Dhërmi, Rama shfuqizon koncesionin
Publikuar më 22.01.2014 | 18:16
0
0
Një koncesion që do të pushtonte plazhin e Dhërmit i dhënë nga
qeveria Berisha është shfuqizuar gjatë mbledhjes së sotme të qeverisë
Rama. Bëhet fjalë për vendimin e qeverisë Berisha i marrë në 1 gusht
2012, për të ngritur një fshat turistik në Dhërmi. Ky projekt do të
pushtonte plazhin e Dhërmiut për më shumë se 2 kilometra.
Gjatë mbledhjes së sotme të Këshillit të Ministrave, është
“shfuqizuar vendimi Nr.591, datë 1.8.2012, të Këshillit të Ministrave,
“Për përcaktimin e autoritetit kontraktues për zhvillimin e një projekti
koncesionar në zonat, plazh Dhërmi dhe plazh Perivoll, me karakter
turistik, panoramik dhe informues, ndërtimin e infrastrukturës përkatëse
dhe miratimin e bonusit në procedurën përzgjedhëse konkurruese që i
jepet shoqërisë “Eurokontakt”, sh.p.k.”, raporton “Shqiptarja.com”.
Vendimi për shfuqizimin e këtij koncesioni është marrë “në
mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 121 e 124, të
ligjit nr.8485, datë 12.5.1999, “Kodi i Procedurave Administrative të
Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të
Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes”. Ky vendim hyn në fuqi
pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
VENDIMI I DATËS 1 GUSHT 2012
Sipas një vendimi të fundit të qeverisë, botuar në Fletoren zyrtare,
qeveria Berisha kishte dhënë me koncesion zonat në plazh Dhërmi dhe
plazh Perivoll. Sipas vendimit, “autoriteti kontraktues për kryerjen e
procedurave ligjore për zhvillimin e një projekti koncesionar në zonat
plazh Dhërmi dhe plazh Perivoll, me karakter turistik, panoramik dhe
informues dhe ndërtimin e infrastrukturës përkatëse është bashkia
Himarë”.
“Miratimin e bonusit prej 2% (dy për qind) të pikëve, për rezultatin
teknik dhe financiar, në procedurën përzgjedhëse konkurruese (propozim i
pakërkuar), që i jepet shoqërisë “Eurokontakt”, sh.p.k”, thuhej në
vendimin e zbardhur të qeverisë Berisha në vitin 2012. Sipas qeverisë
Berisha për zbatimin e këtij vendimi, ishte ngarkuar bashkia Himarë.
/Shekulli Online/ E.B./
2 comments:
Paradoksi!
Kaluan 23 vjet gjoja demokraci dhe të gjitha qeveritë Shqiptare deri më sot akoma edhe me ne himariotët po lozin ″kungulleshat″, pasi do ishte njerëzore dhe demokratike që para çdo veprimi toka ose prona patjetër që duhet të kishte shkuar tek i zoti, pasi duhet ta dini se ne pronarët trashëgimtarë himariotë nuk mund të na mashtroni në përjetësi, se, nëse qeveria e Kryeministrit Edi Rama do që të ndërtojë Shtetin e së Drejtës, nga i cili lind një Shtet Ligjor i pastërt demokratik, nuk do ishte nevoja për vendime të tilla, kur ne himariotët kemi nevojë vetëm për një vendim, ashtu si e ka gjithë bota demokratike, që prona urgjent të shkojë tek subjekti i shpronësuar nga diktatura komuniste, sipas kufijve të çdo fshati të ndarë e të njohur në breza e shekuj, se vetëm kështu do rrëzoheshin jo vetëm konçesionet e çdo parejtësi, por autoatikisht do rëzonte edhe Kushtetutën e diktaturës komuniste të vitit 1976 që gjithë tokat tek ne i quajti shtetërore, ku për fat të keq edhe kjo Qeveri e ″Rilindjes″ akoma tokat tona i supozon si toka shtetërore, kur ne na le të ″livadhisim″, vetëm (edhe ato akoma të padokumentuara!) në ca shtëpi dhe varre të vjetër, sikur tek ne të mos egzistonte fare ajo e quajtura trashëgimia pasurore. Prandaj përsa kohë toka nuk do kthehet tek i zoti, demokracia dhe Evropa tek ne gjithmonë kanë për të munguar, dhe ky është shkaku kryesor që deri më sot vendin e saj e ka zënë kaosi, anarshia, krimi dhe korrupsioni, që thjesht tek ne i themi vjedhja dhe kusëria, thënë akoma më thjesht, barbaria!
Prandaj i bëj thirrje Kryeministrit Edi Rama, se ne himariotët nuk kemi nevojë për barbari pasi atë e kemi flakur me kohë, porse kemi nevojë për qetësi dhe demokraci e cila vjen vetëm atëherë kur ne do kemi vënë këmbën mbi tokën tonë të trashëguar nga të parët tanë, ndryshe turpi do mbetet i juaji se ne himariotët më në fund patjetër që do jemi të fituarit!
Very nice blog youu have here
Post a Comment