Wednesday, December 19, 2012

INTERVISTA/ Vangjel Dule: Autorët e Censusit, manipulatorë të realitetit. Rezoluta çame? historia nuk ribëhet

Postuar në: Aktualitet,Politika |


Nga Ben Andoni, JAVA
Duket se pritmëria e Censusit nuk e ka tejkaluar atë që keni parashtruar ju në intervistat e shkuara, që Censusi do të kishte shumë probleme. Si i shikoni tashmë përfundimet e tij?
“Për të gjithë mesa e kemi ndjekur nga afër, si përgatitjen ashtu edhe realizimin në terren të Censusit 2011, nuk kishte asnjë dyshim se ishte një dështim i paralajmëruar. Amendimet e ligjit për Census-in në korrik 2011 e nxorën atë nga shtrati i një instrumenti bashkëkohor që përdoret nga shteti i së drejtës dhe shoqëria e organizuar, mbi produktin e të cilit mbështet rregullimin e marrëdhënieve midis të gjithë përbërësve të konfiguracionit etnik, fetar, social etj., të saj dhe e shndërroi atë në një burim potencial problemesh të reja dhe pengesash serioze në përpjekjen e ngritjes së një shoqërie koherente multietnike dhe multireligjioze të parametrave evropiane.
Ajo që kërkohej në thelb nga Censusi 2011 ishte garantimi i se drejtës asnjëherë të respektuar që nga themelimi i shtetit shqiptar dhe deri më sot, i asaj të vetëdeklarimit të qytetarëve të tij në lidhje me përkatësinë e tyre etnike, bindjet fetare dhe gjuhën amtare. Mosplotësimi i këtij standardi e shndërroi Census-in në të paqenë, në një kostum bosh”.

Ka një pakësim të madh të numrit të anëtarëve të minoriteteve grekë dhe maqedonë, në favor të shtimit të popullsisë shqiptare. A mendoni se kjo i përgjigjet realitetit real të përbërjes së popullsisë tonë?
“Rezultatet e shpallura në vetvete na lenë krejtësisht indiferentë. Organizatat përfaqësuese të minoriteteve kryesore u bënë thirrje pjesëtarëve të tyre për mospjesëmarrje në Census-in parodi dhe e kanë deklaruar a priori se nuk e njohin atë. Kjo thirrje u respektua në një shkallë pothuajse absolute nga pjesëtarët e minoriteteve. Vëzhgimi sistematik në terren i Census-it tregon se vetëm 5-7% të pjesëtarëve të Minoritetit Etnik Grek nuk iu bindën për arsye të ndryshme, kryesisht presionit shtetëror, thirrjes se OMONIA-s dhe u regjistruan.
Nga ana tjetër, me përpunimin e deklarimeve të regjistrimit, në proces, të pjesëtarëve të Minoritetit Etnik Grek të organizuar nga OMONIA, do të kemi muajt e parë të vitit 2013 një pasqyrë të plotë dhe të besueshme të numrit te tyre.
Sidoqoftë, pasi e kam ndjekur nga afër për më shumë se një dekadë  çështjen, do doja të theksoja se frymëzuesit dhe realizuesit e Census-it, siç ai u mbajt në tetor 2011, janë manipulatorë por edhe provokatorë të realiteteve etnike dhe fetare në vendin tonë”.

Rritja e termave nacionalistë të z.Berisha pa dashje po i përkon edhe fundi i Censusit. A mendoni se ka një lidhje mes këtyre fenomeneve
“Ajo që mund të thotë kushdo me siguri është se amendimet e Ligjit për Census-in as nuk u propozuan dhe as nuk u miratuan pa pëlqimin e Kryeministrit. Sikurse edhe realizimi i Census-it farso-komedi prej ISTAT-it nuk do të mund të ishte i tillë pa pëlqimin e eprorit të tij. Gjërat që vetëkuptohen nuk është nevoja të theksohen,- thoshin Grekët që në Lashtësi.
Paroksizmat nacionaliste, si të Kryeministrit, ashtu edhe të aktorëve të tjerë të politikës i kanë shkaktuar një dëm jo të vogël vendit në aspekt imazhi dhe pozitash. Kambanat në Bruksel dhe Washington nuk ranë thjesht ngaqë frynte erë”.

Komuniteti ortodoks ka një ulje të ndjeshme në favor të komuniteteve të tjera. A mendoni se kjo është krejt larg realitetit, nga të dhënat që keni ju…
“E dinë të gjithë se besimtarët orthodhoksë janë shumëfish i asaj që deklaron INSTAT-i. E dëshmojnë më së miri librat e pagëzimeve dhe martesave që me rigorozitet të madh ruhen nëpër kisha ndër shekuj. Filozofia e manipulimit të gjetjeve të Census-it në aspektin fetar dallohet shumë qartë së largu, por nuk mund të trajtohet në kontekstin e një interviste”.

Si e shikoni rezolutën e fundit të Partisë PDIU dhe përçarjen e këtij komuniteti për sa i përket përfaqësimit politik. A duket se ka një shfrytëzim të kauzës së tyre për interesa elektoralë…
“Nuk na ka preokupuar kurrë se sa të bashkuar apo të ndarë janë në parti të tjera. Tregu i ideve dhe platformave politike është i lirë dhe në gjykim ekskluziv të qytetarëve.
E keqja lidhet në faktin se gjithmonë edhe më tepër dëgjohen zëra politikanësh dhe forcash politike të orientuara drejt së shkuarës që i hakërrohen të ardhmes dhe frymës së saj. Dhe, për më keq, në një kohë që të gjithë së bashku duhet të bëhemi barrierë kundër tyre, me këto zëra periferike flirtojnë, për një grusht votash, edhe forca të mëdha politike.
Për çfarë kauze e kini fjalën? Historia nuk ribëhet, nuk negociohet, nuk parashkruhet. Status quo-ja në Evropën e sotme është produkt i vendimeve të forcave të mëdha fituese të Luftës së Dytë Botërore ku fatet e secilit shtet, popull, individ u vendosën me kriter qëndrimin e mbajtur në ato momente nga më kritiket për fatet e njerëzimit”.

A nuk duket se veprimet e fundit që po bëjnë institucionet e ndryshme tregojnë se z.Berisha ka akses të tepruar në të gjithë jetën institucionale të vendit?  A po e dëmton imazhin e vendit kjo sipas jush?
“Berisha nuk ka mundur asnjëherë ta fshehë dëshirën për të kontrolluar këdo dhe gjithçka. Nëse sot jemi në situatat që ka një influencë përtej normales në kushte demokracie në shumë institucione, kjo është rrjedhojë e kësaj ambicieje të tij të njohur nga njëra anë dhe e realitetit të një cikli betejash politike të padhëna ose të dhëna përgjysmë nga ana e PS. Përse mendoni se jemi ende jashtë vatrës evropiane? Thjesht dhe vetëm se nuk votuam tre akte legjislative?”

No comments: