Shkatërrimi i trashëgimisë, të rinjtë i nënvlerësojnë traumat që shkaktohen (shekulli on line)
- Në Shqipëri, si në vende të tjera të Evropës lindore, gjatë tranzicionit më të fundit politik nga totalitarizmi komunist në një shtet demokratik të së drejtës, duhej të ishte ndjekur një politikë balancuese mes së vërtetës dhe drejtësisë
Publikuar më 22.09.2013 | 12:16
87
0
Dr. Konstantinos Giakoumis
-Fatkeqësisht, në Shqipëri nuk është bërë kurrë asnjë përpjekje
sistematike për kërkimin dhe identifikimin e traumave individuale ose
kolektive, që burojnë nga e kaluara, veçanërisht prej regjimit stalinist
të Enver Hoxhës. Shqipëria mbetet edhe sot e kësaj dite një vend i
papajtuar me të kaluarën e vet, duke penguar nën ngërthin e ankthit
zhvillimin e natyrshëm të kujtimit ose harresës të së kaluarës, të cilat
mbeten në mëshirën e fatit.
Si pasojë, përbindësha dhe hije nga e kaluara, shfaqen dhe rishfaqen
në skenën e shoqërisë shqiptare në formë sjelljesh, retorikash, zakonesh
të pandërgjegjësuara, por që shkaktojnë tensione të shumta, ndezje
gjakrash, aforizma të padebatuara, botëkuptime monolitike dhe shumë,
shumë stres. Duke marrë shkas nga trazirat e kohëve të fundit mbi kishën
e Shën ?arisë së Pazarit në Përmet, do të tregoj sesi mospajtimi me të
kaluarën ka çuar në shkatërrimin banal të një pjese të mirë të
trashëgimisë kulturore në Shqipëri për shkak të bezdisë nga asocimi i
saj me përvoja traumatike ose frikë të pandërgjegjësuar, pra ndjenja
mospajtimi ndaj të kaluarës. Çështja e kishës së Përmetit është par
excellence politike, para dhe përmbi vendimeve të gjyqësorit.
Në një studim të 2004-ës, kryer bashkë me arkitektrestauruesin
Gentjan Stratobërdha, kemi treguar me dëshmi fotografike nga sondazhe të
pjesshme dhe fotografi të vjetra se Pallati i Kulturës ka qenë një
modifikim i pjesshëm i strukturës së kishës në fazën e fundit ndërtimore
të saj. Për më tepër, kemi treguar sesi tipi i kishës, mjaft i përhapur
në Ballkan pak më përpara dhe menjëherë pas çlirimit prej Perandorisë
Osmane, përbënte arsye të fortë për ruajtjen e saj për nga numri shumë i
vogël i kishave të këtij tipi që i shpëtuan marrëzisë komuniste
antifetare. Ky studim nuk pati ndikim veçse në qarqe akademike dhe si
pasojë, edhe pse vendi i kontestuar ka qenë edhe vazhdonte të jetonte si
kishë, Bashkia e Përmetit e kontestoi atë vend të shenjtë dhe pas
vendimeve të gjyqësorit, të kontraktojë polici private për ta zbrazur
kishën nga objektet e saj me dhunë dhe mënyrë që ngjalli kujtimet e
marrëzisë përdhosëse dhe antifetare të revolucionit kulturor të Enver
Hoxhës. Theksoj edhe një here se vendi (godina) jetonte si kishë deri në
fund, pra, edhe në qoftë se godina nuk i paraqiste më vlerat e saj
arkitekturore të mëparshme, ishte e lidhur në përvojat dhe kujtimet e
disa njerëzve si kishë (përvoja, kujtimi ose edhe përfytyrimi i një
vendi janë të rëndësishme duke u përbërë pjesë e trashëgimisë së
paprekshme kulturore). Por çfarë çoi në një veprim të këtillë,
politikisht jo të urtë, në vitin 2013? Mospajtimi me të kaluarën,
mungesa e kërkimit, identifikimit, trajtimit, diskutimit publik dhe të
ndërgjegjësimit mbi ngjarjet traumatike nga e kaluara – tek e fundit
mosmenaxhimi i kujtimit dhe i harresës të së kaluarës – bënë që sjellje,
retorika dhe zakone të lidhura për disa njerëz me praktika të së
kaluarës të përsëriten. S’kemi të bëjmë me një praktikë të re.
Shkatërrimi i Tiranës së vjetër
Nën fjalën e një tiranasi të moshuar se “Tirana u shkatërrua prej
jabanxhinjsh” dikush mund të dallojë edhe ‘jabanxhinj’ brendapërbrenda
Shqipërisë që erdhën në Tiranë, si p.sh., Ahmet Zogolli, i mëvonshmi
mbreti Zog I, edhe të tjerë syresh të ardhur nga jashtë, si p.sh.,
arkitektët italianë të “Shoqërisë për Zhvillimin Ekonomik të
Shqipërisë”. Qysh prej viteve 1920, arkitektë dhe inxhinierë italianë u
ftuan në Shqipëri nga Zogu për të larguar “shpirtin e keq” oriental të
qytetit dhe për t’i dhënë atij një imazh të evropianizuar. Shumë pak nga
karakteri i saj i mëparshëm i mbeti Tiranës, ndërsa bombardimet dhe
marrëzia antifetare i asgjësoi ato pothuajse krejtësisht. Vetëm 6-7
monumente të qytetit sot japin një ide si ka qenë qyteti para 1920-ës.
Sa është diskutuar publikisht kjo masakër edhe çfarë ndikim ka pasur
debati? Besoj se veç specialisteve të njohur në fushë, si Besnik Aliaj,
Indrit Bleta, Nikelina Bineri etj., trauma e tiranasve të vjetër për
Tiranën e shkatërruar prej ‘jabanxhinjve’ do të mbetet trauma e
patrajtuar e tyre për sa kohë tema nuk merr përmasat që i takon.
Shkatërrimi i trashëgimisë kulturore prej regjimit komunist
Mbi këtë çështje është shkruar dhe diskutuar më shumë krahasuar me
temën e mëparshme, kryesisht për shkak të prishjes së monumenteve
fetare, diskutimit dhe pretendimeve në bazë të saj nga komunitete fetare
në Shqipëri dhe nga studiues shqiptarë edhe të huaj. Megjithatë as kjo
çështje nuk është edhe aq e hulumtuar ose e debatuar sa duhet. Sa për
shembull, vëmë re me pikëllim shfarosjen e folklorit të vjetër shqiptar
për fëmijët si ‘zakon prapanik’ dhe zëvendësimin e tij me këngë dhe
përralla me përmbajtje socialiste.
Ç’është më tepër shqetësuese se kjo? Në vend që të hulumtohet
thellësisht dhe urgjentisht çështja me qëllim gjetjen dhe mbledhjen e
këngëve dhe përrallave folklorike (dhe jo popullore) shqiptare përmes
kërkimit në botime të vjetra në Shqipëri dhe në diasporë (p.sh., ka një
mori punimesh për përrallat e arvanitasve në Greqi), dhe intervistimit
të të moshuarve që i mbajnë mend, në vitin 2011 shkrimtari i fëmijëve
Pandeli Koçi (i njohur më tepër si Sazan Goliku) e ‘mbyll fushatën’ për
rikoleksionimin e trashëgimisë folklorike të paprekshme fëmijërore me
frazën: “Vetëm pas Luftës së Dytë Botërore letërsia për fëmijë në
Republikën e Shqipërisë dhe në hapësirat shqiptare në Kosovë, Maqedoni,
Mal i Zi e Luginë të Preshevës … do të zhvillohej në sasi e cilësi dhe,
si pasojë, edhe kritika letrare e studimet e thelluara për të”,
shkëputur nga “Ravgime nëpër kritikën e letërsisë sonë për fëmije”.
Traumat e shkëputjes së dhunshme të popullit shqiptar nga folklori i vet
fëminor nuk është mbyllur dhe ndoshta s’ka si të mbyllet derisa të
rizbulohet kjo trashëgimi, ose të zëvendësohet tërësisht nga folklori i
huaj ose vendas – të adoptuar prej monizmit.
Gruaja e një figure të shquar të demokracisë në Shqipëri, tani
gjyshe, më tregonte me pikëllim se s’po gjente këngë fëmijësh të
pandikuara nga regjimi i Enver Hoxhës. Vetë vjehrra ime po regjistron
nënën e saj 92-vjeçare, e cila “di këngë dhe përralla prej vërteti”. A
nuk është traumë që nënat ta kenë të pamundur t’u këndojnë nipërve dhe
mbesave në gjuhën dhe përmbajtjen që u tingëllonte nënave shqiptare në
shpirt para se regjimi totalitar i monizmit të depërtonte deri në djepin
e foshnjave?
Shkatërrimi i trashëgimisë komuniste
Monumente nga koha e komunizmit ruhen deri më sot fal ose mbrojtjes
nga shteti (p.sh., lapidari i Adem Rekës në portin e Durrësit), ose nga
procesi i rikuptimbërjes së monumenteve komuniste, si p.sh., restaurimi i
Kodrës së Rilindësve prej Bashkisë së Gjirokastrës para zgjedhjeve të
2011-ës, pas skandalit të përdhosjes së varreve të rilindësve, me
qëllime të pastra politike dhe në kontekstin e rimëkëmbjes së
nacionalizmit në vend. Edhe pas gjithë këtyre investimeve sot Kodra e
Rilindësve mbetet e përdhosur nga grafiti i vendasve, tregues të
mungesës së një kuptimi të ri të përbashkët për këtë monument dhe të
faktit se Bashkia e Gjirokastrës investoi te monumenti, por nuk investoi
te pajtimi i vendasve me të kaluarën duke menaxhuar kujtimin e këtij
monumenti. Gjithë trashëgimia tjetër u shkatërrua ose u la në mëshirë të
fatit, si çështja e rrëzimit të Piramidës, një nga ngjarjet e fundit.
No comments:
Post a Comment