Kur Parlamenti Evropian aprovoi heqjen e vizave për Shqipërinë dhe
Bosnjen në vitin 2010, në Tiranë kjo u festua si rrallë ndonjëherë. Dekori
kryesor i festës u vendos në sheshin qëndror "Skënderbej", dëshmitar
i ngjarjeve më të mëdha në historinë e vendit. Kolonat e rënda të fasadës së
Pallatit të Kulturës gurin themeltar të të cilit e ka vendosur Hrushovi në
kohën kur Shqipëria ishte pjesë e kampit socialist, u mbuluan me pankarta gjigante. Ngjyra e tyre ishte në blunë e flamurit evropian që jo rastësisht përkon me ngjyrën e
flamurit të Partisë Demokratike në pushtet, themeluar më 1990 si kurorëzim i
protestave studentore që,
mes tjerash, lëshuan edhe thirrjen: "E duam Shqipërinë si gjithë
Evropa". Në pankartën e madhe në qendër të
fasadës, krahas yjeve të verdhë të Bashkimit Evropian ishte disenjuar shqiponja
e zezë e flamurit shqiptar, flamuri i SHBA, aleati i madh, si dhe shkruhej me
gërma të mëdha të bardha: “Pa viza në
Evropë”. Nëpër flamujt e tjerë, që mbulonin krej fasadën gjigante të Pallatit,
shkruheshin emrat e kryeqyteteve të mëdha të
Evropës dhe kohët e fluturimit përdrejt tyre duke transmetuar idenë se tashmë,
brenda një harku kohor prej një, dy, maksimumi tre orësh, shqiptarët do të mund
të gjendeshin në Paris, Romë, Berlin, Vjenë, Madrid, Athinë, Zyrih e me radhë.
Në të gjithë vendin u hodhën fishekzjarre, u mbajtën koncerte që shoqëronin
fjalime të zjarrta politike. Kryeministri Berisha e quajti ngjarjen më të
rëndësishmen në historinë e shqiptarëve, që nga koha e Skënderbeut - heroi
kombëtar që, në mitologjinë nacionaliste shqiptare, të ripërpunuar në kohën e
nacional-komunizmit të Enver Hoxhës sipas një konceptimi teleologjik dhe një
qasjeje thellësisht esencialiste përsa i përket identitetit kombëtar, luftoi me
osmanët në Shek XV për çlirimin e atdheut e që, pas rënies së komunizmit është
ri-ripërpunuar edhe si hero i besimit se shqiptarët always already (ngaherë e tashmë) kanë qenë/janë evropianë, kurse
pesëqind vjet pjesë e Perandorisë Osmane apo 50 vjet komunizëm kanë qenë
thjesht aksidente në historinë e tyre.
Shqipëria e madhe evropiane
Ky mitizim i Evropës, i filluar nga levizja nacional romantike në
kapërcyell të shekujve XIX - XX, kur Shqipëria u bë shtet i pavarur
(1912-1913), me ndihmën veçanërisht të Austro Hungarisëe dhe Italisë, i
ndërprerë për gjatë gjysëm shekulli nga diktatura nacional - komuniste, dhe i
rivitalizuar pas viteve 90, është shoqëruar gjatë këtyre njëzet vjetëve
postkomunizëm edhe me një aspiratë tjetër që shqiptarët e formulojnë me
shprehjen: "zgjidhja e çështjes kombëtare". Me këtë ata kuptojnë
pavarësimin e Kosovës në kuadër të dizintegrimit të Jugosllavisë dhe bashkimin
e saj në shtetin mëmë të cilit do t'i bashkohet edhe një pjesë e FYROM-it
(Maqedonisë), ajo perëndimore, banuar kryesisht me shqiptarë. Ndonëse elitat në pushtet e shprehin me
doreza këtë aspiratë dhe, veçanërisht në deklarimet për ndërkombëtarët, flasin
për respektim të kufijve, brenda përbrenda hapësirave shqiptare bashkimi
konsiderohet si hap i mëtejshëm i paevitueshëm i historisë së tyre që ata
vazhdojnë ta konceptojnë si një rrugë metafizikisht të determinuar.
Në Shqipëri dhe Kosovë refuzohet të përdoret fjala kombësi ("nationality" në
anglisht) për të shprehur përkatësinë në shtetin komb shqiptar, maqedonas, apo atë kosovar
që sapo ka nisur si projekt. Në vend të saj përdoret fjala shtetësi (citizenship) ndërkohë që kombësi përdoret për të gjithë shqiptarët në rajon, për të treguar
përkatësinë etnolinguistike, gjakun, që, sipas tyre, ka qenë dhe është po ai
qysh në kohën e ilirëve dhe është më i rëndësishëm sesa shtetësia. Në Kosovë,
por edhe në Shqipëri, janë të pakët ata që besojnë në projektin që simbolizon
flamuri me gjashtë yje i Kosovës sipas të cilit kjo mund të bëhet një shtet -
komb multietnik që do t'i bënte
serbët dhe etnintë e tjera që banojnë atje, krahas maxhorancës shqiptare, të
vetëquheshin kosovarë përsa i përket kombësisë (nacionality). Mbi 80 % e
shqiptarëve të Kosovës përgjigjen ne
çdo survey se janë pro Shqipërisë etnike. Sipas sondazheve të Gallupit (2010)
janë mbi 60% shqiptarët e Shqipërisë që mbështesin idenë e kësaj Shqipërie, ku
një pjesë nuk hezitojnë të fusin edhe pretendimin për Çamërinë, rajon i Epirit
në Greqi i banuar deri në Luftën e Dytë kryesisht nga shqiptarë të cilët pësuan
një spastrim etnik nga grekët pasi u akuzuan si bashkëpunëtorë me gjermanët.
Paradoksalisht, projekti i integrimit të shqiptarëve në BE-në e
krijuar pikërisht si pasojë e tragjedisë së shkaktuar nga projektet
nacionaliste evropiane dhe projekti nacionalist i "Zgjidhjes së çështjes
kombëtare" nuk trajtohen në diskursin dominant brendashqiptar si në
kontradiktë me njëri tjetrin. Përkundrazi këta trajtohen si dy projekte që,
ndonëse për një kohë mund të ecin paralelisht, tek e fundit do të konvergojnë.
Sipas zgjidhjes më të reklamuar të këtij diskursi futja në bashkimin Evropian
do t'i bëjë të panevojshëm kufijtë dhe atëhere shqiptarët në të tre shtetet ku
jetojnë do të mund të bashkojnë interesat e tyre në atë që disa ideologë të
bashkimit e quajnë "Shqipëria natyrore" - duke evituar të përdorin
termin "Shqipëria e madhe" për shkak të konotacionit negativ që ka ky
term në Ballkan. Po ashtu në këtë diskurs bëhen pak përpjekje për ta trajtuar integrimin
në Evropë të shqiptarëve si përpjekje për ndërtimin në Ballkan të një kulture
postnacionaliste në frymën e kulturës që u zhvillua në Evropën e pas Luftës së
Dytë midis vendeve ndërluftuese. Ai më shumë e trajton atë si një lidhje me Evropën mike, ndërkohë
që me fqinjët armiq historikë, serbët, maqedonasit, malazezët, apo me grekët duket
sikur do të vazhdohet të jetohet me ndjenjat e vjetra të armiqësisë dhe
mosbesimit.
Me shpatë në dorë
Mbështetja që ka dhënë shumica e shteteve evropiane për çlirimin e Kosovës më
1999 si dhe për njohjen pavarësisë së saj, e lehtëson jo pak këtë diskurs. Por ambiguiteti i tij i ka
rrënjët edhe në të kaluarën e trashëguar, ashtu sikurse edhe me kontekstin gjeopolitikë në
rajon e më gjerë. Le të mos harrojmë se edhe nacional - komunizmi. ideologjia e
sundimit të Enver Hoxhës, bashkoi glorifikimin nacionalist të historisë së
shqiptarëve që e "kanë çarë rrugë e historisë me shpatë në dorë" me
Shqipërinë si "kështjellë e vetme e marksizëm leninizmit në Evropë"
në një sinkretizëm ideologjish teorikisht kontradiktore. Sot në një farë
kuptimi mund të thuhet se elita e sotme politike, trashëguese e të njëjtave
metoda të menduari, gjithë duke ruajtur degën nacionaliste të asaj ideologjie,
e ka zëvendësuar atë komuniste me mitizimin e evropianizimit, duke ndërtuar si ideologji pushteti nacional
- evropianizmin, ku ndërsa nacionalizmi shihet si themeli i patundshëm i sigurt
identitetdhënës, evropianizmi si idelogjia që përcakton "të ardhmen e
ndritur" për kombin shqiptar.
Por nuk është vetëm bota shqipare që punon sipas kësaj ideologjie
binare. Ku më shumë e ku më pak edhe të gjitha vendet e Ballkanit funksionojnë
po kështu. Po ashtu rritja e
lëvizjeve nacionaliste kudo në Evropën e pasur si pasojë e globalizmit,
rrezikut të emigracionit si dhe krizës së fundit ekonomike e lehtësojnë jo
pak ambiguitetin e këtij diskursi
nacional evropianist në Ballkan. Për Shqipërinë mund të theksohet si më i
veçantë fakti se, për
shkak të së kaluarës që e mbajti të izoluar nga Perëndimi dhe Lindja deri në
1990, vuan më shumë nga mpirja e mendimi kritik dhe, për pasojë edhe nga
mungesa thuajse e plotë e problematizimit të diskursit nacional - evropianist.
Ndërkaq, gjatë këtyre njëzet
vjetëve realiteti social
ekonmik si në Shqipëri edhe në Kosovë po ndeshet me jo pak probleme të
akumuluara që e bëjnë shoqërinë të jetojë një lloj skicofrenie midis realitetit
tejet të vështirë social ekonomik dhe premtimeve të diskursit nacional -
evropianist.
Takimi më globalizimin e ka kthyer vendin
gjithnjë e më shumë në një hapësirë ekonomike të hapur për investime e që, në
kushtet e varfërisë dhe prapambetjes, po përkthehet në shtitblerje të vendit
nga kapitali i huaj.
Klasa e korruptuar politike në pushtet e ka
kthyer politikën gjithnjë e më shumë në menaxhim të bizneseve të veta duke bërë
që efektet e kapitalizmit dhe globalizmit të rëndohen edhe më.
Ekonomia informale - për të mos thënë
kriminale - që filloi të zhvillohet pas rënies së komunizmit, edhe si pasojë e
paaftësisë së vendit të rrënuar ekonomikisht për të përballuar kompeticionin në
tregun e lirë global, ka kapur gjithnjë e më shumë krejt strukturat e shtetit.
Në këto kushte ka vazhduar ikja e njerëzve
jashtë vendit në emigrim për të mbijetuar. Shqipëria 3-4 milion banorëshe ka
thuajse 1 milion banorë të saj
jashtë kurse Kosova ka një shifër rreth gjysëm milioni që është edhe kjo një e
katërta e popullsisë së saj.
Projekti i integrimit evropian i cili veç të tjerash, edhe nëpërmjet
prezencës aktive perëndimore, i ka mshuar vazhdimisht, përveç arritjes së
standarteve demokratike edhe kapërcimit të urrejtjeve të vjetra nacionale në
rajon, dialogut, multikulturalizmit
ka qenë themelor për të
ruajtur deri më sot ekuilibrin në këtë skicofreni, për të mos lejuar që
pushteti të kalojë në rrjedha ekstremiste ku më të mundëshmet janë ato
nacionaliste autoritare. Ndonëse, sikurse thashë më lart, shumica e shqiptarëve
në Kosovë gjakojnë Shqipërinë etnike janë të pakët ata që duken të gatshëm të
bëjnë luftë për këtë: shumica e mendojnë se kjo do të bëhet me aprovimin e
Evropës apo të SHBA-ve. Po ashtu, kur bëhet fjalë për vështirësitë e mëdha
social ekonomike apo për krimin e organizuar apo standartet e ulta demokratike,
këto, në diskursin dominanat, nuk artikulohen si probleme që kërkojnë
riformulime radikale. Ato më së shumti konsiderohen si vështirësi të
tranzicionit drejt Evropës dhe për kapërcimin e tyre ngulmohet në reformat që
do të ndërtonin shtetin e së drejtës sipas modelit evropian. Po ashtu thuajse
askush nuk guxon të verë në diskutim mitin e tregut apo mitin e rritjes
me të cilët identifikohet Perëndimi.
Ha shqip
Mitizizmi me frymën e së kaluarës i integrimit
evropian më një anë dhe rëndësia pragmatiste që që ka ky mit për ekuilibrat në
rajon janë shkaqet më të rëndësishme se pse në diskursin dominant shqiptar
flitet aq pak, për të mos thënë asfare, për krizën që po kalon sot Evropa,
veçanërisht në termat e rrezikut që paraqet kjo krizë për shpërbërjen e
projektit të Bashkimit Evropian. Këtë heshtje e ndihmon edhe fakti se
Shqipëria, përsa i përket gjendjes ekonomike, mbijeton në një stad varfërie me
një ekonomi tejet informale çka ndikon që ajo të mos ketë sensorët e duhur për
ta matur krizën ekonomike në vend. Qeveria, duke manipuluar edhe me shifrat e
rritjes, ashtu si deri vonë qeveria Greke, spekulon duke thënë se vendi nuk po
njeh krizën që po njohin vendet e tjera evropiane.
Kush ndjek politikën shqiptare do të shohë
se, njëlloj si në vitet 90, ndeshja më e madhe midis maxhorancës dhe opozitës
është e përqendruar mbi akuzat dhe kundërakuzat se kush është fajtori që
Shqipëria nuk po arrin standartet evropiane që të bëhet pjesë e Bashkimit
Evropian, se pse nuk po merr dot statusin e vendit kandidat ashtu si fqinjët.
Megjithatë, përtej këtij diskursi që dominon
mediat, nuk mund të mos konstatosh se pasiguria e së ardhmes dhe frika e një
kolapsi janë përhapur jo pak në vend sëbashku me pakënaqësinë në rritje ndaj
kastës të ashtuquajtur reformatore në pushtet, të mbështetur nga Perëndimi,
duke bërë që retorika e saj evropianiste të tingëllojë gjithnjë e më shumë si
një demagogji. Edhepse ende në minorance, janë shtuar zërat që, duke
parashikuar mossuksesin e projektit të integrimit në Evropë, qoftë në formën e
dështimit të tij në tërësi përfshi dhe vdekjen e Euros, qoftë në formën e
refuzimit të shqiptarëve për një kohë të gjatë, nuk e shohin fatin e
shqiptarëve të lidhur ekskluzivisht me integrimin evropian dhe tentojnë ta
prishin ekuilibrin e deritanishëm të diskursit nacional - evropianist. Zërat më
të fuqishëm vijnë nga Lëvizja Vetvendosja e Kosovës e cila ka 16% konsensus në
zgjedhjet e fundit në Kosovë me një rrezatim edhe tek të rinjë e Shqipërisë. Të
rinjët e Vetvendosjes, që kanë organizuar edhe aksione me parrullën "ha
shqip" duke prishur ushqime të sjella nga Serbia, ndoshta pa e ditur se
një parrullë të ngjashme e ka përdorur Musolini, shprehen hapur kundër efekteve
të globalizimit si dhe kundër kastët së korruptuar në pushtet, të cilës i
bashkojnë edhe protektorët ndërkombëtarëve të cilët i akuzojën se, në funksion
të interesave të kapitalit që përfaqësojnë, kanë një aleancë me klasën politike
në pushtet si dhe me atë serbe. Ata kanë lështuar projektin e mbrojtjes së
interesave kombëtare nëpërmjet bashkimit kombëtar të cilit i japin përparësi
ndaj Bashkimit Evropian. Ndërkaq në Shqipëri ka lindur partia Aleanca Kuq e Zi
e cila ka si qëllim final të vetin bashkimin e të gjithë shqiptarëve nën
flamurin kuq e zi të Shqipërisë. Me aksionet e saj ajo nxit urrejtje nacionale, duke folur për rrezikun grek,
apo duke sulmuar martesat e shqiptarëve me sllavë në FYROM (Maqedoni), dhe në
programin e saj imediat ekonomik ka bashkimin e ekonomisë shqiptare me atë të
Kosovës duke hequr të gjitha barrierat doganore si ato që ekzistojme me Greqinë
apo shtetet e tjera fqinje.
Nuk mungojnë zërat se prapa këtyre lëvizjeve
qëndrojnë edhe financime nga Turqia erdoganiste e cila, e frustruar nga
mospranimi i gjatë në Bashkimin Evropian, po kërkon gjithnjë e më shumë të
krijojë hapesirat e veta gjeopolitike veçanërisht në ato vende të ish
perendorisë Osmane ku mbizotëron popullsia muslimane, si Shqipëria e Kosova apo
Bosnja. Ky projekt synon të fitojë brenda përbrenda vendit edhe mbështetjen e
pjesës muslimane të popoullsitë që gjatë njëqind vjetëve të dominimit të
projektit laik nacional - evropianist pastaj nacional - komunist dhe përsëri
nacional - evropianist (që në dekadën e fundit, veçanërisht pas 11 Shgtatorit
jo rrallë merr edhe tipare nacional - kristiane) është ndjerë e frustruar për
shkak të demonizimit orientalist që i është bërë fesë së saj islame dhe më në
përgjithësi trashëgimisë së saj të lidhur me Turqinë.
Ajo që mungon krejtësisht në vend si
përgjigje e krizës, qoftë edhe në nivelin embrional, është një lëvizje si ajo
Syriza në Greqinë - e majtë përsa i përket qasjes ndaj efekteve të krizës dhe
shkaqeve që e kanë prodhuar atë dhe antinacionaliste njëherësh. Shkaqet e kësaj
mungese janë kryesisht pesha e rëndë
e ideologjisë komuniste të
së kaluarës më një anë dhe përqafimi me frymën e asaj të kaluare i neoliberimit
dhe globalizmit më anë tjetër.
Si përfundim,
Duke patur parasysh kontekstin që skicova
deri këtu një dështim i projektit të bashkimit Evropian - dalja e Greqisë nga
zona euro do të ishte sinjali dramatik i këtij dështimi - do ta gjente rajonin,
veçanërisht hapësirat shqiptare, me një humbje shikimi përsa i përket drejtimit
të ecjes, duke krijuar një pasiguri të jashtëzakonshme. Në kërkim të sigurisë gjasat më të
mëdha janë që vendet e Ballkanit t'i bashkojnë degës nacionaliste të diskursit
nacional - evropianist të elitës reformatore në pushtet një komponente tjetër
në vend të evropianizmit e cila do të kërkohet duke rivitalizuar aleancat e
vjetra si dhe ato me bazë fetare. Është e vështirë të parashikosh se sa larg
mund të shkonte një kthim i tillë prapa në kontekstin e ri të krijuar pas luftrave
që përgjakën vendet e ish Jugosllavisë dhe pas lidhjes së interesave ekonomike
midis vendeve të rajonit që kanë krijuar investimet e shumta veçanërisht nga
Evropa. Megjithatë, një Evropë e shteteve nacionale që braktisin projektin
Evropian do ta shikonte vetveten
në pasqyrë në pamjen saj më
karikatureske, por edhe më dramatike, pikërisht në Ballkan. (Panorama, 19 dhjetor 2012)
* Ky shkrim është botuar në
nëntor në gjuhën angleze me titullin “The Eurozone Crisis and Tirana” (Kriza e
Eurozonës dhe Tirana) në revistën “Aspen Review” një periodik i Aspen
Institute, Pragë.
No comments:
Post a Comment