KISHA ORTHODHOKSE
AUTOQEFALE E SHQIPËRISË
DEKLARATË ZYRTARE
Të dhënat e Censusit 2011, për të krishterët orthodhoksë
të Shqipërisë,
janë tërësisht të pasakta dhe të papranueshme.
janë tërësisht të pasakta dhe të papranueshme.
1. Të dhënat e fundit, të shpallura
zyrtarisht nga INSTAT-i mbi përkatësinë fetare të popullsisë, në Censusin e
fundit të vitit 2011, shpallin se të krishterëtorthodhoksë në Shqipëri janë
6,75%. Pa dyshim bëhet fjalë për një gabim statistikor fare të qartë ose më
saktë për një gënjeshtër. E tërë metodologjia që u ndoq për regjistrimin e
përkatësisë fetare nuk iu përgjigj aspak metodës elementare objektive që ndiqet
nëvendet evropiane. Për rrjedhojë, një gjë e tillë, fyen jo vetëm të krishterët
orthodhoksë, të cilët që nga fillimi i shtetit shqiptar janë komuniteti më i
madh i krishterë në numër, por edhe të gjithë të krishterët, të cilëve iu
zvogëlohet në mënyrë të ndjeshme madhësia nga 31% në 17%. Si përfundim, ky
veprim errëson pamjen e përgjithshme të Komuniteteve Fetare në Shqipëri.
Propozimi ynë për organet kompetente ishte që pyetja në lidhje me fenë të ishte e detyrueshme, si të gjitha pyetjet e tjera, e qartë dhe e saktë, për të nxjerrë rezultate të drejta: Jam:
Politikanë të ndryshëm, por edhe qarqe fetare, u rreshtuan kundër kësaj pyetjeje dhe u kultivua një frikë e përhapur kudo se mos ndoshta feja lidhet me deklarimin e kombësisë. Komuniteti Orthodhoks, nuk formuloi asnjë kundërshtim, por u kufizua në theksimin e detyrimit për të pasur objektivitet dhe seriozitet gjatë gjithëzhvillimit të regjistrimit. Si përfundim, pyetja mbi fenë u bë fakultative, e paqartë dhe e vështirë për qytetarët, veçanërisht për ata me arsim të kufizuar. Kjo siç duket, për të diktuar përgjigjet në një drejtim të caktuar dhe për t’i regjistruar qytetarët në mënyrë arbitrare. Fleta e regjistrimit të INSTAT-it shkruan:
Siç shihet më sipër
del shumë nëpah pyetja ngatërruese nr.2. Nuk ka në botë term për të denominuar
fe me emrin “besimtar”. Besimtar i kujt? I cilës fe saktësisht? Megjithë këtë
rezultatet u dhanë me përcaktim të qartë të fesë: myslimanë 56,70%, katolikë
10,03%, orthodhoksë 6,75%, bektashinj 2,09%, ungjillorë 0,14%, të krishterë të
tjerë 0,07%, ateistë 2,50%, besimtarë të pacilësuar 5,49%. Pasues të feve të
tjera 0,02%. Nuk u përgjigjën 13,79%.
2. Gjatë dy të
dielave të fundit, 9 dhe 16 dhjetor 2012, tek orthodhoksët pjesëmarrës në
meshimet në kishat e Tiranës, Durrësit, Beratit,Korçës, Vlorës, si dhe në
qytete të tjera,ndamë pyetësorë në lidhje me Censusin. Rezultatet ishin
tronditëse. Anketimit tonë iu përgjigjën me emër, mbiemër dhe adresë 7118
persona. Prej këtyre 2469 persona ose 34,68% deklaruan se u vizituan dhe u
pyetën për përkatësinë fetare gjatë Censusit. Ndërsa nuk u vizituan fare nga
regjistruesit ose u vizituan dhe nuk u pyetën mbi përkatësinë fetare 4643
persona ose 65,23%. Gjithashtu 56 persona deklaruan se regjistruesit i shënuan
të dhënat me laps ose në një fletore tjetër dhe 11 persona pohuan se
regjistruesit nuk donin ta shënonin fenë ose e shënuan atë pas shumë
këmbënguljeje. Për më tepër, kemi dëshmi të shumta se regjistrimi në një pjesë
të madhe të tij është kryer nga regjistruesit me shënime në fletore, jo siç e
kërkon procedura të shkruhet në pyetësor dhe as nuk janë firmosur nga
deklaruesit.
3. Gjatë 100 viteve të pavarësisë së
shtetit shqiptar janë kryer vetëm dy regjistrime në të cilat përfshihej pyetja
mbi përkatësinë fetare. Sipas statistikës së vitit 1927 kemi këto të dhëna:
myslimanët sunitë dhe bektashinj përbënin 67,5%; orthodhoksët 22,3% dhe
katolikët 10%. Ndërsa sipas regjistrimit tjetër të kryer nga autoritetet
italiane, në vitin 1942, të dhënat e nxjerra ishin: myslimanë 68,9% të
popullsisë (nga të cilët sunitë 54,17% dhe 14,73% bektashinj) dhe të krishterë
31% (nga të cilët orthodhoksë 20,7% dhe katolikë 10,3%).
Pas persekutimit të gjatë antifetar dhe
ardhjes së demokracisë në vitin 1991, është shumë i qartë për të gjithë në këtë
vend ringritja e të gjitha Komuniteteve Fetare Tradicionale, si dhe lulëzimi
mjaft i dukshëm i Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë. Pra është shumë
e çuditshme dhe e dyshimtë, përse disa qarqe të caktuara synuan me makinacione
të ndryshme të tregojnë se orthodhoksët u pakësuan me 2/3.
Sipas të dhënave kishtare që ne disponojmë
(regjistrat e pagëzimit, para dhe pas persekutimit, si dhe nga regjistrat e 460
famullive orthodhokse në të gjithë vendin) numri i të krishterëve orthodhoksë e
tejkalon 24% të popullsisë së Shqipërisë. Me të drejtë mund të ngrihet pyetja:
Ku janë mbi 17% e orthodhoksëve të tjerë që i fshehu regjistrimi?
Të gjitha të dhënat mbështesin faktin se
nën përqindjet e regjistrimit që përcaktohen si “Nuk u përgjigjën 13,79%” dhe
“besimtarë të pacilësuar 5,49%” ndodhen të krishterët orthodhoksë në shumicën e
tyre dërrmuese: a) Ata që vendosën me dëshirën e tyre të mos marrin pjesë në
regjistrim, p.sh shumica e minoritetit grek, ndoshta edhe e vllahofonëve,
malazezëve, si dhe e minoriteteve të tjera. b) Ata që iu shmangën deklarimit
direkt të fesë, pas një presioni psikologjik që krijuan disa qarqe ekstremiste
dhe pas kërcënimeve në lidhje me deklarimin me dëshirë të besimit fetar dhe
kombësisë. c) Të gjithë ata të cilët regjistruesit nuk i vizituan (janë mijëra
persona që e vërtetojnë këtë fakt), si edhe fshatra dhe lagje të tëra
orthodhokse. d) Ata persona që u vizituan, por nuk u pyetën fare për
përkatësinë fetare, ose kur u deklaruan orthodhoksë, regjistruesit në mënyrë
arbitrare i vendosën në një kategori të pacilësuar.
E ndërsa pyetja për fenë u përcaktua si
fakultative, me dëshirë, bashkë me atë të kombësisë, u kthye në fund fare në
karakteristikën qendrore të këtij regjistrimi. (Vlen për t’u shënuar fakti se
vetë regjistrimi, ndaj pyetjes së kombësisë, nxjerr këto rezultate: në fillim
shqiptarë 82,58% dhe në fund: nuk u përgjigjën 13,96%).
Sipas Këshillit të
Evropës (“Third Opinion of the Council of Europe on Albania
adopted 23.11.2011”), procedura e regjistrimit në lidhje me çështjen e
kombësisë nuk është bërë sipas standarteve të pranuarandërkombëtarisht dhe
duhet të përdoret “me kujdesin më të madh” (with the outmost caution)dhe të mos mbështeten ekskluzivisht
në këto vendimet e autoriteteve politike.
*
*
Pas fakteve të mësipërme, deklarojmë:
Denoncojmë metodën antishkencore që u ndoq për këtë çështje të ndjeshme fetare.
Protestojmë për shtrembërimin flagrant të etikës profesionale. Nuk
njohim të dhënat mbi përkatësinë fetare të popullsisë që jep statistika e
fundit e vitit 2011 bërë nga INSTAT.Plane dhe veprime të tilla mund të minojnë
bashkekzistencën dhe harmoninë fetare për të cilën jemi përpjekur.
Kërkimi i së vërtetës është diçka themelore
për një shoqëri të qytetëruar, veçanërisht në çështje kaq delikate, si besimi
fetar i qytetarëve. Dhe vetëm e vërteta mund ta ndihmojë Shqipërinë në ecurinë
e saj drejt Evropës së Bashkuar dhe në përgjithësi përparimin në shekullin e
njëzet e njëtë.
Këshilli Kishtar Kleriko-laik i Kishës Orthodhokse
Autoqefale të Shqipërisë*
(*Në këtë organ institucional të Kishës
marrin pjesë të gjithë anëtarët e Sinodit të Shenjtë, si dhe priftërinj dhe
laikë - burra, gra dhe të rinj, përfaqësues të Kryepiskopatës dhe të
Mitropolive).
Tiranë, 17 dhjetor 2012
No comments:
Post a Comment