Tuesday, October 15, 2013

Shtypi shqiptar: Një “lojë luftash” e panevojshme

 
Postuar në: Editorial |
mero 






Nga Mero Baze

Pas një periudhe të gjatë raportesh të kompleksuara nga inferioriteti dhe dyshimet mes Berishës dhe politikës greke, socialistët e rinj që kanë ardhur në pushtet, duket se duan të bëjnë një diferencë që po ashtu buron nga kompleksi i tyre “i miqësisë” me Greqinë.
Në të vërtetë nuk ka ndodhur ndonjë gjë që përbën lajm, por thjesht gazetarët në Tiranë kanë kohë që nuk u ka zënë veshi përmendjen e problemeve historike mes dy vendeve. “Çështja Çame” dhe “Ligji i Luftës”, janë probleme të mbartura, por që nuk e dominojnë raportin mes dy vendeve, pasi në vitin 1996 është nënshkruar Traktati i Miqësisë mes dy vendeve, që tejkalon çdo atavizëm të luftërave mes dy vendeve.
I vetmi problem mes dy vendeve, i prodhuar nga servilizmi i Berishës, është çështja e kufirit ujor me Greqinë, e cila duhet të zgjidhet sipas një standardi ndërkombëtar të pranuar nga të dy palët. Por këtu kemi një problem. Berisha u rikthye në pushtet nën paranojën se herën e parë e zbuan nga pushteti grekët dhe sjellja e keqe ndaj tyre, dhe u përfshi në marrëveshje të pandershme me politikanë konjukturalë grekë, boll që të mos e bezdisnin. Socialistët vijnë nga një histori miqësie me Greqinë dhe shumë të mirëpritur atje, dhe duket se duan të tregohen si të ndryshëm nga Berisha, duke dominuar një vizitë zyrtare me tema historike.
Por Shqipëria dhe Greqia kanë përpara një axhendë tjetër, të cilën ne duhet të dimë ta përdorim. Shqipëria po shkon drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian dhe Greqia është një vend kyç, i cili duhet të jetë në krahun tonë në rrugë. Ajo do të jetë pas pak vendi që do të ketë kryesinë e Bashkimit Evropianë dhe duhet ta kemi avokatin tonë kryesor. Ne kemi rreth 700 mijë shqiptarë të rinj në Greqi, që po i rezistojnë krizës greke nga paniku që kanë të kthehen në atdheun e tyre të varfër, dhe po shkojnë drejt integrimit përfundimtar në Greqi. Ata kanë 20 vjet që punojnë për vete dhe për Greqinë, dhe janë nën panikun e pensioneve të pasigurta dhe kontributeve të panjohura. Ne kemi ende Greqinë partnerin tonë kryesor në biznes dhe tregti, dhe një lidhje të fortë të ekonomisë sonë në jug të vendit me veriun e Greqisë. Ne kemi sot mbi 1 milion shqiptarë, që falë emigracionit flasin greqisht, dhe një kulturë bashkëjetese me grekët në Shqipëri, e pashembullt në një vend tjetër të Ballkanit.
Axhenda kryesore shqiptaro- greke duhet të jetë përpjekja për të imponuar një mentalitet perëndimor në raportet mes dy vendeve, një kulturë të injorimit dhe përçmimit të problemeve që ngjallen nga historitë e tmerreve mes dy vendeve, që nuk kanë qenë të pakta. Në Greqi ka shumë njerëz më të zellshëm se në Tiranë që ta mbajnë kokën mbrapa dhe ta kthejnë kohën mbrapa. Ka plot grekë të marrë që flasin për Vorio- Epirin dhe sillogje, që jetojnë me shpresën se mund të ndezin zjarre me qirinj kishash, ashtu si në Shqipëri ka plot njerëz, bile dhe viktima të historive të shëmtuara mes dy vendeve, që nuk ia përtojnë të mbajnë luftën ndezur. Diplomacia shqiptare dhe ajo greke në vitin 2013, 100 vjet pas Venizelosit parë, nuk mund të dominohet nga “Megali Idea” dhe as nga ëndrra  e pashallëkut të Ali Pashë Tepelenës.
Ne duhet të flasim me grekët ashtu siç sillemi me njëri- tjetrin. Dhe e vërteta është se duhet krijuar një klimë e patolerueshme për problemet mes dy vendeve. As Greqia, por sidomos ne, nuk kemi fuqi dhe energji të tepërta t’i shpenzojmë për probleme që janë tejkaluar me shumë mund. Mes dy vendeve ka një Traktat Miqësie, që injoron një copë letër që u ka ngelur si ligj lufte dhe nuk mbyll zgjidhjen e çështjes së pronave çame. E vetmja rrugë që këto çështje të bëhen tërësisht të pavlefshme, është që Shqipëria dhe Greqia të jenë dy vende të Bashkimit Evropian dhe të mos i japin asnjë rast njëra- tjetrës që të inkurajojnë mentalitete lufte me njëra- tjetrën.
Unë e gjej me vend që ministri jonë i Jashtëm i përmendi problemet e mbetura pezull nga historia, dhe po me aq vend faktin që ministri grek pa asnjë kompleks paraqiti pozicionin e vet. Por nuk e gjej me vend të festojmë pse po kujtojmë luftën mes dy vendeve. Është një luftë fallco, që realisht nuk po ndodh. As në Athinë dhe as në Tiranë nuk mendon njeri për të. Dhe shumë mirë që nuk po mendojnë. Ashtu si Berisha që kishte komplekse nga anti-greqizimi i tij i sëmurë, në thelb anti-ortodoks, ashtu dhe ekipi i ri socialist vuan nga kompleksi se janë të mirëpritur në Athinë dhe nuk e kanë problem të duken sikur po vendosin “kufirin tek thana”. Është një “lojë luftash” e panevojshme! E vetmja luftë që vlen mes dy vendeve, është që të imponohet një komunikim perëndimor mes dy vendeve. Si evropianë do të kemi më të lehtë të bëjmë dhe historinë tonë të përbashkët pa komplekse.

No comments: