Saturday, November 02, 2013

Shumë zhurmë për një akt të zhbërë-Me dekret presidencial u shpall gjendja e luftes me Shqiperine ne 1940 -po me dekret peridencial u hoq ne 1987


» Dërguar më: 02/11/2013 - 06:55
"Në ato kushte, menjëherë u firmos nga Mbreti Jorgos i Greqisë dhe me kundërfirmë të kryeministrit Metaksa, dekreti që shpallte gjendjen e luftës me Shqipërinë" 









 " më 1987 Presidenti i Republikës së Greqisë në atë kohë, Karamanlis nxori dekretin përkatës (te heqjes se ligjit te luftes me kundërfirmë të kryeministrit, Papandreu (Andreas)".



Nga: ILIR DHIMA

Çështja e të ashtuquajturit ‘ligji i luftës’, që sipas disa burimeve jozyrtare nga të dyja anët e kufirit, Greqia vazhdokërka ta mbajë në fuqi ndaj Shqipërisë, shpeshherë përmendet në mediat tona, nëpërmjet artikujve dhe bisedave me autorë edhe nga radhët e intelektualëve të njohur të vendit, si pikë referimi për disa veprimtari të kontestueshme në kuadër të marrëdhënieve bilaterale midis dyja shteteve fqinje. Ky diskutim i përhershëm me ulje-ngritjet dhe me dritëhijet e veta, ka qenë i pranishëm gjithashtu kohëve të fundit, kur u mbushën 73 vjet që nga fillimi i Luftës Italo – Greke (28 tetor 1940), gjatë së cilës, një pjesë e territoreve jugore shqiptare u shndërruan në shesh betejash të kësaj lufte.
Keqkuptimet rreth lënies në fuqi apo edhe shfuqizimit të këtij akti juridik vazhduan të pasqyrohen edhe me rastin e vizitës në Tiranë të ministrit të Punëve të Jashtme dhe njëherësh zëvendëskryeministër të shtetit aleat strategjik, Evangjelos Venizellos, vizitë që i priu ardhjes këtu të Karolos Papulias, para përfundimit të mandatit të këtij të fundit si President i Republikës së Greqisë, i njohur prej kohësh për dashamirësi të veçantë ndaj Shqipërisë e popullit të saj dhe si kontributor i spikatur për forcimin e fqinjësisë së mirë midis dy vendeve tona. Në konferencën e shtypit që zhvilluan dy kryediplomatët pas takimit zyrtar të tyre, Ditmir Bushati bëri të ditur, veç të tjerash, se ishte biseduar edhe për ‘ligjin e luftës’. Ndërsa, kur gazetarët e pyetën Venizellosin se kur do të shfuqizohej ky ‘ligj’, përgjigjja që morën ishte: “Ai nuk ekziston më, është shfuqizuar që në vitin 1987!” Mirëpo, me sa u kuptua, ky sqarim nuk i bindi shumë prej nesh, të mësuar që ta përdorin çështjen e lënies apo jo në fuqi të ‘ligjit të luftës’ si temë bisedash, intervistash dhe artikujsh të ndryshëm në mediat vendase.
Prandaj të nesërmen, pothuajse të gjitha organet tona të shtypit i radhitën tekstet mbi këtë konferencë në krye të faqeve të para, ku nuk mungoi edhe titulli: “Shqipëria i tregoi ‘muskujt’ Greqisë”. Më pas, kur me rastin e përvjetorit të asaj ngjarjeje të kobshme që shkaktoi viktima, përsëri u bë fjalë për varrezat e ngritura këtu nga pala helene në kujtim të dëshmorëve grekë, reagimet e segmenteve të caktuara të politikës dhe shoqërisë shqiptare nuk mbetën pa përmendur edhe të ashtuquajturin ‘ligj i luftës’. Sikurse një hartograf i dëgjuar, sidomos gjatë viteve të fundit, pas nënshkrimit të marrëveshjes me Greqinë për delimitimin e ujërave detare, vështirë të kuptohej përse në një artikull të tij të javës së shkuar e lidhte nënshkrimin e kësaj marrëveshjeje, të shfuqizuar nga Gjykata jonë Kushtetuese, me ekzistencën e këtij ‘ligji’ kobzi. Dhe, një tjetër e lidh çështjen e pronave çame pikërisht me këtë akt. Kurse, një historian shumë i njohur dhe i vlerësuar për seriozitetin e kërkimeve apo studimeve të veta albanologjike, si edhe për deklaratat patriotike të mirëpritura nga shqiptarët, në një intervistë televizive u shpreh se, dekreti i vitit 1987, që përmendi Venizellosi, ende nuk është ratifikuar nga Parlamenti grek, ndaj edhe nuk mund të konsiderohet i shfuqizuar nga pala fqinje ‘ligji i luftës’.
Le të mos përmendim një nga një të tjera prononcime të tilla, por mendoj që, kur në krye të javës së ardhshme pritet të vijë në Tiranë Karolos Papulias, nuk do të ishte e justifikueshme që pasqyrimin e kësaj vizite zyrtare ta shoqëronte prej nesh refreni i keqkuptimeve për qenien në fuqi apo shfuqizimin e pjesshëm të këtij akti juridik. Në këtë kontekst, ndoshta ia vlen që ta njohim lexuesin, qoftë edhe shkurtimisht apo në mënyrën më lakonike të mundshme, me historinë e këtij akti ndërkombëtar dhe me të vërtetën e shfuqizimit të tij 26 vite më parë. Për këtë synim, duke iu përmbajtur kriterit kohor në zhvillimin e ngjarjeve, janë shfrytëzuar burime zyrtare kryesore dhe anësore, si edhe libra të disa akademikëve tanë të nderuar, çka as nuk do t’i citojmë dhe as nuk do t’i përmendim konkretisht, për shkak të formatit të kufizuar që mban zakonisht një artikull gazetaresk.
Pas pushtimit të Shqipërisë nga Italia fashiste e Musolinit dhe bashkimi i kurorës me Mbretërinë nën Dinastinë e Savojës, krerët e regjimit kuisling të Tiranës e zyrtarizuan rreshtimin e tyre në krah të Boshtit edhe me akte juridike për shpalljen e luftës ndaj Fuqive Antifashiste. Kështu, përveç kundërvënies së hapur që iu bë fillimisht Francës dhe Anglisë pas dekretit të Musolinit të 9 qershorit 1940, radha u erdhi dy dekreteve të 28 tetorit 1940 të firmosura nga mëkëmbësi i Mbretit, Jakomoni, së bashku me kryeministrin e qeverisë-kukull të Shqipërisë, Vërlaci. Në të parin parashikohej deklarimi i gjendjes së luftës mesnatën e asaj date në disa prefektura të Shqipërisë së mesme dhe asaj jugore, ndërsa në të dytin, shtrirja e kësaj gjendjeje gjatë bregut të detit prej Grykës së Bunës deri te ajo e Matit për një thellësi 15 kilometrash. Ndërkohë, po atë ditë, pas njoftimit për mundësinë e një “okupimi paqësor” të disa pikave strategjike të Greqisë nga Italia, që i bëri ambasadori i saj në Athinë kryeministrit Metaksa, ky i fundit u përgjigj prerazi, se “kjo do të thotë luftë!” (kjo “jo!” vazhdon të përkujtohet me festime nga popullsia greke më 28 tetor të çdo viti). Në ato kushte, menjëherë u firmos nga Mbreti Jorgos i Greqisë dhe me kundërfirmë të kryeministrit Metaksa, dekreti që shpallte gjendjen e luftës me Shqipërinë.
Me çlirimin e vendit tonë nga pushtuesit nazi– fashistë, kur shteti shqiptar po ngrihej më këmbë, Këshilli Antifashist Nacionalçlirimtar, si organi ligjvënës deri në shpalljen e Republikës nga Asambleja Kushtetuese, miratoi ligjin nr. 61, datë 17 maj 1945, me anë të të cilit shfuqizoheshin të gjitha normat juridike të nxjerra gjatë kohës së okupacionit italian dhe atij gjerman. Ndërkohë, po t’i referohemi nenit 1 të këtij ligji, normat e mësipërme shpalleshin, gjithashtu, edhe absolutisht të paqena për të gjitha efektet. Dhe ishte plotësisht e argumentuar, sepse pushtimi italian që nga 7 prilli 1939 solli edhe zhdukjen e sovranitetit dhe të pavarësisë së shtetit shqiptar, prandaj organet e krijuara nga pushtuesi nuk përfaqësonin veçse një vegël të tij. Kjo, nga pikëpamja e së drejtës ndërkombëtare publike u ripohua edhe në nenin 31 të Traktatit me Italinë, i nënshkruar pas Konferencës së Paqes zhvilluar në Paris, në të cilin lexohet që “Italia pranon se të gjitha marrëveshjet ose traktatet e arritura mes Italisë dhe autoriteteve që ajo kishte ngritur në Shqipëri që prej 7 prillit 1939 e deri më 3 shtator 1943 janë nul e të paqena” (gërmat korsive janë tonat). E pra, nuliteti i të gjitha akteve me karakter të brendshëm apo ndërkombëtar të shpallura nga këto autoritete kuislinge përfshinin, gjithashtu, edhe vendimin e qeverisë së Shefqet Vërlacit, për t’i shpallur luftë Greqisë, pas agresionit të Italisë fashiste kundër popullit grek.
Pikërisht, duke u bazuar në nulitetin edhe të atij akti, shteti shqiptar e hodhi poshtë pretendimin absurd të qeverive greke pas Luftës II Botërore, sipas të cilave, ekzistonte midis Greqisë dhe Shqipërisë “gjendja e luftës”. E nisur ndoshta mbi këtë bazë arsyetimi, në vitin 1973 qeverisja ushtarake e Athinës, e njohur me emërtimin ‘Junta e Kolonelëve’ (1967 – 1974) u detyrua të lidhte me vendin tonë marrëdhënie diplomatike në rang ambasadorësh. Mbetej që jo vetëm de facto, por edhe de jure të zhbëhej dekreti i 1940–s i mbretit Jorgos. Kush duhej ta ndërmerrte këtë veprim? Kushtetuta e Monarkisë greke përcaktonte, se shpallja e gjendjes së luftës dhe anulimi i saj mund të bëhej nëpërmjet një dekreti të mbretit me kundërfirmën e kryeministrit, pa implikuar kështu parlamentin. Përmbajtja e kësaj dispozite nuk u ndryshua në thelb as nga Kushtetuta e re demokratike, e cila parashikonte ndryshimin në Greqi të formës së regjimit, nga Monarki kushtetuese, në Republikë parlamentare. Kështu, anulimi i gjendjes së luftës mund të bëhej me dekret presidencial i kundërfirmuar nga kryeministri, duke mos iu dhënë për këtë akt ndonjë tagër pëlqimi apo ratifikimi deputetëve.
Vitet kalonin dhe më 1987 Presidenti i Republikës së Greqisë në atë kohë, Karamanlis nxori dekretin përkatës me kundërfirmë të kryeministrit, Papandreu (Andreas). Dhe, në hedhjen e një hapi historik të tillë nuk mund të mohohen edhe përpjekjet e Karolos Papulias, i cili në legjislaturën e atëhershme mbante postin e ministrit Plotësues të Punëve të Jashtme. Ishte po ky funksionar i lartë i Shtetit grek, që një vit më vonë, më 1988, mbërriti në Tiranë që të drejtonte këtu punimet e një Konference Ndërballkanike, e cila u bë preludi i daljes së shpejti të Shqipërisë dhe popullit të saj nga rrethi vicioz i izolimit politik dhe ekonomik. Dhe, në këto kushte mund të shpjegohet, veç të tjerash, edhe nënshkrimi në fillim të viteve ’90 i një Traktati Miqësie ndërmjet Greqisë dhe Shqipërisë, që u ratifikua nga parlamentet e të dyja vendeve, për të vijuar me nisma të përbashkëta, që për ne e kanë renditur Greqinë, pas Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Italisë, si një shtet aleat strategjik.
Zhbërja nga ky shtet fqinj i atij akti normativ, gjithashtu ia la Shqipërisë rrugën të hapur, që 20 vjet më vonë kjo të pranohej anëtare me të drejta të plota në Aleancën e Atlantikut të Veriut (NATO), si edhe për të pretenduar akordimin në dhjetorin e këtij viti të statusit të shtetit kandidat për në Bashkimin Europian dhe çeljen e bisedimeve për anëtarësim në Union gjatë gjysmës së parë të vitit të ardhshëm, kur Greqia merr kryesimin e radhës së Këshillit të Ministrave të BE. E pra, kur dy vende, ndërmjet të cilave qëndron si barrierë një akt zyrtar që legjitimon (qoftë edhe në mënyrë të njëanshme) gjendjen e luftës, kurrsesi nuk mund të çelen perspektivat e një të ardhmeje të dëshiruar bashkërisht nga popujt e tyre.

No comments: