Saturday, February 16, 2013

NA JEPNI KËLLIRË


Që prej botimit të librit Skënderbeu dhe pas polemikave që e shoqëruan botimin, historiani zviceran Oliver Jens Schmitt, profesor i Historisë së Europës Juglindore në Universitetin e Vjenës, ka shërbyer si kokë turku për të gjithë historianët amatorë të kombëtarizmit shqip, të cilët e kanë parë si burimin potencial të çdo të lige që mund të thuhet për shqiptarët në histori.
Libri i tij i fundit, Shqiptarët: Një histori midis Lindjes dhe Perëndimit, i botuar nga K&B, 2012 me përkthimin e Ardian Klosit, kish kaluar disi në heshtje, po të mos ishte kujtuar gazeta Tema, me një lajm që rimerrte, në mënyrë krijuese, një njoftim për këtë libër, të gazetës austriake Der Standard, të datës 14 janar 2013.
Përkthimi që ia bën Tema artikullit të Standardit është, të thuash pak, krijues.
SchmittAtje ku gazeta austriake shkruan se Schmitt-i dekonstrukton mitin e “qëndresës së vazhdueshme” të shqiptarëve kundër osmanëve, statusit të tyre prej viktime dhe fatit të të qenit “të sunduar prej të huajve”, Tema thotë se Schmitt-i “shkruan se nuk ka pasur një kryengritje të vazhdueshme ndaj Perandorisë Osmane.” Atje ku gazeta austriake thotë se “në krye askush nuk iu kundërvu osmanëve në krye më fort se këta të krishterë të Ballkanit, por më pas ishin shqiptarët, së bashku me boshnjakët, që shërbyen edhe si shtylla kurrizore e Perandorisë Osmane”, Tema thotë thjesht se “shqiptarët e boshnjakët ishin si shtylla kurrizore e Perandorisë Osmane.”
Schmitt-i i thotë Standard-it se Skënderbeu “u mbështet” (wurdeunterstützt) edhe nga vllehët, sllavët dhe grekët; Tema këtë e jep: “Skënderbeu luftoi bashkë me vllehët, sllavët dhe grekët.”
Më në fund, atje ku Standard-i thotë se Schmitt-i e kritikon hipotezën/idenë e vijueshmërisë iliro-shqiptare:
Schmitt kritisiert die Vorstellung einer “illyrisch-albanischen Kontinuität”
Tema përkthen kështu:
Schmitt thotë se nuk ka një vazhdimësi iliro- shqiptare, siç pretendojnë shqiptarët, duke theksuar se nuk ka gjetur asnjë element të tillë.
Të gjitha pjesët e nënvizuara i ka shtuar përkthyesi nga xhepi, në mënyrë që historiani i Universitetit të Vjenës të shndërrohet nga kritik i një hipoteze të kritikuar rëndom, në mitvrasës. Dhe vëreni, gjithashtu, që askund nuk shprehet yni se “nuk ka gjetur elemente të vijueshmërisë iliro-shqiptare”, sikurse ia vë në gojë gazeta e Tiranës.
E gjithë kjo katrahurë në një lajm njëzet-rreshtash, ku Schmitt-i quhet historian “austriak”, dhe ku titulli i librit të tij përkthehet ndryshe nga ç’ka dalë në shqip, çka më lejon të mendoj se autori i lajmit te Tema nuk e di që libri i Schmitt-it është përkthyer tashmë në shqip dhe është botuar.
Titulli që ia zgjedh Tema shkrimit: “Schmitt provokon sërish: Shqiptarët e pranuan Perandorinë Osmane, ishin fetarë dhe s’kanë lidhje me ilirët” shërben si çelësi i sol-it për partiturën – duke u treguar lexuesve se me ç’ton ta trajtojnë lajmin.
Tani, Schmitt-i si historian ka plot për t’u kritikuar, sikurse edhe është kritikuar nga kolegë të tij historianë dhe albanologë.
Por kjo nuk e përligj asfare shndërrimin e tij në gogol të mitologjisë kombëtariste shqiptare, ose në këtë proces karnevalizimi të historiografisë dhe historiografëve europianë, i cili i shërben më shumë ndërzimit të turmës kokëtrashë, për ta kthyer atë kundër pluralizmit të dijes, kritikës dhe kushedi edhe vetë Europës.
Dhe turma kokëtrashë nuk vonon të përgjigjet: në komentet që pasojnë artikullin e Temës, zvicerani quhet “plehrë homoseksual”, “bajgë”, “i paguar nga serbët”, “historian qesharak”, “palaço i Austrisë”, “antishqiptar”, “karagjoz”, “palaqo”, “i paguar nga turku”, “Arschloo”, “pseudointelektual”, “pallë profesor”, “klloun”, “paçavurre”, “i paguar nga qarqe shoviniste”, “qelbanik i pashoq”, “buzqumësht”, “peder mashkull”, “spurdhjak”, “a[r]gjent serbo-rus”, “pseudohistorian”, “legen austriak”, “qurrash buzëqumësht”, “kalama”, “mitoman”, “fajtor për vdekjen e Ardian Klosit”, “delirant”, “kurvë”, “superkurvë antishqiptare”, “mut Austrie”, etj., për më shumë se 200 komente, nga të cilat vetëm 3-4 e ruajnë masën dhe arsyen.
Çorbë fort e keqe është duke u gatuar.

No comments: