Saturday, January 12, 2013

Kazanova dhe Himariotët

post by K. Jorgji

Kjo është një pikturë e Xhakomo Xhirolamo Kazanovës (it. Giacomo Girolamo Casanova) siç është dhënë në Wikipedia, e cila e cilëson edhe si aventurier, por edhe shkrimtar me prejardhje nga Republika e Venedikut.

I lindur më 2 Prill 1725 dhe vdekur më 4 qershor të vitit 1798, Kazanova la pas shumë libra, nga të cilat ka lënë më shumë gjurmë autobiografia e tij e titulluar “Historia e jetës sime” (në origjinalin në frëngjisht “Histoire de la ma vie), e cilësuar se një nga burimet më të vërteta të jetës dhe zakoneve në këtë pjesë të botës gjatë shekullit të XVIII. Nga ana tjetër duhet thënë se ai njihej personalisht dhe shoqërohej me mbretër dhe papë,
fisnikë dhe kardinalë, njerëz të thjeshtë, por edhe me filozofë si Volteri, shkrimtarë si Gëte dhe muzikantë si Mozarti. Por ai mbahet në histori kryesisht si i parapëlqyeri i grave. Dhe në këtë fushë mund të krahasohet me të vetëm një tjetër - Don Zhuanin. Kjo pjesërisht pasi Venecia e asaj kohe qe kryeqyteti i qejfit, ku padyshim karnavalet e qytetit të lagunës qenë tërheqja kryesore. Ashtu siç ka ngelur edhe sot. Dhe Kazanova qe produkt i këtij qyteti, sikurse edhe ai vetë qe përfaqësues i qytetit.

Pasi hyri në Universitetin e Padovës, ku u dallua për mprehtësinë e mëndjes, vullnetin dhe etjen për dituri. E veçanta është se ai hyri në këtë Universitet në moshën 12 dhe doli prej andej në moshën 17 vjeçare në vitin 1742 me gradën e juristit.!!!!! Por nuk la pas dore edhe degët e tjera sikurse kiminë, matematikën, mjekësi, filozofinë. Por shpejt i hyri vesit të bixhozit dhe u zhyt herët në borxhe.

Ndërkohë hidhte shtat dhe u shndrua në një të ri elegant me flokët kacurrelë të zinj, i pudrosur dhe i parfumuar. Pati si patron të parë një senator 76 vjeçar venecian, Alvize Gasparo Malipiero, i cili e futi në qarqet më të frekuentuara të Venecies, duke i dhënë përvojën e tij me pijet, verën, ushqimet dhe pa dyshim sjelljen në shoqëri. Provon të ngacmojë të preferuarit e padronit të tij, por kjo sjell dëbimin e tij nga shtëpia. Këtu nis fillesa për dëshirën dhe kërshërinë për gratë, që siç theksuam në fillim të shkrimit, mbetet pasioni i tij kryesor.

Pas skandaleve të para dhe vdekjes së gjyshes që e kish rritur, tenton të hyjë në karierën kishtare
dhe më vonë bëhet oficer për Republikën e Venedikut. Kështu bashkohet me një regjiment Venecian në Korfuz duke ardhur afër zonë së Himarës!!!

Në moshën 21 vjeç, pasi kish bërë një visitë në Konstadinopojë (Stambolli i sotëm) dhe dorëheqjes nga shërbimi ushtarak e kthimit në Venedik, ai bëhet një bixhozxhi profesionist, ku humbet gjithçka. Më pas bëhet violinist në theatrin San Samuel. Por fati i qeshi pasi shpëtoi në rrethana të çuditshme jetën e një fisniku nga familja e Bragadinit, të cilit i ra atak në zemër ndërsa po voziste në një gondola. Në këto kushte të vështira për jetën e fisnikut, ndërsa u thirr madje edhe prifti për të bërë ritualet e fundit të krishtere, Kazanova ndërhyri duke i shpëtuar jetën. Kështu fitoi edhe mirënjohjen për jetë të fisnikut që ishte kabalist dhe famën e personit me fuqi okulte.

Por pas tre vjetësh duke punuar si asistent legal, detyrohet të ikë nga Venediku në Parmë për shkak të skandaleve - e akuzuan që kishte çvarrosur një kufomë për të bërë një shaka si dhe për tu hakmarrë, si dhe përdhunim të një vajze të re.

Pas çlirimit nga akuzat dhe kthimit në Venecie ku vazhdoi bixhozin, ai largohet për në Paris, ku mbrrin në 1750. Pa u ndarë nga aventurat dashurore, hyn në Lion në shoqatën e Frankmasonëve, që i ngjalli interesin për ritet sekretet të cilat kishin tërhequr vëmendjen e njerëzve me intelekt dhe ndikim, njohje që i dolën me vlera më pas në jetë. Në Paris, Kazanova qëndroi dy vjet, ku përveç jetës mondane dhe njohjeve me të fuqishmit, la edhe “mbresa” në policinë e Parisit.
Pas kësaj ai arriti më 1752 në Dresden, dhe më pas viziton edhe Pragën dhe Vienën, ku përsëri vazhdon aventurat dashurore dhe bën shumë armiq duke tërhequr vëmëndjen e policisë së Venedikut. Lista e “bëmave” të tij përfshin seduktime, zënka, debate publike dhe blasfemi, si lidhjet e tij me Frankmasonëve dhe kabalizmin.

Ndaj pas nje gjyqi u fut në burg që e bëri të kalojë dënimin pesëvjeçar në katin e sipërm të pallatit të dozhëve. Pas një tentative të dështuar, arriti që të arratiset herën e dytë dhe le Venecien për të arritur në Paris në datë 5 Janar 1757. Këtë episod të jetës së tij, Kazanova e përshkruan pas 30 vjetësh në librin e tij “Historia e arratisjes sime”, botuar në 1787, një botim populor dhe që njohu dritën e ribotimit në shumë gjuhë.

Në Paris, ai njihet me Ministrin e Financave, që arriti ta këshillonte për mobilizimin e fondeve për shtetin. Bëhet si pasojë një nga anëtarët e këshillit të llotarisë së parë shtetërore, që e bëri të ketë mjete për të paguar udhëtimet dhe seduktimet e tij, ku fitoi edhe njohje të reja duke përdorur famën si okultist me kujtesën e tij mbresëlënëse. Kështu si Rozikruzian dhe alkimist, pati njohje me shumë figura të shquara të kohës si Madamë Pompadur, kontin e Shën-Gjermanit, d’Alamberin dhe Zhan Zhak Rusonë. Këto njohje dhe veçanërisht moda e alkimisë, bëri që ai të ish tepër i kërkuar me efekte edhe në pasurimin e tij. Në këtë kohë shkon për herë të parë në mision si agjent në Dunkerk. U pagua mirë për këtë shërbim sa që shkroi këto radhë të cilat ngelen të vlefshme edhe sot për tërë qeveritë “Tërë ministrat Francezë janë njësoj. Vjedhin para që vinë prej xhepave të të tjerëve për të pasuruar veten dhe për këtë janë absolutë…. Një
revolucion është i nevojshëm”.

Sidoqoftë lidhje të tilla i shërbyen dhe me rastin e dërgimit të tij në Amsterdam, që ishte qëndra financiare e asaj kohe, ai u bë i pasur sa për të hapur një fabrikë mëndafshi.,Por edhe kësaj here fati nuk i qeshi duke shpenzuar më tepër se sa fitonte dhe natyrisht duke kaluar kohën me punëtoret e tij, që i kish pagëzuar si “harremi”. Për borxhet u fut në burg e më pas arratiset në Këln dhe më pas në Shtutgart në 1760, dhe më pas në Zvicër, Marsejë, Xhenova, Firence, Romë, Napoli, Modena dhe Torino me plot aventura dashurie. Por edhe duke u takuar edhe me Albreht von Haller dhe me Volterin. Po këtë vit u nderua nga Papa Klementi XIII më Urdhërin papal “Eperon d’Or”.

Në Angli, Kazanova shkoi në 1763, ku tentoi të shiste idenë e lotarisë shtetërore. Arriti të kishte një audiencë me mbretin Xhorxh III, por duke kaluar kohën më të madhe në krevat, ku morri edhe sëmundje veneriane dhe u sëmur. Pas kësaj udhëtoi në tërë Europën duke përshkruar rreth 6,000 km. Kazanova shkoi deri më Moskë dhe Shën Petërsburg, ku u takua edhe me Katerinën e Madhe dhe Frederikun e Madh në Prusi, por pa u shitur asnjërit idenë e llotarisë shtetërore. Pati një duel në Poloni për një aktore italiane dhe pas plagosjes shpëtoi nga prerja e dorës. Kthehet në Paris, por kësaj rradhe detyrohet të largohet me urdhër të vetë mbretit të Francës, Luigjit XV. Ndaj shkoi në Spanjë, ku edhe këty arriti të takohet me mbretin Karli III, por edhe këtë radhë pa sukses. Ndaj u kthye sërisht në Itali, ku nisi përkthimin e Iliadës si dhe libra të tjerë. Aty morri përgjigje për kthimin e tij në Venedik nga inkuizicioni. Por pas iluzioneve të fillimit mbeti tepër i
zhgënjyer.

Rreth të 50-ave, Kazanove nuk qe i kënaqur, me pak para në xhep, me fytyrën vrarëlie, me pak femra. Iliada e tij u botua, por solli pak të ardhura . Në 1779 u pagua nga Inkuizicioni për disa kohë, por në 1783 u dëbua sërisht nga Venecia, dhe shkon sërisht në Paris, ku takohet me Benxhamin Frenklin dhe libretistin e Mozartit,Sebastian Foskarinin. Pas 1785 bëhet bibliotekari i kontit Jozef von Walstein në kështjellën e Duksit, Bohemi, por i pakënaqur. Këtu i ardhi lajmi se me pushtimin nga Napoleoni në 1797, Republika e Venedikut nuk ekzistonte më dhe ai qe i lirë të kthej. Por qe vonë dhe ai vdiq në 4 Qershor,1798 në moshën 73 vjeçare. Thuhet se fjalët e tij të fundit qenë “Jetova si filozof dhe po vdes si i Krishterë”.

Personaliteti dhe fama e Kazanovës.

Mjaftojnë faktet e sjella më sipër për të krijuar bindjen se Kazanova qe i njohur nga njerëzit e rëndësishëm të kohës së tij, që e shihnin atë si të jashtëzakonshëm, me intelekt të spikatur dhe të pajisur me një kuriozitet të pamatë. Ai qe sigurisht një aventurier i zellshëm, pjesmarrës i shoqërive sekrete, udhëtar i palodhshëm, përherë në kerkim të fatit të tij dhe vënjes të këtij qellimi edhe njohjet e tij të pafundme. Qe dekadent, por edhe besimtar i devotshëm, katolik i zellshëm, por edhe kërkues i përgjigjeve tej konvencioneve. Besonte në lutjet dhe tej saj në vullnetin e lirë dhe arsyen, por edhe shfrytëzoi sa mund kënaqësitë e jetës. Qe jurist, por edhe ushtarak, violinist, njeri i fesë, politikan, filosof, shkrimtar, përkthyes, kabalist dhe filozof shoqëror. Shkroi mbi 20 vepra dhe kishte një pasion të veçantë për theatrin dhe jetën teatrale.
Përdorte Homerin dhe Horacin aq sa mundte. Në nivelin personal qe i ndjeshëm dhe bujar, por nëse e zemëroje qe i hidhur dhe i pakëndshëm deri hakmarrës.

Por emri i tij i dytë ngelet Don Zhuan. Emri i tij ngelet sipas fjalorit Merriam Webster’s Collegiate Dictionary, botimi 11, si sinonim i “dashnorit”, si “dashnor i hapur dhe pa skrupuj”.

Në veprën e tij të “Kujtimeve’ Kazanova na bën të ditur se gjatë endjeve të tij në Venecie, e me saktë në fortesën e San Andresë, atje ku fillon deti Adriatik, takon edhe Himariotë. Ky takim duhet te ketë ndodhur diku rreth viteve 1744-1746. Ja si i përshkruan ai Himariotët, në veprën e tij marrë nga botimi anglisht i plotë i vitit 1894, përkthyer nga Arthur Machem.

Fortesa, ku Republika që zakonisht mbante vetëm një garnizon prej 100 Sklavonësh me gjysëm rroge, qëlloi që të kishte në atë kohë rreth 2,000 ushtarësh shqiptarë, që quheshin Himariotë(ang. Cimariotes).

Ministri i Luftës, që qe i njohur nën titullin e ‘sage a l’ecriture” i kish thirrur këto njerëz që nga Lindja si pasojë e një dekorimi ende të pazbatuar, meqë donte që këta ushtarakë të provoheshin në vend për meritat e tyre para se të shpërbleheshin . Ata vinin nga ajo pjesë e Epirit e cila quhet Shqipëri, që i përkiste Republikës së Venedikut, dhe ishin dalluar në luftën e fundit kundër turqve. Për mua qe një pamje e re dhe e jashtëzakonshme të kisha mundësi të shihja tetëmbëdhjetë apo njëzet oficerë, të tërë në moshë të kaluar, por ende të fortë dhe të shëndetshëm, duke treguar shënjat e plagosjeve të tyre që u mbulonin fytyrën dhe kraharorin, ky i fundit i zhveshur dhe plotësisht i ekspozuar me një krenari prej ushtarakësh. Lietnant-
koloneli qe plotësisht i mbuluar me plagë, pasi pa ekzagjerim kish humbur çerekun e fytyrës. Kishte vetëm një sy, një vesh dhe ishte pa nofull. Por mund të hante shumë mirë dhe të fliste pa vështirësi dhe qe shumë gazmor. Kishte me vete tërë familjen, të përbërë nga dy vajza të bukura, që dukeshin më të bukura kur qenë me kostumin e tyre kombëtar si dhe shtatë djem, të tërë ushtarë. Ky lietnant-kolonel ishte rreth 1.80 i gjatë dhe figura e tij qe e mrekullueshme, por vragat e plagosjeve kishin shpërfytyruar kaq tiparet e tij sa që fytyra qe e tmershme për tu parë. Por unë u tërhoqa aq shumë nga ai dhe e pëlqeva që në çastin e parë që e pashë dhe do të isha tepër i lumtur të bisedoja me të, nëse nuk do ti vinte aq shumë era hudhër nga goja. Të tërë
shqiptarët i kanë xhepat plot me të dhe e shijojnë po aq sa ne shijojmë kumbullat e sheqerosura.
Nuk mund të themi se është helmuese, meqë vetia e vetme mjekësore që ka është nxitja e oreksit,
pasi veprojnë si tonik në një stomak të dobët.

Lietnant-koloneli nuk dinte të lexonte, por nuk turpërohej nga padituria e tij, pasi nuk qe i vetmi në trupën e tij, me përjashtim të priftit dhe kirurgut, që ishin më të ditur. Secili prej tyre, oficer apo ushtar, kishte kuletën plot me flori; gjysma e tyre, të paktën, ishin të martuar, dhe ne kishim në fortesë një koloni prej pesë deri gjashtëqind gra, me Zoti e di sa fëmijë!!!.............

E kaloja kohën time duke shëtitur nëpër fortesë dhe nëpër kapanonet e ushtarëve dhe dy vëndet e vetme të pushimit qenë dhoma e majorit për një farë çlodhje intelektuale dhe në dhomat e lietnant-kolonelit Himariot për të gëzuar grimca dashurie. Shqiptari duke qenë i sigurtë se koloneli i tij do të emërohej brigadier, kërkonte të merrte komandën e regjimentit, por kish një rival dhe trëmbej se nuk do të arrinte. Shkrova një peticion të shkurtër, por të shkruar aq mirë sa që ministri i luftës pasi kish bërë kërkimet e tij për emrin e autorit, i dha shqiptarit postin e kolonelit. Sapo u kthye në fortesë, burri trim, fort i gëzuar për suksesin e tij, më shtërngoi në krahë, duke thënë se këtë gjë e kishte në sajë të ndërhyrjes time; më ftoi në një darkë me
familjen, ku tërë shpirti im u ngop prej hudhrave dhe më dha dhuratë 12 putarga dhe 2 paund duhan të mrekullueshëm prej Turqie.

……….Rreth mesit të qershorit, Himariotët u dërguan sërisht në Lindje dhe pas largimit të tyre, garnizoni u reduktua në numrin e zakonshëm. Fillova të mërzitesha nga kjo vetmi, gjykuar nga e kaluara ….

1 comment:

Anonymous said...

Edhe Kazanova e paska vene re qe ishin shqiptare himariotet