Wednesday, February 20, 2013

Nje emer himarioti ne historine e futbollit shqiptar


Post by [dhermijorgji@yahoo.com]
Intervista me Andrea Markon.
Andrea Marko: Si më arrestoi regjimi për të më bërë shembull!
TIRANE - Bota e futbollit është një botë me shumë kujtime, ku gërshetohen shumë ëndrra, shumë dëshira fëminore. Aty bën pjesë edhe imitimi i lojtarëve më të mëdhenj. Atij i pëlqente të mbante numrin “Dhjetë”. Idhull kishte Panajot Panon. E mbajti në fakt atë numër edhe te Dinamo, edhe në Kombëtare. Gjërat rrodhën në një mënyrë normale për kohën. Luan me shokët e pastaj konstaton se loja e tij spikat. Derisa ia zbulojnë talentin dhe karriera e çon përpara. Por çdo gjë ndodh në një kohë, kur ishte e rrezikshme të mendoje, të shpreheshe. Biografia ishte një barrë, për të cilën regjimi kur donte, e mbyllte njërin sy, por në rastin më të parë, do të mund të ishte viktima e radhës.

Gjyshin ia kishin vrarë, në derë të shtëpisë, datën e Kongresit të Përmetit, më 24 maj 1994, në Dhërmi, ku edhe ai vetë do të kryente klasën e parë të shkollës fillore. Por ai është i destinuar të mbetet i veçantë, unikal; jo vetëm si futbollist, por për shkak të një ndodhie që u shndërrua në legjendë në vitet ’80. U arrestua dhe u lirua në sallë, në vitin 1986, pasi kishte bërë 18 ditë arrest. Thotë se e shpëtoi Zoti, por ndoshta edhe reputacioni i tij si futbollist i madh. Ndoshta gjërat kishin nisur nga pak të ndryshonin. Por ai ka edhe histori të tjera për të rrëfyer. Sepse ai rrjedh nga dera e Markajve, nga e cila ka dalë edhe shkrimtari i madh, Petro Marko. Në fakt gjithkush që e njeh, e di mirë se ai është antipod i futbollistit “simbol”, që di të shënojë vetëm gola në portë. Andrea ka dëshirë dhe di të flasë, të gjykojë e analizojë qartë kohën dhe fenomenet. Por jo vetëm...ai ka shumë për të treguar:

                                                                         * * *
Z. Marko, si mund t’i përshkruani momentet e para të kontaktit me botën e futbollit? Diçka për fëmijërinë tuaj!
Futbolli ishte me distancë loja më e dashur e moshës sonë. Ishte një kohë kur ne luanim në lagjen e Kombinatit, në rrugicat e tij. Nxiheshim nga loja në asfalt e shpesh në mes të pluhurit. Ishte një moment kur unë spikasja, pasi isha dhe pak më i madh, por jo vetëm. Qysh fëmijë nisa të krijoja një personalitet dhe respekt nga shokët e miqtë. Dalëngadalë fillova të krijoja portretin e një futbollisti të ardhshëm. U bënë disa spartakiada dhe dolëm në vendin e parë. Klasën e parë e kam bërë në Dhërmi, në vitin 1963, te gjyshja. Mbaj mend se mora dhe fletë lavdërimi, mora 5, notën më të mirë me sistemin e vlerësimit të asaj kohe. Shkolla e Dhërmiut ishte nga më të mirat në atë kohë, në rang rrethi e republike madje. Shquhej për rezultate të mira e angazhim. Ishte një shkollë që për mendimin tim, mund të ketë nxjerrë kuadro me vlera për kohën, nga më të mirët, në shumë fusha. Gjithsesi, mua më pëlqen të përqëndrohem te sporti, ku dolën emra të mëdhenj e që lanë gjurmë me punën e tyre, si: Vasil e Petro Ruci, Roland Iliadhi, Leonidha dhe Spiro Curri, nga Palasa, por gjithsesi nga ato treva. Të gjithë këta bënë emër me Flamurtarin, në një kohë që rekordi i tyre në gjysmën e dytë të viteve ‘80, mbetet i pathyer edhe sot në futbollin shqiptar në përfaqësimet ndërkombëtare. Gjithashtu me origjinë prej asaj treve është edhe Foto Strakosha, ish-portieri i famshëm i Kombëtares, me të cilin jam edhe kushëri. Pastaj u transferova në Tiranë, në shkollën “8 Nëntori”, në Kombinat.

Unë isha nga futbollistët më të mirë të gjithë klasës. Dhe nuk përballeshim vetëm me moshatarët apo me kundërshtarë të së njejtës lagje, por edhe me djem më të mëdhenj se mosha jonë, nga lagje të tjera. Pas disa lëvizjesh, shkova te Dinamo, se kisha edhe një shok, cili në të tilla situata, sidomos në atë kohë, ishte një domosdoshmëri. Trajnerë ishin Thoma Duro dhe Saimir Dauti. Stërvitje bënim te Shkolla “11 Janari”. Në vitin ‘72 kam marrë materiale për herë të parë: një palë atlete nga ato të Durrësit, tuta etj. Shumicën e stërvitjes e bënim me këmbë zbathur. Kam edhe një kujtim prej asaj kohe, për të cilin edhe kam shkruar. Kur Fati Ibërshimi më dhuroi këpucët e Gynter Netzerit, ish-futbollistit të famshëm gjerman e sot një analist i shquar i botës futbollistike, pasi ai kishte luajtur në Tiranë në 1972. Kënaqësi e madhe ishte kur merrje një palë tuta pambuku, prodhim vendi, sigurisht. Getat lidhur me fasho...ndoshta nuk ia vlen të flasim, por janë një indeks për të parë se sa kanë ndryshuar kohët.

Kur keni lindur z. Andrea?
Unë vetë jam i datëlindjes 1956, vendlindja Tiranë, megjithëse na quanin si pjesë të Yzberishtit, meqenëse ishim me banim në Kombinat në atë kohë. Pastaj shkova direkt te “Dinamo” me të rriturit, ku trajner kisha Sabri Peqinin dhe Skënder Jarecin, në vitin 1975. Kështu nisi karriera ime profesionale, me metrin e asaj kohe, gjithmonë. Mund të jem nga lojtarët që kanë bërë më shumë ndeshje te Dinamo. 12 vjet, me rreth 26 ndeshje në kampionate, plus 8 apo 9 të tjera në çdo Kupë të Republikës për çdo vit, plus aktivitete të tjera, e kështu që numri total shkon deri ne më shumë se 350 ndeshje afërsisht. Kam shënuar 90 gola, thuajse 8 – 9 gola për ndeshje, dy herë kam dalë golashënuesi i dytë si mesfushor. Me largimin e Ballgjinit rrëmbeva numrin “dhjetë”, me ekipin e “Shpresave” u shpalla me “Kampion Ballkani” në vitin 1978. Kam zhvilluar rreth 25 ndeshje ndërkombëtare zyrtare. Duhet theksuar me këtë rast se gjithçka ka ndodhur në një kohë shumë të ndryshme me këtë kohë. Nga viti 1973 deri në 1980, aktivitetet e ekipeve kombëtare ishin pezulluar. Në kupat e Europës, akulli u thye në vitin ’78. Kjo është historia e ekipeve kombëtare për kohën që flasim dhe nuk duhen hequr paralele kurrsesi me ditët e sotme e të bëhen krahasime me statistika pjesëmarrjesh e golash. Është thjesht e pamundur për shumë arsye. Nga viti ‘78 deri ne ’86,  kam qenë titullar me ekipin Kombëtar.

Le të vijmë tashmë tek ndikimi i politikës së kohës dhe lidhja e saj me sportin e jetën tuaj..!

Sigurisht se ngjarjet politike ishin me shumë ndikim në atë kohë, si kudo, edhe në sport. Ndërroheshin shpesh titullarët, dilnin shumë armiq. Këtë e them, sepse ne vareshim si klub nga Ministria e Brendshme, siç dihet. Por ta kapim këtë çështje më herët. Më 24 maj 1944, pikërisht në ditën e Kongresit të Përmetit, nga një pusi e ngritur natën, në pabesi, më është vrarë gjyshi, nga komunistët që kishin marrë vendim, në derë të shtëpisë. Jani Andrea Marko quhej. Kushëri i parë me Petro Markon. Babai i Petros quhej Marko. Qysh në atë kohë pra nisën historitë e familjes sonë, me vështirësi kuptohet. Gjyshi ishte kryeplak i Dhërmiut. Edhe pas ardhjes së demokracisë, kryepleqësinë e Dhërmiut e mori xhaxhai, pasi jemi nga familjet më të nderuara të asaj zone, sidomos nëse çon nëpër mend Petro Markon. Ai ishte një shkrimtar i madh, edhe ai nuk e pati të lehtë në momentet e kthimit të tij nga internimi në Itali...e ka përshkruar tek “Nata e Ustikës”. Ai vdiq në 1991, dhe me njëri-tjetrin kemi ndenjur shumë. Unë e ndihmoja në atë epokë vështirësish ekonomike, sepse kisha një reputacion, le të themi. Ishte epoka e tollonit.

Për Petron le të flasim veçmas pak më vonë...! - Po si mundët pra të luanit me Dinamon, me këtë biografi?
Që të luante një njeri me një biografi të tillë te Dinamo, ishte një gjë e jashtëzakonshme. Atëherë Mehdi Bushati, i cili kishte nisur të bënte karrierë në nomenklaturën sportive të Shqipërisë dhe klubit Dinamo, është interesuar direkt edhe me orientimin e Kadri Hazbiut që të rregullohej pjesa e biografisë sime, për t’u mbrojtur, sepse Ministria mund të sulmohej nga Komiteti i Partisë e instanca të tjera e dilnin probleme. Z. Mehdi më ka thënë më vonë se kishin shkuar tek kryetari i kooperativës në Dhërmi e i kishin marrë firmat, ku thuhej se në atë aspekt, familja ime dilte  “e pastër”. Por ata ishin gjithsesi koshientë se kush ishim ne. I përkisnim familjeve më të pasura të zonës. Në shtëpinë tonë të Markajve, në pallatin e ndërtuar në 1912, në 1944 kishin bujtur dikur amerikanët që kishin zbarkuar për të luftuar nazistët, dhe e kishim ndihmuar shumë lëvizjen, por fatkeqësisht, gjërat morën rrugë të gabuar, siç dihet. Ministria e Brendshme e dinte se cili ishte pozicioni i familjes sonë. Kemi ndihmuar në progresin e fshatit, i kemi dhënë kulturës etj. Nga ana tjetër, shkrimtari Petro Marko vlerësohej si shkrimtar lider, ishte shumë popullor. Në momentin që unë isha në burg, aktiviteti i tij kishte kohë që nuk funksiononte, ishte sulmuar së fundmi te libri “Mes katër rrugëve”, iu ndalua botimi. Në 1976, unë isha lojtari i “Shpresave”. Luajtëm në Shkup, barazuam me jugosllavët, 1 me 1. Dashje pa dashje, krerët e Dinamos, meqë m’a kishin nevojën, i rregulluan vetë letrat. Gjërat ndërkohë vlonin me “spastrimet e mëdha” kudo; në kulturë, ekonomi e ushtri. Situata ishte shumë delikate.

Po Skënder Shehu, thuhet se keni pasur shumë shoqëri?!
Skënder Shehu edhe sot e kësaj dite, vjen këtu shpesh e diskutojmë. Më thotë me shaka: Kush ka qenë deputet i Kombinatit? – Ia kthej unë: Po, më kujtohet, babai yt, Mehmet Shehu!- dhe qeshim. Me Gonin, të birin e Kadri Hazbiut, dhe me vëllanë e tij kam qenë gjithashtu shok dhe koleg. Gjithsesi, Skënderi nuk ishte tifoz sporti.

Mehmet Shehu dhe Kadriu me Dinamon kanë qenë? Sepse kam lexuar diku ( ndoshta kujtimet e Iliaz Çecos) si themelues të klubit janë ata të dy..si kundërpeshë ndaj Partizanit?!

Jo si kundërpeshë. Regjimi donte t’i jepte një hov në fakt futbollit, kur këto klube u themeluan, në një kohë që u bë edhe Ballkaniada. Trajnerët kanë qenë të huaj. Edhe njerëzit e donin. Në fakt në themelimin e klubitët Dinamos, ka hedhur firmën edhe M. Shehu,por Kadri Hazbiu ishte një tifoz “i sëmurë” i Dinamos, saqë “i dhuroi” edhe të birin, Agronin asaj.

Po ndeshjet tuaja jashtë shtetit?

Kur u vendos që unë të merrja pjesë me Dinamon në takimet jashtë shtetit, kuptohet se duhet të ishe “i përsosur..”. Në raste të tilla hynin garant njerëz me pozitë, e në rast të kundërt, nëse nuk ktheheshe, niste padyshim kalvari i përndjekjeve për familjen. Kur niseshim jashtë shtetit ( qesh...ky term na ka mbetur nga ajo kohë!) bashkë me ne sportistët, na shoqëronin edhe  përgjegjësi i ekipit, shoqëruesi, ai u merrte me pasaportat, një staf prej tre-katër vetash përgjegjës për survejimin e sigurimin tonë, të deklaruar, plus doktori dhe masazheri.

Para nisjes, ju bënin punë “sqaruese”?
Po, në fakt në një mënyrë të kujdesshme, pa i ngritur shumë tonet. Na thoshin: Kujdes kur ju afrohen njerëz të arratisur, të deklaruar si kundërshtarë të regjimit, nga njerëz që nuk i njihni, mos u shoqëroni më të huajt, kujdes në treg!. Por këto diheshin, problem ishte posedimi dhe kalimi i monedhave me vlerë, dollarëve, dhe në kthim sendet apo mallrat që blinim. Dietat ishin mëse qesharake. Në Rumani, në finale me “Shpresat” e tyre, na dhanë me vete vetëm 5 Lei për person, me të cilat nuk mund të blije dot veçse një çimçakëz, dhe në Beograd më pas 15 dollarë. Ne megjithatë siguronim ca para për t’i marrë me vete.
Mendo kur ktheheshe nga jashtë, përballeshe me njerëzit... ishte një stres, sepse njerëzit e afërt e miqtë, nuk arrinin t’i kuptonin këto gjëra. Ua shpjegonim në mënyrë të detajuar se si ishin punët dhe ata nuk donin t’ia dinin fare. Kaq të varfër ishim. Bënim xhiro me pulovrat e shokëve. Suvenirët ishin sapunët, stilolapsat, çimcakizët.

Po për lojën a mendonit?

Për lojën s’mendonim thuajse fare, vetëm në momentin e fundit...

Burgu juaj, arrestimi, si ndodhi?
Deri në vitin ‘72 ndiqeshin në RTV, San Remo e “canzonissima”-t. Pastaj transmetimi i tyre u ndërpre. Shihnim emisionet sportive në RAI e pastaj nisëm t’i dëgjonim në radio komentatorët italianë. Ishte një moment që nisi të pëlqehej papritur edhe lloto, skedinat. Shpikëm “rezultate të sakta dhe krahu i rezultatit”. Atëherë ishte çmenduri...sot më thonë: si nuk i gjejmë dot sot ne ndeshjet, kur ateherë i gjenim me rezultat në kokë madje?!. Kjo ndodhte sepse ishim shumë të përqëndruar në kampionatin italian, Kupën e Kampionëve...në Itali kishte ardhur asokohe ajka e futbollistëve botërorë: Platini, Bonjek, Van Basten, Maradona, Kareka, Alemao, të gjithë në Serinë A.

Me pak para, me borxhe ndoshta, u përfshinë të gjithë dalëngadalë në atë lojë. Sidomos të gjithë futbollistët. S’mbaj mend ndonjërin prej tyre që të mos ishte i përfshirë. Jemi te koha e tollonit. Qeveria bënte sikur i paguante, njerëzit bënin sikur punonin. Duhet kuptuar mirë situata, koha. Në 1986 u ngrit me të madhe ky problem, në Komitetin e Partisë. Të gjithë shqiptarët luanin baste e skedina, mbase si argëtim, mbushnin jetën, ditën, por edhe fitimi i lekëve i shtynte, me siguri.

Kështu, atje lart, në udhëheqje, kjo punë u bë problem.  Ishte marrë një vendim. U bë një fushatë raprezalje kundër këtij fenomeni, pasi kishte marrë përmasa. Kishte ardhur koha të veprohej..! - Në një shoqëri të degraduar kishte mbetur puna të kapeshin me gjëra shume sipërfaqësore, pasi çdo gjë “madhore” tashmë kishte marrë fund.

Po arrestimi juaj si ndodhi? Cili ishte sfondi dhe atmosfera kur ai ndodhi?

Ne luanim, fituam disa herë skedina...sepse ne ishim më pranë ngaqë ishim sportistë. Në një shtet tolloni, ku për një shishe qumësht, si futbollist i Kombëtares duhej të shkarkoje dy IFA ( kamionë ta markave ish-gjermanolindore) që të merrje pa radhë, vetëkuptohet se çfarë ishe në gjendje të ndodhte...Ata e cilësuan si bixhoz, u artikulua në akuzën ndaj meje, si “luajtje bixhoz në formen e lloto-sportit”. Më kapte një nen që parashikonte nga 4 deri në 6 apo 7 vite burg. Ata thoshin se kisha fituar 150 mijë leke, dhe unë ato lekë i kisha marrë si pasojë e përfshirjes në atë “lojë”, të shumë personave, ku me informacionet që kisha, ishin përfshirë shumë shtresa shoqërore, deri tek prokurorë e intelektualë, porsigurisht, kryesisht rini qytetare. Kështu që normalisht duhej të arrestonin shumë e shumë të tjerë, por u gjenda unë për t’u marrë si shembull dhe nuk kapën të tjerë, flas nga futbollistët.

Karriera juaj në këtë fazë ishte padyshim në kulmin e saj?!

Isha në kulmin e karrierës time sportive. Ishte viti 1986, Dinamo ishte në pod. Kampionatin e morëm në Gjirokastër, me rezultatin 0-3, por këtu luante Vlora me ish-17 Nëntorin dmth. Tiranën. Unë u lirova më pas në sallë, më datë 18 shkurt. Prokuroria në fakt në pretencë më dënoi me katër muaj burg, ishte një farë Sinan Baboçi, kurse gykatësi me një akt të guximshëm, më liroi aty në mënyrë direkte. Në mungesë të avokatit, pasi atëherë as që çohej ndërmend, nuk kishte fare, nuk pranova asgjë, përveç faktit se vërtetë isha marrë me lloto. Bashkë me mua ishin edhe 12 vetë të tjerë të akuzuar. Në hetuesi, ma kujtuan faktin se isha nip i Petro Markos dhe se kisha një gjysh të vrarë. Më thoshin: Ne t’a kemi vrarë gjyshin, Petron gjithashtu e dimë se ç’bën dhe se çfarë marrëdhënie ke me të! Më ngacmonin. Në fund pranova që kam luajtur, sipas tyre, bixhoz. Me hetuesit në qelinë numër 8 të burgut 313 në Tiranë kalova 18 ditë. Kohën e kaloja duke lexuar libra, e shpesh më ngjante vetja me personazhin kryesor tek “Konti i Monte Kristos”. Kështu kaluan ditët e netët atje ku shumë të tjerë për dekada kishin vuajtur shumë herë më shumë se unë. Vinin shokë e dashamirës: dikush edhe si drejtor burgu, tjetri si shok. Me një pardesy pa kopsa, flije në tokë, të linin të dilje një herë në ditë për ajrosje, nevojat personale kryheshin nën “mbrojtjen” e policit, e berberi të qethte qeros.

U lirova në sallë, mes brohoritjeve. Dola nga dera e pasme. Ishte 18 shkurt 1986




TIRANE - Ish-futbollisti i Kombëtares shqiptare, Andrea Marko, rrëfeu një numër më parë momentet më pikante të karrierës së tij profesionale, origjinën familjare dhe kontributet përkatëse të saj në shumë fusha. Ai u përqëndrua kryesisht tek momenti i arrestimit të tij në vitin 1986 dhe lirimin mes brohoritjesh në sallën e gjyqit më 18 shkurt të atij viti. Në këtë numër, z. Marko vijon rrëfimin e tij, duke na sjellë detaje nga bisedat që bënte me kushririn e tij, shkrimtarin Petro Marko, mendimet e këtij të fundit për udhëheqësit kryesorë të vendit në monizëm, brengat rreth fatit të familjes, pasionet  etj.Gjithashtu flet për rolin dhe kontributin në fushën e futbollit të krerëve të Ministrisë së Brendshme të asaj kohe, dhe në fund flet për sfidat dhe problemet që has sot sporti dhe futbolli në vendin tonë.

Prej asaj kohe, u pezullova nga futbolli e shkova në Valias. U aktivizova me Valiasin, ku luajtëm ngado nëpër Shqipëri. Edhe kur luaja me spartakiadën punëtore, nuk donin të më lejonin. U riktheva për pak ditë te Dinamo, por shumë shpejt u dha urdhër të largohem.

Po Ministria e Brendshme, meqenëse dihet se mbulonte klubin Dinamo, si shihej në atë kohë?
Ministria e Brendshme në kohën kur unë luaja, ishte më e sulmuara, sidomos pas atyre që ndodhën në kohën e goditjes së Mehmet Shehut e Kadri Hazbiut. Ndryshe nga çfarë mund të mendohet sot, ata, si vegla të regjimit, ishin njëkohësisht edhe viktima. Deri në sferat më të larta, siç dihet. Sulmoheshin më shumë nga të gjithë për “mungesë vigjilence” apo neglizhencë. Në ministri kishin frikë edhe nga muret. Unë kam hyrë disa herë atje. Por shumica e tyre më donin, se ishin shumë tifozë, dhe u gëzuan kur u lirova. Ndërsa gjykatësit, Viktor Konomi, Riza Xhixha, me ç’kam marrë vesh më vonë, u thirrën në Komitet të Partisë për të dhënë llogari për vendimin që dhanë për mua.

A pati ndonjë sinjal në hetuesi që kjo punë do përfundonte ashtu siç përfundoi?

Deri diku po, sepse edhe sjellja e hetuesve, për shkak të reputacionit që gëzoja ishte pozitive në përgjithësi. Isha kampion ballkanik, pesë herë kamion me Dinamon, lojtar i ekipit kombëtar. Bënim biseda për sportin, por se unë nuk mund t’a dija se çfarë do ndodhte. Rëndësi ka që unë u lirova, dhe ishte ndoshta vetë dora e Zotit.

Po ndihma ndaj sportit dmth ndaj futbollit, nga ana e Ministrisë, a ishte evidente? Na tregoni ndonjë detaj që mund t’ju ketë mbetur në mendje, nga takimet me ish-Ministrat?
Kam shumë, por po ju tregoj njërin. Një herë na ftuan të takonim ish-ministrin Hekuran Isai në Kovalishencë, në Durrës. Ishim një grup futbollistësh të Dinamos. Ai na priti vetë. Në krah kishte edhe njërin nga zëvendësministrat e kohës, Hysen Shahu, i cili në fakt duhet thënë se ishte një tifoz shumë i madh i Dinamos dhe shumë dashamirës ndaj nesh. Ishte viti 1985, para ndeshjes me Sportingun e Lisbonës. Na pyeti për hallet e problemet tona dhe unë iu ankova se kishim vetëm një palë këpucë ( sporti). Ai porositi aty në vend zëvendësin e vet, duke i thënë: pse ç’janë këta?-Ushtarë?!. T’i jepen sa palë të kërkojnë, dy, tre e më shumë. T’u plotësohet çdo kërkesë!. Në fakt, në atë kohë Dinamo ishte kthyer në një klub model, ku edhe rezultatet ishin evidente. Por e vërteta është se edhe Flamurtari e 17 Nëntori ishin rivalë “par exellence” dhe dhuronim kështu të gjithë sëbashku spektakël. Pikërisht në atë kohë, ne u pajisëm me një komplet “Adidas”, prerje e modës së fundit, çka binte shumë në sy, nëse bëje krahasim me ekipet e tjera. Ministri Isai ndoshta nuk ishte aq tifoz sa paraardhësit e vet, por për ne dhe Dinamon bënte shumë. Gjithashtu mbaj mend se i thashë se hallin e vetëm e kishim se mos shorti na hidhte me rusët (dmth. sovjetikët), dhe ai ma ktheu: Atë punë e rregullon Mehdiu ( dmth. Mehdi Bushati). Sigurisht që ne e morëm si shaka, sepse pavarësisht nga autoriteti dhe lidhjet që mund të kishte zoti Bushati vetë, por edhe FSHF si anëtare në EUFA, shorti ishte diçka që nuk e kishte askush në dorë. Ne thjesht luteshim që të mos penalizoheshim, se na shkonin të gjitha përpjekjet kot.

Po djali i Kadri Hazbiut? Ai ishte shoku juaj. Çfarë mbani mend prej tij?
Pak para se të niste procesi famëkeq ndaj të atit, në tetor 1982, ai arriti të shkonte për herë të fundit i aktivizuar me Dinamon, në Skoci, ku luhej një ndeshje e kupave të Europës. Mua nuk më futën në listë dhe nuk shkova. Madje m’u desh të sajoja një incident fallco në stërvitje, sepse mosaktivizimi im duhej të paraqitej si incident mes futbollistit dhe trajnerit. Këtë ma këshilluan, sepse kisha marrë sinjale se mund të goditesha për shkak të biografisë. Më pas dihet fati i Gonit dhe i familjes së tij fatkeqe. Ai ishte i biri i Kadri Hazbiut, por mbante një mbiemër tjetër: Dauti. Mbaj mend se një herë teksa bënte stërvitje individuale e godiste fort topin në një cep muri dhe thoshte nën zë me inat: Ah që s’ më bëri zoti të birin e një njeriu të zakonshëm!. E vuante faktin se donte të bëhej futbollist, si pasojë e punës së vet, meritave e lojës dhe jo e të qenurit “djali i Ministrit”, çka në fund vërtetë i kushtoi jo vetëm karrierën, por edhe vetë jetën. Ndërroi jetë në vitin 1989.

Le t’i rikthehemi tanimë sërish Petro Markos. Thatë që në vitet ’80 sidomos, rrinit shumë me të. Çfarë ju tregonte? – A e ndjente veten të zhgënjyer me ato që i kishin ndodhur?
Zhgënjimi te Petro Marko kishte filluar me kohë, por sidomos ai iu shtua e iu kthye në një farë urrejtje, në vitin 1975, kur i arrestuan të birin, Jamarbër Markon, dhe e futën në qeli, si zakonisht në atë kohë, për “agjitacion e propagandë”, duke e dënuar me gjashtë, nga të cilat bëri dy vjet burg, por përjetoi përndjekje e vuajtje, duke shkelur fatkeqësisht në një farë mënyre, në gjurmët e të atit. Përballë ish-Hotel Arbërisë, ku ishte dhe “klubi i shkrimtarëve”, aty rrinim bashkë me Petron. Historitë e luftës m’i tregonte shpesh. Më këshillonte gjithsesi të kisha kujdes me shokët e miqtë. Kishte kaluar eksperienca të këqija; kishte njohur burgun qysh herët gjatë fazhizmit. Në komunizëm, po ashtu qysh në vitin ’46, pasi kishte qenë kryeredaktor tek “Bashkimi”. Me këtë rast, ia vlen të kujtoj fjalët e nënës: “Ju të familjes Marko, sikur ju tërheq burgu!” – që na shkaktonte shpesh të qeshura. Nuk kishim kurrfarë mbrojtje. Çdo të shtunë e të dielë, mbaronte ndeshja, pastaj dilnim e Petros ia kishte ënda të më tregonte historitë. Më tregonte njëherë historinë e një miku të vet që u vra në Spanjë, ku thoshte se i kishte vënë çantën me shkrimet e veta për të mbështetur kokën, ndërsa po jepte shpirt.

Ç’mendonte Petro për Enver Hoxhën dhe Mehmet Shehun?
Për Mehmetin fliste me rezerva,gjithsesi pozitivisht: Është mik e shok i mirë! - më thoshte. Asgjë më shumë. Nuk preferonte të fliste shumë kur bëhej fjalë për “udhëheqjen”. Enverin në fakt nuk donte as ta zinte fare në gojë. Sidomos kur i ndodhi arrestimi i djalit. Mbani parasysh se e shoqja, Safo, kishte qenë shoqe e ngushtë me Fiqerete Shehun dhe Nexhmije Hoxhën, dhe kjo sillte një zhgënjim e dhimbje edhe më të madhe. Nuk donte të më tregonte asnjëherë momentet e arrestimit, në 1946.

Po për Zaho Kokën ç’thoshte Petro?
Për Zaho Kokën, unë kam dëgjuar se ai u vra sepse nuk donte të jetonte pas asaj që i ndodhi, sipas atyre që kisha dëgjuar unë, por Petro në atë kohë ka qenë i internuar dhe nuk mbaj mend t’a ketë prekur ndonjëherë këtë temë.

Petro kishte qenë anëtar i PPSH-së?

Petro ka qenë anëtar i PK Italiane dhe asaj spanjolle dhe asnjëherë i PKSH-së ose i PPSH-së. Kur mbushnim letrat e formularët për të plotësuar biografinë tonë, nuk figuronte askush si anëtar partie, nuk gjendej asnjë, dhe Petro ishte një lloj eurokomunisti pra, e ndonjëherë na shkaktonte të qeshura ky fakt.

Petro përveçse ishte kushëri, rrinte shumë me babanë tim, ishin qejflinj, e shijonin nga një gotë raki. Në vitin 1986 apo ‘87 Petro shkoi në Greqi, me të drejtë si vizitor, i ftuar nga Thoma Duni, një multimiloner grek, daja i Foto Strakoshës. E lejoi vetë regjimi më në fund. Në vitet e fundit ka takuar edhe kunatin e gjyshit tim, Jerasimo Duni, gjyshin e Foto Strakoshës. Daja i Fotos kishte ikur bashkë me gjyshin në mbarim të luftës së dytë, ishte bos i industrisë së tekstileve, kishte madje plantacione pambuku deri në Kongo, në Afrikë. Petro tregonte se Jerasimi qante vazhdimisht ndërsa kujtonte Janin, gjyshin tim të vrarë. Sigurisht se Petros iu rezervua një pritje madhështore në Athinë. I rezervuar ai tregonte se çfare kishte përjetuar në Greqi.



Po për librat, ç’thoshte Petro? A ankohej për një lloj mosmirënjohje?

Një herë e pyeta Petron nëse kishte fituar para nga gjithë ato libra që kish shkruar. Në një rast më tregoi se një shtëpi në Japoni, ishte interesuar për veprat e tij dhe i kishte dërguar një shumë parash, por pagesa ishte bllokuar. Kishte libra të pambaruar në formë dorëshkrimesh. I mbeti disi merak edhe se e kishin dërguar shumë vonë, në vitin ‘90, në Hungari për kurim. Pastaj vdiq. Kur erdhi Albano e Romina, dy këngëtarët e shquar italianë, në 1989, e pëlqeu shumë koncertin dhe mbeti shumë i impresionuar. Në Dhërmi shkonte shpesh, nga pamja fantastike dhe malli për vendlindjen, kuptohet. Madje kujtonte se kur kishin ardhur nazistët në 1943, aty ishin “zbutur” dhe kishin dashur të qëndronin për ca kohë ndërsa kundronin pamjet nga deti. Në romanin “Shpella e piratëve”, si personazh kryesor kishte vënë gjyshin tim nga ana e sime mëje, një nga peshkatarët më të mëdhenj të Bregut. Ky roman më vonë iu ekranizua.

Po për kolegët e vet shkrimtarë ç’thoshte?

Në shumë raste shprehej i zhgënjyer nga kolegët e vet të Lidhjes. Ishte megjithatë i qetë, i kursyer, i shmangej cilësimeve, sharjeve, mllefit. Nuk mund t’a them tani se për kë shkrimtar bëhej fjalë, por një herë, kur dikush syresh vdiq, ai megjithatë më tha: E ç’rëndësi ka, vdiq një i vdekur!. Mbaj mend se Ismaili e thërriste “Profesor”.  Një herë më ishte shprehur se donte të bënte një roman të madh. Në të gjitha gjërat, megjithë diferencën e moshës, ai tregonte respekt e dashuri. Më shumë me Petron ndejta kur e lashë sportin. Pasion kishte vetëm shkrimin e librave e të shkonte në Dhërmi. Kishte shumë brenga, për shkak të familjes, djali i arrestuar etj. Tiranën e njihte mirë, e njihte para se të shkonte në Spanjë. Ishte një njeri që e njihnin dhe e respektonin të gjithë, sidomos në lagjen ku banonte. Nuk ishte shumë dashamirës ndaj sportit, por mua më kushtonte vëmendje dhe e vlerësonte shumë faktin që kisha kapur majat e karrierës.

Petro ia doli të jetonte edhe në fillimet e demokracisë, apo jo? Me sa di, u anëtarësua në Partinë Republikane. – Të pati treguar ndonjëherë se pse e bëri këtë zgjedhje?

Në momentin e lëvizjeve demokratike, ai u bë shpejt anëtar i PR dhe i përshendeti këto hapa me simpati. Më pati thënë se ishte bërë anëtar i PR, sepse ideali i tij i jetës kishte qenë republikanizmi, gjë për të cilën kishte luftuar. Sigurisht se gjërat tashmë kishin ndryshuar e bindjet e tij të hershme që lidheshin jo vetëm me republikanizmin, por edhe me komunizmin, kishin pësuar krisje. Në thelb pra, i mbeti gjithsesi besnik aspiratave të tij rinore.

Po për ju, ç’solli demokracia, si vijoi më tej jeta e karriera?
Koha e kërkonte ndryshimin, ishte i pritshëm, në një shoqëri tepër mediokre, të lodhur, me probleme, me tollonin që mbaje në xhep, mund të “blije” mallra që mbushnin vetëm një xhep xhakete.
Për ata që kishin bërë atë që kishin bërë me mua e të tjerët, unë rezervoj fjalën “falje”. Kështu vijova të eci përpara me pasionin për profesionin tim. Tashmë si trajner. Nuk u përzieva as me politikë e nuk e gjeta në ndonjë veprimtari tjetër. Kam punuar përgjatë viteve ’90 e 2000 me shumë ekipe të kategorive superiore, me të rritur e të rinj.

Po për sportin në Shqipëri në këto vite e dekada pas monizmit, çfarë mendoni, sidomos për futbollin?
Deri në 1994 s’kishte as fanella për ekipin kombëtar. Ndihmonin disa lojtarë që kishin shkuar jashtë shtetit. Në një kohë tranzicioni ( fatkeqësisht ai po zgjat shumë në fakt), ku pak mendohej për sportin e futbollin, s’kishe çfarë prisje, pasi njerëzit mendonin vetëm të largoheshin një orë e më parë, stadiumet u zbrazën. Por puna ëhstë se edhe tashmë pas kaq viteve, shteti pak mendon për futbollin. Bëhet shumë “zhurmë për asgjë”, le të themi, ku në një kazan futen edhe sporti, edhe rinia, edhe kultura etj.

Pse, jeni i mendimit se kjo mund të zgjidhet duke krijuar një ministri të veçantë për sportin?
Jo nuk po them atë. Sporti mund të mos dojë ministri të veçantë, por do angazhim, investime etj. Pastaj, këtu po prodhohen shumë sekserë, avokatë, juristë e nuk ka më sportistë. Fëmija mund të pësojë edhe shok, zhgënjim, një ndryshim psikologjik në ecurinë e vet. Duhet të ndërtohen patjetër fusha futbolli. Jemi në një moment krize. Nuk gjen më asnjë fushë me bar, vetëm me bar artificial. Por jo vetëm. Janë shumë aspekte, nuk mund të trajtohen të gjitha kaq shkurt.

Po shpërblimet, jo thjesht financiare, në formë mirënjohje më shumë, a duhen aplikuar?
Nuk është menduar ndonjë herë që kush ka qenë lojtar i ekipit kombëtar të marrë pension të veçantë për shembull, kush është traumatizuar, të marrë shpërblimin apo trajtimin e duhur, respektin mbi të gjitha, sepse ne në atë kohë kemi luajtur pa hile. Nuk dinim “të mbroheshim” e të mendonim se me ato këmbë do të bënim miliona, si sot. Ka disa që presin ndonjë vendim nga Presidenti apo Parlamenti. Edhe kur ia dalin, kjo bëhet në bazë njohjesh e “qokash”, ose “pas vdekjes”. Propozimet duhet të vijnë nga klubet, por klubet nuk ekzistojnë. Dinamos për shembull, i kanë marrë ambientet. Me VKM (Vendim të Këshillit të Ministrave). Dinamo ka trashëguar 600 milionë nga Ministria e Rendit. Në momentin që kanë dalë privat, çfarë ka ndodhur? - Ai nuk është privat në fakt, sepse s’kanë dalë në treg.... Po për Lezhën, Lushnjen, Pogradecin? – Të gjitha janë të bashkive, dmth të gjitha të shtetit. Nuk ka një status. Ne privatizojmë plot asete shtetërore, pse nuk nxjerrim pra edhe klubet në treg. Kjo ndodh se në momente të ndryshme, futbolli i shërben politikës.

Si e vlerësoni faktin se në përballjet ndërkombëtare me klube, akoma sot e kësaj dite, më këmbë është rekordi i Flamurtarit të Vlorës në 1987, i cili shkoi deri në një tur të tretë të kupave të Evropës dhe u përball edhe me Barcelonën?
Po ashtu është. Është një turp. Pasi në 22 vite demokraci akoma jo vetëm nuk po e superojmë dot atë limit, por mbytemi në gola çdo sezon paraeliminator e shiten ndeshje, duke na bërë qesharakë. Dikur ishim të varfër, por dinjitozë. Shikoni raportet, ku flitet për 95 ndeshje të trukuara. Ndërkohë, duhet të bëjmë binjakëzime, akademira sportive etj. Duhet punuar shumë me fëmijët. Në rast të kundërt, nëse ndodh kështu si deri më tani, çdo gjë do shkojë keq.

No comments: