Saturday, February 02, 2013

MANOLIS Glezos

http://xhaxhai.wordpress.com/2013/01/28/manolis/

fotoNjë ngjarje e veçantë paska ndodhur në parlamentin grek para 12 ditësh – meqë më paska shpëtuar pa e vënë re, po ia lejoj vetes përdorimin e mënyrës habitore. Një deputet i formacionit politik SYRIZA, i mirënjohuri zoti Manolis Glezos, ka qënë protagonisti i një ngjarjeje, të denjë për të shkruar diçka rreth saj.
Përpara se t’u heq kërshërinë mbi ngjarjen, do flas veç pak për biografinë e Manolit, se për të vetë kam shumë për të thënë. Manolis Glezos, ka lindur në ishullin Naxos, në vitin 1922. Familja e vet u transferua në Athinë në vitin 1935, aty ku ai dhe mbaroi shkollën e mesme. Kërcënimi i pushtimit fashist, e gjen Manolin çun të ri, veç 17 vjeç. Në pamundësi për të shkuar në front – për shkak të moshës së vogël – ai ofrohet vullnetar në Ministrinë e Financës.
Akti që do e vendoste Manolin në rangun e legjendave, do të vinte dy vjet më vonë, kur së bashku me shokun e tij të idealeve, Apostolos Santas, shkon në Akropolin e Athinës, të pushtuar atëherë nga nazistët gjermanë, dhe gris simbolin e nazizmit – flamurin që po valëvitej mbi tokën e kombit të vet të nënshtruar. Do të ishte veç ky akt, që do ta kthente atë në legjendë ndërkombëtare dhe simbol të rezistencës.
Vitet që pasuan pas çlirimit të Greqisë, nuk e ndryshuan rrjedhën e persekutimeve ndaj Manolit. Sepse ishte i majtë kësaj rradhe, ai internohet, burgoset, kërcënohet, akuzohet si spiun i shërbimeve sekrete, dënohet me vdekje – por nuk ekzekutohet, për shkak të statusit të vet popullor.
Ditë të bardha, plaku sot 90 vjeçar flokëbardhë, pa vetëm pas rrëzimit të diktaturës së kolonelëve në Greqi. Aty fillon dhe aktivizohet politikisht, merr pjesë në jetën sociale të vendit, zgjidhet deputet, eksperimenton me aplikimin e demokracisë direkte, shkruan libra etj.
Vjet në Shkurt, Manoli rikthehet si simbol i rezistencës, kësaj here ndaj një pushteti të degjeneruar dhe të pamoralshëm, kur merr pjesë në demonstratat popullore dhe darovitet prej “mbajtësve të rendit” të atëhershëm me gaz lotsjellës. Ndërsa në Qershor, po vjet, figuronte i pari në listën proporcionale të partisë Syriza. Sot është deputet në parlamentin grek, para dy javësh rikonfirmoi statusin e tij si legjendë e antifashizmit.
Dhe ja se si. Në seancën parlamentare të rradhës, një prej deputetëve të AiA, akuzon kolegun e vet mysliman minoritar – Ahmet Haxhiosman, se është agjent i Turqisë. Që t’i bëjmë një rikapitullim gjithë situatës, para se të shkojmë më poshtë:
- Manoli ka lindur në 1922, në të njëjtin vit që lufta turko-greke, i mohoi Greqisë të drejtën e territoreve në Azinë e Vogël, dhe i dha fund ideologjisë së Megali-Ideas, me shkëmbimin e popullatës.
- Deputeti i AiA, simbolizon gjithçka që Manolin e ka bërë të pësojë në kurrizin e vet, për jo pak, por 30 vjet. AiA përfaqësojnë hitlerianët, kolaboracionistët; më pas regjimin e kolonelëve të Juntës, dhe sot neofashistët.
Për të mbrojtur kolegun e vet mysliman, Manoli ngrihet, dhe pyet ministrin e arsimit të Greqisë, që ka mbiemrin Arvanitopoulos e i thotë – ti je grek, apo arvanit? Përse e bëri këtë pyetje? Për t’i hequr pretendimin moral të racës së pastër që pseudonacionalistët e AiA mbështesin. Më shumë se përpara mitit të historisë greke, ishte – përsëri, përballë fashizmit. Nuk zgjodhi të hakmerrej, as të bënte gjenealogjinë familjare të atij që akuzonte (siç ndodh rëndom në ndonjë vend tjetër këtej rrotull), as zgjodhi të ofendonte, zgjodhi veç këtë: të thoshte një të vërtetë, të mohonte një pretendim absurd mitoman të pastërtisë racore. E madje të jepte moralin e vet, për të ardhmen. Djali i ri 90 vjeçar, po u tregonte përsëri stërnipërve të tij, se si duhet të jetojnë dhe t’i shohin gjërat.
Por, sigurisht, siç po ndodh rëndom e shpesh herë, kur kaloi doganën edhe erdhi lajmi në sferën shqipfolëse të mediave, mesazhi i keqinterpretua.
“Ja një grek që thotë të vërtetën”, “Sikur ne nuk e dinim”, “Gjysma e grekëve janë shqiptarë”, “Arvanitasit po zgjohen”, “Do marrim trojet”, “Shqipëri e Madhe!” etj.
Një pjese të stërnipërve të vet, duhet thënë, as atyre nuk ua mbushi mendjen. Aq sa i thanë dhe “paloplak”, dhe “i rrjedhur”. Atij, që mund ta tregojë historinë vetëm nëpërmjet brazdave të thella të rrudhave që ka në fytyrë
Sikur të mundesha, do i lutesha Manolit – të lutem mëso shqip o plak, dhe ua shpjego shqiptarëve çfarë ke në mendje.
Por ndoshta në pamundësi të kësaj, nëpërmjet shembullit të vet, Manoli e jep gjithsesi një mesazh. Nëse krahasojmë shpirtmadhësinë dhe vizionin e plakut të urtë dhe leshrakërleshur, me meskinitetin e disa shqiptarëve dhe mënyrave idiote, prepotente, langaraqe që këta po përdorin sistematikisht për tu faktorizuar në politikë – gjithnjë duke mbjellë urrejtje, dhe jo tek të huajt, por midis shqiptarësh vetë.
Si mbyllje, po zgjedh një shkëmbim që kam pasur me dikë në lidhje me Manolis Glezos, kur para disa kohësh më pyesin – Po ai, akoma nuk ka vdekur? Dhe i jam përgjigjur – Ai asnjëherë nuk ka për të vdekur.

No comments: