Wednesday, March 06, 2013

TË MARRIM HUA GJYKATËN E SELANIKUT

ARTAN MULLAJ
Artan MullajPara disa ditësh, Vassilis Papageorgopoulos, ish-deputet i partisë konservatore “Nea Dimokratia” dhe ish-kryetar bashkie në qytetin e Selanikut është dënuar me burgim të përjetshëm. Një gjykatë penale në Selanik vendosi se ai është fajtor për lejimin e përvetësimit të parave shtetërore në shumën 18 milionë euro, gjatë kohës që ka qenë në post nga viti 1999 deri më 2010.
Nuk i ka përvetësuar vetë këto para, thjesht ka lejuar të tjerë, duke mos i kontrolluar sa duhet. U dënua sepse lejoi të tjerë të rrëmbejnë nga fondet publike të popullit grek. Mungesa e vëmendjes i ka kushtuar “vëmendjen” e plotë gjykatës, që e ka marrë kaq seriozisht këtë gjë sa i ka dhënë një dënim kapital. Duket si një vendim që përkufizon qartë shenjtërinë e pasurisë publike tek fqinjët tanë: Ajo është e paprekshme. Vetiu lind pyetja: Ç’fat do të kish ky titullar nëse do ta kishte dreqosur më keq? Ç’do kishte përtej dënimit kapital të dhënë nga kjo gjykatë? Kushedi! Nuk mund të mos sjellësh ndër mend dënimet turpëruese të kohës osmane. Do ta varnin për veshësh, do ta shëtisnin në pazar kokëqethur, hipur në një gomar apo çfarë?
Njëherazi, do ishte interesante të përfytyrohej sikur kjo gjykatë të ishte në Shqipëri. Çfarë vendimesh do duhej të prisnim nga ajo, nëse do të kishte për gjykim disa nga çështjet makabre të korrupsionit tek ne? Çfarë vendimi do të kish marrë kjo gjykatë për “Gërdecin”. Çfarë do ta priste ministrin Mediu? Ç’vulë do të kish “korrupsioni i qartë i Ilir Metës”, me bllokun në dorë, i vërtetuar me pamje të qarta filmike. Në ç’kryq do mbërtheheshin, me ç’gozhdë të mëdha e të ndryshkura, ngulur pa mëshirë në mish mëkatarësh dhe me ç’egërsi të shenjtë do të ndëshkoheshin prej kësaj gjykate urdhëruesit dhe vrasësit e 21 Janarit?
Rrëqethëse ta mendosh! Kur tjetrin e dënon me burgim të përjetshëm, për shkak se ka qenë sylesh dhe i pakujdesshëm dhe ka lejuar të tjerë të vjedhin, ç’këmbanë do oshtinte në qiell për piratët shqiptarë, politikanë hajdutë, kriminelë edhe vrasës, të tranzicionit tonë?

***
Përse të mos e supozojmë. Është e kotë të supozosh se e kundërta ndihmon imagjinatën… Në njëfarë mënyre, vendimi i ashpër i gjykatës greke për njërin nga politikanët më të popullarizuar në Greqi vitet e fundit shpjegon pikë së pari perceptimin e shëndetshëm të lirisë që ka populli grek. Jep një përgjigje se ç’është liria për ta! Liria e individit atje është e kushtëzuar drejtpërdrejt nga drejtësia, që është rregullatorja e ekuilibrave në marrëdhënie sociale. Liria dhe drejtësia janë dy koncepte, lidhja koherente e të cilave përcakton edhe kualitetin e demokracisë së një vendi. Nuk mund të ketë liri pa drejtësi. Ashtu si nuk mund të ketë e kundërta kuptim. E dyta ekziston që të ekzistojë dhe funksionojë e para. Dhe anasjelltas. Kur themi “perceptimi i lirisë”, kemi parasysh që liri nuk do të thotë të lëvizësh i lirë e thjesht të thuash çfarë të duash. Është shumë më shumë se kaq. Askush nuk mund të ndihet i lirë në një vend ku shkelen të drejtat themelore të njeriut, një prej të cilave është e drejta për të “pasur të drejtë”. Si mund të ndihesh i lirë kur vetë gjykatat, të varura tërësisht prej pushtetit, shkelin me të dyja këmbët, të parat ato, drejtësinë? Liria e individit është një fuqi, një ndjesi që buron nga mendimi, nga perceptimi. Nëse një gjykatë zgjedh të shpallë të pafajshëm vrasës dhe politikanë që vjedhin pasurinë e shenjtë publike, ç’mendim, ç’perceptim kolektiv mund të sjellë kjo gjë për pasojë? Do të sjellë një stres popullor, që për shkak të rutinës, shpeshmërisë, s’mundet veçse të degjenerojë në një terror psikologjik. A mund të themi se ka liri individi në një shoqëri të terrorizuar nga mungesa e drejtësisë, nga pasiguria, nga frika?
Kur një gjykatë vlerëson ndëshkimin maksimal të një titullari, i cili nuk pat vëmendjen e mjaftueshme për ruajtjen e pronës publike, si u përmend më sipër, kjo gjë i jep shenjtëri kësaj prone. Ky është ndryshimi mes nesh dhe Greqisë. Atje, prona shtetërore, pasuria e përbashkët e njerëzve, ka një rëndesë historike. Kjo pronë nuk ju takon vetëm grekëve të sotëm, as ju kishte takuar vetëm brezave të mëparshëm. I takon gjithë popullit grek në të gjitha kohërat. Asnjë brez, asnjë kastë, asnjë qeveri nuk mund të marrë vendime pa pasur parasysh këtë gjë. Në kohë luftërash dhe në kohë krizazh. Tek ne, jo! Pasuria e Shqipërisë është si palca në një kockë pastërmaje, që politikanët e thëthijnë prej 20 vitesh në tranzicion. Përfytyroni gojë të shëmtuara, mbushur me jargë, me dhëmbë të prishura prej bollëkut dhe fodullëkut, tek e sulmojnë. Kush të mundë më shumë, kush të mundë sa më parë. Gjuhët e nxehta të pushtetit e lagin, buzët e lyrosura e ndukin, llaq-lluq, pllaz-plluq, me ngulm, me ngulç, me babëzi, derisa të mos mbetet asgjë.
Kështu që, për t’u kthyer tek filli i shkrimit, mund të themi se dënimi i kryebashkiakut do të ishte një “përkëdhelje” krahasuar me vendimet që po kjo gjykatë do të kish marrë supozuar, për fodullët milionerë të politikës shqiptare. Është dhimbshëm e qartë se këta fodullë janë shumë më të mynxyrshëm se politikani grek që përmendëm. Janë të papërmbajtshëm në mëkatet e tyre, janë zotër të këqij, shkatërrimtarë, hajdutë, përthithës, të babëzitur, të egër, të fortë, të dhjerë. Ç’fat pra do të kishin “metat” e “medinjtë”, vrasësit, kasapët, çakejtë në gjykimin e shenjtë të një gjykate që i shërben pronës publike, shenjtërisë, drejtësisë, pra vetë lirisë? Këtë nuk e dimë. Por ne dimë se na duhet urgjentisht kjo gjykatë. Kjo drejtësi. Kjo shenjtëri. Që njerëzit të fillojnë të ndihen të lirë. Që normaliteti të vijë. Ta marrim hua atë!

No comments: