Tuesday, January 28, 2014

PSE PRONAT NË BREGDET DHE HIMARA DUHET TË KENË STATUS TË VEÇANTË-nga PriamoBollano dhe Jorgji Hanxhari


sent by J. Hanxhari

                                                               Prof. Dr. Priamo Bollano  
                                                                  Prof. Asoc. Dr. Jorgji Hanxhari

        Përmes gazetës “Shqiptarja.com”, të datës 9 Nëndor 2013, si  bij të Himarës, i dërguam një Letër të Hapur Kryeministrit të Shqipërisë, zotit Edi Rama. Përmes saj  kërkonim: a) kthimin e pronave në Bregdetin Jonian, mbështetur në parimin kushtetues të trashëgimisë, sipas disponimit nga  Bregdetasit në vitet 1945-46, para kryerjes së Reformës Agrare  nga qeveria e asaj kohe, dhe b) rishikimin e statusit të tanishëm të Himarës, në kuadrin e Reformës territoriale, që po diskutohet aktualisht, mbi bazën e një projekti, për detajet e të cilit nuk është bërë asgjë publike.
     1.-  Është  normale dhe në logjikën e gjërave që, ndaj opinioneve, gjykimeve dhe versioneve të ndryshme, të shfaqura nga individe, shoqëria civile apo nga grupet e interesit, të ketë reagime dhe qëndrime të kundërta. Kështu ndodhi edhe me mendimet e shprehura prej nesh në Letrën e mësipërme.  Deri këtu s'ka gjë për t'u çuditur. Çudia qëndron në faktin se tek disa prej lexuesve, ato krijuan një reagim ekstrem dhe të pashpjegueshëm. Një pjesë prej tyre, të cilët nuk janë anëtarë të Komunitetit Himarjot, kërkesat tona  i gjykoi  dhe i trajtoi nga pozitat e një  nacionalizmi romantik, të ashpër dhe shovinist, sikur me ‘to do të përmbysej bota.  Sipas konceptit të tyre, dhënia e pronave  Bregdetasve,  sipas trashëgimisë, si dhe rishikimi i statusit të Himarës, është diçka që bie ndesh me realitetin, apo ishin kërkesa të shprehura jo në momentin e duhur, aq më shumë jo si një e drejtë e ligjëshme e fjalës së lirë dhe shprehje e opinionit dhe dëshirës së shumicës së banorëve të Bregdetit Jonian.  Nisur nga një pozicionim i tillë, edhe këtë radhë, sikurse ka ndodhur shpesh vitet e fundit  në trajtimin e ndonjë ngjarjeje të ndodhur në Himarë, kerkesave tona të ligjëshme, i u veshën padrejtësisht gjëra të pa qëna.

     Është për të ardhur keq që, edhe sot në epokën e globalizmit dhe të synimit drejt integrimit Europjan, në Shqipëri të qarkullojnë zëra sikur e drejta e ligjëshme për të kërkuar pronat e të parëve dhe për të shfaqur lirisht mendimin për statusin e Krahinës së Himarës, të gjykohet e të trajtohet, diku si pararendës për  autonomi, diku  si  frymëzim apo nxitje nga të tretët,  duke nënkuptuar  politikën helene, apo diku tjetër,  si  paralajmërim për mos dhënien nga Greqia të okeit për satusin e  kandidatit të Shqipërisë për në BE,  apo edhe te tjera sofizma të kësaj natyre.

      Në esencë, gjykime dhe trajtime të tilla,  janë shtrëmbërim i hapur i të vërtetës. Qëndrimeve të kësaj natyre u pështatet fort mirë thënia e publicistit  shqiptar Gazmend Kapllani se: “shqiptarët me sa duket nuk janë paqtuar me historinë e tyre të ndërlikuar dhe jetojnë ende në një luftë civile të heshtur...” dhe se ata “ e jetojnë atë ( dmth historinë-shën. i yni) si bardhë e zi, ose këndej është e keqja absolute- andej është e mira absolute.”

      Shtrëmbërimet e kësaj natyre kanë shërbyer e shërbejnë si burim frymëzimi, të elementëve të veçantë, idhtarë të nacionalizmit romantik të sëmurë , që popullin, Krahinën dhe ngjarjet që ndodhin në Himarë, i shohin me syrin e keq dhe, në rastin më të mirë, i kthejnë në një debat të gjatë e pa krye.  Prandaj, në mjaft shkrime, biseda, pamflete, saite, etj jo rrallë sheh e dëgjon të pyetet, se: ç’janë himariotët, apo ç’është Himara?! Ndodh që shtrembërohen faktet dhe dokumentet historike, duke arritur deri atje sa ta quajnë Himarën si ‘’Bregu i Labërisë’’ apo t’i emërtojnë Himariotët  si “Lebërit e Himarës” ose “Kaon himariot”, ndërsa historinë mijëra vjeçare të Himarës ia atribuojnë pa të drejtë Labërisë!  E vërteta historike, bazuar mbi dokumente tashmë të pakontestueshme, është se vete ajo që sot quhet Labëri, ka qënë pjesë përbërëse e një zone shumë më të gjërë, që  njihet si Krahinë e  Himarës ose Krahina e Akroqeravnës, e cila  përfshinte gjithë zonën, që nga Tragjasi, Lumi i Vlorës, Kurveleshi e deri në Delvinë.

       Pra, Himara si krahinë ka një histori të veten. Dhe si e tillë duhet shkruar dhe interpretuar. Ndërsa shtrëmbërimet e mësipërme jane keqdashëse dhe larg realitetit historik. Ato, në kundërshtim me vetdijen historike, nuk i shërbejnë  aspak miqësisë e vëllazërimit të popujve, as edhe zhvillimit e përparimit të vendit në tërësi, por i shërbejnë vetëm përçarjes dhe vëllavrasjes. Në rastin më ekstrem ato synojnë të gjejnë armiq imagjinarë e të pa qënë, duke viktimizuar   komunitetin himariot, dhe me dashje  ose pa dashje, ushtrohet mbi të  një  presion sistematik e i padeklaruar, që siç ka ndodhur vitet e fundit, ka çuar deri në humbje të jetës.
     Nje rast tipik i shtrëmbërimit të vërtetave historike, përbën libri “Kuçi i Labërisë ndër shekuj”.  Për të kuptuar se deri ku shkon fantazia dhe falsifikimi i historisë, mjafton t'i themi lexuesit  se, në këtë libër, shkruhet se Kuçiotët kanë patur prona në Panorm (siç quhet sot Porto Palermo), se ata paskan banuar aty, madje kanë patur edhe një xhami, e ndërtuar nga Ali Pashë Tepelena! Arrihet deri aty, çka përbën një falsifikimi flagrant të historisë, sa që sukseset e Himariotëve ndaj dy Sulltanëve, më 1492 dhe 1537, dhe nënshkrimin e venomeve prej tyre, t’i paraqesin si fitore të  Kuçit dhe të Kuçiotëve!

      Dëshira e Kuçiotëve dhe e të tjerëve, për të patur toka në Himarë dhe në fshatrat e saj, ka qenë e përhershme. Është fakt se  ata asnjëherë nuk mundën ta realizonin ëndrën e tyre. Historia flet shumë për këtë. Siç shkruan në kujtimet e veta Mësuesi i Merituar Janko Pali: Himariotët qenë trima, qenë shumë, qenë të pasur në armë, në paisje, në miq, ndihmoheshin lehtë nga deti, e kjo bëri që kuçiotët, pas disa tentativash periodike plot dëm karshi Himarës, s’guxuan më ta sulmojnë haptazi”.
Ndërsa, sa për xhaminë e tyre, që gjoja ndërtuan në Lerë, ajo ngeli një gërmadhë e braktisur, reliket e  së cilës ruhen deri në ditët tona.  Kuçiotët nuk mundën të përfundonin ndërtimin e saj, mbasi  Himariotët, të ndihmuar përmes detit edhe nga francezët e Bonapartit që ndodheshin në Korfuz, i dëbuan nga Himara, së bashku me taborret e Ali Pashë Tepelenës,  të dërguara për ndihmë dhe që përbëheshin nga shqiptarë të islamizuar të fshatrave të Kurveleshit .
       Historikisht  Himara, e njohur që para 2600 vjetësh me këtë emër, edhe  gjatë sundimit Osman, kur kudo në teritoret e Arbërit dhe të Epirit, konsolidoheshin timaret dhe tokat  në teritoret e pushtuara u jepeshin spahinjve  dhe nëpunësve të lartë shtetëror, për shërbime të kryera ndaj Perandorisë, nuk njojti timare dhe  çifliqe dhe nuk kishte bejlerë dhe agallarë, ashtu sikurse shteti asnjëherë nuk ka patur prona të veta. Ndërkohë, në sajë të luftës,trimërisë dhe përpjekjeve të tij, himarioti dhe mbarë Bregdetasi, nuk u bë kurrë raya. Është kjo arësyeja që në  Krahinën e Himarës, tokat bujqësore me gjithëse të kufizuara, pa toka arë, por kryesisht ullishte, pemishte, vreshta dhe agrume, kanë qënë përherë pronë private e familjeve himariote, pronë e institucioneve fetare  (kishës), ndërsa mushat, kullotat dhe shkurret kanë qënë pronë e përbashkët e fshatit.

Për tokat dhe në tërësi për pronat, që dispononin familjet himariote dhe të mbarë Bregdetit Jonian, në vitet e Mbretërisë së Zogut  dhe  gjatë regjimit  komunist, deri në krijimin gjoja vullnetar të kooperativave bujqësore, i jepnin shtetit në mënyrë të detyruar pjesën më të madhe të prodhimeve të tyre në ullinj dhe agrume, si dhe, me gjithëse nuk prodhonin, i jepnin shtetit edhe drith, mish, lesh, vezë, etj. Në të njëjtën kohë ato paguanin, në përputhje me politikën fiskale të kohës, tatimin financiar për ekonomitë bujqësore, që shpesh kapte shifra marrëmëndese . Vetëm  një pjesë e vogël e të ardhurave dhe e prodhimeve të përfituara nga puna e mundimëshme e investuar në tokat bujqësore, mbetej për nevojat  familjare të banorëve të Krahinës.

Ndërkohë, në regjistrat fiskale dhe në ato të dorëzimit të detyrueshëm të kohës, ashtu sikurse edhe në pasqyrat e Komiteteve të Fshatarëve të Varfër, ngritur në vitet 1945-1946 nga pushteti komunist, për kryerjen e Reformës Agrare, nuk figuron asnjë familje johimariote, që të posedonte dhe të ishte pronare tokash në Himarë. Vetëm në vitet   e së ashuquajturës Demokraci dhe me ndihmën e përkrahjen e makinës shtetërore qëndrore dhe asaj vendore, u shfaqën si pronarë të ligjshëm, jo vetëm familje himariote me pak tokë ose me origjinë blegtorë, por edhe mjaft të tjerë johimariotë. Dhe shëmbuj të kësaj natyre janë të shumtë. Ato janë denoncuar  në shtyp, në botime e konferenca shkencore, por edhe në institucionet përkatëse shtetërore nga Bashkia e Himarës, Komuniteti Himariot në Tiranë dhe sidomos nga Shoqata Atdhetare " Bregdeti". Por për të shuar kurreshtjen, le të përmëndim shkarazi se të dy shpellat historike në qendër të Himarës - në Spile, për vlerat historike që ato mbartin,  nga shteti  janë shpallur  monument kulture. Ndërkohë, në vitet e së ashtuquajturës Demokraci, mjaft jopronarë  vendas, me përkrahjen e makinës shtetërore qëndrore dhe asaj vendore, edhe këto shpella mundën t'i privatizonin. Dhe është fakt që, në hyrje të tyre, “pronarët e rinj”  bënë ndërtime  të ndryshme.  Shëmbuj të kësaj natyre janë të shumtë në Himarë dhe mbarë Bregdetin Jonian.

     Himara nuk është plaçkë, që mund të shitet e të blihet në treg,  gjë që  s’ka ndodhur as në kohët më të vështira të historisë së saj, sepse “ Himara dhe toka e saj u takon vetëm himariotëve”. Ndërkohë, Himara ka qenë dhe mbetet e hapur për të gjithë. Sikurse në të kaluarën, edhe sot himarioti është që askujt të mos i preket liria dhe të mos i cënohen të drejtat, si për atë që flet shqip, ashtu edhe për atë që flet greqisht. Në historinë mijra vjeçare të tij për mbijetesë , himarioti s’ka pasur dhe nuk ka kohë, por  edhe për traditë e zakon nuk e ka, qe të mendojë për territoret e të tjerëve, apo për  flamuj.   Himarjotëve u mjaftojnë tokat  dhe pronat që i u kanë lënë trashëgim të parët e tyre, por që Demokracia nuk i u a ka dhënë ende, sipas  kriterit kushtetues të trashëgimisë, ashtu siç i dispononin pronarët autoktonë para  kryerjes së Reformës Agrare  në Shqipëri. Sa për flamurin, himariotët e kanë patur edhe në vitet e  sundimit osman, kur në shtete të të tëra në rajon e më tej, në vend të  flamurit të tyre, valëvitej flamuri turk gjysëm-hënë.
     Në Bregdet, siç e kemi theksuar, tokat janë fryt i një pune kolosale njerëzore, i investimit të punës së gjallë dhe të materializuar të brezave të tërë, përmes së cilës shkëmbi dhe guri u shndërruan në mjet për sigurimin e ekzistencës,  përmes brezarëve të shumtë,  që fillojnë nga valët e detit e deri në gërxhet malore. Është ky mjedis antropogjen, që nuk gjëndet në asnjë rajon tjetër të Shqipërisë,  ndoshta edhe në  vende të tjera, madhështia dhe bukuria e të cilit shprehet vetëm përmes vargjeve brilante të Lefter Çipës “Himarë, e bukura Himarë, poshtë val’ e larte mal”!

     
    2.-  Krahas me problemin e  kthimit në natyrë të pronës pronarit të ligjshëm bregdetas, nje rëndësi te dores se pare, për zhvillimin dhe prosperitetin e Himarës dhe të mbarë Bregdetit Jonian, ka edhe trajtimi i statusit administrativ të Himarës. Lidhur me këtë, në kuadrin  e riorganizimit administrativ të teritorit të Shqipërisë, kemi kerkuar që Bregdeti Jonian, nga Palasa deri në Nivicë, të shpallet Nënprefekturë ose Rreth.
   Per ata që e keqkuptojnë këtë, theksojme se me kërkesën tonë  nuk kemi parasysh  ndonjë status të veçantë politik të  Himarës. Historikisht Himara ka pasur një status të veçantë. Në Mesjetë, brenda Perandorisë Osmane, Himara administrohej e ishte e organizuar sipas venomeve të saj. Dokumentet Osmane na përcjellin se deri në vitin 1912, Himara ishte një nahije më vete, që përfshinte fshatrat  Palasë- Qeparo , por edhe fshatra të tjera brenda hinderlandit. Deri në vitin 1916, Himara ishte Nënprefekturë, në vartësi të Prefekturës së Gjirokastrës e, më vonë, kaloi në vartësi të Prefekturës së Vlorës, status të cilin e ruajti edhe  në vitet e Mbretërisë së Zogut, deri në vitin 1949. Pas këtij viti, në përputhje me ligjën për ndarjen administrative tokësore të Shqipërisë, shkrihen prefekturat dhe nenprefekturat dhe krijohen  ndarjet administrative rreth dhe lokalitet. Në vitet 1953 deri me 1958, kur në organizimin administrativ të Shqipërisë u përfshi ndarja administrative qark, Himara morri statusin e rrethit, në vartësi të Qarkut të Vlorës, etj.

Flitet dhe shkruhet se Himara nuk mund të shpallet Nënprefekturë ose Rreth se, përveç të tjerave, ka një numur të kufizuar ose të pakët të popullsisë. Përdorimi i kriterit demografik, pra i numrit  dhe i madhësisë së popullsisë, si kriter ose si argument në përcaktimin e statusit administrativ të një Krahine ose Zone , nuk është fort bindës as edhe kriter i vetëm. Në rast se do të pranohej vetëm ky kriter, atëhere nuk do të kishim,siç kemi sot në botë, shtete të tilla që kanë një popullsi, numri i së cilës nuk i kalon disa dhjetra, ose në rastin më të mirë disa qindra mijra banorë. Prandaj. në përcaktimin e statusit administrativ të një Krahine, me të drejte, duhet të merren në konsideratë dhe faktorë të tjerë, sic jane: bashkësia komunitare dhe vetdija historike e banorëve, veçoritë gjeografike dhe ekosistemi i zonës, zakonet dhe doket, formimi historiko-kulturor  e shpirtëror  i popullsisë,  etj. Parë dhe trajtuar në kompleks, Himara i ka gjithë sa duhen për tu shpallur nënprefekturë ose rreth, me shtrirje nga Palasa deri në  Shën Vasil dhe Nivicë.

    Riorganizimi administrativ i Himarës në nënprefekturë ose rreth, me  2-3 komuna, do të afrojë më shumë pushtetin me popullin, do t’i shërbente decentralizimit të funksioneve publike,  do krijonte mundësinë që shumë probleme të karakterit  fiskal, të regjistrimit të pasurisë, të procedurave gjyqësore të shkallës së parë, të marrjes së pasaportave e të kartave të identitetit , të legalizimit të dokumenteve, etj.  që sot himarioti është i detyruar t’i kryejë në Vlorë, do t’i kryejë në Himarë.

Krahas me dhënien e pronave pronarëve trashëgimtarë dhe trajtimin e Himarës me statusin që i përket historikisht, për zhvillimin dhe prosperitetin e saj dhe të mbarë Bregdetit Jonian në tërësi, si zonë me përparësi e turizmit, do të kishte interes edhe  shpallja e Himarës ose edhe zonave të veçanta të Bregdetit si “zonë e lirë ekonomike ”,  ose  dhënia e koncesioneve për zhvillimin e turizmit, duke zbatuar të ashtuqujturin sistem të sponsorizimit me  çelës në dorë ” etj. Në këtë drejtim, ligjëshmëria shqiptare është e tillë që nuk bëhet pengesë, por pengesë është mos njohja si duhet e saj, si dhe puna e pakët që bëhet nga institucionet publike qëndrore dhe vendore, sipas përkatësisë, për vënien në jetë të kësaj ligjëshmërie.
                                   x                        x
                                               x
Kthimi i pronave pronarëve të ligjshëm bregdetas si dhe dhënja e statusit nënprefekturë  ose rreth Himarës nuk mund të zgjidhen nga vete himariotët, as edhe nga këndi i nacionalizmit  romantik të sëmurë, sikurse nuk mund të zgjidhet me koncepte konservative e dogmatike.  Kjo kërkon një angazhim më të madh e serioz  të gjithë faktorëve dhe agjentëve,  në radhë të parë të politikës, për transformimin e gjëndjes aktuale të Bregdetit Jonian në tërësi, dhe të Himarës në veçanti, në margaritarë të gjallë e frymëzues, ashtu sikurse është një perlë e vërtetë e jonit. Siç shkruan me të drejtë studjuesi i mirënjohur shqiptar Moikom Zeqo: “ ka ardhë koha që politika shqiptare t’i kthejë sytë nga Himara, kjo Princeshë në gjumë, pa dyshim që do të zgjohet” dhe se “ në se politika  shqiptare do të kthejë sytë nga Himara, atëhere do te zgjidhej çështja e  shpopullimit të kësaj  kryevepre natyrore, të ikjes së banorëve të saj në emigracion nëpër botë dhe do të ishte kushti i parë ekzistencial i një ringjalljeje. Një projekt vizionar strukturor për Himarën, do ta kthente atë të paktën në një purgator turistik, për të mos përdorur fjalën apologjike parajsë. Në këtë kuptim, populli i Himarës do të kishte një kontakt të ri të shumfishtë me gjithë qytetarët e botës. Stinët do të kishin karakterin e festave të veçanta masive të Diellit, të ullinjve dhe të detit, të polifonisë, ...që tek popujt e tjerë, po thuajse ka vdekur, kurse në Himarë ka një karakter shpërthyes, të brendshëm, të përtejkohshëm, të kapërcimit të hapsirave dhe marrëzive idioteske të politikave të pa emancipuara ”
U bejme thirrje, jo vetëm banorëve me origjinë nga Himara dhe i gjithë Bregu  Jonian, por  edhe të gjithë bashkështetasve tanë te zonave e krahinave të tjera, që të kuptojnë drejt problemet qe ne ngritëm. Zgjidhja e tyre është garanci për prosperitetin jo vetëm të Krahinës sonë, por, nga ana tjeter, ato  nuk cënojnë aspak zonat apo krahinat e tjera të vendit tonë të përbashkët.

No comments: