Thursday, December 27, 2012

Intelektualë korçarë, reagim për Censusin

Publikuar më 27.12.2012 | 17:12
Qëllimi i këtij shkrimi, nuk ka të bëjë me parashtrimin e argumentave, se sa mjerisht qesharake janë përfundimet e Censusit të fundit, në lidhje me përqindjen që i korrespondon sipas tij komunitetit Orthodhoks në Shqipëri sot në vitin 2012; pasi thjesht e vetëm po të kemi parasysh regjistrimet e viteve tridhjetë dhe atyre të viteve pesëdhjetë, të shekulli të kaluar, po të kemi parasysh përqindjen e Orthodhoksëve sot qoftë dhe në qarkun e Korçës, të cilët e kalojnë shifrën e njëqind e tridhjetë mijëve, dhe ky qark nuk ka numrin më të madh të orthodhoksëve në Shqipëri, kuptohet se sa pa bazë janë të dhënat e nxjerra nga ky Census, për të cilat pritëm kaq gjatë, dhe ata që e organizuan u përpoqën të tregojnë “se u angazhuan” aq shumë, sa natyrshëm të vjen ndërmend shprehja e goditur popullore në këtë rast “U mbars mali dhe polli një mi, kur të gjithë prisnin që të lindte një qytet”.  
Ajo që ne këtë herë duam të bëjmë të ditur nëpërmjet këtij shkrimi, është të denoncojmë këtë fushatë të re me maska të vjetra, të shpifjeve, denigrimeve, goditjeve dhe fyerjeve që sot  po i  bëhen institucionit të Kishës sonë Orthodhokse dhe përfaqësuesit dhe simbolit të saj sot në Shqipëri Fortlumturisë së Tij Kryepiskopit Anastas. Në thelb asgjë nuk ka ndryshuar, për këtë mjafton ti hedhësh një sy shtypit, hija e mekanizmit të hershëm, të dikurshëm shfaqet përsëri dhe përpiqet të irritojë turmat dhe të bëjë për vete ndërgjegjet e tronditura. Shpesh ky mekanizëm i tillë, i ndryshkur ndihmohet nga aleatët e hershëm dhe nga aleatët e rinj në emër të çorbës së vjetër. Gjithçka është e kuptueshme, gjithçka dihet dhe bile ka qenë dhe e pritshme, të paktën për intelektualët orthodhoksë, të cilët më shumë se kurrë janë krenarë që bëjnë pjesë në një religjion që në shekuj ka ditur të krijojë dhe të ruajë pa i manipuluar vlerat më të mira shpirtërore dhe materiale që ka dhe paraqet sot kombi ynë, pa bërë asnjë kompromis dhe pa bashkëpunuar asnjëherë historikisht me asnjë forcë pushtuese, administrative apo politike. Në këtë kontekst edhe sot, ne qëndrojmë përkrah institucionit të Sinodhit të Shenjtë të Kishës Orthodhokse dhe Kryepiskopit Anastas, në këtë denoncim që ata ju bëjnë manipulimeve të këtij regjistrimi, të cilat synojnë të kthejnë në minoritet, grupimin religjionar më të vjetër dhe me më shumë kontribute në vend. Është detyra e kreut të Kishës sonë që në emrin tonë, të të gjithë ne orthodhoksëve që e duam dhe e përkrahim, dhe ne jemi të paktën 1\4 sot e popullatës vendase, të denoncojë publikisht shtrembërimet e qëllimshme, të cilat shpesh bëhen shkaku kryesor i prishjeve të ekuilibrave të brendshëm. E çuditshme dhe e dënueshme do të ishte për çdo orthodhoks të ndërgjegjshëm, sikur institucioni i Kishës Orthodhokse do ta anashkalonte, dhe nuk do ta merrte seriozisht, qoftë edhe për trashësinë e saj, këtë shaka pa kripë të politikave të sforcuara, pasi Kisha e Krishterë parim të përhershëm të saj ka të vërtetën, trumbetimin dhe mbrojtjen e saj. Kjo është arsyeja pse një episkopi orthodhoks i kujtohet gjithmonë gjatë gjithë kohës bile edhe në momentin e “Meshës Hyjnore”, se duhet të jetë shpjegues i drejtë i së vërtetës, dhe vetëm nëse është i tillë ai mbetet gjithmonë episkop orthodhoks, në rastet e tjera mund të jetë gjithçka, një politikan i mirë, një diplomat i mirë, një punonjës social, një bashkëpunëtor i mirë, por jo përfaqësuesi i popullit para Zotit të drejtë dhe të plotfuqishëm. Dhe kryepiskopi ynë Anastas, është një udhëheqës shpirtëror i sprovuar, i mençur dhe çka është më e rëndësishmja, me shumë kontribute në vendin tonë. 
Kështu e shohim ne intelektualët korçarë orthodhoksë dhe jo vetëm orthodhoksë, këtë figurë të respektuar, i  cili ka rritur dukshëm dinjitetin e orthodhoksit shqiptar jo vetëm në Shqipëri, por edhe jashtë saj, por, kjo është një temë e gjatë, së cilës ne i jemi referuar për mëse njëzet vjet, kur si rezultat i paragjykimit vetëm për shkak të përkatësisë etnike, personi i nderuar i Fortlumturisë së tij përgojohej nga gojë të pista dhe ndërgjegje të përçudnuara. Si rezultat i kësaj lufte aspak të “shenjtë” kundër tij, pra kundër Orthodhoksisë, Kryepiskopi Anastas është figura më e monitoruar, nga shtypi dashakeq dhe tendencioz, i cili është i tillë së pari me atë që ai përfaqëson, pra me besimin e pastër Orthodhoks. Por si çdo e keqe që e ka një të mirë, dhe kjo gjë ka patur të mirën e vet, pasi nga e gjithë kjo, është publikuar dhe është bërë botërisht i ditur i gjithë kontributi i tij, predispozicionet e tij, si dhe përkrahja që ai ka prej të gjitha forcave progresiste në këtë vend. Fatmirësisht njerëzit dhe politikanët e mençur e kanë nderuar Kryepiskopin për atë që ai mbart dhe përfaqëson; duke nderuar atë, ne si shqiptarë kemi nderuar veten tonë, pasi nderimi për vlerën dhe mirëbërjen është mirënjohje, dhe mirënjohja është veti e qytetërimit. Kur kjo mungon, ose më keq akoma kur indiferenca i le vendin deformimit dhe shpifjes, atëherë ata që e bëjnë këtë, nuk bëjnë ndonjë gjë të madhe vetëm se vetë demaskohen dhe koha e ka treguar këtë gjë. 
Shoqëria europiane ku ne shpresojmë të aderojmë ka patur dhe ka dy shtylla kryesore, ku ka mbështetur tabanin, prej të cilit në shekuj ka krijuar vlerat e pakontestueshme që mbart, qytetërimin antik dhe krishterimin. Për të ruajtur këto vlera Europa ka luftuar në shekuj, për këto vlera luftuan dhe humanistët shqiptarë, si pjesë integrale e Europës, për këto vlera luftoi populli shqiptar dhe heroi ynë kombëtar Gjergj Kastrioti, bëmat e të cilit, e këtij atleti të Krishtërimit, u përkthyhen gjatë shekujve XV – XVI – pothuajse në të gjitha gjuhët e Europës dhe frymëzuan luftëtarët europianë, të cilët u sakrifikuan për mbrojtjen e themeleve të Europës plakë nga agresioni i jashtëm, për mbrojtjen e këtyre dy shtyllave. Pra edhe populli ynë pavarësisht gjendjes së sotme, është krenar që ka kontribuar në mbrojtjen e këtyre vlerave. Tharmi i këtij kombi nuk mund të ndryshojë me ndërhyrje të jashtme aparetive, të cilat inkursionet e huaja janë përpjekur t’ja lenë si shenjë zhbërjeje dhe tjetërsimi. Edhe Kryepiskopi ynë Anastas, kryqëzohet në mënyrë të vazhdueshme pasi e ngre zërin dhe punon në emër të këtyre vlerave, prandaj edhe titullin e e lartë të akorduar nga shteti shqiptar që lidhet me emrin e Gjergj Kastriotit, Skënderbeut, e meriton më shumë se çdo njeri tjetër, qoftë edhe për faktin e asaj që ai përfaqëson, përveç sa ka bërë. Gjithçka dihet, gjithçka kuptohet, pavarësisht që shpesh nuk ja vlen barra qiranë të merresh me dashakeqësinë, se humbet kohën kot. Por në momente të caktuara është e nevojshme që gjërat të thuhen ashtu siç janë, pasi e drejta dhe e vërteta janë në vetvete të patjetërsueshme dhe koha gjithmonë i evidenton. 
Shpesh manipulimet, denigrimet dhe kundërvëniet kanë qenë dhe janë aq të trasha sa fyejnë bile edhe inteligjencën më mediokre, prandaj është detyrë e çdo institucioni, forumi, medie dhe çdo intelektuali që ti denoncojë dhe ti publikojë ato me forcë. Ja pse ne intelektualët orthodhoksë korçarë gjejmë mundësinë dhe falënderojmë institucionin e Kishës dhe kreun e saj, për ngritjen e zërit, kundër një manipulimi kaq fyes për ne, për vetë qëllimet që ai mbart në vetvete. 
Vasil Tushi  Pedagog
Vasillaq Kolaci  Mësues
Arben Gjata Pedagog
Petrika Tanushi Ekonomist
Spiro Gjançi  Pedagog
Dhimitri Kondakçi Inxhinier
Ylli Trajçe Aktor
Vangjush Dishnica Mësues
Dhionis Kotmilo Ekonomist
Vangjush Nikolicari Mësues
Niko Face Mësues        
Artan Loci Ekonomist
Thoma Piluri Mjek
Vangjush Themeli Mësues
Grigor Mulla Mësues
Reitano Galica Mjek
Migena Shamblli Mësues        
Vangjush Themeli Mësues
Vangjush Kotti Biznesmen
Thimaq Lapi Ekonomist
Sotiraq Dojçe Inxhinier
Sotiraq Simaku Biznesmen
Ernesti Golka Ekonomist
Maksim Lubonja Mjek
Themistokli Bambulla Theolog        
Smaragda Kovaçi Mësuese
Milla Lubonja Ekonomiste        
Aurora Simaku Juriste
Gjergji Trebicka Biznesmen
Vangjush Simaku Mësues
Dhe shumë të tjerë që për arsye vendi nuk i kemi shkruar emrat.
*Materiali është shpërndarë për mediat nga zyra e Shtypit e Kishës Autoqefale Orthodokse të Shqipërisë 

No comments: