Thursday, January 30, 2014

KM miraton krijimin e Agjencisë Kombëtare të Bregdetit

 sent by KJorgji
 
Publikuar më 22.01.2014 | 17:38
   

Këshilli i Ministrave, në mbledhjen e paradites së sotme, ka vendosur të krijojë Agjencinë Kombëtare të Bregdetit. Ky lajm u bë  i ditur nga ministrja e Turizmit dhe Zhvillimit Urban, Eglantina Gjermeni, në një deklaratë për mediat, të dhënë pas mbledhjes së Këshillit të Ministrave. 
“Kam kënaqësinë t’ju komunikoj sot një tjetër premtim të mbajtur, një ndër objektivat e përcaktuara gjatë fushatës elektorale, krijimin e Agjencisë Kombëtare të Bregdetit. Këshilli i Ministrave miratoi sot, më 22.01.2014, me propozim të Ministrisë së Zhvillimit Urban dhe Turizmit, krijimin e Agjencisë Kombëtare të Bregdetit. Vendimi i sotëm i jep një tjetër hov nismave të ndërmarra nga Ministria e Zhvillimit Urban dhe Turizmit, që synojnë mbrojtjen e pasurive natyrore të zonës bregdetare dhe promovimin e vendit si destinacion turistik. Agjencia Kombëtare e Bregdetit do të shtrijë veprimtarinë e saj në të gjithë brezin bregdetar të Republikës së Shqipërisë, brez i shpallur nga Këshilli Kombëtar i Territorit si zonë me rëndësi kombëtare. Agjencia do të organizohet në Drejtori të Përgjithshme, në nivel qendror dhe në katër degë rajonale. Agjencia Kombëtare e Bregdetit do të ketë 30 punonjës dhe shpenzimet do të mbulohen nga buxheti i ministrisë”, -sqaroi ministrja Gjermeni. 
Gjermeni bëri publik edhe një tjetër vendim të marrë sot nga Këshilli i Ministrave, që është shfuqizimi i  projektit koncesionar, i parashikuar të zbatohej në zonat bregdetare plazh Dhërmi dhe plazh Perivoll. 
“Njëkohësisht dua t’u bëj me dije, një vendim tjetër të rëndësishëm të Këshillit të Ministrave sot në përmbushje të prioriteteve të qeverisë për kthimin e Shqipërisë në një destinacion atraktiv turistik.Një nga vendimet që u mor sot, ishte vendimi për shfuqizimin e projektit koncesionar i parashikuar të zbatohej në zonat bregdetare plazh Dhërmi dhe plazh Perivoll. Konsiderohet në fakt si një hap i rëndësishëm i iniciativës qeveritare, e cila do të thellohet dhe do të vazhdojë më tej me marrjen e masave te mëtejshme të karakterit legjislativ, duke synuar kthimin e plazhit dhe të brezit bregdetar për përdorim në interes të publikut”, -përfundoi ministrja Gjermeni. 
/Shekulli Online/ E.B./

No comments: