Rama mban fjalimin e parë në Kuvend, Berisha nxjerr opozitën jashtë sallës (VIDEO)
Publikuar më 11.09.2013 | 18:4 (shekulli)
Si sot, në të njëjtën datë, 11 shtator, viti 2001,
një këpurdhë tymi, e zezë me bisht të zjarrtë, u ngrit befasisht në
qiellin e botës dhe e zaptoi të tërin.
Mbiu dhunshëm duke çelur një gropë të madhe gjaku e
hiri mu në zemrën e botës së lirë, ku ne të gjithë jetojmë, pavarësisht
dallimeve tona.
I zu vendin, me pahirin më të madh, që mendja mund
të rrokë, dy kullave binjake – godinës më të lartë të Amerikës – dhe
duke qëlluar Amerikën nga lartësia marramendëse e një urrejtjeje
gjakatare, goditi rrufe krejt botën tonë.
Qysh atë ditë, bota jonë s’është më ajo pa armiq që
njihnim pas Luftës së Ftohtë. S’është as ajo me armiqtë që historia e
saj ka njohur gjatë Luftës së Parë apo të Dytë. Jetojmë në një luftë të
re, ndoshta më e frikshmja deri më sot për nga natyra e armikut, për nga
format perverse të shfaqjes së tij - herë si profet e herë si ushtar,
herë si tribun e herë si diktator, herë si martir e herë si turmë.
Të vrarët e 11 shtatorit janë edhe të vrarët
tanë. Të vrarët në çdo front të kësaj lufte janë edhe të vrarët
tanë. Edhe të vrarët e 21 gushtit prej armëve kimike në Siri, janë edhe
të vrarët tanë. Eshtë një luftë, që për aq sa na takon, në shkallën
shumë modeste të madhësisë e të peshës sonë gjeografike apo ushtarake,
ka qenë dhe do të mbetet edhe lufta jonë.
Ne do të jemi krah për krah Amerikës dhe çdo
aleance që Shtetet e Bashkuara do të ngrenë, në çdo front ku kjo luftë
mund ta kërkojë, kundër çdo forme perverse të shfaqjes së këtij armiku
të pamëshirshëm të lirisë, demokracisë, bashkëjetesës paqësore të
besimeve dhe etnive.
Sepse ky armik, ka dalë nga errësira më e thellë e
barkut të urrejtjes njerëzore, jo për të vrarë dhe goditur një vend apo
një popull më vete, po për të shkatërruar çnjerëzisht mbarë botën e lirë
dhe krejt ekzistencën tonë kështu siç e duam, në këtë botë ku liria
s’është dot e përhershme nëse mbrojtja e lirisë s’është e përditshme.
Ja pse dua ta përsëris, sot, që në krye të kësaj
fjale dhe nën të gjithë peshën e përgjegjësisë që ndjej ndaj Shqipërisë e
shqiptarëve këtu, në këtë foltore, atë që pas barbarisë kimike të 21
gushtit mbi fëmijë, gra, pleq e burra të pafajshëm të popullit sirian,
kemi thënë njëzëri, si unë si paraardhësi im dje në detyrë:
Shqipëria mbështet pa asnjë ngurrim, çdo vendim që
Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës do të marrë në frontin e
kësaj lufte globale dhe, pa asnjë fije dyshimi edhe çdo ndërhyrje
ushtarake që Shtetet e Bashkuara mund ta shohin të udhës të ndërmarrin
për të ndëshkuar Kasapin e Damaskut.
“Shqipëria meriton më shumë”
Po bëhet dalëngadalë çerek shekulli prej dhjetorit të vitit 1990, kur
Shqipëria rinisi udhëtimin e ndërprerë forcërisht, drejt Perëndimit.
Qysh atëherë s’ka fije dyshimi se kanë ndryshuar shumë gjëra. Falë
lirisë. Falë energjisë së jashtëzakonshme dhe dhuntive të njerëzve të
zakonshëm të këtij vendi.
Falë pse jo, edhe atyre punëve të mira që të zgjedhur apo drejtues e
punonjës, në çdo nivel, kanë bërë në tërë këto vite në detyra shtetërore
- përgjatë një rrugëtimi për ndërtimin e shtetit demokratik që
rezultoi, shumë herë më i vështirë se çfarë e parafytyronim në çastin
magjik, të shembjes së regjimit komunist dhe të thirrjes
gjithëpopullore: “E duam Shqipërinë si gjithë Europa!”.
S’ka dyshim se kur sheh mbrapa jo pak gjëra kanë ndryshuar aq shumë,
sa duket sikur s’kanë ekzistuar kurrë siç i mbajmë mend. Por s’ka dyshim
edhe se jo të gjitha ndryshimet i kanë ndodhur për mirë trupit,
shpirtit, mendjes, kujtesës dhe imagjinatës së Shqipërisë që rrugëton
për t’u ribashkuar me Europën.
Ashtu sikundër s’ka dyshim, besoj, se ndër gjërat që nuk kanë
ndryshuar qysh nga ora e atij dhjetori historik, mbetet aspirata e
papërmbushur e njerëzve të zakonshëm të këtij vendi për demokracinë e
çdo dite; për cilësinë, forcën, qëndrueshmërinë që ka demokracia e
sanksionuar në Kushtetutën e Shqipërisë, kur duhet të sigurojë liritë e
të drejtat e qytetarit shqiptar; kur duhet të mbrojë interesin kombëtar,
publik e vetjak të tij; kur duhet të garantojë sigurinë dhe pronën e
tij.
Jo liria që e kishin fituar në dhjetor; jo pluralizmi që e kishin
garantuar që në marsin e parë pas Lëvizjes së Dhjetorit; jo rruga drejt
Bashkimit Europian e NATO-s që populli i tërë e kishte zgjedhur në orën e
parë të lirisë, dhe të tëra partitë e kishin miratuar pa ekuivok në
programe; po pikërisht, aspirata për demokracinë e çdo dite, çoi në
revolucionin me votë të marsit të dytë të lirisë, në vitin 1992. Po kjo
aspiratë, e pandryshuar në thelb sepse e papërmbushur në kohë, i çoi
shqiptarët drejt kutive të votimit edhe në 23 qershor.
E njëjta aspiratë për demokracinë që duhet të funksionojë për
qytetarin përmes institucionesh në shërbimin e tij; e njëjta
domosdoshmëri mirëfilli jetike për shtet që mbron jetën dhe pronën e
qytetarit; e njëjta nevojë që ligjet të mos jenë letra, rregullat të mos
vlejnë vetëm për më të dobëtit, suksesi i fëmijëve të mos varet nga
mbiemri, vendi i punës të mos lidhet me biografinë apo dialektin, liria e
tubimit të mos paguhet me bukën e gojës; e njëjta shtysë e brendshme
për të rivënë në vend, dinjitetin e nëpërkëmbur nga vrasjet e
përqeshura, dokrrat e pambarimta, dështimet e pashembullta; e njëjta
revoltë në zemër për sukseset imagjinare, gënjeshtrat shumëvjeçare,
dyfytyrësinë spektakolare; po edhe e njëjta ndjenjë përgjegjësie, për të
tatëpjetën e rrënimit të vendit dhe rrënimin e imazhit të Shqipërisë në
sytë e botës e të miqve ndërkombëtarë; bënë që njerëzit e zakonshëm të
këtij vendi t’i japin jetë paqësisht me votë, ndryshimit të dytë të
jashtëzakonshëm politik në këto dy dekada liri.
Përsëri edhe njëherë, aspirata e papërmbushur për demokracinë e çdo
dite, bashkoi në kutitë e votimit Veriun me Jugun, socialistë me
demokratë, aktivistë me indiferentë; solli në rrugën drejt zgjedhjeve
shumë gra e të rinj - po dhe shumë familje emigrantësh në kërkim të
kohës së mirë të atdheut; vuri në jetë një proçes elektoral që megjithë
institucionet groteske dhe prirjen tradicionale të pushtetit për të
manipuluar rezultatin, u kthye në erën imponuese të një ndryshimi të
paqtë po radikal.
E së fundi, njësoj si në marsin e vitit 1992, Shqipëria s’u nda në dy
blloqe nga një diferencë e vogël, po u bë bllok masiv për të vulosur me
votë të lirë, një ndryshim historikisht të domosdoshëm dhe absolutisht
të pakontestueshëm për të ardhmen e saj.
Këtë pasqyrë të historisë së re, nuk dua t’jua vendos përpara të
humburve të 23 qershorit. S’është as qëllimi im sot dhe as vizioni im
për qeverisjen e katër viteve të ardhshme, që të marrim kohën e punëve
të panumërta të qeverisë dhe kohën e shqiptarëve që na votuan për shumë
punë e pak fjalë, duke i bërë karshillëk opozitës.
Unë besoj se shqiptarët na votuan ndër të tjera, edhe për t’i dhënë
fund atij karshillëku banal ndaj opozitës që mori jetë për vite me radhë
në këtë foltore, e në këtë sallë.
Pasqyra e historisë së re na vlen në radhë të parë ne, fituesve, për
të mos e harruar asnjë çast se thellësinë e fitores së 23 qershorit,
njësoj si atë të marsit ’92, nuk e përcaktoi dëshira për t’u ndërruar
njerëzve vendet në këto karrige.
As dëshira për të ndërruar kryeministrat e ministrat apo partitë e
djathta e të majta, me njëra-tjetrën në pushtet. Jo! Përmasën historike
të fitores sonë e përcaktoi domosdoshmëria historike për të ndryshuar
rrënjësisht Shqipërinë - duke nisur padyshim nga ndryshimi i modelit
qeverisës.
Ja pse sot unë vij për ta marrë detyrën e lartë me ndjenjën e një
përuljeje që ndoshta, nuk do ta kisha pasur kaq të thellë pas një
fitoreje të zakonshme në përmasë e në përmbajtje.
Ja pse vij me vullnetin për ta mbajtur larg nga kjo shumicë e re
qeverisëse në këtë sallë, çdo ndjenjë triumfalizmi, çdo shfaqje
arrogance ndaj pakicës, çdo shprehje mendjelehtë të inercisë në rrugën e
vjetër të përbuzjes ndaj përfaqësuesve të opozitës.
Ja pse vij i përgatitur për t’i thënë opozitës, drejtpërdrejtë në sy
se, marr sot përsipër përgjegjësinë të sigurojmë që asgjë që neve vetë,
na u mohua deri dje në opozitë për shkak të qeverisë së vjetër, nuk do
t’i mungojë më tej opozitës për faj të qeverisë së re.
Unë besoj se, në fund të fundit, cilësia e bashkëjetesës demokratike
të çdo dite nuk varet assesi nga fakti nëse biem ose jo dakord, por nga
mënyra se si e jetojmë mosdakordësinë.
Duke u dëgjuar edhe pa rënë dakord apo duke u sharë pa u
dëgjuar? Duke respektuar tek tjetri kundërshtarin apo duke parë tek
njëri – tjetri armikun? Duke ndërtuar me durim kulturën e
gjithëpërfshirjes apo duke ushqyer sa herë të vijë rasti dhe të ndizet
mikrofoni traditën e dasisë? Në fund vendos gjithnjë shumica, po është
cilësia e bashkëjetesës ajo që ndryshon.
Me këtë besim dhe në respekt të çdo zgjedhësi të pakicës, unë e ftoj
dhe mbështes Kryetarin e Kuvendit që të vigjilojë me paanësi nga
lartësia detyruese e funksionit që mban, për të mos e lejuar vazhdën
tradicionale të nëpërkëmbjes brutale të opozitës në këtë sallë.
Jam i bindur se me zgjedhjen e tij, dje, në krye të Kuvendit të
Shqipërisë, koha e ndërhyrjeve pa vend, fyerjeve pa shkak, batutave pa
shije nga ajo lartësi drejt deputetëve në sallë dhe publikut në ekran ka
perënduar përgjithnjë. Ky është një lajm i mirë për të gjithë. Në radhë
të parë për opozitën. Ashtu siç duhet të jenë të gjithë të bindur se
është këputur, përgjithnjë, shiriti i pambarimtë i fjalimeve
kryeministrore pa fillim as fund dhe ka perënduar edhe koha, kur
kryeministri ndërhynte pas çdo deputeti të opozitës me librin e shtëpisë
së tjetrit në dorë. Edhe ky është një lajm i mirë për të gjithë,
sidomos për opozitën.
Si për ironi të fatit të vet, Partia Demokratike po fillon jetën
opozitare me një kryetar që s’e ka deputet, po kryetar bashkie të
Tiranës. A nuk ngjan pak sikur tërë mallkimet dhe ofendimet që nuk i’a
ka kursyer deri dje opozitës pa lider në parlament apo liderit pa
legjitimitet të opozitës, i janë kthyer pakursim në një mallkim që e ka
lënë sot si pa kokë? Po sidoqoftë kjo nuk mund të bëhet çështja jonë. Ne
nuk kemi ardhur në këtë kuvend për t’i kërkuar opozitës ku e ka kokën,
po për t’i ngritur Shqipërisë kokën lart.
1 milionë njerëzit që i dhanë jetë kësaj shumice të re, nuk votuan
për të na ndarë ne, këtu, në fitues dhe në humbës, po për të mos mbetur
ata vetë të humburit në inercinë e një lirie të zhveshur prej kuptimit
të saj; një lirie ku në vend të demokracisë së çdo dite, njeriut të
zakonshëm i kanë mbetur egërsia, pasiguria, padrejtësia që çdo ditë
sjell me vete; familjes së zakonshme i ka mbetur ankthi që rritet
përreth nga varfëria, papunësia, grabitjet dhe vrasjet; Shqipërisë së
zakonshme i ka mbetur vala e një shkatërrimi epokal mu në kurrizin e
vet, që përpin përditë tokë buke, shtretër lumenjsh, pyje, plazhe,
kodra, monumente kulture, si të ishte luhej një film i projektuar nga
armiqtë më të betuar të këtij vendi.
Ne jemi votuar për t’i dhënë në këtë vend lirisë së njeriut,
familjes, atdheut, kuptimin jetik të demokracisë së çdo dite dhe
bashkëjetesës mes shqiptarëve cilësinë demokratike të respektit të
shumicës për pakicën.
Ne besojmë se zanafilla e kësaj përpjekjeje është e do të jetë këtu,
në këtë sallë, ku lirisë për të folur, replikuar, votuar, do t’i japim
për katër vjet me radhë kuptimin e demokracisë parlamentare si
shëmbëlltyra e prekshme e demokracisë në tërësi.
Do ta bëjmë këtë duke dëgjuar me vëmendje të madhe çdo qëndrim të
opozitës, duke e respektuar atë me respektin më të madh për veten, duke i
krijuar asaj vijimësisht hapësira për t’u bërë pjesë e vendimeve të
këtij Kuvendi.Por të jetë e qartë për të gjithë:
Ne do të dëgjojmë, po do të udhëheqim.Ne do të dialogojmë, po do të
marrim vendime. Ne do të kërkojmë konsensuse sa më të gjera, po do të
qeverisim me vlerat dhe me bindjet tona të shpallura. Ja vlerat
tona: Liria e njerëzve dhe e konkurrencës pa asnjë diskriminim e kufizim
politik, në funksion të meritës.
Përgjegjësia e gjithkujt përpara vendit e ligjit, në funksion të një
shoqërie ku të drejtat e secilit nuk ndahen nga detyrimet ndaj
komunitetit; Solidariteti me më të dobëtit, në funksion të një
bashkëjetese ku barazia e mundësive s’mund të mjaftojë pa drejtësinë
sociale. Ja edhe bindja jonë: Shqipëria meriton më shumë.
Por gjithherë dhe gjithkund, do të jemi me njerëzit e për njerëzit,
me Shqipërinë reale të halleve të panumërta dhe për Shqipërinë Europiane
të shpresave të rilindura.
Jemi zotuar se do të krijojmë 300 mijë vende të reja pune. Do të
gdhihemi e ngrysemi në betejën për t’ia dalë dhe jam besimplotë se do
t’ia dalim, që Shqipëria e pas katër viteve nga sot, të jetë hapësira e
punësimit real jo tuneli i rritjes së papunësisë.
Jemi zotuar se uji në rubinet dhe në parcelë nuk do të jetë më temë
fushate elektorale në vitin 2017. Programi ynë parasheh realizimin e
këtij zotimi me etapa të përcaktuara qartë. Unë dua të ndaj me ju sot,
bindjen time se në mbylljen e këtij mandati, do të jetë mbyllur edhe
odiseja e etjes për ujë të njerëzve e të tokave të këtij vendi.
Jemi zotuar se do legalizojmë falas shtëpitë në zonat informale
brenda këtij mandati. Nuk tundemi nga ky zotim. Zbatimin e planit të
detajuar për ta përmbushur në harkun e katër viteve nga Paskuqani në
Sauk, nga “Kodra e Priftit” në Bathore, nga këneta e Durrësit në lagjen
Marlulaj të Shkodrës, nga Lagja “5 Maji” e Elbasanit në lagjen “Afrim i
Ri” të Fierit e në lagjen “Nënë Tereza” të Lezhës, unë do ta mbikëqyr
drejtpërdrejtë vetë siç ju kam premtuar atyre njerëzve, në çdo hap.
Do t’i bëjmë këto realitete migjeniane, pjella të varfërisë së
aspiratave, modele të vizionit tonë të ri të zhvillimit urban të
Shqipërisë për të respektuar aspiratat e atyre që i kanë ndërtuar ato
shtëpi.
Por një gjë të mos e ngatërrojë askush:
Ne do të legalizojmë falas në zonat informale shtëpi të ndërtuara për
të filluar një jetë të re familjare, jo vila pa leje në vijën
bregdetare. Dhe jo e jo, ndërtime të paligjshme për të bërë biznes duke i
bërë shtetit ngado një karshillëk të paparë, thellësisht antieuropian e
fyes për dinjitetin e shoqërisë. Nëse të varfërve që kërkuan Amerikën
këtu në Shqipëri, duke ardhur nga humbëtirat e varfërisë e të
papunësisë, për të ndërtuar një jetë të re rreth Tiranës e qyteteve të
mëdha, ne nuk do t’u kërkojmë lekë po vetëm përmbushjen e detyrimeve të
zakonshme të çdo shtetasi për ujin, dritat, plehrat, zengjinëve të
betonarmesë së hedhur kuturu pa asnjë leje e gajle për të drejtat e
pronës, komunitetit, natyrës, do t’u rezervojmë një faturë sa të kripur
aq edhe të paharrueshme. Mjaft e kanë dëmtuar Shqipërinë, është koha ta
dëmshpërblejnë publikun. Kjo qeveri do t’ua kërkojë dhe marrë
dëmshpërblimin një më një.
Jemi zotuar se vota për ne do të ishte fillimi i një kapitulli të ri
të taksimit të ndershëm dhe fundi i kapitullit të vjetër të taksës së
sheshtë. Sot ju siguroj se kështu do të jetë. Kush fiton më shumë do të
paguajë më shumë dhe kush fiton më pak do të paguajë më pak. Mësuesi –
Mjeku – Polici do të jenë tre figurat kyçe të rimëkëmbjes së shtetit në
katër vitet e ardhshme dhe do të përfitojnë nga taksimi i ndershëm.
Sipërmarrësit e vegjël, gabimisht quhen biznesmenë, po në fakt janë
familjarë të vetëpunësuar që nuk do të paguajnë më për furrën e tyre të
bukës, kafenenë në cep të pallatit apo dyqanin e vogël të mbijetesës, sa
ç’paguajnë fabrikat e çimentos, kompanitë e naftës apo hotelet në zemër
të Tiranës. Ata shpëtuan në 23 qershor nga tatimi i dyfishtë
antikushtetues dhe taksa e tyre e biznesit të vogël nuk do të ekzistojë
më. Ne do të bëjmë çmos në këto katër vite që ta nxjerrim biznesin e
vogël, nga kthetrat mbytëse të borxheve për të paguar taksa dhe të fusim
sa më shumë familjarë në rrugën e vetëpunësimit.
Jemi zotuar se në fund të katër viteve do të kemi ulur taksat për 95%
të shqiptarëve. Do të ecim hap pas hapi, me planin tonë konkret në
përmbushjen e këtij zotimi dhe në fund të mandatit tonë, shtresa e mesme
si edhe më të varfrit do të kenë më shumë para në xhep, e do të
shërbehen më mirë.
Jemi zotuar se do ta mbështesim biznesin duke krijuar një marrëdhënie
të re partneriteti me sipërmarrësit dhe do të ndalim rrënimin e tij
duke shkatërruar monopolet, shkrirë klientelat, thirrur në skenë lirinë e
konkurrencës. Jemi gati për një transformim të madh në shërbimin
doganor dhe tatimor me konsulencën e Agjentëve të Kurorës (Crown
Agents). Organizata e famshme britanike do të na asistojë qysh në ditët e
para të qeverisjes për t’u dhënë doganave e tatimeve, gjatë këtij
mandati, fytyrën dhe mirësjelljen e Shqipërisë Europiane; për të rritur
të ardhurat në buxhet, jo duke tkurrur biznesin me kontrolle të dhunshme
e gjoba arbitrare, po duke vendosur rregulla të qartë, të qëndrueshëm e
të respektuar nga të dyja palët; për të ecur më shpejt drejt heqjes së
referencave dhe shpartallimit të mbretërisë së ryshfetit në dogana e
tatime.
Doganierët e Shqipërisë nuk do të jenë më ushtria e partisë. Të reja e
të rinj të shkolluar, të edukuar, të dëshiruar për t’i dhënë këtij
vendi dinjitetin e ëndrrës europiane aty ku sot ndeshesh jo me kufirin
ku fillon Shqipëria, po me traun ku fillon zymtia zhvatëse e mbretërisë
së korrupsionit e të injorancës, janë të thirrur të konkurrojnë. Ne do
të vigjilojmë që një gjeneratë e re profesionistësh ta marrë në dorë
këtë punë që sot e bëjnë torturues profesionistë të biznesit dhe
ustallarë të kontrabandës me mbulim politikën. S’ka pikë dyshimi se edhe
agjentët tatimorë nuk do të jenë më veglat e korruptuara të një lufte
qorre që rrënon dinjitetin, shkatërron nervat dhe hedh në erë planet e
biznesit.
Lufta qorre e qeverisë me biznesin ka mbaruar në 23 qershor. Ka
mbaruar në 23 qershor edhe pushteti i një klientele që diktoi për vite
të tëra se kush qenë të paktët që duhet të ngroheshin në diell, rëndom
pa i dhënë hesap askujt, e kush të shumtët që u mbetej për hise rrebeshi
i gjobave, ryshfeteve, padrejtësive.
Qeveria dhe biznesi janë dy palë, po ekonomia e Shqipërisë është një
dhe ne do t’i japim fund keqtrajtimit të sipërmarrësve, duke filluar nga
dhënia fund e marrëzisë së faturave të papaguara apo të TVSH-së së
parimbursuar. Efekti zinxhir i moskorrektesës së qeverisë me biznesin në
këtë lëmë të detyrimeve të ndërsjella - për të përdorur terma shumë të
butë -, ka bllokuar tërësisht zinxhirin e ekonomisë.
Ideja se ç’është e biznesit është e botës dhe ç’është e shtetit është
e qeverisë e pastaj ç’është e qeverisë është e imja nuk ka lidhje me
demokracinë e çdo dite, po me reminishencat e ideologjisë së Partisë së
Punës. Bashkë me pushtetin që iku ikën edhe ato reminishenca nga koka e
këshillit të ministrave, dhe do të hapet menjëherë një kapitull i ri i
në marrëdhëniet me biznesin. Biznesi nuk do të jetë kundërshtari ynë dhe
kjo qeveri nuk do të bëjë ortakëri me asnjë biznes apo klientelë të re
biznesmenësh. Biznesi do të jetë partneri ynë dhe ne do të jemi të hapur
e luajalë me të, e do të kërkojmë të njëjtin luajalitet prej tij.
Jemi zotuar se shërbimet nuk do të varen nga xhepi, po nga nevoja -
duke filluar nga shëndetësia e arsimi padyshim. Cilido merret me
politikë këtyre anëve dhe vazhdon të mendojë se shëndeti është mall që
blihet e vazhdon të thotë, kujdesi shëndetësor merret vetëm me para
sepse shëndetësia kushton prandaj kush s’ka para nuk duhet të sëmuret, i
ka merituar qoftë dhe për kaq të 1 milionë shuplakat e 23 qershorit.
Unë i qëndroj plotësisht zotimit që kemi marrë dhe ky mandat do të jetë
mandati i një reforme radikale në shëndetësi.
Ne do të themelojmë Shërbimin Kombëtar Shëndetësor që do ta blejë
shërbimin nga shteti dhe do ta ofrojë atë pastaj pa sigurime
shëndetësore e as para në dorë, për të gjithë pa dallim. Shëndetësia
falas nuk është një sadaka që bie nga qielli, po një e mirë publike që i
ofrohet çdo njeriu në nevojë për kujdes shëndetësor - falë shtetit që
nuk e ngre fondin për shëndetësinë me sigurime po në rrugë alternative.
Sigurisht që shëndetësia kushton, pyetja është kush paguan. Dhe
përgjigjja është jo ata që s’kanë, po e gjithë shoqëria për këdo që ka
nevojë.
E rëndësishme është që përtej debatit mes palëve që në këtë rast, i
ngjan atij debatit të famshëm të Kostandinopojës për gjininë e engjëjve
teksa muret e qytetit po binin përgjithmonë nga lufta, ne t’ia marrim
spitalet pushtetit të korrupsionit, pisllëkut e matrapazllëkut dhe t’ua
kthejmë njerëzve.
Debatin a bëhet a s’bëhet, unë jam i gatshëm ta vazhdojmë pas katër
vjetësh mu tek sheshi i Spitalit “Nënë Tereza”, mbi provat e kësaj
reforme radikale jo mbi hamendjet e atyre që thonë bëhet apo atyre që
thonë s’bëhet. Dinë të thonë vetëm s’bëhet, s’bëhet ndryshe dhe të bëjnë
sehir rrënimin, siç bënë 8 vjet me radhë, ndërkohë që duhet të
vizitohen se mos përveç pushtetit, kanë humbur edhe zemrën.
Do të jem gati po ashtu të dal pas katër vjetësh përpara çdo mësuesi e
nxënësi, me krenarinë që koha e dhunës psikologjike për t’i kthyer ata
në skllevër të partisë në pushtet; koha e kryeministrit që u futet në
oborr e në klasë për të sharë opozitën para kalamajve; koha e drejtorëve
që mbyllin shkollat për t’i marrë me pahir si bagëti në mitingjet e
barinjve të qeverisë, do të ketë mbetur vetëm një ëndërr e keqe që u
tret në dritën e 23 qershorit 2013. Ëndërr e keqe do të ketë mbetur edhe
moslejimi i përfaqësuesve të opozitës në auditorët e universiteteve për
të komunikuar idetë e tyre me çdokënd që ka interes ti dëgjojë.
Por edhe me krenarinë që atë ditë nuk do të kem status të posaçëm
vetëm unë, kryeministri, po edhe çdo mësues e mësuese e Shqipërisë. Jemi
zotuar që t’i kthejmë shkollës lirinë e një hapësire të dijes,
përgjegjësinë e një qendre të komunitetit, solidaritetin mes mësuesve –
prindërve – qeverisë. Këtë do të bëjmë përmes zbatimit rigoroz të
programit tonë qeverisës. Kemi gati planin e veprimit për të filluar nga
projektet pilot të zgjedhjes së mësuesve në bashkëpunim me
përfaqësuesit e prindërve.
Kemi gati projektin për të nisur programimin e tabletave elektronike
dhe shtrirë vit pas viti në shkolla, teknologjinë e re që do të
zëvendësojë librat e dërrasat e zeza.
Kemi gati reformën e domosdoshme të teksteve shkollore dhe të maturës
shtetërore për t’i dhënë kuptim konkurrencës dhe meritës përgjatë
gjithë viteve, si edhe për të zmbrapsur lumin shpartallues të prurjeve
pa kriter e as karar në dyert e universitetit. Besoj që është lajm i
mirë për opozitën që në tekstet e historisë për nxënësit nuk do lejohet
përfshirja e figurave heroike të kryetarit të kuvendit apo të
kryeministrit të Shqipërisë.
Do të fillojmë reformën e madhe të edukimit përmes kulturës dhe
sportit, për të gjitha grupmoshat. Nëpër shkolla do të mbyllet çdo lloj
diskoje e kafeneje dhe në lokalet rreth shkollave deri në një distancë
të përcaktuar, do të ndalohet alkooli. Por nga ana tjetër fëmijëve e të
rinjve do t’u japim alternativën e edukimit sportiv e kulturor. Klasat
sportive do të fillojnë të organizohen në çdo shkollë dhe atelietë e
kulturës për kalamajtë e të rinjtë do të ngrihen si fillim, në çdo
institucion ekzistues kulturor.
Jemi zotëruar të akreditojmë universitetet dhe të ndryshojmë
rrënjësisht rrugën e arsimit të lartë, duke i hapur rrugë lirisë së
konkurrencës dhe krijuar kushte për vlerësimin e meritës; qoftë mes
universiteteve, pa dallim publike apo private; qoftë mes studentëve që
duan të hyjnë në universitet, apo që duan diplomë nga universiteti. Do
të ndërtojmë një urë dialogu e bashkëpunimi sistematik me rektoratet e
dekanatet, por nuk do të pajtohemi në asnjë mënyrë me shpërdorimet e
parave, me shitblerjet e provimeve, me logjikën e kastës kudo dhe kurdo
ajo të shfaqet, sidomos nëse shfaqet në formën e autonomisë për të bërë
dëm. Financimi ynë për arsimin e lartë do të bazohet në rezultate, jo në
dogmat e socializmit të vjetër apo të fanatizmit të tregut.
Jemi zotuar t’u japim të rinjve edhe një rrugë tjetër përveç asaj të
universitetit; rrugën e arsimit profesional. Reforma për ndërtimin e një
sistemi të arsimit profesional, që të jetë tërheqës për të rinjtë dhe i
dobishëm për punësimin e tyre, në qytet apo në fshat, do të jetë një
reformë shumëplanëshe në bashkëpunim me biznesin dhe me partnerët
ndërkombëtarë do të përfshijë një sërë ministrish.
Jemi zotuar për t’a vendosur shtetin në krah të çdo familjeje që
jeton me tokën në fshat dhe për të hapur bashkë me bujqit e fermerët e
këtij vendi, rrugën e re të zhvillimit modern rural në Shqipëri – duke
filluar menjëherë nga puna për të përmbushur zotimin e dhënies së
çertifikatës së pronësisë mbi tokën, të gjithëve atyre që u takon me
ligj. Çfarë 7501-shi e jep për tokën e bukës prej gati çerek shekulli
dhe burrat po bëhen pleq pa e marrë, ndërsa fëmijët po bëhen burra pa e
besuar se do ta marrin ndonjëherë, prandaj marrin arratinë për të punuar
në dhe të huaj, ne do ta japim në bazë të 7501-shit dhe pikë.
Por kujdes, asnjë keqkuptim: Zbatimi deri në fund i 7501-shit nuk do
të jetë zgjatje e kalvarit pafund të pronarëve, po fillimi i rrugës së
zgjidhjes përfundimtare të çështjes së pronës. Ne do të nisim menjëherë
nga puna për Planin e Përgjithshëm Kombëtar që do të jetë udhërrëfyesi i
zhvillimit tërësor, po edhe harta orientuese për rrugët e hapësirat e
kompensimit real të pronarëve. Kaosi i njëzet e kusur viteve,
mbivendosjet e panumërta të pronës së pretenduar, operacionet e
grabitjes së trojeve, e kanë bërë të mundur një zgjidhje optimale për të
gjithë.
Mungesa e kurajos për ta parë realitetin në sy nga frika e humbjes së
votave në zgjedhjet e ardhshme, mbajtja varur e të gjithëve nga fushata
në fushatë me premtime të pambajtshme dhe nga mandati në mandat me masa
gjysmake, të cilat vetëm e kanë ngatërruar gjërat ende më shumë
zinxhirin e pronës, kanë një kosto për të gjithë. Kjo kosto vetëm rritet
nga mosveprimi. Prandaj të gjithë duhet të marrin koston e tyre; duke
filluar nga qeveria dhe unë personalisht, që nuk mund të vazhdojmë
rrugën e vjetër, tërhiq e mos e këput, edhe juve do t’ju legalizojmë,
edhe juve do ju kompensojmë, edhe juve do t’ua plotësojmë, edhe ju të
tjerëve do t’ua falim; e duke vazhduar me gjithë aktorët dhe grupet e
interesit që lidhen me këtë temë gangrenoze të jetës sociale të
tranzicionit.
Por ky është dhe momenti për ta thënë: Përpara çdo vendimi, mes
interesit të vendit dhe interesit për t’u rizgjedhur unë do të zgjedh
gjithnjë të parin.
Tek kjo qeveri fshati do të gjejë aleatin e vet besnik. Çdo problem i
shqiptarëve që punojnë në fshat, do të jetë problemi ynë i përbashkët
me ta. Jemi zotuar të ulim për familjet shqiptare kostot e ushqimeve
bazë që prodhon fshati dhe prandaj do ta kthejmë çdo bujk e fermer, çdo
njeri që rropatet me tokën në të gjithë hapësirën rurale të Shqipërisë
në aleatin tonë besnik dhe të respektuar me përulje. Ulja e kostove të
prodhimit do të jetë prioritet. Ne do t’i kushtojmë fshatit gjatë këtij
mandati energjitë që qeveritë e Shqipërisë nuk i kanë kushtuar në 20
vjet të marra së bashku.
Shumëkush përpara se sa të vija këtu për të mbajtur këtë fjalë,
fjalën më të rëndësishme të jetës sime politike, më sugjeroi
dashamirësisht të shkruaja një fjalim për të ulur pritshmëritë.
Shqipëria është në një krizë të gjithanshme, s’ka para, s’ka
kredibilitet, s’ka këtë e s’ka atë, prandaj mos ua ushqe njerëzve
pritshmërinë super të lartë që kanë ndaj qeverisë së re! Por unë jam
shumë i kënaqur me pritshmërinë e lartë ndaj qeverisë. Kemi një skuadër
të re, ambicioze, me njerëz të talentuar dhe të përkushtuar, më
harmonike se asnjëherë më parë mes burrave dhe grave, produkt i leximit
në respekt të votës së 23 qershorit.
Nuk dua të ul pritshmërinë e askujt. Jo se nuk e di në çfarë
vështirësish është Shqipëria, arka e saj, edhe pse ka më tepër se një
dyshim të arsyeshëm që gjendja e vërtetë e ekonomisë, është ende shumë
më e rëndë nga çfarë shohim. Prandaj do të thërrasim menjëherë në ndihmë
një forcë audituese ndërkombëtare, me pavarësi e reputacion botërisht
të padiskutueshëm, për të audituar imtësisht xhepat e shtetit. Prandaj
do të nisim urgjent procesin për të binjakëzuar INSTAT-in me
institucionin qendror të statistikave të një shtet anëtar të Bashkimit
Europian, këdo që do të gjejmë të gatshëm, në mënyrë që shifrat e
rritjes ekonomike, papunësisë, analfabetizmit, varfërisë dhe popullsisë,
të mos i gatuajë zyra e kryeministrit po t’i nxjerrë një INSTAT i
pavarur politikisht dhe i aftë profesionalisht.
Prandaj kemi mirëpritur misionin e përbashkët të FMN e të Bankës
Botërore, të kërkuar nga Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, me
mirëkuptimin tonë më të plotë dhe prandaj po presim me padurim të shohim
rezultatet e të këqyrim sugjerimet e këtij misioni. Prandaj edhe po
përgatitemi për të biseduar nga afër me FMN, jo domosdoshmërish për të
rinisur një program të ri me të, po për të kuptuar deri në fund se sa më
e thellë nga ç’duket është kriza dhe si t’i përgjigjemi kërcënimit të
shpërthimit të saj.
Prandaj në fund të fundit u kemi kërkuar shqiptarëve të bëjnë një
zgjedhje të qartë, për të ecur më shpejt drejt një Rilindje Shqiptare,
apo për t’u rrokullisur në të tatëpjetën e Rrënimit të Mëtejshëm dhe,
nëse rrënim s’do të ishte, nuk do të ishim sot këtu me pushtetin e një
shumice të ngjashme me atë të vitit 1992. Por prapëseprapë unë dua jo që
njerëzit të ulin pritshmërinë tani që zgjedhjet mbaruan, po që ne të
jemi në lartësinë e pritshmërisë së tyre në çdo komunikim dhe në çdo hap
që do të hedhim, bashkë me ta, drejt Shqipërisë Europiane.
Ne do të kalojmë nga integrimi europian i Shqipërisë si lajtmotiv
propagandistik tek europianizimi i shtetit shqiptar si amanet e mision
historik - përmes një reforme demokratizuese, modernizuese, njehsuese me
Europën si sistem vlerash dhe institucionesh. Unë e çmoj sinqerisht
shprehjen publike të vullnetit të opozitës për të mbështetur pa kushte
reformat që lidhen me integrimin europian. Shpresoj të mos jetë
propagandë, edhe kjo do të jetë gjithsesi e drejta e saj dhe uroj që
opozita të kontribuojë aktivisht në procesin legjislativ.
Por ndryshimi i pozicionit nga kryetar i opozitës në kryeministër,
nuk ka ndryshuar dhe as ka për ta ndryshuar pikëpamjen time se procesi i
integrimit europian, është shumë më tepër se sa vandakët e letrave ku
shtypen ligjet e këtij Kuvendi. S’ka asnjë dyshim se nga kjo sallë merr
udhë çdo ndryshim strukturor dhe me patjetër ndikohet përmes ligjeve
edhe ndryshimi shumëplanësh drejt Shqipërisë si gjithë Europa.
Por udha nga kjo sallë deri në Europë, nuk përshkohet me postë duke
çuar letrat e ligjeve në Bruksel, po duke ndërtuar këtu demokracinë e
çdo dite. Integrimi europian s’është rrugë jashtë shtetit, sepse Europa e
Bashkuar s’është destinacion jashtë vendit po vend brenda vetes - një
vend që duhet të zërë përditë e më shumë vend në sjelljen, qasjen,
vendimet e veprimet tona si qeveri, parlament, shtet e shoqëri. E po
ashtu edhe NATO s’është medalje, për ta mbërthyer në gjoks kur u flasim
shqiptarëve për progresin që kemi bërë në këto vite, po përkatësi në
botën e demokracisë së çdo dite - ku Shqipëria ka bërë shumë mungesa
vitet e fundit edhe pse s’ka munguar në asnjë angazhim ushtarak. Të jesh
pjesë e kësaj bote me BE e me NATO, do të thotë të ndash me të tjerët
vlera, parime, standarde, ndër të cilat ligjshmëria është padyshim vijë
ndarëse.
Shqipëria sot ka shumë më tepër ligje se tetë vjet më parë, mijëra
dëgjova, po s’ka më shumë ligjshmëri. Krimi ndaj individit dhe pronës ka
marrë përmasa të papara më parë. Vriten e plagosen njerëz aq shpesh
tanimë sa kur hapim televizorin një vrasje na duket si film i vjetër, jo
si lajm i ri. Ndërsa vjedhjet s’përbëjnë më as lajm, përveçse kur dalin
armët dhe vritet apo plagoset për vdekje ndonjë kalimtar, po edhe ky
episod hyn tek filmi i jetës së përditshme jo tek lajmi i ditës.
Armët janë bërë si celularët, janë nëpër makina, klube, shkolla,
vetëm se duken më pak pasi nuk mbahen në dorë tërë kohës për të çuar
sms. Ndërsa kriminelët e rrugaçët janë shpeshtuar nga të katër anët
njësoj ndërtimet pa leje. Dhunohen ngado familjarë të zakonshëm, vajza e
djem të edukuar dhe pleq fillikat nëpër fshatra; grabiten shtëpi e
pushtohen territore; kurse policia dhe inspektoriatet jo vetëm s’kanë
asnjë forcë reaguese, po përkundrazi, bashkëjetojnë qetësisht me kërdinë
kriminale si të ishin parazitë brenda në trupin e krimit dhe mbushin
xhepat për të mbyllur sytë.
Shqyhen ngado kodra, priten përnatë pyje, zhvaten pa pushim lumenj,
po bie Kruja, por tretet Gjirokastra, po rrënohet Berati, si në një
makth pambarim. Ky makth do të mbarojë. Ne do ta rikthejmë Policinë e
Shtetit në krye të detyrës dhe do të hapim një luftë pa asnjë prehje,
kundër krimit ndaj individit dhe pronës. Gjendja e territorit sot është
një gjendje e jashtëzakonshme dhe ne do ta adresojmë urgjentisht si të
tillë, me një paketë emergjence kombëtare që të marrë aprovimin e këtij
parlamenti. Kush cenon individë e prona, publike ose private, ka cenuar
shtetin dhe do të ketë përballë jo më një tufë laramane uniformash
qesharake, po Policinë e Shtetit Shqiptar. Ditën dhe natën. Në çdo metër
katror të Shqipërisë. Pa pushim as tolerancë.
Përndryshe do të ishte lamtumirë Shqipëri Europiane! Por që kështu të mos jetë, jemi këtu ne Aleanca për Shqipërinë Europiane.
Të nderuar anëtarë të Kuvendit të Shqipërisë. Ju keni marrë në
dispozicion qysh dje një kopje të programit të qeverisë. Si asnjëherë në
traditën e këtij kuvendi, pas fjalimit të një kryeministri, që kërkon
votëbesimin do të keni edhe dy ditë kohë për pyetje dhe për të
përgatitur diskutimet. Unë nuk desha as të lexoj krejt programin
voluminoz që keni ndër duar, as të marr me radhë çdo çështje të tij, por
vetëm të bëj një paraqitje të përmbledhur të kuptimit politik,
konceptit qeverisës dhe të boshtit programatik të mandatit të ri.
S’desha as të mërzis me një fjalim të gjatë publikun që na ndjek me
kërshëri. Por megjithatë s’mund të mos rendis më tutje shumë probleme,
një sërë pikash të rëndësishme të programit tonë:
Projektin e zhvillimit në infrastrukturë duke nisur nga Rruga e
Arbrit si prioritet, e me radhë reformat e projektet transformuese të
zhvillimit urban në funksion të rritjes së qëndrueshme të turizmit në
bregdet apo të rimëkëmbjes së komuniteteve në zonat urbane;
Projektin e zhvillimit të qëndrueshëm energjetik dhe planet për
rimarrjen e kontrollit mbi pasuritë nëntokësore. Këto plane nuk synojnë
shtetëzime, po rikthim të shtetit në detyrën e mbrojtjes së interesit
kombëtar e publik;
Projektin e inventarizimit dhe mbrojtjes së trashëgimisë kulturore që
po zhduket para syve tanë, si edhe planin e reformës së institucioneve
të kulturës; Projektin e çlirimit të Radio Televizionit Shqiptar nga
regjimi 20 vjeçar i një propagande politike që vetëm ka ardhur duke u
degraduar dhe ka marrë së fundmi përmasën e turpshme të një mediokriteti
të pashembullt në gjithë botën në ekranin e vogël; Projektin e
reformimit rrënjësor të skemës së ndihmës ekonomike në funksion të
integrimit social përmes punës;
Dhe me radhë, statusin e veçantë të disa kategorive sociale të
parashikuara në program: planin e dëmshpërblimit për të përndjekurit, të
rivendosjes në vend të dinjitetit të veteranit e ushtarakut, rikthimin e
të drejtave ligjore të personave me aftësi të kufizuar.
Një model i ri ekonomik që të nxisë prodhimin e punësimin, pas
shterimit të modelit të rritjes pa punësim dhe me pasoja të rënda për
qëndrueshmërinë mjedisore të vendit, si edhe një epokë e re bashkëpunimi
me Kosovën për të zgjeruar hapësirën e rritjes ekonomike e të
mirëqenies së shqiptarëve në territoret e tyre, janë për ne objektiva
strategjikë të zhvillimit të Shqipërisë. Por le ta pranojmë, me modesti
dhe pa i’u fshehur kësaj të vërtete jo fort komode:
Ne, përfaqësuesit e shtetit që po bëhet 101 vjeç, kemi jo vetëm për
të bashkëpunuar edhe shumë për të mësuar nga shteti pesëvjeçar i
Kosovës. Policia jonë ka shumë për të mësuar - mjaft t’i shohësh si ecin
e si sillen në rrugë; diplomacia ka jo pak për të mësuar - mjaft të
takosh ambasadorët e tyre mbresëlënës në kryeqytetet e Europës; arsimi e
shëndetësia jonë kanë për të mësuar - mjaft t’u hedhësh një sy testeve
të mësuesve apo korridoreve të spitaleve në Prishtinë. Prapambetja e
tyre është vepër e një armiku që i mbajti të pushtuar gjatë një jete të
tërë, prapambetja jonë është mishërim i varfërisë së aspiratave që na
mban të pushtuar prej një historie të tërë.
Me emocion të jashtëzakonshëm dhe me një ndjenjë emocioni të rrallë,
unë do t’i adresoj menjëherë në vijim parlamentit të Kosovës vizionin
tonë, për këtë epokë të re bashkëpunimi, e cila përkon me kohën kur
kryeministri shqiptar në Kosovë, me largpamësi e kurajo të admiruar
botërisht, ka hapur për krejt rajonin një faqe të re të historisë së
Ballkanit perëndimor duke nënshkruar marrëveshjen me Serbinë. Është
kthyer përfundimisht mbrapsht faqja e historisë së konflikteve të
përgjakshme të ish-Jugosllavisë. Të gjithë së bashku, shqiptarë, serbë,
malazezë, maqedonas, boshnjakë, bashkë me grekë apo kroatë që tanimë
janë pjesë e Bashkimit Europian, jemi të sfiduar të shkruajmë mbi faqen e
re një histori të re për këtë rajon luftërash; një histori paqeje që
prodhon zhvillim infrastrukturor, siguri energjitike, sipërmarrje e
tregti të ndërsjellë me ritme të reja, multikulturalizëm dhe sigurisht,
respekt e kujdes shembullor për pakicat.
Ne jemi të përgatitur me zemër e mendje të bëhemi promotorë të kësaj
historie të re, në radhë të parë duke e shndërruar Shqipërinë në një
demokraci të çdo dite dhe pastaj, duke nxitur e marrë pjesë në çdo
përpjekje për t’i dhënë paqes përmasën e zhvillimit. Në 23 qershor u
mbyll edhe kapitulli i turbofolkut nacionalist në pushtet dhe u hap
kapitulli i atdhedashurisë në qeverisje. Ne do të përpiqemi të ndërtojmë
rretherrotull ura kudo ku kanë mbetur hendeqe dhe do të bëjmë një
politikë të jashtme shumë aktive, duke synuar zero mosmarrëveshje me
fqinjët.
Janë shumë punët për t’u bërë dhe pak, koha për t’u humbur me shumë
fjalë. Doja t’u adresoja disa fjalë dhe kolegëve opozitarë. Kemi
ndërruar rolet. Puna e opozitës është fjala. Fjala e qeverisë është
puna.
Qëllimi ynë është i qartë: Të qeverisim siç e meriton Shqipëria. T’u
japim shqiptarëve pamje të prekshme të Shqipërisë Europiane që
ëndërrojnë dhe meritojnë. Për mua e gjitha kjo pamje fillon këtu, në
këtë sallë, ku për sa më takon do të bëj çmos që t’ju tregoj me sjellje e
vepra se ç’do të thotë, ta mirëqeverisësh këtë vend dhe të respektosh
veten duke respektuar opozitën. Njësoj si në Europë. Si në Shqipërinë
Europiane.
I kemi sjellë Kuvendit të Shqipërisë këtë program qeverisës, të
vetëdijshëm se ku duam të shkojmë; me shqiptarët dhe për shqiptarët e
Shqipërinë e gjeneratës tjetër; me frymën e ndërtimit të urave të
bashkëpunimit me këdo që ndan me ne jo çdo ide ose bindje, po së paku
vetëdijen se Shqipëria është atdheu, kurse Europa është e ardhmja jonë.
Dhe njësoj si në Europë unë nuk do ta provokoj kurrsesi opozitën duke ju
kërkuar të votoni programin e qeverisë, siç bënte paraardhësi im
rëndom. Por vetëm do ta falënderoj sinqerisht, për kënaqësinë që na jep
të gjithëve ne fakti se Partia Demokratike do ta lexojë me vëmendje të
madhe dhe do ta diskutojë me pasion të veçantë programin tonë.
Nga opozita s’kemi pritur më shumë se sa të na ndiqni me vëmendjen e
vet më të madhe dhe të na kundërviheni me pasionin tuaj emblematik. Kjo
do të na ndihmojë të ecim më shpejt edhe falë opozitës, që kam shumë
besim se do të na mbajë gjithnjë zgjuar për të mos rënë qorrazi, në
humnerën e vetëpëlqimit ku ra, u zhyt dhe po kërkon veten.
Duke e mbyllur këtë fjalë me përuljen më të thellë për 1 milionë
zgjedhësit që më bënë privilegjin e jashtëzakonshëm të një jete, duke më
ngjitur në këtë foltore sot, por edhe me respektin e pakushtëzuar për
të gjithë ata që nuk na votuan këtë herë, dua të nënvizoj fort se
ndryshimi nuk do të vijë as brenda një nate , as brenda një viti, por
puna për Rilindjen e projektuar në këtë program nuk do të reshtë asnjë
minutë dhe Rilindje do të jetë!
No comments:
Post a Comment