ata, u bënë gjithnjë e më shumë indiferentë prej tyre.
E vërtetë, ndërsa i përndjekuri i dytë bënte sërish një akt të tillë 
publik me vetëdjegje, z.Ngjela një i përndjekur që i ka provuar të dy 
krahët politikë madje deri në kupolën zyrtare të drejtësisë shqiptare 
bënte një promovim luksi të kujtimeve të tij. Pak orë më vonë, një 
gjysmë e përndjekur, kryetarja e Kuvendit znj.Topalli do bënte shoë në 
parlamentin shqiptar duke ironizuar kolegët e saj deputetë dhe duke 
shmangur telashin e njerëzve të kategorisë së saj. E më shumë akoma, 
ndërsa të përndjekurit lëngonin në çadrën e tyre, Tirana zyrtare me 
shumë nga ata që tundin flamurin e të përndjekurit, hidhte fishekzjarrë 
triumfi për hapjen e negociatave evropiane.
Në të gjithë këtë hulli, ata që kanë humbur më shumë: kanë qenë ata 
të përndjekur që nuk e ngritën kurrë zërin sepse nuk mund të përballnin 
xhunglën, që krijuan lloj-lloj pseudosh për kinse përndjekjen e tyre. Të
 kujtosh: Nuk janë më shumë se 1100 të pushkatuar për të gjitha fajet 
dhe janë shumë pak familjet që realisht vuajtën dhe që Shqipëria u 
detyrohet, por tashmë je i frikësuar nga sasia e frikshme e të dhënave 
që serviren. Nëse Shqipëria do të kishte realisht kaq disidentë atëherë 
rezistenca do të ishte shumë e shumë më e madhe dhe jo aq e pazëshme si 
ndodhi realisht në Shqipëri. Por, ky është kapitull tjetër, ashtu si 
kapitulli i të humburve dhe të pushkatuarve, që kinse nuk gjenden. Pasi,
 në një shtet si shteti i Enver Hoxhës, ku çdo gjë ishte e dokumentuar 
është e pamundur të mos gjenden evidencat e shumë njerëzve ende pa varr.
 Por, edhe kjo nuk mundet?! Pasi shumë nga ata që vërtetuan ‘fajet’ e 
tyre ishin në pushtet në kohën e socialistëve. Ashtu si po ndodh sot me 
shumë nga pseudo e shumtë të PD-së në fuqi, që i përdorën fillimisht si 
kauzë gjetjen e tyre dhe tashmë as nuk kujtohen më për të pavarrët. Kjo 
mbetet ana e zezë por edhe mjerane e të persekutuarve shqiptarë. Ndaj at
 Zef Pëllumbi mundohej të rrinte sa më veç kësaj rrahje gjoksi, apo 
Kardinal Koliqi, shtynte ditët e fundit në vetmi. Në vend të tyre dolën 
një sorollop i tërë që krenoheshin për gjëra që s’kishin asfare lidhje 
dhe që e molën Shqipërinë në mënyrën më të ndyrë.
Dhe, ndërsa ata që vuajtën realisht burgun që ngrysën jetën nëpër 
internime, të afërmit e atyre që u pushkatuan jetuan në çdo moment 
rrinin me kokën kthyer nga lajmet në gazetë të merrnin vesh ndonjë lajm,
 për ndonjë këst shpërblimi, u persekutuan me indiferencë, nga kinset që
 u morën gjithçka. Dhe, sot ashtu si dikur me ata që përdornin gjakun e 
martirëve të Luftës së Dytë Botërore dhe patriotëve, një takëm tjetër u 
bë më makut dhe transformoi çfarëdo mundej. Ishin të persekutuarit me 
paktin me djallin që bënë Ata i dhanë neo-komunistëve, që sot janë në 
parlamentin shqiptar mundësinë të përdornin të gjithë historinë e tyre, 
në kurriz të pjesës tjetër të popullsisë.
Dhe, ndaj njerëzit janë gjithnjë e më indiferentë për ta dhe për 
grevat e urisë, që zgjasin pafund apo për deklaratat e dy partive në 
fuqi dhe dy partizave të tjera, që ende si kemi parë në zgjedhje, por që
 rreken të tundin flamujt e një kodi të ri marrëdhënie. Ku të gjithë e 
dimë se me paratë që ka shteti shqiptar s’përballon dot jetën e 
jetimëve, të familjeve të varfra etj. Është një pakt me djallin që të 
gjithë e kuptojnë se po e vuajnë, por tashmë s’ka më kthim pas.
Jo shumë javë më larg, askush s’kujtohej më për Xhinxhiç. Për burrin 
që kishin dalë gati 1 milionë veta në funeral, kishin kuptuar se pakti 
me djallin e kishte shpërblyer në këtë mënyrë. Ashtu si të shpërblen 
kurdo djalli.
 
 
No comments:
Post a Comment