Wednesday, July 31, 2013

Odiseja e pashaportave "biometrike"

Titulli i këtij shkrimi përmbledh një koment të shkurtër, shkruar nga një vajzë 14- vjeçare, Ana Ducka, në website-n e gazetës ‘Tribuna’: “Fatkeqësisht linda në Athinë. Jam 14 vjeçe dhe dua të vete në Shqipëri për pushimet e verës… Po kam shumë frikë se mos ngelem atje. Si do na vejë halli? A thua shteti do të preokupohet për ne?! Besoj se zoti Edi që mori votat diçka duhet të bëjë tani, se po kaloi edhe gushti, ç’kuptim ka?”.
Nuk dija ç’përgjigje t’i jepja kësaj vajze, ashtu si nuk u kam dhënë dot një përgjigje bindëse qindra emigrantëve me fëmijë të lindur në Greqi, të cilët që prej dhjetorit të vitit të kaluar nuk po gjejnë dot qetësi.
Parantezë e domosdoshme: Për herë të parë – dhe shpresoj, të fundit, po u dërgoj të njëjtin shkrim disa gazetave, pasi në emër të mijëra emigrantëve shqiptarë këtu në Greqi, ndihem si i mbyturi që kapet veç nga flokët e veta.
Prandaj, duke shpresuar se do të mund të ketë një sensibilizim më të madh prej atyre që kanë diçka në dorë, vendosa t’u drejtohem njëkohësisht gazetave Koha Jonë, Mapo, Panorama, Standard, Shekulli, Shqip, Shqiptarja, (përzgjedhur sipas njohjes me drejtuesit e këtyre gazetave dhe rreshtuar sipas rendit alfabetik, për të shmangur keqkuptimet). Mbaron paranteza.
Problemi është i njohur tashmë me emërtimin eufemik “toponimet” dhe është rikthyer javët e fundit. Policia greke nuk u lejon hyrjen fëmijëve që kanë lindur në Greqi, nëse vendi i lindjes nuk është shkruar në trajtën ndërkombëtare, por në atë shqipe. P.sh., nëse nuk është shkruar “Thessaloniki”, po “Selanik”…
Edhe pse bllokimi rezultoi pas një incidenti diplomatik e politik (deklarata e famshme e Berishës më 27 nëntor 2012), shkrimi i toponimeve greke në trajtën e pranuar ndërkombëtarisht dhe me gërma latine, nuk është një “tekë e Athinës”, – siç është thënë rëndom nga Tirana zyrtare (përfshi Partinë Socialiste) -, por një detyrim ndërkombëtar, i sanksionuar në dokumente të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB), mbi standardizimin e toponimeve të gjithë shteteve anëtare, siç janë Udhërrëfyesit e Toponimeve të Grupit të Ekspertëve të Kombeve të Bashkuara – UNGEGN.
Nga ana tjetër, është një detyrim që edhe vetë Ministria e Brendshme e ka marrë parasysh kur ka hartuar parametrat e pasaportës biometrike – e sheh këtë te specimeni i publikuar në faqen zyrtare të ministrisë; tjetër- se gjatë prodhimit të paktën parametri i toponimeve të vendeve të huaja u shkel dhe askujt nuk iu kërkua llogari.
Shoqatat e Emigrantëve shqiptarë në Greqi, gazetat në gjuhën shqipe që botohen këtu, e kanë ngritur vazhdimisht këtë shqetësim, edhe pranë autoriteteve shqiptare, edhe pranë atyre greke. Ambasadori shqiptar, Dashnor Dervishi është përpjekur gjithashtu me aq sa i lejon tagri dhe ndoshta edhe njohjet që të bëjë diçka, po përpjekjet e dëshpëruara nuk kanë dhënë asnjë rezultat.
Dhe dyshoj se mund të japë rezultat edhe takimi i paralajmëruar i ambasadorit me ministrin e Jashtëm grek dhe njëkohësisht zëvendësshef të qeverisë, Venizelos, ditën e mërkurë, siç u bë me dije të hënën nga Ministria e Jashtme shqiptare.
Nuk mund të paragjykoj mbi përmbajtjen e “propozimit konkret” që i është dorëzuar palës greke, përgjigjen e së cilës e presin si ujët e pakët mijëra emigrantë. Ashtu siç nuk mund të paragjykoj edhe mbi zgjidhjen që do të gjejë problemi, nëse Athina tregon vërtet mirëkuptim. Mirëpo, druaj se do të jetë përsëri një zgjidhje gjysmake, si ato që janë aplikuar deri më tani, duke u mundësuar lëvizjen fëmijëve me rastin e Pashkëve, apo të zgjedhjeve të 23 qershorit…
Zgjidhja përfundimtare dhe sa më e shpejtë nuk mund të jetë tjetër veçse të shkruhen toponimet në pasaporta ashtu siç parashikojnë standardet ndërkombëtare. Dhe kjo të bëhet jo duke i detyruar poseduesit që të paguajnë përsëri – pse shumica e emigrantëve i ka paguar “si frëngu pulën” pasaportat e reja – por shpenzimet t’i marrë përsipër shteti. Sepse shteti dhe strukturat e tij janë fajtorë për këtë situatë absurde që po përjetojnë shqiptarët, të cilët kanë të drejtën e udhëtimit pa viza në Europë dhe me të njëjtën pasaportë nuk mund të shkojnë në atdheun e tyre e të kthehen si njerëz…
Kështu pra, kjo duhet të jetë zgjidhja. Në të kundërt, nëse vazhdohet me “liridaljet” e herëpashershme, askush nuk garanton se në rastin më të parë që do të ndodhë një përplasje midis Athinës dhe Tiranës, nuk do të ulet në kufi trau i kalimit për fëmijët e lindur në Greqi.
Seç kam një siguri absolute që, edhe në ndodhtë kjo, askujt prej qeveritarëve, këtyre që po shkojnë e atyre që po vijnë, nuk ka për t’iu skuqur faqja kur të përballet me vështrimin e Anës e të mijëra fëmijëve të tjerë që kanë lindur në Greqi. E që, ashtu sikurse dje shteti grek privonte prindërit e tyre për të shkuar tek baballarët në atdhe, sot është shteti amë që i privon fëmijët e vet të shkojnë pranë gjyshërve të malluar…

No comments: