Tuesday, December 18, 2012

“VIJA E KUQE” E AMERIKËS PËR KUQENXIRËT SHQIPTARË

ARBEN MANAJ
Arben Manaj
Amerikanët folën shumë hapur dhe pa doreza për tonet nacionaliste të pre dhe post pavarësisë në Shqipëri. Ata dhanë edhe arsyet përse përdoret kjo gjuhë, që sido që të spërdridhet, paevitueshmërisht bëhet për efekte elektorale.
Po aq paevitueshmërisht, kjo gjuhë dëmton sa interesat e kombit shqiptar aq edhe ato afatshkurtra dhe afatgjata të atyre politikanëve shqiptarë që e kanë kërkuar atë si strofkën e fundit të karrierës së tyre politike, ose atyre që sapo e kanë filluar atë.
Kjo gjuhë për Uashingtonin është kundërproduktive dhe destabilizuese, sipas ambasadorit amerikan në Tiranë në daljen e tij të fundit publike.
Kaq do të mjaftonte që çdo politikan me mend në kokë dhe që do të bëjë karrierë apo do të mos e zhbëjë më keq karrierën e tij në muzgun politik, ta marrë mesazhin se kjo është “vija e kuqe”, e cila nuk duhet shkelur kurrsesi.
Përpos thirrjes për krerët politikë që ta mprehin mirë thepin e retorikës nacionaliste, kryediplomati amerikan në Tiranë ua bëri më të qartë se kurrë shqiptarëve të thjeshtë, që të mos bien pre e iluzioneve për një “Shqipëri të Madhe” të rreme, por të fokusohen në hallet e tyre të përditshme.
Dhe për shqiptarët e thjeshtë e shoh mesazhin amerikan më shumë sesa për udhëheqësit politikë, me të cilët problemi është shumë i thjeshtë.
Te këta të fundit, ka precedentë për mënyrën se si mund të ndëshkohen kur bëjnë “kakërdhi”, dhe aq më tepër kur e ke emrin dhe jo aq rastësisht Sali. Historia e dy dekadave të fundit shqiptare është e vetëmjaftueshme, se si…!
Shqipëria dhe shqiptarët e këtij fillimshekulli nuk janë ata të fillim, mes apo fundshekullit të kaluar, që nuk ishin as anëtarë të NATO-s dhe as me një Kosovë të pavarur, pa pasur në krah amerikanët.
Ata e kanë kapërcyer etapën e rrëmbimit të armës për të drejtat e tyre kombëtare, për të kapur armën e integrimit, si të vetmin mjet të tolerueshëm dhe pragmatik të certifikuar ndërkombëtarisht, dhe veçanërisht nga amerikanët sërish, për përmbushjen e aspiratave të tyre kombëtare dhe demokratike.
Çdo rrugë tjetër që nuk kalon nga Brukseli, të çon në greminë. Dhe kjo qasje është e vlefshme ekskluzivisht për të gjithë kombet e Ballkanit Perëndimor, dhe jo vetëm për shqiptarët.
Në konsetalacionin gjeostragjik dhe gjeopolitik të krijuar në gadishull është e paimagjinueshme që dikush në 2012-2013-n të mund të bëjë më Millosheviçin, as në Shqipëri e as në Kosovë, as në Shkup e as në Beograd, as në Sarajevë e as në Podgoricë.
Paralajmërimi amerikan ishte i njëvlefshëm për Berishën dhe Aleancën Kuqezi, edhe pse i pari hyri në lojë jo si nacionalist, se sa si politikan i rrezikuar nga retorika e paeksperiencë e të dytëve rishtar.
Amerikanët kanë kohë që flasin me shqiptarët si kurrë më parë, se duhet të ndërgjegjësohen dhe të veprojnë e lëvizin për të mirën e tyre dhe të mos shpërqendrohen nga gjërat që njeriu nuk mund t’i realizojë kur i mungojnë ato që janë më jetike, ose e thënë ndryshe, që nuk mund të ndërtojnë shtëpinë duke filluar nga çatia pa hedhur themelet më parë.
Dhe themeli që në këtë rast ekuivalentohet edhe me çatinë quhet dhe e thënë në mënyrë të përsëritshme është; integrimi euroatlantik, sipas Arvizusë.
Prej tij do të rrjedhin të gjitha frytet dhe përparësitë ekonomike, politike dhe kombëtare për gjithë shqiptarët, pavarësisht se në cilën gjerësi gjeografike të Ballkanit marrin frymë.
E kundërta e saj përkthehet jo vetëm zhbërje e arritjeve të evidentuara në 100-vjetorin e Pavarësisë, por edhe minim i çdo aspirate tjetër.
Amerikanët kurrë nuk ua kanë pasur me pabesi shqiptarëve që në krye të herës. Përkundrazi. Ndaj dhe duhen dëgjuar dhe falënderuar sa herë Shqipërisë i çoroditet, çuditërisht atëherë kur nuk duhet dhe nuk pritet, busulla për qëllime meskine pushtetesh të përkohshme kuqenxirësh shqiptarë.

No comments: