Tuesday, October 15, 2013

Analiza Nga ROBERT GORO Bushati – Venizelos, një rezultat shahistik: 0.5 - 1


Analiza Nga ROBERT GORO
15 Tetor 2013 - 06:41




TIRANE- Lexova mbrëmë në Facebook një titull bombastik: “Shqiptarëve u ngrin buzëqeshja. Venizelos: Na jepni detin, të heqim ligjin e luftës”. Nëse nuk kisha lexuar me shumë vëmendje, dhe madje në dy gjuhë, deklaratat e dy ministrave, Bushati e Venizelos pas takimit të tyre si dhe pyetje-përgjigjet e pakta me gazetarët, do të kisha menduar se diçka tragjike paska ndodhur në atë takim. Por leximi im dhe besoj, i shumëkujt, ishte ndryshe nga titulli bombastik që përmenda në krye.
Dhe ky lexim ndryshe më rezulton pikërisht nga ato çka dy ministrat thanë publikisht.
 
Ditmir Bushati:
1.“Ecuria e deritanishme e marrëdhënieve mes dy vendeve tona, ka nevojë për një hov cilësor që do të mundësonte kontaktet më të shpeshta në të gjitha nivelet politike dhe teknike dhe takimet e përbashkëta midis dy qeverive”.
2. “Besojmë se riaktivizimi i mekanizmave të parashikuara nga Traktati i Miqësisë dhe Bashkëpunimit, shoqëruar me heqjen e ligjit të luftës të 1940 nga ana e Greqisë, do të krijonte një mjedis të ri të besimit të ndërsjellë”.
3. (Për marrëveshjen e detiti): “Duam t’i adresojmë të gjitha çështjet, si ato që konsiderohen si pengesa historike, por edhe ato që kanë lindur rishtazi me kurajo dhe vullnet politik bazuar në legjislacionet e vendeve respektive, parimet e themeluara të së drejtës ndërkombëtare në fushën e detit, në rastin në fjalë dhe natyrisht eksperiencave më të mira, sepse e ardhmja  jonë është Bashkimi Evropian, familja evropiane”.
 
Evangelos Venizelos:
1. “Përveç Traktatit të Miqësisë dhe bashkëpunimit midis dy vendeve, ka shumë rëndësi ajo për të cilën u morëm vesh sot, pra, për një memorandum bashkëpunimi i cili ka të bëjë me përgatitjet dhe me hapjen e negociatave midis BE-së dhe Shqipërisë, për anëtarësimin e saj me të drejta të plota në BE.
2. Si Greqinë ashtu dhe Italinë që do të kenë presidencën e BE-së gjatë 2014, i lidh një marrëveshje detare për delimitimin e zonave ekskluzive dhe shelfit kontinental e lidhur që nga viti 1977. Ato parime dhe objektiva që ne zbatojmë janë zbatimi i së drejtës kombëtare detare në atë formë që ai ekziston dhe zbatohet sot. Dhe ashtu siç ne i kemi realizuar marrëdhëniet tona me të gjitha vendet e BE-së për këtë problem, ashtu dëshirojmë të vazhdojmë edhe me Shqipërinë sepse edhe Shqipëria, pas pak do të bëhet anëtar i BE-së”.
3. “Gëzohem sepse vendosëm që të rimblidhet edhe Komisioni Dypalësh për çështjen e varrezave ushtarake. Gjithashtu gëzohem sepse do të riaktivizohen të gjitha ato komisione të përbashkëta për të diskutuar të gjitha ato çështje që ne na lidhin dhe janë në interesin tonë”.
 
Çfarë kanë thënë konkretisht Bushati e Venizelos për “Marrëveshjen e Detit”? Kanë thënë atë që normalisht do të thoshte kushdo, pra se zgjidhja duhet kërkuar në parimet e të drejtës ndërkombëtare për të drejtën e detit (Bushati) dhe: Ashtu siç Greqia ka realizuar marrëdhëniet me të gjitha vendet e BE-së për këtë problem, ashtu dëshiron të vazhdojë edhe me Shqipërinë (Venizelos).

Asnjë ngrirje buzëqeshjeje, për mendimin tim modest. Thjesht konfirmim i dëshirës së mirë të të dy palëve, për të nisur punën e zhbllokimit të çështjeve të nxehta e bashkë me të edhe të zhbllokimit të marrëdhënieve, të cilat që prej më shumë se tre vjetësh ndodhen në një nga nivelet më të ulëta historikisht.
Do të kishte shumë interes të dinim se çfarë kanë biseduar, e sidomos ku kanë konkluduar bisedimet e dy delagacioneve, ku mendohet se është shtruar e gjithë problematika e marrëdhënieve dypalëshe, ku përfshihen edhe çështje thellësisht praktike e me impakt të drejtëpërdrejtë, sidomos në jetën e emigrantëve. Në pamundësi për ta zhbiriluar këtë ekuacion të vështirë, mjaftohemi vetëm me ato që dy ministrat thanë publikisht.

Ndërkaq, duhet thënë që nëse i referoheshim me terma shahistikë takimit të dy ministrave të jashtëm, rezultati i tij, gjithmonë për mendimin tim, do të ishte 0,5 : 1 në favor të Venizelos. Sepse ministri i jashtëm grek largohet nga Tirana me të paktën një kërkesë të përmbushur, atë për rimbledhjen e komisionit për varrezat greke. Ndërsa Bushati mori pajtimin e ministrit të jashtëm grek për riaktivizimin e mekanizmave të traktatit të Miqësisë. (Kjo ndërkaq nuk mund të konsiderohet një fitore, pasi: së pari, riaktivizimi është edhe në interes të Greqisë, dhe së dyti, pse ky riaktivizim ishte vendosur edhe në vitin 2004 në takimin e ish kryeministrave Karamanlis e Nano).
 
Mirëpo, pavarësisht rezultatit që përmenda, guxoj të them se përballja e parë e vërtetë diplomatike e Bushatit, ka dalë me sukses. Ka një moment në deklaratën e tij që ndoshta do të jetë motoja, modus operandi i diplomacisë shqiptare tash e tutje, sa i përket politikës ballkanike: “Sot është momenti që realiteti të shihet në sy, të tejkalohen pengesat e së shkuarës, ato që njihen si pengesa historike një nga një, sepse ne duam të pasurojmë gamën e bashkëpunimit dypalësh rajonal dhe evropian dhe jo t’i lemë terren nacionalizmit folklorik që në mungesë të adresimit të kësaj çështjeje (shënimi ynë: çështja çame) dhe çështjeve të tjera, në përputhje me praktikën ndërkombëtare, tenton që ta mbajë peng marrëdhënien mes dy popujve miq dhe pse jo, në disa raste të shkojë në absurditet që nuk i shërben marrëdhënieve tona të konsoliduara”.

Me këto pak rreshta, Ditmir Bushati ka përcaktuar problemin më të madh në raportet që kanë mesvedit fqinjët ballkanikë e jo vetëm Shqipëria dhe Greqia. Por edhe rrugën e kapërcimit të këtij problemi.

Sepse, nuk do të ekzagjeroja po të thoja se, edhe ai që konsiderohet aktualisht si problemi më i madh (i përbashkët) në raportet Tiranë-Athinë, pra marrëveshja e detit, u trajtua madje edhe nga kryeministri i sotëm pikërisht si “nacionalizëm folklorik”. Ashtu siç trajtohet gjerësisht edhe problemi çam. Sepse deri më sot, nga asnjera prej dy forcave kryesore që kanë qeverisur vendin, nuk kemi parë një platformë, një “hartë rrugore” për zgjidhjen institucionale të këtij problemi (çam); ndoshta pse pakkush është i interesuar për një zgjidhje të mirëfilltë, por veç kërkon ta mbajë përjetësisht si një “gozhdë të Nastradinit” – mirëpo kjo është një temë tjetër...
 
Siç kisha thënë dhe në komentin tim në ABC NEWS të hënën paradite, nuk pritej ndonjë lajm impresionues nga vizita e ministrit të jashtëm grek. Por kisha uruar që të paktën të dilte diçka për dy tema të përfshira në axhendë, sigurimet shoqërore të emigrantëve shqiptarë në Greqi, si dhe problemin e toponimeve. Shumëkush prej emigrantëve ndoshta ndjen një zhgënjim, që në deklaratat e dy ministrave nuk u tha asnjë fjalë për këto dy probleme.

Por nga ana tjetër, dua të besoj se akulli është thyer përfundimisht dhe se ujëra të kthjellta do të fillojnë të rrjedhin më në fund në shtratin e marrëdhënieve shqiptaro-greke. Dhe gradualisht do të vijnë edhe lajmet e mira, si për emigrantët, ashtu edhe për çështjet që më së shumti i interesojnë opinionit mbarëshqiptar. Dhe, për fund, lejohem të përdor shprehjen time të stërpreferuar kur shkruaj për këtë temë: Koha (e afërt?) do ta tregojë...
 
*) Autori është botues i gazetës Tribuna në Greqi dhe autor i librit “Athinë-Tiranë, ditari i krizave”

Shkrimi u publikua sot (15.10.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com) - See more at: http://www.shqiptarja.com/analiza/2709/bushati--ndash--venizelos-nje-rezultat-shahistik-0-5---1-182295.html#sthash.Cx979lu5.dpuf

No comments: