post by kjorgji
Dr.
Kristaq V. JORGJI III
Për ata që kanë ndjekur telenovelën
turke “Sulejman i Madhërishëm”, Ajaz Pasha është një personazhet jo të dorës së
parë, sikurse mund të sjellim ndër mënd vetë Sulejmanin,familjen e tij, apo
Ibrahim Pashën Pargalliun, i cili ishte martuar me motrën e Sulejmanit.
Sidoqoftë, ajo që ngelet e vërtetë në këtë telenovelë, është se (1) si Ibrahim
Pasha dhe Ajaz Pasha janë personazhe historikë dhe (2) Ajaz Pasha që pasoi Ibrahim Pargaliun në postin e sadrazemit
apo kryeministrit të Perandorisë Otomane në shekullin XVI, ishte nga Himara.
Ose të paktën kështu thonë disa dokumenta që do të mundohemi të paraqesim më
poshtë.
Epoka e Sulejmanit të Madhërishëm
apo Sulejman Kanunliut
Eshtë e natyrshme për ne që kemi
mësuar lexuar historinë e Shqipërisë dhe të Ballkanit, të kemi përshtypjen më
të keqe për Perandorinë Turke, pasi me të drejtë apo pa të drejtë, kjo
perandori është “pikturuar” me notat më të errta nga historiografitë e dala nga
lëvizjet nacionaliste të këtyre vendeve, përfshirë edhe atë shqiptare. Pa hyrë
aspak në një diskutim të madh e parimor, desha të theksoj se ndërsa kjo
pikpamje është e debatuar, ndonëse pa mohuar mizoritë dhe shtypjen e ushtruar
nga Perandoria Otomane për vendet e nënshtruara, ngelet fakti se para se të
bëhej “ i sëmuri i Bosforit” dhe këtu flasim për mesin e shekullit XVI, kjo
Perandori ishte një nga vendet nga më të
zhvilluara për të mos e cilësuar si më të zhvilluarën në botë.
Dhe për të qëndruar më kohën e
Sulejman Kanunliut (apo Ligjvënësit, siç është quajtur për shkak të aktivitetit
të tij në hartimin e ligjeve), kjo perandori ishte në apogjeun apo zenithin e
saj. Kish arritur në atë pikë që Sulejmani dhe veziri i tij Ibrahim Pargaliu
kishin pushtuar Rodin, Beogradin, kishin marrë Budapestin dhe madje kërcënuar
Vjenën. Madje edhe croissants (apo kruazanët) e sotëm e kanë marrë emrin pikërisht nga
rrethimi i Vjenës nga gjysmëhëna turke e udhëhequr nga Sulejmani Kanunliu, që
justifikon edhe emrin e tyre!!!! Sulejmani qe krenar që ishte
sulltani i dhjetë kësaj Perandorie,
numër që ai e konsideronte me fat.
Ai sundoi në tre kontinente në shekullin e XVI një shtet
të vetëm, ndërkohë që Europa kish mëse 500 “shtetthe”. Sundoi në një kohë kur
edhe emra të tjerë qenë po aq të njohur në historinë europiane, sikundër
Françesku I në Francë, Karli V i Habsburgëve në Spanjë, Henri VIII në Angli.
(Në fakt Sulejmani i Madh lidhi një aleancë me Françeskun I të Francës më 1525
– marrëveshje e cila u quajt si “lidhja përdhosëse midis zambakut dhe
gjysëmhënës”). “Zotëria i madh” siç njihej zakonisht kryezoti Turk ishte
“sundimtari më i fuqishëm në tërë botën e njohur deri atëherë”. Fitoret e
Hajredinit – alias Barbarosa apo Mjekërkuqi, sipas Kastellanit “e shndrruan
detin Egje dhe detin Jon në liqene osmane”. Në të njëjtën epokë , një flotë
tjetër e Sulltanit mënjanonte portugezët nga Deti i Kuq, pushtonte Adenin dhe
shkonte deri në Persi.
Sulejman
Kanunliu lindi më 1494 dhe vdiq në fushatën e tij të 13-të në Danub në vitin
1566, pasi jetoi 72 vjet dhe mbretëroi për 46 vjet - padyshim një mbretërim i
gjatë dhe me sa duket i suksesshëm. Një
konsull venedikas shkruan se ai " nuk njeh shtet më të lumtur se ky
(dmth Turqine KVJ) me tërë të mirat e Zotit. Kontrollon luftën dhe paqen me të
tërë; është i pasur në ar, në njerëz, në anije dhe në bindje; asnjë shtet nuk
mund të krahasohet me të. Dhëntë Zoti që të ruhet më i drejti i tërë
Perandorëve”. Venedikasit, sipas Mark Mazower, autor i librit “Ballkani”,
“mbetën mjaft të habitur nga territori pa kufij në dukje që shtrihej para syve
të tyre, gjithashtu edhe nga burimet njerëzore që u përdorën pret makinës
perandorake në luftë. Ambasadori i tyre Marco Mino, tashmë kish paralajmëruar
qysh në vitin 1921
se “Zotëría i madh i tyre dukej si kish në dorë tërë çelësat e të
Ashtuquajturit Krishtërim. Bile Venediku shkoi aq larg
sa të përgëzonte Sulltanin dhe Luteri të thoshte se “të luftosh kundër
turqve do të thotë të rezistosh kundër gjykimit të Perëndisë për mëkatet e
njerëzve”.

Në
sytë e Thomas Fuller-it në vitin 1639, perandoria e Sulltanit qe “Sundimi më
i pathyeshëm dhe më i fortë që dielli ka prekur me rrezet e tij ndonjëherë në
tokë. ,, dhe që nga Budva në perëndim drejt Taurisit në Lindje, ajo ka një
shtrirje prej tri mijë miljesh”. Duke pasur dy kryeqytete njëkohësisht
–Konstandinopojën dhe Kajron- të cilët i linin pa fjalë vizitorët për shkak të
madhështisë së tyre, ata linin në hije qytete të tilla të mëdha si Londrën,
Parisin, Amsterdamin dhe Romën, ndërsa madhështia e tyre ua kalonte dhe i linte
në bisht qytetet e çrregullta të të ashtuquajturit Krishtërim. “Duke parë se
sa shumë njerëz prej nesh largohen për të vajtur tek ata- komentoi një herë Zoti Henry Blount, një i
krishterë i kthyer në fenë Islame- dhe sa pak prej tyre begenisin të vijnë
tek ne , kjo tregon vetëm për pasojën që sjell begatia kur ata përqafojnë fenë
islame”. Në një letër
drejtuar Franceskut të parë, mbretit të Francës, ai shkruan “Unë,
Sulltani i Sulltanëve, Pushtetari i Pushtetarëve, shpërndarësi i kurorave
mbretërore në këtë faqe të botës". Dhe kjo letër i është drejtuar nga
mbreti i një shteti mysylman një mbreti tjetër, atij që mbahej si shteti më i
krishterë i Europës, mbretit të Francës !!!
Europa
është e mahnitur nga fakti se tetë vezirë
të Sulejmanit janë të krishterë të lindur nga familje të varfëra. Ata u
ngjitën në majën e piramidës shtetërore dhe vazhduan të furnizojne shtetin turk
me të njëjtën lëndë të parën nga ata erdhën- me jeniçerë. Pastaj vazhdonin edhe
studimet për të krijuar administratorët e ardhshëm. Një prej tyre ishte edhe
Ajaz Pasha.
Ajas Pasha, vezir i Sulemanit Kanunliut
Në analet e
historisë turke, ai mbahet si veziri që pasoi në këtë post nga 14 Mars 1536
deri më 13 Korrik 1539 një emër tjetër të madh, Ibrahim Pashë Pargalliun.
Sidoqofte për ta
nisur nga fillimi duhet thëne se origjina e tij nuk ngelet e pakontestuar.
Keshtu në versionin e tanishëm të Wikipedias, thuhet se “Ajaz Mehmet Pasha
qe një burrë shteti Otoman. I lindur më 1483 afër Vlorës, qe shqiptar nga
Delvina dhe u bë Vezir i Madh i Perandorisë Osmane prej vitit 1536-1539. Babai
i tij qe nga qyteti i Shkodrës në veri të Shqipërisë dhe nëna e tij qe nga
Vlora, në jug të Shqipërisë. U bë Vexir i Madh në 1536 pas vdekjes së Ibrahim Pashë
Pargaliut dhe e mbajti këtë pozitë deri në vdejkejne tij më 1539”. Wikipedia
citon për këto të dhëna autorin Turk Ismail Hâmi
Danişmend dhe librin e tij në turqisht “Osmanlı
Devlet Erkânı” botuar në Stamboll, Turqi më 1971, f. 15. Ajaz Pasha u
zëvëndësua në postin e tij nga Lytfi Pasha.
Sipas
Ilirjana Kacelit (Demirlika) që ka kryer studimin “Osmanlı İmparatorluğunda Arnavut Sadrazamlar”për hierarkët e lartë
shqiptarë në perandorinë Otomane, “Ajaz Mehmet Pasha ishte kryeministër në
vitet 1536 - 1539. Ai ishte nga Vlora dhe kishte lindur në Vunò. Hyri në ushtri
nëpërmjet sistemit të devshirmesë. Në
fillim të karrierës ishte bejlerbej i Anadollit dhe Damaskut. Fitoret e para
qenë shtypja e kryengritjes së shqiptarit Ahmed Pasha i rebeluar ndaj
sulltanit. Pas kësaj ai mori pjesë në disa fushata ushtarake, si ajo kur
sulltan Sulejmani në vitin 1537 solli ushtrinë e vet deri në Vlorë dhe aty
rrethoi limanët Venedikase dhe ujdhesën e Korfuzit, ku osmanllinjve u erdhi në
ndihmë një pjesë e flotës franceze. Pas kësaj në Prevezë, së bashku me gjeneral
Barbarosën, mundën flotën detare të tre fuqive të përendimit, atë të Karlit të
V Habsburg, të Venedikut dhe Papatit. Po kështu mori pjesë në betejat për
zgjerimin e territoreve osmane, në brigjet e Detit Mesdhe dhe Oqeanit Indian.
Në vitin 1538, osmanët, arritën të kishin nën kontrollin e tyre rrugët, që
lidhnin Lindjen e Afërme me Indinë. Në Stamboll gjenden toponime me emrin e
tij. Varri i tij gjendet në Xhaminë e Ejupit në Stamboll”
Sipas
Parry, V. J., (http://www.encquran.brill.nl/entries/encyclopaedia-of-islam-2/ayas-pasha-SIM_0895?s.num=6), veziri madh Turk Ajaz Pasha, që
jetoi në vitet 886(7)-946 sipas
kalendarit turk apo respektivisht në vitet 1482(3)-1539, qe shqiptar i lindur
në rajonin e Himarës (ang. Cimera) (sipas Bragadino më 9 Qershor 1526; dhe
sipas Geuffroy). Sipas Bragadino-s, Ajaz Pasha ishte 44 vjeç më 1526 dhe kish
tre vëllezër (it. tre fradelli) dhe i dërgonte çdo muaj 100 dukatë ari nënës së
saj (murgeshë e krishterë në Vlorë (it. Christiana monacha a la Valona).
Mbishkrimi në gurin e varrit të Ajaz
Pashait në Stamboll e quan si Ayaz B. Mehmet. Ishte rekrutuar përmes
devshirme-së në kohën e Bayazitit II (rreth 1481).

Për Ajaz Pashën shkruan edhe Fane Veizi, i cili në librin e tij të
përkushtuar “Bregu i Detit në këngë”,Shtëpia botuese “Arbri” 1998, f. 67. Fane Veizi e
cilëson si “renegat’. Por jep edhe hollësi të tjera të vlefshme sikurse se
origjina e tij qe nga fshati Palasë i Himarës; se emri i tij i krishterë qe
Kosta Dhimo, dhe se arriti deri në rangun e kryeministrit. Por pa cituar se nga
i ka marrë të dhënat e mësipërme.
Ajaz
Pashai, sipas rilindasit Sami Frashëri, është një nga njerëzit që arriti në
kohën e Sulejmanit titullin e Sadrazemit apo kryeministrit. E nisi karierën si
aga i jeniçerëve. Me ardhjen në fron të
Sulltan Sulejmanit u bë bejlerbe i Anadollit. Që në rrethimin e
kalorësve të Shën Gjonit në Rod. Por këtu, ndonëse pati suksese, ra në sy të
keq nga Sulltani dhe u burgos. Pasi u fal, u kthye në të njëjtat poste dhe
morri pjesë në fushatën e Moldavisë dhe të Korfuzit (siç njihet zyrtarisht
fushata kundër Himarës). Ishte i suksesshëm në udhëheqjen e punëve shtetërore
me drejtësi të plotë në postin e kryeministrit ku ndejti për katër vjet. Qe i
njohur se nuk fyente dhe nuk nënçmonte askënd. Vdes në vitin 1539. Ka qenë i
apasionuar pas femrave dhe ka patur mbi 20 fëmijë.
Shqyrtimi i të dhënave të tjera nxjerr se Ajaz Mehmet Pasha, alias Kosta Dhimo, qe një person i njohur në Stamboll për lidhjet e tij dashurore dhe për fëmijët e shumtë. Leslie P. Peirce në librin e tij “Haremi Perandorak: Gratë dhe Pushteti në Perandorinë Otomane”citon se Ajaz Pashai qe tmerësisht i tërhequr nga femrat dhe fëmijët. Thuhej se në një kohë të caktuar të jetës së tij, në shtëpin e tij kishte rreth 50 djepe,me po aq pasardhës nga të cilët i rrojtën rreth 20. Ndërkaq Rev. Antony C.Bridge tek “Gratë në shoqërinë Bizantine dhe Otomane” http://www.theveryreverendantonybridge.com/showpage.php?p=lecture-women, shkruan se Ajaz Pashai megjithë vdekshmërinë elartë foshnjore kish arritur të kish 120 fëmijë dhe kur vdiq mbi 40 prej tyre ishin në djep!!!
Albert Howe Lybyer, Ph.D. në veprën e tij “Qeverisja e perandorisë Otomane ne kohën e Sulejmanit të Madhërishëm’
shkruan se në 1537, Junis Beu thoshte
se Ajaz Pashai kishte 600 skllevër dhe admirali Barbarossa 100. Por një autor
tjetër, Ramberti i çon shifrat e skllevëeve ne 6,000 për Ibrahim Pashën dhe
2,000 për Ajaz Pashën. Bragadino citon
se ne 1526 Ibrahimi kish 1,500 skllevër dhe Ajaz Pasha rreth 600. F. Duka
përmend seAjaz Pasha,regjistruar si posedues i një hasi, në kazanë e Krujës, qe me
origjinë nga Himara, i cili arriti deri në postin e lartë të Kryeministrit
(Vezirit të Madh) në kohën e mbretërimit të sulltan Sulejman Ligjvënësit.http://afalc.org/hand2hand/index.php/shtypi/3099.html.
Sipas http://www.dli.gov.in/data/upload/0004/452/TXT/00000048.txt,
Ajaz nga Himara (ang. Ayas of Khimarra) që ishte veziri i
tretë nën Ibrahimin, qe biri i një gruaje fshatare të krishtere. Ndërsa ai u bë
vezir në Konstandinopojë, nëna e tij u bë murgeshë dhe Ayaz Pashai i dërgonte një shumë parash periodikisht.
Por ashtu si ndodh shpesh, ai ngeli i famshëm edhe për diçka që ka të bëjë sërisht me
krahinën e origjinës, Himarën. Pasi qe
pjesmarrës në një ngjarje qe ka të bëjë me Himarën , me fushatën e vitit 1537ku morri pjesë edhe vetë Sulejman Kanunliu.
Kryengritja e Himarës në vitin 1537.
Në
historinë e Sulejmanit, kjo kryengritje referohet si rrethimi i Korfuzit. Është
pjesë e përpjekjes së Perandorisë Turke për të realizuar endrrën e vjetër të
pushtimit të Italisë. Stërgjyshi i Sulejmanit, sulltan Mehmet Fatihu, pas
vdekjes së Skënderbeut kish thënë “Vdiq shpata dhe mburoja e
Krishtërimit". Dhe kish shtuar se kali i tij do të kish grazhd kishën e
Shën Pietrit në Romë. Dhe kjo nuk qe shaka, veçanërisht për Italianët. Aq më
shumë që sulltan Bajaziti ja kish arritur të vejë këmbët në gadishullin e
Apenineve për pak kohë.
Por
qëllimit strategjik të Perandorise i shtohej edhe një qëllim tjetër. Ky qe
nënshtrimi i Himarjotëve, mbledhja e taksave të prapambetura duke i dhënë
kështu fund edhe shqetësimeve që u kishin sjellë në vitet kjo krahinë qetësisë
së kësaj Perandorie. Për këtë qëllim, Sulejman Kanunliu gjate verës së vitit
1537, vendosi kampin në Vlore, ku erdhi edhe flota turke. Prania perandorake
padyshim do të ketë qenë impresionuese. Dimë se në Sulejman Kanunliu kishte në
Hungari kish 80,000 dhe në Vjenë 200,000 vetë.
Në
librin tij “Kujtimet”, të botuar për herë të parë në 1920 në Londër nga shtëpia
Botuese Constable and Co LTd, Ismail Qemali, shpallësi i pavarësisë së
Shqipërisë thotë në faqen 3 se “themeluesi i familjes Vlora, nga i cili
rrjedh, qe Sinan Pasha, që pasi zuri vëndin e Vezirit të madh, shkoi në Vlorë
në kohën e Sulejmanit të Madh në cilësinë e Kapiten Pasha-it, apo Admiralit të
madh të flotës. Ai vendosi përgjithmonë atje banesën e tij dhe mbaroi po atje
ditët e tij”
Do
të ketë qenë vërtet e çuditshme për shtabin perandorak turk kur mësojnë se
Himarjotët në vënd qe të rrinin urtë dhe "të mos zgjojnë qentë që
flenë", mësojnë për sulme të bërë nga armiqtë. Himariotët nisin të
sulmojnë kampet, që duhet të qenë patjetër të shumta. Edhe karvanet e
ushqimeve. Do të qe e vështire të përtypej kjo gjendje dhe Sulltani merr
vendimin që të niset një ekspeditë për të nënshtruar "qafirët". Në
krye të kësaj ekspedite
caktohet veziri i madh Ajaz
Pasha, i cili padyshim njeh shtigjet dhe orientohet më shpejt se të tjerët.
Urdhëri është i prerë - këta njerëz duhet nxjerrë nga shpellat dhe zhdukur me
"kuç e maç".Nuk qe kaq e lehtë, pasi Himariotët rezistuan. Ne fillim,
siç e do llogjika e përballjes me forca superiore, u
mbrojtën dhe me pas edhe sulmuan. Dhe qëndruan gjatë tërë verën duke i dhënë
kohë mbretërisë të çmuar mbretërisë së Napolit që të marrë masa për të
rezistuar.

Por
rrethimi nga Sulejmani Kanunliu bëhet edhe më interesant nga një ngjarje e
çuditshme dhe heroike- përpjekja e bërë nga një Himariot i quajtur Damian, për
të vrarë Sulltanin. Një ngjarje e cila nuk ka kaluar pa u shënuar nga analistët
e shumtë.
Damian Himarjoti dhe akti i tij.
Sipas
disa të dhënave, ndërsa forcat turke po i vinin flakën Himarës, Damiani, të
cilit nuk i dihet mbiemri-i afrohet çadrës së Sulltanit i veshur si Turk. Ai
depërton në këtë pozicion dhe arrin të kalojë tërë natën duke vëzhguar lëvizjet
ne këtë çadër, që pa asnjë pikë dyshimi, duket të ketë qenë madhështore dhe
tepër e ruajtur. Në mëngjes, kur edhe vëmëndja është më paktë, ai arrin të
shquajë dikë tepër të rëndësishëm në këtë çadër. Shënjat e jashtme duhen të
kenë ato që e kanë bërë të dyshojë për këtë - le të mos harrojmë se s'kish as
fotografi e as fakse. Ai drejtohet dhe plagos - sulltanin e dyshuar.
Fatkeqësisht nuk është sulltani dhe fundi i tij mund të merret lehtësisht me
mënd.
Ky
është një nga variantet. Ndërkaq ka edhe autorë, të cilët e kanë bërë këtë
ngjarje subjekt te shkrimeve të tyre, ndërmjet tyre edhe shkrimtari nga Vunoi,
Odhise Grillo, në veprën e tij për fëmijët. Autori i dytë është Injac
Zamputi i cili në fillim të viteve ’30
të shekullit të shkuar shkroi një dramë për Damianin në veri të Shqipërisë, në
Shkodër. Ndërsa kuptohet tërheqja Odise Grillos, ndaj këtij personazhi pasi
është nga Vunoi, Injac Zamputi ngelet një personazh mjaft interesant jo vetëm
për dramën për Damianin, por sepse ka bëre përkthimet më të shumta nga
latinishtja për historinë e Shqipërisë.
Në
një burim më të besuar, ja se çfarë shkruan për këtë autori Marmora në librin e
tij “Historia di Corfu” botuar në Venecia më 12 Nëntor 1672, marrë nga
Biblioteka Kombëtare, Tiranë. Marmora ka qenë governator i ishullit te Korfuzit
dhe ka shkruar “Historinë e Korfuzit”
pothuaj 130 vjet pas ngjarjes së përshkruar. Po japim tekstine Marmoras të
përkthyer pjesërisht nga Injac Zamputi.
.......Sulltani, me ushtri prej dyqind mijë ushtarësh, pasi i ishte afruar
Vlorës, shestonte të kryente ndërmarrjen për të pushtuar Mberterinë e Napolit,
por u përpoq më kot............ Me lëvizjen e Sulejmanit të Madh u drodh
Europa; Toka dhe deti u ndjenë të shtypur, ky i fundit nga pesha e lëndës
drusore dhe kjo nga pesha e të armatosurve që prishin fushat ku shkenin duke
lënë zi të madhe.. .....dhe në të
njëjtën kohë nisi nëpër det një pyll të
lëvizshëm drurësh, i vendoSur për të mposhtur Napolin dhe, sikur të kishte
mundësi, të gjithë Italinë.. Ushtria arriti në Vlorë duke kaluar në va lumin e
Vjosës dhe qëndroi (faqja 293) në vëndin e Himariotëve. Aty sulltani
ngrehu shatorren e vet shumë madhështore; por ushtria detare u çfaq përgjatë
brigjeve të Korfuzit dhe në shenjë miqësie solemne bëri një përshëndetje
miqësie me tërë grykat e zjarrit, që iu përgjigj me të një1tin gjë edhe nga
artileria e ishullit. Kush do të priste paqen e përjetshme, që këta barbarë e
identifikonin me gjuhët e bronzit. E megjithatë, u ndez zjarri, ahere me hare,
që do të qe preludi i zjarrit të afërt me të cilën Republika Venedikut do të
kish të bënte.
Sulejmani u ndalua në krahinën e
himarjotëve për disa ditë, i etueshëm për ti çfarosur ata popuj që u shkaktonin dëme të vazhdueshme vasalëve të tij
përreth. Banonin në malet më të thepisura nga të cilët disa herë në ditë dilnin
kundër barbarëve dhe pasi bënin kërdinë ktheheshin në çerdhet e veta plot me
plaçkë dhe me robër. Si vepron ujku në një tufë prej së cilës i ngopur kthen në
strofullme hapa të shpejta, për turp të barinjve që me vonesë i'u lëshuan mbi shpinë, ashtu vepronin himariotët
ndër shtetasit e Sulltanit, të cilët ishin kundështarë si në ligje dhe në
prirje. Urdhëroi Sulltani që Ajaz Pashai bashkë me kryetarin e Jeniçerëve të
shkonin për ti nxjerrë nga shpella ato bisha, si thoshte ai, e të bënin kërdi
të tilla që tjetër kush të mos tepronte prej atyre njerëzve veç kujtimit që kanë
qenë shfarrosë.... Por ndodhi krejt e kundërta... sepse ata burra shumë të
shkathët tue i sulmue herë në brinjë, herë në ballë, herë në bisht, herët tue u
tërheq, herë duke u ndeshun me skuadrat, vranë me shëmtim më shumë se 8000
(turq) me pak dëme të jetëve të veta dhe i detyruan të tërhiqen rrokopujë të ngatëruar për mjerimin që u ngjau
shokëve te tyre.
(faqe 294). Himariotët duke mos u kënaqur nga ajo që kishin vepruar në
mbrojtje, vendosën të sulmonin Turqit
në llogoret e tyre dhe, sikur t’u jepej e mbara, te vrisnin vetë
Sulejmanin brënda shatorres dhe në mesin e rojeve të tij. Dhe kush mund ta
mohojë se edhe Greqia nuk i paska Muçët e saj kur nuk mungojnë Porsenat?.
Damiani, një prej kapitenëve të zonës së Himarës, doli vullnetar para
shokëve për të përgjuar gjëndjen e ushtrisë Turke dhe vëndi ku qëndronte
sulltani, në mënyre që pastaj të kishin
mundëi që të gjithë së bashku të sulmoni dhe të zbatonin planin e tyre të
lavdishëm..Prandaj, Damiani, natën e
Shën Jakut (it. Giacomo, Xhakomo-s) në 25 Korrik 1537, i ndarë nga të tijtë, u
ul përballë çadrës së Sulejmanin, nën një pemë, duke shpresuar që mëngjezi do
ti sillte ndopak dritë ndërmarrjes së madhe duke zbuluar objektet. Ai qe afër,
kur Ajaz Pasha, që po shëtiste për gjëra të tjera nëpër kamp, papritur u çfaq
para Damianit; dhe plot dyshim për vëndin dhe orën, i kërkoi Himariotit shkakun
e qëndrimit në atë vënd dhe në atë kohë aq pak të përshtatshme. I mënçuri nuk e
humbi dhe iu përgjigj drejt se duke
qenë shtetas i Madhërisë së Tij, (d.m.th. Vasal i Turkut) kish ardhur të
paguante taksat dhe meqë kish rënë nata, kundër dëshirës së tij, ra të flinte
nën atë pemë, deri në mëngjes pa u zgjuar. Pa dyshim që mund t’ë përgëzohet
Damiani, nëse nuk do të kish të bënte me një më të mirë se vetja, i cili pasi e
zuri rob, përmes torturave (vazhdon faqja 295) e bëri që të rrëfente të
vërtetën dhe pas rrëfimit e dënoi me një vdekje tepër mizore. Kështu u shua kjo
jetë që meritonte përjetësi; dhe në një çast të shkurtër u shua ajo jetë që do
të kish mundur që ta bënte të pavdekshëm emrin e Himariotëve në shekujt e
ardhshëm.”
Damiani nuk është identifikuar të ketë një mbiemër. Eshtë referuar si
Damiani Himarioti - një pasaktësi historike pasi ka lënë anonim një hero. Po
mbiemri Himarjot, i vënë në këtë rast nga nevoja dhe nga mosditja, merr një
rëndësi përgjithuese.
Do të kujtohet pas disa shekujsh kur një tjetër bregas Axhiselao Ulanoja
shtie mbi mbretin Ferdinand të Napolit në Itali. E padyshim të gjithë kujtojnë
emrin e Vasil Laçit që do të shtijë mbi Perandorin Italian Viktor Emanuelin,
për të treguar gjithkujt se Himara nuk ka respekt për askënd që nuk e
respekton. Për ata që dinë historinë e Romës, është përsëritje e rastit të Muç
Shevolës.


Siç e përshkruam edhe më lart, Ajaz Mehmet Pashai,vdiq më 1539 nga murtaja.
Edhe sot mund të shihet varri i tij, afër Xhamisë së Sulltan Ejupit (ang. Eyüp Sultan Mosque) në rrugën Bejbaba që çon në limanin Bostan në Stamboll.
Varri i tij, së toku më atë të Pertev Pashës (1574) është ndëruar nga një
arkitekt i famshëm Turk, Mimar Sinani. Por varri i Ajaz Pashës është një nga të
parët ndërtuar prej tij. Sot varri nuk është në gjëndje të mirëmbajtur, por
dallohet nga mbulesa e tij në stilin tip baldakin dhe me kolonat mbajtëse, nën
të cilat qëndron edhe sarkofagu i këtij Himarioti (????) të
famshëm në perandorinë Otomane.
No comments:
Post a Comment