Saturday, January 12, 2013

Qyqari Pellumb Xhufi qe "cliroi Greqine" -përgënjeshtrim flagrant nga A. Vehbiu

" Kete duhet ta kuptojmë si përgënjeshtrim flagrant jo vetëm të shakave të kripura që ka bërë Xhufi me Gazetën shqiptare, por edhe të krejt mendësisë kombëtariste folklorike, së cilës historiani ynë po i shërben tani si zëdhënës"-A. Vehbiu.
" Historiani  (P. Xhufi) me siguri duhet ta dijë se një faktor i rëndësishëm për këtë zgjim të hershëm të identitetit grek si identitet kombëtar në Ballkan ishte vetëdija historike, e përcjellë nëpërmjet shkronjës greke, fesë ortodokse, shkollës dhe kujtesës për Bizantin" -A. Vehbiu.
"Lleshit të Zi nga Mirdita nuk është se iu mbajt gjë dora, kur e vrau Marko Boçarin( "shqiptar" sipas Xhufit).

VEZËT E QYQES


Mehmed Aliu i Egjiptit
Te “Gazeta shqiptare” lexova që historiani i njohur Pëllumb Xhufi iu është përgjigjur flakë për flakë deklaratave të partisë “Agimi i Artë”, sipas të cilave Skënderbeu paska qenë grek.
Xhufi shkon edhe më tej, dhe vëren se “historia e ka lënë Greqinë pa heronj e pa vepra heroike. Në 500 vjetët e sundimit osman në Greqi nuk arrin të shquash një lëvizje, një kryengritje çlirimtare, si përkundrazi ndodhi me shqiptarët gjatë shekujve XIV-XIX”; për të shtuar pastaj se  “fakti që aktorët kryesorë të kryengritjes së vitit 1821 dhe të çlirimit të Greqisë ishin shqiptarët, Ali Pashë Tepelena, Marko Boçari, Miauli, Ali Farmaqi, Kollokotroni, Odise Andruco, Bubulina, etj., nuk mundej të përtypej lehtë.”
Këto fjalë të historianit Gazeta Shqiptare i ka interpretuar me mjetet e veta, duke e titulluar shkrimin: “Pëllumb Xhufi: Skënderbeu grek? Ata s’kanë heronj, ne ua shpallëm pavarësinë.”
Mos e humbisni bukurinë e kësaj “ne”-je, të hedhur ashtu si rastësisht; ose si shprehje të një epërsie të shpenguar ndaj fqinjit; por për këtë mufkë fajin nuk e ka vetëm redaktori i faqes. Vetë fjalët e historianit kutërbojnë kafene të keqe të periferisë, ku çështjet e historisë diskutohen si të ishin punë ndeshjesh futbolli të ligës semi-profesioniste, ose të pikësuara nga vetorët “ne… ju… ne… ju…” etj.
Natyrisht Xhufi këtu nuk flet si historian, pavarësisht prezantimit që ia bën gazeta; por si një tifoz çfarëdo, që përpiqet të poshtërojë kundërshtarin në debat, para një birre me temperaturën e dhomës.
E vërteta është se çdo popull ka heronjtë e vet, edhe pse disa heronj u përkasin shumë popujve njëkohësisht; dhe kjo është e vërtetë analitike, sepse pa heronjtë përkatës, as populli nuk do të kish vetëdije për ekzistencën e vet.
Nuk më tingëllon mirë as edhe që arbërorë si Marko Boçari, Miauli, Kollokotroni, Bubulina e plot të tjerë Xhufi i quan si pa të keq “shqiptarë”; aq më tepër që ata nuk do ta kishin quajtur veten ashtu; dhe doemos as e kishin shkuar nëpër mend se po merrnin pjesë në revolucionin grek si “shqiptarë”.
Ata ishin arbërorë, që u ngritën për të shporrur sundimin osman nga trojet e tyre – sikurse edhe e arritën, duke luftuar përkrah vëllezërve të tyre të një feje, por të një kombi tjetër.
Përkundrazi, prej vilajeteve shqiptare revolucionit grek i shkuan kryesisht mercenarë, të cilët luftuan për ta mbytur, me gjak e me hekur (dhe këtu s’po përmend gjë Mehmet Aliun, as të birin e tij Ibrahim).
Lleshit të Zi nga Mirdita nuk është se iu mbajt gjë dora, kur e vrau Marko Boçarin.
Por fjalët çapraz të historianit Xhufi më bënë të mendoj edhe për një aspekt tjetër të historisë së arbëreshëve, arbërorëve dhe shqiptarëve, gjatë periudhës osmane.
Dhe pikërisht – që arbërorët në Greqi u ngritën të luftojnë kundër osmanëve dhe për lirinë… e Greqisë.
Xhufi, me naivitet jokarakteristik, thotë se disa grekë nga të sotmit nuk e përtypin dot faktin që këta ishin “shqiptarë”; por në fakt problemi është tjetërkund: pse luftohej, në atë kohë, për lirinë e grekëve dhe të rumunëve dhe të serbëve – por jo të shqiptarëve?
Ose më mirë: prej historianit do të dëshironim që të shpjegonte pse ishin shqiptarët, arbërorët e arbëreshët kaq të vonuar në kristalizimin e identitetit të tyre kombëtar në fund të shekullit XVIII, sa dëshirën për sovranitet do ta realizonin duke luftuar për lirinë e një populli tjetër?
Edhe sikur të gjithë udhëheqësit e revolucionit grek të kenë qenë arbërorë, përsëri fakti mbetet i pamohuar dhe i pamohueshëm, që këta kërkuan ta realizojnë të plotë identitetin e tyre duke çliruar prej osmanëve Greqinë.
Dhe këtu historiani me siguri duhet ta dijë se një faktor i rëndësishëm për këtë zgjim të hershëm të identitetit grek si identitet kombëtar në Ballkan ishte vetëdija historike, e përcjellë nëpërmjet shkronjës greke, fesë ortodokse, shkollës dhe kujtesës për Bizantin.
Në kohën kur grekët, si popull, u çuan të luftojnë kundër osmanëve, vetëdija historike-etnike mes shqiptarëve, madje edhe mes “shqiptarëve” të Xhufit praktikisht nuk ishte përftuar; por ndesheshin vetëm pak orvatje të drojtura e të shkëputura, sa mes pak klerikëve katolikë shqiptarë në Veri, ashtu edhe mes pak klerikëve arbëreshë katolikë të ritit bizantin në kolegjin e Kalabrisë dhe më pas në seminarin e Palermos në Itali, për të ngjizur embrionet e kësaj vetëdijeje, duke ia rindërtuar kombit të ardhshëm një të kaluar historike dinjitoze.
Përkundrazi, lëvizjet politike dhe ushtarake serioze, kundër pushtetit osman në vilajetet shqiptare, si ato të Bushatllinjve në veri dhe të Ali Pashë Tepelenës në Jug, ishin lëvizje të përftuara brenda kontekstit politik, ushtarak dhe gjeografik të Perandorisë Osmane dhe dukuri që, për nga natyra, i përkasin historisë së kësaj perandorie.
Nëse grekët u ngritën kundër osmanëve për të fituar lirinë si popull e si komb, pashallarët në vilajetet shqiptare u ngritën, kundër të njëjtëve osmanë, para së gjithash për të mbrojtur privilegjet dhe pushtetin e tyre, ose për të siguruar autonominë, në mos lirinë e tyre individuale si sundimtarë absolutë. Tundimet e këtyre sundimtarëve, për ta çuar më tej programin e tyre kryengritës dhe për të përfshirë në projektet edhe lirinë e subjekteve të tyre mbetën, në masë të madhe, veç tundime.
Ka një dallim të madh këtu, të cilin mua pikërisht historianë si Xhufi ma kanë mësuar.
Për të njëjtën arsye, atje ku Bushatllinjtë dhe Ali Pashai dështuan, ia doli mbanë Mehmed Aliu, i cili mbahet si themeluesi i Egjiptit modern.
Në të njëjtën kohë që “shqiptarët” e Xhufit luftonin për lirinë e Greqisë, ishte një shqiptar tjetër – pa thonjëza këtë herë – që doli në krye të reformave të cilat çuan në krijimin e shtetit egjiptian.
Si duhet ta kuptojmë këtë? Para së gjithash, duhet ta kuptojmë si përgënjeshtrim flagrant jo vetëm të shakave të kripura që ka bërë Xhufi me Gazetën shqiptare, por edhe të krejt mendësisë kombëtariste folklorike, së cilës historiani ynë po i shërben tani si zëdhënës.
Dhe pikërisht – që është fatkeqësia jonë, si komb, që kemi mbetur prapa në histori kolektivisht, teksa kemi preferuar të shkëlqejmë si individë, në historitë e të tjerëve. Qyqen nuk e lëvdon kush, as e sjell kush për shembull të virtytit, që i lëshon vezët në foletë e zogjve të tjerë. Për të njëjtën arsye, ne do të vendosim marrëdhënie të shëndoshë me të shkuarën që nga momenti kur do të lodhemi së rëni gjoksit dhe së pikasuri pasardhësit tanë në krye të projekteve të së tjerëve; për të filluar të kuptojmë arsyet e vonesës sonë historike.

Pellumb Xhufi: Skënderbeu grek? Ata s'kanë heronj, ne ua shpallëm pavarësinë
: 07/01/2013 - 09:42



Fatmira Nikolli

Skënderbeu mund të jetë grek, aq sa ç'mund të jetë shqiptar, Eleuther Venizellosi". Kështu u përgjigjet deklaratave të artisë ultranacionaliste greke, "Agimi i Artë", historiani i njohur Pëllumb Xhufi. Në një prononcim për "Gazeta Shqiptare", profesori thotë se deklaratat e drunjta të "Agimit të Artë" nuk do të meritonin asnjë vëmendje, nëse nuk do të shprehnin një shqetësim real të nacionalizmit grek dhe të historiografisë nacionaliste greke. Kjo forcë politike ultra-nacionaliste përmes një shkrimi në faqen zyrtare, shprehej se shqiptarët nderojnë si hero kombëtar një grek, Jorgo Kastriotin, i cili zhvilloi një luftë të ortodoksisë kundër turqve, për të mbajtur të lirë rajonin. Në shkrim shtohej gjithashtu se shqiptarët përdorin në mënyrë të padrejtë flamurin e Perandorisë Bizantine si flamur kombëtar dhe nënvizonin se Epiri ishte grek. Reagimi i "Agimit të Artë" erdhi pas deklaratave të pak ditëve më parë të kreut të marrëdhënieve me Jashtë në partinë Aleanca Kuqezi, Lisen Bashkurti, i cili foli pas një tjetër fyerjeje ndaj shqiptarëve. Paralajmërimit që Bashkurti u bëri këtyre ekstremistëve nëse shkelin në territorin tonë, duke iu kujtuar betejën e Lëkursit në fillim të shekullit XX.
Historia
Por, cilësimi si grek i Skënderbeut, për historianin e njohur Pëllumb Xhufi, ka tjetër domethënie. "Fakti është se historia e ka lënë Greqinë pa heronj e pa vepra heroike. Në 500 vjetët e sundimit osman, në Greqi nuk arrin të shquash një lëvizje, një kryengritje çlirimtare, si përkundrazi ndodhi me shqiptarët gjatë shekujve XIV-XIX", vëreni ai. Nga ana tjetër, profesori vëren se "fakti që aktorët kryesorë të kryengritjes së vitit 1821 dhe të çlirimit të Greqisë ishin shqiptarët, Ali Pashë Tepelena, Marko Boçari, Miauli, Ali Farmaqi, Kollokotroni, Odise Andruco, Bubulina, etj., nuk mundej të përtypej lehtë". Sipas Xhufit, është pikërisht për këtë arsye që historiografia dhe politika greke bënë gjithçka për t'i 'adaptuar' e për t'i paraqitur ata si grekë.
"Madje qysh në shekullin XIX, ndonjë ideolog i 'megali-idesë' shkoi më tutje: duke ndjerë si frustrim kombëtar boshllëkun në histori, e në heronj për Mesjetën greke, mendoi të 'rrëmbejë' edhe Skënderbeun", shton ai, duke theksuar kështu, se cilësimet mbi heroin janë krejt të hershme. Për Pëllumb Xhufin, njohës i mirë dhe autor i disa librave për këtë periudhë historike, "Agimi i Artë" nuk bën gjë tjetër veç shkel në rrugë të perënduara. "Askush në Evropë e Amerikë nuk ua ka vënë veshin kllapive të tilla. Madje edhe në vetë Greqinë, brenda dhe jashtë botës akademike po shtohen gjithnjë e më shumë zërat, që denoncojnë nervin nacionalist e shovinist të historiografisë e të vetë politikës greke", nënvizon ai. Në fund, ai këshillon që "ndaj këtyre duhet të tregohemi (dhe duhet të tregoheni edhe ju gazetarët) të vëmendshëm dhe jo ndaj kakarisjeve të sorrave të 'Agimit të perënduar'".




1 comment:

History said...

Xha Xhai eshte qesharak. "Greket u ngriten kunder osmane per te fituar lirine si popull e si komb" eshte shume e debatushme; ne realitet lufta u be ma teper per te inkarnuar Buizantin e vogel, ma teper me qellim fetar; elementet e kmbetare qe ne njofim si greke u krijuan ma vone. Cdo publikim i khes e ve ne dukje kete.

Nje pytje, pse pashallaret qe ishin ne sherbim te Turqise identifikohen si shqiptar, kurse luftetaret(arberit) qe nuk dishin as greqisht nuk mund te identifikohen si shqiptare?