Tuesday, May 14, 2013

Është koha, që minoriteti të bashkohet rreth PBDNJ


Askush nuk mund të mohojë punën e bërë në këta njëzet e ca vite, në mbrojtje të identitetit të minoriteteve, për mbrojtjen e gjuhës kulturës e zakoneve të tyre. Në mbrojtje të këtyre vlerave, në pararojë, ka qenë dhe mbetet Partia e Bashkimit për të Drejtat e Njeriut, si e vetmja përfaqësuese e ligjshme e këtyre minoriteteve. Ajo nuk ka lejuar dhe nuk lejon nëpërkëmbjen e atyre të drejtave dhe interesave që u garanton Kushtetuta dhe Konventa ndërkombëtare e të drejtave të njeriut. Është kjo Parti, e cila qëllimin më madhor të saj, në epiqendër të programit të saj ka mbrojtjen e këtyre interesave të të gjitha minoriteteve. Është kjo arsyeja, që PBDNJ sot ka përfaqësuesit e saj në të gjitha nivelet e pushtetit qendror dhe atij vendor.
Është dashur shumë mund, përpjekje e sakrifica, që zëri i minoriteteve të dëgjohet fuqishëm në mbrojtje të interesave dhe garantimit të të drejtave që u jep ligji. Këtë e ka bërë e vetmja përfaqësuese legjitime e tyre që është PBDNJ-ja dhe askush tjetër. Eksperienca e këtyre viteve, qysh nga rënia e komunizmit e këtej, si nga ana e shtetit, ashtu edhe nga Partitë e mëdha, janë vërejtur tendenca të përçarjes së minoriteteve dhe nëpërkëmbjes të identitetit të tyre. Atë që nuk mundi ta bëjë komunizmi, për mohimin e të drejtave të minoriteteve dhe nëpërkëmbjes së kërkesave të tyre legjitime, po mundohen ta bëjnë sot, struktura të veçanta të pushtetit qendror apo parti të ndryshme, që gjoja përfaqësojnë interesat e minoriteteve. Këtë e tregoi më së miri edhe Censusi i kohëve të fundit, i cili nuk i përgjigjej aspak realitetit të sotëm, për regjistrimin e saktë të minoriteteve që jetojnë në Shqipëri.
Kjo, bëhet me një qëllim të caktuar, për të minimizuar numrin real të minoriteteve, sidomos atij me kombësi greke në përgjithësi dhe komunitetit ortodoks në veçanti. Ishin të ashtuquajturit përfaqësues të minoritetit, ata që para fillimit të Censusit, miratuan një ligj në Parlament, me anën e të cilit ndëshkoheshin me gjobë, ata që bënin deklarimin e lirë të shtetësisë, ligj ky, që binte ndesh me kushtetutën dhe të drejtën ndërkombëtare të të drejtave të njeriut. Ky nen u kritikua dhe u quajt antikushtetues edhe nga Bashkimi Europian, dhe fakti që ky nen nuk u zbatua asnjëherë, tregon më së miri edhe falsitetin e tij, qysh në miratim. Një shkelje tjetër e të drejtave të njeriut, është edhe mos deklarimi i kombësisë në certifikatat që merren në Gjendjen Civile. Përballë presionit të shtetit nga njëra anë dhe tendencave për të përçarë minoritetin nga individë të ndryshëm, minoriteti duhet të bashkohet e të kërkojë të drejtat e tij legjitime, t’i bëjë rezistencë këtij presioni dhe të mos lejojë që të kthehet nga minoritet, në pakicë kombëtare. Këtë forcë, këtë rezistencë, minoriteti e gjen të mishëruar vetëm në programin e PBDNJ-së dhe përfaqësuesve të saj legjitimë. Në asnjë program tjetër nuk i gjen të pasqyruara respektimin e të drejtave të minoriteteve, si në programin e PBDNJ-së dhe organizatës së saj politike “Omonia”. Interesat e grupeve të veçanta, apo e individëve të ndryshëm, nuk janë të ndara nga interesi i përgjithshëm i tyre për mbrojtjen e identitetit të tyre, mbrojtjen e interesave dhe respektimin e të drejtave që u siguron Kushtetuta dhe Konventa Ndërkombëtare e të drejtave të njeriut. Shumë personalitete dhe individë të ndryshëm nga minoriteti, militojnë në parti të ndryshme, në organe të pushtetit lokal apo qendror, dhe kjo është e ligjshme. Por, në të njëjtën kohë duhet të kemi parasysh, atë ç’ka është më kryesorja, sepse këta nuk përfaqësojnë interesat e minoriteteve, por interesat e tyre të ngushta partiake apo personale dhe hiqen sikur mbrojnë interesat e minoriteteve. Në një formë apo në një tjetër, këta i kundërvihen programit të përfaqësueses së vetme legjitime të minoriteteve PBDNJ dhe në plan të parë vendosin programin e partive ku ata militojnë. Përveçse përçarjes së minoriteteve, kjo nuk ka se si t’i shërbejë frymës së bashkimit e të bashkëpunimit.
Përkundrazi, qëllimi i PBDNJ-së është përfaqësimi i të gjitha minoriteteve, grekë, vllehë, maqedonas etj., në të gjitha nivelet e qeverisjes. Nuk mund të quhen të realizuara interesat e minoriteteve, me asfaltimin e një rruge, ngritjen e një ure apo punësimin e disa njerëzve, siç bëjnë persona të ndryshëm për thënë se janë në mbrojtje të të drejtave legjitime të minoriteteve. Përkundrazi, interesat dhe qëllimet e tyre janë shumë të mëdha se kaq. Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut është parti e qendrës dhe ajo në themel të saj ka mbrojtjen e të drejtave të minoriteteve dhe mosnëpërkëmbjen e tyre nga partitë e tjera, apo nga shteti. PBDNJ-ja e ka shtrirë aktivitetin e saj në të gjithë territorin e Shqipërisë, nëpërmjet organizatës së saj politike, “Omonia” dhe degëve të saj në shumë qytete të Shqipërisë, që janë të vetmet përfaqësuese të minoriteteve. Nga Jugu në Veri, minoritetet kanë organizatat e tyre të përfaqësimit dhe besimi në to, ka ardhur vazhdimisht duke u rritur dhe forcuar. Këto organizata, tashmë janë më të bashkuara se kurrë rreth përfaqësueses së tyre, PBDNJ. Kjo bindje, tashmë është krijuar me vetë punën dhe aktivitetin e kësaj partie për të mos lejuar askënd, që të marrë nëpër këmbë të drejtat e minoriteteve. Për këtë, ajo, ka dhënë prova dhe kur ka qenë e nevojshme, është futur në konflikt të hapur me qeverinë dhe ka patur kurajon për të mbrojtur e respektuar të drejtat e tyre. Sot, më tepër se kurrë, është e nevojshme dhe përbën domosdoshmëri, që këtë bashkim ta ngremë në një stad të ri, në një nivel më të lartë, për t’ju kundërvënë më me ashpërsi, tendencave përçarëse të individëve apo grupeve të ndryshme, që dëmtojnë interesat e minoriteteve. Nuk i shërben bashkimit, por përçarjes së minoriteteve, krijimi i organizatës “Mega”.Qëllimi i këtij fraksioni nuk i shërben aspak mbrojtjes së interesave të minoriteteve, por interesave të ngushta të disa personave, për të qëndruar sa më afër pushtetit qendror. Qysh në krijimin e saj, kjo organizatë u krijua nga kuadro të punësuar në shtet, për të ruajtur ëndet e tyre të punës dhe jo për t’i shërbyer interesave të minoritetit. Jo vetëm kaq, por kjo organizatë e ka dëmtuar jo pak minoritetin nëpërmjet heqjes nga puna të shumë kuadrove e punonjësve, e duke vendosur në vend të tyre njerëz të afërm të atyre pranë pushtetit. Këtë e dëshmon më së miri edhe marrëveshja e fundit, që kjo organizatë, u bë pjesë me koalicionin qeveritar. Lind pyetja; Interesat e kujt minoriteti përfaqëson kjo organizatë? Më së shumti, kjo organizatë u përdor nga Partia në pushtet për të përçarë minoritetin. Megjithatë, Partia Bashkimi për të drejtat e Njeriut, më shumë se një herë i ka shtrirë dorën kësaj organizate, për tu bashkuar e për të bashkëpunuar me të, në atë ç’ka është më madhorja, mbrojtjen dhe respektimin e interesave dhe të drejtave legjitime të minoritetit. Por kërkesat e organizatës “Mega”, në këtë bashkëpunim kanë qenë sa absurde, aq edhe të parealizueshme e të papranueshme për PBDNJ. Duket pra haptazi, se kjo organizatë mbron interesat e një grupi të caktuar njerëzish dhe jo ato të minoriteteve në përgjithësi. Kjo organizatë, më së shumti përdoret nga pushteti për të përçarë minoritetin dhe jo për ta bashkuar atë në realizimin e qëllimeve të tyre.
Nuk na ndajnë veçse pak më shumë se një muaj, zgjedhjet e përgjithshme. Fushata elektorale, tashmë ka hyrë në një fazë intensive. Është koha, që minoritetet të dëshmojnë edhe një herë, që janë më të bashkuar se kurrë rreth përfaqësueses së tyre legjitime PBDNJ-së, e cila përfaqësohet në të gjitha zonat me përfaqësuesit e saj më të devotshëm, që kurdoherë e mbi gjithçka, kanë qenë e janë në mbrojtje të të drejtave të minoriteteve dhe respektimit të tyre në të gjitha fushat. PBDNJ ka bindjen e plotë se edhe në këto zgjedhje, minoritetet do të dëshmojnë forcën dhe pjekurinë e tyre në mbështetje të kandidatëve të PBDNJ-së, duke u ngritur kundër interesave të ngushta, të individëve apo grupeve të caktuara, që spekulojnë me interesat e minoriteteve. E vetmja forcë politike, që ruan tiparin kombëtar, që ruan përfaqësimin kombëtar të minoritetit në përgjithësi dhe atij grek në veçanti është PBDNJ-ja dhe organizata politike “Omonia”. Edhe në këto zgjedhje, minoritetet me siguri do të votojnë për përfaqësuesit legjitimë të PBDNJ-së, që janë nga kandidaturat më të spikatura e më të përkushtuarit për respektimin e të drejtave të tyre si; Vangjel Dule, Evgjeni Kota, Thoma Melo etj. Kjo, do të bëjë të mundur që minoriteti të bindet, se vetëm tek përfaqësuesit e PBDNJ-së, do të gjejë kurdoherë mbështetje dhe përkrahje për zbatimin në praktikë të të drejtave të tyre...

Pandeli BARDHI(Gazeta Sot)

No comments: