Thursday, February 21, 2013

Aleanca Kuq e zi i ben makiazh vetes-Genjeshtra per titullin qytetar nderi e dhene nga nje fondacion shqiptaresh. Kreshniku Është i pafytyrë, i marrë, apo idiot? Apo është “të tria bashkë”?-pyet M. Nano

LOST IN TRANSLATION

U befasova pak kur lexova, në Tema dhe konfirmova në Top-Channel e Panorama, se Kryetari i Aleancës Kuq e Zi, Kreshnik Spahiu, ishte shpallur “qytetar nderi” i New York-ut, “në shenjë mirënjohje dhe vlerësimi për kontributin e tij në mbrojtje të interesave të shqiptarëve brenda dhe jashtë kufijve të Shqipërisë me rastin e 5 vjetorit të pavarësisë së Kosovës.”
Në njoftim, pa cilësuar ndojë burim, thuhet edhe se:
Me kërkesë të rajonit të Manhatanit dhe presidentit të këtij rajoni, Scott M. Stringer, Kreshnik Spahiu është shpallur qytetar nderi i Nju Jorkut, duke u bërë kështu i pari dhe i vetmi nënshtetas i huaj që merr këtë titull.
U befasova, para së gjithash, sepse nuk kisha dëgjuar kurrë për këtë titull: “qytetar nderi i New York-ut”; dhe pasi u bëra kurioz dhe kërkova në ueb, mësova se një titull i tillë nuk ekziston – çka edhe shpjegon pse asnjë “nënshtetas i huaj” nuk e ka marrë.
Ekziston, përkundrazi, titulli i “qytetarit të nderit të ShBA”, të cilin e akordon Kongresi i ShBA dhe që e kanë marrë, deri më sot, gjithsej shtatë personalitete. Përndryshe, një mysafiri të shquar mund t’i jepen “Çelësat e New York-ut”, nga kryetari i bashkisë së qytetit (në momentin e tanishëm, Bloomberg).
faqen zyrtare të Forumit Shqiptaro-Amerikan për Demokraci (FSHAD), lexoj, përkundrazi, se është fjala për një “çmim nderi” që u është dhënë Kreshnik Spahiut dhe Shinasi Ramës, gjatë një takimi të organizuar nga ky forum, midis komunitetit shqiptaro-amerikan dhe Kryetarit të AKZ-së, Kreshnik Spahiu, në ambientet e restorantit Lura në Manhattan.
kresh-spahiu1Në brendësi të njoftimit, thuhet, përndryshe, se Kreshnik Spahiu dhe Shinasi Rama kanë marrë “çertifikata nderi”, nga presidenti i Manhattan Borough Scott Stringer dhe presidenti i Bronx Borough Ruben Diaz Junior.
Honor Certificates quhen këta tituj edhe në versionin anglisht të njoftimit për shtyp të FSHAD-it, në të njëjtën faqe të cituar.
Tema i ofron lexuesit edhe një foto nga kjo veprimtari, ku z. Spahiu ka dalë së bashku me një person të paidentifikuar (pas gjase, z. Esad Rizai, kryetar i Fondacionit Shoqëror Shqiptaro-Amerikan; por kurrsesi jo presidenti i Manhattan Borough Scott Stringer, as kolegu i tij Ruben Diaz Junior), duke pozuar me një dokument që lexon, në anglishte, “Certificate of Appreciation.”
Tani, në shqipe, certificate of appreciation ne e kemi pasë përkthyer gjithnjë si fletë lavdërimi; dhe është gjë e mirë që z. Spahiu dhe prof. Rama janë nderuar me fletë lavdërimi nga autoritetet lokale të NYC; por është vështirë të marrësh me mend si është shndërruar kjo fletë lavdërimi në titullin “qytetar nderi”, i cili ka pushtuar sot, veç Temës, edhe kryetitujt e dhjetëra gazetave dhe faqeve online të mediave shqip.
Lajmi në anglishte nuk gjendet gjëkundi, as ka ndonjë njoftim në faqen zyrtare të Manhattan Borough; në një kohë që gazetat dhe mediat e tjera shqip kanë shpërfillur faktin që nderi i është bërë jo vetëm Spahiut, por edhe Shinasi Ramës; madje Shinasi Rama e meriton shumë më tepër se mysafiri Spahiu, që të nderohet për 5-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës; për çfarë përfaqëson sot dhe për kontributin politik të drejtpërdrejtë që ka dhënë në këtë fushë.
Mos harroni të vëreni, me këtë rast, si krejt lajmi i dhënë nga mediat është i rremë, me përjashtim të emrave të personave të përfshirë në këtë ngjarje; e cila, përndryshe, do të kish merituar të përcillej me seriozitetin dhe masën e duhur të entuziazmit.
Vetë AKZ-ja e ka publikuar lajmin në faqen e vet në FB.

No comments: