ME MIRËNJOHJE PËR TË GJITHË EMIGRANTËT SHQIPTARË
DR. VANGJEL TAVO

Emigrantët shqiptarë kanë shërbyer si ura lidhëse midis Shqipërisë
dhe mbarë Europës dhe botës. Me punën e duarve të tyre ata i kanë
dëshmuar botës virtytin e punës dhe me mundin e tyre kanë treguar se
jemi një komb me vlera. Fëmijët shqiptarë shkëlqejnë në shkollat greke,
italiane dhe vende të tjera europiane duke u bërë kështu krenaria
kombëtare si për sot ashtu edhe për të ardhmen.
Si simboli më i mirë i patriotizmit emigrantët meritojnë më shumë
mbështetje nga shteti shqiptar. Qeveria shqiptare duhet të ishte më e
angazhuar në përmirësimin e shërbimeve ndaj emigrantëve, si për
arsimimin ashtu edhe lejet e qëndrimit, patentat, dokumente dhe
procedura të tjera, të cilat gjer tani kanë zvarritur emigrantët në
korridoret e gjata të burokracisë.
Gjatë kohëve të fundit në Shqipëri është folur shumë për patriotizëm,
por e vërteta është se emigrantët shqiptarë që punojnë dhe jetojnë
jashtë vendit janë simboli më i mirë i patriotizmit. Ata u mësojnë
fëmijëve gjuhën shqipe, hapin shkolla të gjuhës shqipe, mendojnë dhe
punojnë për Shqipërinë.
Emigranti është kategoria më e çmuar e shoqërisë, pasi jo vetëm i
duhet të largohet nga ngrohtësia e familjes dhe atdheut, por edhe të
kontribuojë pa pushim të nderojë emrin e vendin nga vjen, të mbështesë
financiarisht familjen, të investojë në ekonominë e vendit, dhe të
emancipojë shoqërinë e vendit të tij. Emigrantët kanë dhënë një
kontribut të pashoqë dhe kanë pasur një impakt të papërshkrueshëm te të
gjithë shqiptarët kudo që gjenden. Me talentin e duarve të tyre i kanë
dëshmuar botës dashurinë për punën, dhe me përballjet me të cilat janë
hasur kanë treguar se jemi një komb me vlera.
Në kohë fushate, politika vërsulet të fitojnë votat e emigrantëve. E
djathta shqiptare propozon votimin e emigrantëve vetëm kur jemi në prag
zgjedhjeje, duke u kujtuar dhe duke bërë show mediatik vetëm kur afrohet
data e zgjedhjeve kur nuk ka më kohë të mjaftueshme për të realizuar
një proces të tillë.
Lëvizja Socialiste për Integrim, familja ime politike, i ka
respektuar emigrantët si një forcë aktive në zhvillimin e gjithanshëm të
vendit. Në Komisionin Parlamentar të Reformës Zgjedhore LSI ka ngritur
zërin që emigrantët të kenë jo vetëm mundësinë e votimit në vendet ku
punojnë dhe jetojnë, por edhe të drejtën e përfaqësimit në Parlament.
Kjo kërkesë ra në vesh të shurdhër nga e djathta.
Në qeverisjen e pas 23 qershorit, si Aleanca e Shqipërisë Europiane
ne do nisim një kapitull historik për të gjithë shqiptarët kudo që
ndodhen. Një ndër objektivat tona është t’i lehtësojmë shërbimet dhe të
plotësojmë nevojat e të gjithë emigrantëve shqiptarë. Ne do ndërtojmë
infrastrukturën për ngritjen e qendrave të votimit në vendet ku
emigrantët punojnë dhe jetojnë. Ne do krijojmë mundësinë e përfaqësimit
politik, në mënyrë që emigrantët të kenë përfaqësuesin e tyre në
Parlamentin shqiptar, në mënyrë që zëri i tyre dhe i të gjithë
emigrantëve kudo që ndodhen të dëgjohet në zemër të Tiranës dhe në
veshët e çdo qeverie.
E majta e bashkuar do triumfojë bindshëm në zgjedhjet e 23 qershorit.
Pjesa më e madhe e shqiptarëve brenda dhe jashtë kufijve janë të majtë
dhe zemra i rreh majtas, dhe e kanë kërkuar prej vitesh që e majta të
bashkohet dhe të drejtojë vendin dhe ta integrojë Shqipërinë në familjen
europiane.
Për këtë rrugëtim të ri, këtë kapitull të ri, të gjithë shqiptarët,
brenda dhe jashtë vendit, do bashkojnë forcat për të lënë pas një të
shkuar të hidhur dhe për të kontribuar për një të ardhme më të mirë dhe
më të shndritshme për fëmijët tanë.
No comments:
Post a Comment