Friday, February 15, 2013

Arkitektet e urrejtjes se grekeve me veladon intelektuali

komentet rreth artikullit te Memushaj dhe artikulli i tij  jane marre nga http://respublica.al/opinion/2013/02/15/mbi-ceshtjen-e-varreve-te-ushtareve-greke

 Me vjen keq qe zotni Rami Memushi me kete shkrim tregon injorancen e tij te plote rreth problemit per te cilin shkruen.
1-Se pari autori nuk e din fare se ne Gjeneve asht ba nji marrevshtje mnderkombetare rreth eshtnave te ushtarve te vrare ne vendet e hueja dhe se Shqipnia ka aderue (pranue dhe firmose) kete marreveshtje per ta zbatue ehd ene Shqipni ( http://it.wikipedia.org/wiki/Convenzioni_di_Ginevra ). Prandej qeveria shqiptare, simbas marreveshtjes se Gjeneves detyrohet ta lejoje qeverine greke te ndertoje ne territorin shqiptar varrezet e ushtarve grek te vrame gjate luftes dhjetori 1940 - prill 1941. Grekt kane te drejte ti terheqin eshtnat e ushtarve te vet ose kan te drejte tu ndertojne atyne varret ne territorin shqiptar.
2-Asht problem tjeter se banort shqiptar shesin eshtna te vdekunish shqiptar per nji shperblim ne te holla nga grekt. Kjo asht flliqesija e shqiptarve dhe jo e grekve. Kerkoje maskarallekun tek shqiptart e jo tek grekt.
3- Ne Itali ka shume varreze te ushtarve gjerman te cilet jane vrà ne Itali si ushtri pushtuese gjate luftes se dyte botnore dhe ne baze te marreveshtjes se Gjeneves, qeveria gjermane ka ndertue mbas luftes ne Itali varrezet e ushtrave gjerman.
-          http://www.lacittainvisibile.it/la-seconda-guerra-mondiale/un-itinerario/i-cimiteri-di-guerra.html

Simbas arsyetimit te Remi Memushaj duhet qe edhe eshtnat e pushtuesit dhe te msakruesit te shqiptarve sulltanit Muratitte pare ne afersi te Prishtines duhet te kethehen ne Turqi. Ne fakt kryemyftiu i Kosoves Naim Terrnava i bani Allahut lutjet perkujtimine 621 vjetorit te vrasje se tij ne tyrben e sulltanit. Lexo kete shkrim “Përkujtohet Sulltan Murati” http://www.kosovahaber.com/?page=1,11,2367 .
Mos na u hiq patriot Remi Memushaj kur hesht per turqit. Parimi asht i barabarte per te gjithe njilloj.


 përgjigju
Mentalitet ballkanas
"Lejimi i grekëve për ta kthyer përmbys truallin shqiptar dhe për të bërë ç’të duan, të mbledhin edhe eshtra shqiptarësh për të mbushur varrezat greke, mund të cilësohet pa e tepruar si një veprim antikombëtar, për të cilin një ditë përgjegjësit duhet të përgjigjen"-
Kjo fraze eshte nje nga konluzionet me te papergjegjeshme qe mund te shprehe nje njeri i elites intelektuale. Fakti qe jane 696 pika germimi tregon se ushtria greke ka kordinata te sakta per renien e ushtareve te saj. Autori kujton se greket jane te interesuar thjesht te mbledhin eshtra, nje opinion ky i sajuar dhe pergjithesuar nga ndonje gabim i mundshem qofte dhe nga ndonje sipermarres i nje pune te tille . Por Memushaj duhet te dije se pas cdo ushtari te rene qendron nje familje dhe askush nuk mund te tallet me nderin dhe dhembjen e ketyre familjeve sic pretendon Memushi.

  Mbi çështjen e "varreve të ushtarëve grekë"

Ka disa vjet që çështja e varreve të ushtarëve grekë është bërë shqetësuese për opinionin e gjerë. Qeveritë shqiptare të pas ‘90-s janë dorëzuar para kërkesave të palës greke për të mbjellë gjurmë të helenizmit në tokën shqiptare. Si qeveria socialiste, edhe qeveria e sotme, që jo vetëm i është përmbajtur pikë për pikë marrëveshjes së mëparshme, po edhe ka nënshkruar një varg marrëveshjesh të tjera, si ajo e vitit 2009 për varrezat e Bularatit dhe të Kosinës etj. kjo e fundit për të kërkuar, siç njoftohet në shtypin e përditshëm, në 696 vende të ndryshme të Shqipërisë, kryesisht në fshatra dhe në qytete të jugut të vendit, për eshtra të ushtarëve grekë të rënë në territorin shqiptar nga dhjetori 1940 deri në prill 1941. Veprimet e qeverisë greke dhe të njerëzve të saj në Shqipëri për të ngritur varreza e për t’i mbushur ato me eshtra shqiptarësh morën përmasat e një skandali që u bë objekt i filmit komedi “Balkan Bazaar” të Edmond Budinës. Ky skandal vijoi me atë të Boboshticës, ku u përdhosën varret e shqiptarëve për të ngritur një monument të ushtarit grek, dhe së fundi me manifestimet në Bularat e Këlcyrë, ku grekët erdhën për të përkujtuar në tokë shqiptare luftën me Italinë fashiste.

Qëllimet e mbrapshta të shtetit grek dhe të qarqeve shoviniste greke janë të qarta si drita e diellit. Me varrezat, monumentet dhe me gërmimet në 696 pika Greqia do që të zyrtarizojë mëtimet e saj territoriale ndaj Shqipërisë së Jugut. Thjesht pranimi i kërkesës për të gërmuar në 696 vende do të thotë se ky vend është larë me gjakun grek të derdhur në më pak se pesë muaj, prandaj është tokë greke.
Historianët mund të thonë më shumë për luftimet e zhvilluara midis dy ushtrive në territorin shqiptar, sigurisht duke hapur dhe librat grekë të historisë si dhe statistikat e pasluftës për ushtarët grekë të rënë në Shqipëri. Ajo që na shqetëson këtu është sjellja e qeverive shqiptare të periudhës pas tranzicionit, si qeveri që e nisin qeverisjen nga viti zero.

Për të qenë më i qartë, po sjell për lexuesin një dëshmi për një situatë të ngjashme. Në vitin 1961, Italia, sipas një marrëveshjeje me qeverinë shqiptare, nisi punën për nxjerrjen e eshtrave të ushtarëve të vet të rënë në Shqipëri gjatë Luftës së Dytë Botërore. Një nga varrezat e italianëve të vrarë ndodhej në fshatin Gjorm të Vlorës, ku shkruesi i këtyre radhëve punonte si mësues. Kureshtja na shtynte të shihnim se si bëhej identifikimi i eshtrave. Specialisti italian, i pajisur me hartë topografike dhe me plan të varrezës, shoqërohej nga punonjës të Ministrisë së Punëve të Brendshme. Punëtorët që ishin pajtuar për hapjen e varreve, punonin nën mbikëqyrjen e specialistit, i cili, i mbështetur në planin e varrezës, gjente se të kujt ishin eshtrat. Pasi hapej varri, eshtrat dhe sendet vetjake të të vrarit (krehri, stilografi, veglat e rrojës etj.) viheshin në një qese najloni, së cilës i ngjitej një etiketë me emrin e të vrarit. Pasi u nxorën eshtrat, varret u mbushën për t’ia lënë natyrës kthimin e varrezës në lëndinë dhe në atë vend nuk u ngrit ndonjë monument.
Pra, ushtria fashiste italiane nuk i linte kufomat e të vrarëve atje ku binin, po i tërhiqte dhe i varroste në varreza të përbashkëta, duke bërë në çast edhe planin e varrezës dhe duke e fiksuar atë në hartat topografike. Dhe i gjithë ky proces zhvarrimi u mbikëqyr në të gjitha fazat e tij nga shteti shqiptar i kohës.
Ushtria greke, ka qenë dhe ajo ushtri e rregullt, që ka rregulla për tërheqjen nga vija e luftimit e trupave të të rënëve dhe i varros në varreza, duke bërë planin e tyre e duke hedhur në hartën topografike koordinatat e vendit. Por nga skandalet për mbledhje eshtrash që kanë ndodhur na del sikur kjo ushtri paska qenë një kope bashibozukësh, që i ka braktisur të vrarët atje ku kanë rënë dhe kujtohet për ta vetëm pas 70 e ca vjetësh, duke sjellë vetëm ca koordinata të sajuara në zyrat ku hartohen strategji të mbrapshta.

Kurse qeveritë shqiptare të pastranzicionit, duke ndjekur traditën e vitit zero, nënshkruajnë marrëveshje dhe japin leje për zhvarrime pa parë praktikat që janë ndjekur për zhvarrimet e një ushtrie tjetër dhe, më keq, pa mbikëqyrur asgjë, duke e lënë këtë proces delikat në duar të pushtetit vendor, dmth. në duar individësh që edhe mund të tundohen nga ushtria e tregtarëve të varreve. Për një shtet serioz ndjekja e traditës qeverisëse dhe e praktikave të qeverive paraardhëse, sidomos në raste që kanë motërzime, është një bazë për të pranuar apo kundërshtuar kërkesat e palës tjetër.  Dhe praktikat e dokumentacioni i operacionit të vitit 1961 për zhvarrimin e ushtarëve italianë besojmë se ruhet në arkivat e Ministrisë së Brendshme. Një qeverisje e përgjegjshme do të duhej ta bënte këtë gjë që e kërkojnë interesat kombëtarë. Lejimi i grekëve për ta kthyer përmbys truallin shqiptar dhe për të bërë ç’të duan, të mbledhin edhe eshtra shqiptarësh për të mbushur varrezat greke, mund të cilësohet pa e tepruar si një veprim antikombëtar, për të cilin një ditë përgjegjësit duhet të përgjigjen.

No comments: