Saturday, December 22, 2012

Lufta kundër Komunitetit Ortodoks nëpërmjet akuzave të pabaza ndaj Kryepeshkopit do të shkaktojë largimin nga AK

Lufta politike dhe pasojat e saj social-religjioze
Publikuar më 22.12.2012 | 15:57
Pirro Prifti
Lufta Politike në Shqipëri po vazhdon me të njëjtin temp ashtu si 22 vite më parë, por në mujat e fundit ashpërsimi ka pushtuar dhe faktorë të tjerë social-religjiozë duke acaruar problemet ekzistuese në dëm të tolerancës dhe integrimit. Kjo sepse disa politikanë dhe parti politike po përdorin kartën e nacionalizmit  thjesht për të fituar disa vota hipotetike për zgjedhjet e ardhshme, por gjithashtu ata po shkaktojnë dëme kolaterale që mund të jenë të paparashikuara kur vjen puna për kërkesa absurde politike drejtuar Presidentit. 
Disa drejtues të AK-së janë pa dyshim nacionalistë ekstremistë, të cilët nën maskën e propagandimit të Shqipërisë së Madhe, po shajnë këdo dhe pa doganë, duke kujtuar kështu se në këtë mënyrë do të fitojnë vota. Kërkesa e tyre e fundit, është  plotësisht  absurde dhe e pa-imagjinueshme. AK i ka drejtuar Presidentit të vendit për t`i hequr Kryepeshkopit të KOASH-it medaljen e Skënderbeut. Kjo kërkesë nuk ka asnjë pikë respekti, tradite, dhe etike, humane, dhe kortezie për kësi procedurash të rregullta. Arsyet përse AK bëri këtë gjë janë disa por ndër të tjera mund të theksohej se lufta kundër Komunitetit Ortodoks nëpërmjet akuzave të pabaza ndaj Kryepeshkopit do të shkaktojë largimin nga AK të të gjithë ortodoksëve dhe të njerëzve të ndershëm që nuk mashtrohen nga deklarata të tilla. Logoreja dhe mllefi kundër ortodoksisë shqiptare është i njëllojtë me disa pseudo-atdhetarë të pas viteve 1990 e deri më sot të cilët nuk kanë lënë gazetë, media, tv, dhe debate të kota  kundër  komunitetit të madh të fort e të respektuar ortodoks. 
Nënvlerësimi i vlerave të Ortodoksisë u pa qartë  dhe kulmoi,që në festën e 100 vjetorit të Pavarësisë dhe e përfundoi detyrën me uljen në përqindje absurde të popullatës Ortodokse në 6.8%. Kjo është qartazi një manipulim dhe një përgatitje për të nxjerrë jashtë loje në historinë dhe politikën shqiptare të popullatës ortodokse dhe të inteligjencies ortodokse, duke dëmtuar rëndë kështu tolerancën fetare dhe integrimin e vendit. Sipas mendimit tim ka një  përgjigje e thjeshtë për këto probleme: në Shqipëri po ravijëzohen dy linja: ajo anti-evropiane e fshehtë për mbajtjen e pushtetit me anë të manipulimeve dhe linja tjetër, ajo e nacionalizmit ekstremist që i ka sytë nga lindja. 

No comments: