Wednesday, July 10, 2013

KRYEMINISTRI “MBI NJË FADROMË” ANËS SË DETIT…

ALEKSANDËR ÇIPA
Aleksander Cipa
Për dekada të jetës sime kam farkëtuar një dëshirë për të pasur një shtëpi në vendlindje, atje në Himarë. Këtë mundësi ma ka privuar një fanatizëm vendor i disa ish-drejtuesve dhe natyrisht i një mendësie fanatike gati tribale që ka një pjesë e banorëve të këtushëm, të cilët e kanë pas më të lehtë të na pengojnë ne bashkëqytetarëve të tyre, bashkëvendasve autoktonë dhe natyrisht pothuajse të pamundur të pengojnë, të tjerët, ata që në rrugë dhe mënyra të dyshimta kanë bindur qeverisësit fanatikë dhe shpesh gjuhë-helmatisur. Kur them të tjerët, po të përdor kutin himarjot, nënkuptoj të ardhurit nga zonat e tjera të vendit dhe sidomos të ashtuquajturit e kamur të ditëve të sotme që kanë zbritur dhunshëm apo edhe imponueshëm si investitorë të pandalshëm. Ky lloj investitorësh zhbëri deri në masakër Jalin, Livadhin, Potamin, Llamanin, Dhërmiun, Qeparoin dhe ka mbërritur ora e gjirit dhe zallit të Palasës, duke u ngjitur deri në Llogora. Kjo padrejtësi brenda vetes, domethënë brenda Bregdetit, ka vijuar të madhohet jo vetëm në rastin tim apo të bashkëfamiljarëve të mi. Janë me dhjetëra familje dhe bij familjesh që vuajnë, realisht vuajnë pamundësinë për të pasur “një varr për hor” në vendlindjen e tyre. Kjo gjë lehtësisht është penguar për dhjetëra bij dhe bija të bregut që kanë migruar apo emigruar përgjatë këtyre 24 vjetëve të këtij tranzicioni. Ndërkohë që një pjesë e të zgjedhurve si qeverisës vendorë apo si përfaqësues politikë të indoktrinuar prej helenizmit të verbër të mbërritur me shkulme, sidomos pas viteve ‘90, kanë shumuar ndërtimet e tyre pa kriter dhe kanë mundësuar ardhjen e të njohurve e të panjohurve si shembës të kritereve të urbanizimit dhe të një arkitekture që ka lidhje me trashëgiminë dhe sidomos tipologjitë bregase në ndërtim.
Kohë pas kohe dhe njëri pas tjetrit, ish-qeverisësit kanë shfajësuar veten nga bashkëmëtasia, duke lënë në mëshirë të fatit shtimin e ndërtimeve barbare dhe duke mbajtur në kalenda problemin e mprehtë të pronësisë mbi tokën e këtij visi.
Por mesa duket, të dyja këto çështje kanë qenë alibi për mbërritjen dhe shtimin e ndërtimeve barbare. Kjo zonë është hise e lakmisë së madhe të megainvestitorëve të vendit, por së fundi edhe të kompanive të huaja e në mënyrë të veçantë, së fundi edhe ruse. Po ndodh gati njësoj si me zona të veçanta bregdetare të Malit të Zi dhe ndonjë zone ballkanike që njihet si pre e lakmisë së parave “pa origjinë”.
Shpalosja në dy ditët e fundit nga kryeministri në ardhje Edi Rama, i planit ambicioz për një aksion kombëtar mësymës, ndaj barbarisë së ndërtimeve pa leje dhe mbi mjedisin, është padyshim një objektiv që meriton një “Bravo!”, të madhe. Kjo është një sfidë nga më të mëdhatë për impaktin që do të ketë qeverisja e re në këtë rajon të atdheut, por para së gjithash, ky aksion i parathënë është një sfidë për autoritetin e munguar apo të tëhuajtur të shtetit ligjor dhe administratës publike. Ky aksion në kësi kushtesh dhe në kredon e parashpallur, përjashton çdo kompromis apo selektivitet. Në të kundërt, protagonisti paralajmërues i tij, kryeministri në ardhje Rama, do të gjendet në përballje me një kapitull vetëndëshkimi qysh në prolog të qeverisjes së vet.
Kryeministri në ardhje, po mbërrin në Bregdet, së pari jo si deputet, por si shtetari që perifrazueshëm me këngën monumentale të Himarës “Vajzë e valëve” që nis me vargun “mbi një gur anës së detit”, për të qëndruar: “mbi fadromë anës së detit”. Është hapi i parë i pashmangshëm për të fituar betejën me imazhin e shtetit normal dhe veprues në këtë vis, ku politika dhe heleno-infektimi propagandistik të shërbejnë në jo pak raste si alibi për barbarinë dhe ndërtimet vrastare. Ky aksion që parathuhet të nisë, do kohën të përfundojë me shterzimin e rinisjes apo ringjalljes së barbarisë. Për ta nisur atë, së pari duhet sjellë një ligj i posaçëm, një ligj që e bën ndëshkimin e çdo individi që tenton ta ringjallë këtë lloj barbarie apo këtë dhunim të mjedisit dhe peizazhit natyror të Akrokerauneve, jo vetëm të pamundur, por që shkakton njëherë e mirë zhdukjen e mendësisë dhe të kurajës për barbari shtesë. Kështu, dhe vetëm në kësi sipërmarrjesh, fitohet beteja e shtetit dhe e ligjit mbi informalitetin dhe barbarinë ndërtimore në një vis ku koha e mbërritjes dukej se u vonua kaq gjatë në këtë tranzicion, por shpejtësia me të cilën u dhunua mjedisi ishte me ritmet nga më të larta se kudo.
Kryeministri në ardhje po mbërrin në Himarë dhe viset e tjera të Bregdetit “mbi fadromë”. Kjo natyrisht që mund të shkaktojë edhe reagime dhe ecejake ankimtarësh nga Tirana në Athinë, madje deri edhe në Uashington. Mediokër të tillë provincialë ia kanë dalë kohë pas kohe në Bregdet ta delegojnë një ankimtari të manipuluar dhe keqinterpretuar nëpër axhendat diplomatike të Athinës dhe shoqatave heleno-amerikane në Uashington. Me malinjitetin dhe avokatinë e strukturave parapolitike ia dalin të tërheqin ndjeshmërinë pse jo edhe interesimin e qarqeve me ndikim në diplomacinë amerikane, për ta shitur këtë si kazus të trajtimit të dhunshëm dhe privues të “minoritetit” të paqenë grek në këtë vis. Në këtë vis pa ardhacakë dhe identitete jashtë tij.
E sjellim në vëmendje të drejtuesit të ri të “fadromës” së ligjit, pra kryeministrit të ri, për ta llogaritur edhe këtë tentativë të gatshme, të cilën mund ta ripërdorin falangat e keqpërdorimit helenopolitik në Himarë, pavarësisht nga aleanca me zotin Dule apo hijebashkuesin me të, ish-kryebashkiakun e Himarës.
Vështirësitë dhe pengesat kanë për të ngritur kokë së shpejti, madje ato janë farkëtuar ndërkohë që po përgatitet zoti Rama.
Studioja greke në Athinë që mori përsipër studimin (pas një tenderi bollanist), menaxhimin dhe planifikimin e territorit, (një punë e panjohur e saj për publikun vendas dhe atë kombëtar), me kohë ka vijuar të legjitimojë aktet ndërtuese, sikundër edhe të bëjë të njohur me dije selektive, punën dhe projektet e saj. Hollë-hollë, kjo studio meriton të vihet përballë autoriteteve shtetërore dhe ligjore shqiptare për të bërë transparencën e punës dhe procedimit të deritanishëm. Ndërkohë që pjesë e kësaj transparence, jo vetëm për mjedisin dhe institucionet tona publike, por edhe për taksapaguesit ndërkombëtarë duhet bërë edhe dështimi i projektit disa miliona euro i OSBE-së në Himarë. Deri më tash nuk ka qoftë edhe një deklaratë të vetme se si dhe prej kujt u pengua arritja e këtij projekti dhe si ndodhi që ai dështoi plotësisht.
Fadromat e qeverisë së re në Bregdetin e Akrokerauneve kanë një punë të lehtë, ndërsa “fadromistin” e tyre e pret një marrëdhënie e vështirë. Një kategori e madhe banorësh dhe bijsh të këtij visi, nuk do të sillen si ankimtarë, por natyrisht edhe ata (mes të cilëve përfshihem edhe unë si artikullshkrues) do të ngrenë kërkesa dhe ankesa objektive, duke qenë së pari pjesë mbështetëse e kësaj dëshire dhe nevoje për mbrojtje të Bregdetit. Në këtë aspekt dominon ideali për ta kthyer “lulen e vilajetit” në një lule të bukur dhe imazh shkëlqyes, në këtë shtet, ku ai (shteti), kohë pas kohe dha prova mungese.

No comments: