Sunday, March 23, 2014

Reforma territoriale dhe minoritetet -OMONIA, PBDNJ e MEGA heshtin!


Publikuar më 23.03.2014 | 12:40 (Shekulli
 0  0
Panajot Barka/publicist
Reforma administrative që pritet të zbatohet së afërmi në vend, është më e thellë dhe më e ndryshme nga ato që janë kryer në vend që nga formimi i shtetit shqiptar. Iniciohet ne kuadrin e përshtatjes së vendit me kushtet e BE-së. Ajo që vihet re është se reforma e artikuluar deri tani, përmbys të gjithë traditën e deritanishme të organizimit shoqëror të vendit, (organizimi në fise, komunitete të vogla krahinore, nevojën për të patur një strukturë shtetërore në një kuadër sa më lokal etj). Nga ana tjetër reforma e re presupozon edhe zgjidhje adekuate funksionale. Funksionimin perfekt të sistemit shtetëror dhe ekzistencën e një infrastrukture të përsosur administrative. Kjo lidhet me faktin se qytetarët shqiptarë kanë akoma raporte personale të shumta me shtetin: që nga pajisja me dokumente identiteti e deri në raportet me gjykatat, shëndetësinë, pronat e varësi të tjera të cilat në realitetin e BE-së janë zgjidhur me kohë.
Problemi tjetër, me raportin që vendosin minoritetet me këtë strukturë të re dhe sa ajo jep garanci për ruajtjen, respektin dhe zhvillimin e identitetit të tyre komunitar e etnik. Fjala është për ato minoritete që zotërojnë një hapësirë territoriale të caktuar. Në bazë të mentaliteteve dhe realiteteve evropiane ky konstatim do të dukej pak absurd, pasi këto probleme atje janë zgjidhur në favor të individëve dhe të komuniteteve minoritare. Tek ne çështja shtrohet si problem i mprehtë për dy arsye shumë të qenësishme. Së pari, qoftë nga ana ligjore, qoftë nga ana praktike, shteti nuk ka zgjidhur në favor të këtyre minoriteteve respektimin e të drejtave të tyre. Së dyti, janë pikërisht reformat administrative që në aspektin historik kanë dëmtuar homogjenitetin etnik dhe kompaktësinë komunitare e territoriale të tyre.
Ndarjet territoriale të vitit 1920, 1924 e në vijim nuk lejuan asnjë krahinë të minoritetit etnik grek në prefekturën e Gjirokastrës të përbëjë njësi administrative me vete. Krahinat me popullsi homogjene minoritare greke iu bashkëngjitën 7 nënprefekturave të kësaj prefekture me popullsi shqiptare. Qendrat e nënprefekturave u vendosen në njësi me popullsi shqiptare dhe drejtimi tyre iu besua po pjesës shqiptare. P.sh në rrethin e Gjirokastrës, Dropulli i Poshtëm iu bashkua Lazaratit, Gjirokastrës, Kardhiqit etj.. Dropulli i Sipërm, në të njëjtën shtrirje gjeografike iu bashkëngjit Libohovës. Sipas kësaj ndarjeje, Himara, që deri para pushtimit të Jugut të vendit nga Italia (1917-1920) përfshihej në zonat me popullsi minoritare, iu veçua prej tyre. Pas çlirimit pushteti komunist ndoqi një taktikë tjetër. Të njëqind fshatrat e minoritetit, duke përjashtuar Himarën, i përfshiu në një prefekturë dhe krijoi njësi administrative pak a shume me popullsi homogjene minoritare greke, por kufizoi në ekstrem komunikimin midis vetë krahinave minoritare. Madje krijoi diferencime të qëllimshme midis popullsisë minoritare greke në rrethet Sarandës e Delvinës me ato në Gjirokastër. Me eliminimin e prefekturave ky dallim u thellua edhe më. Politika e sistemit komunist u thellua më shumë nga qeveria e parë e PD-së kur me ndarjen territoriale të vitit 1992-93, rrethet me popullsi minoritare në Gjirokastër, Sarandë, Delvinë e Përmet i ndau në dy prefektuara të ndryshme. Pasojat ishin të shumta. Në aspektin politik, minoriteti grek i ndarë në disa zona zgjedhore minimizoi fuqinë e vet elektorale. Probleme u vunë re edhe në aspektet ekonomike, gjyqësore, administrative. Përfaqësimi politik në strukturat e pushtetit vendor dhe ato vendimmarrëse u minimizua në mënyrë mekanike. Lëvizjet për mbrojtjen e të drejtave të minoritetit etnik, siç ishte akoma edhe ai i arsimimit në gjuhën amtare, nuk homogjenizoheshin.
Edhe ndarja e re territoriale në lidhje me minoritetin etnik grek ashtu si edhe me minoritetet e tjera duket se do të ketë probleme. Përsa i përket minoritetit etnik grek duket se veprohet me referenca, të ashtuquajtura zona minoritare greke. Fakt është se që nga periudha e qeverive të para në shtetin shqiptar e deri më sot, nuk ka asnjë dokument zyrtar përcaktues për zona minoritare greke. Statusi arbitrar dhe a priori i tyre u vendos gjatë pushtimit të parë italian, (1917-1919) dhe u zbatua sipas interesave të çdo qeverie. Në këtë këndvështrim, reforma administrative në zonat minoritare duket se do të pasqyrojë,  sidomos në rrethet e Sarandës dhe Delvinës, ndryshimet e dukshme demografike që çuan në kufizimin e zonave të njohura arbitrarisht si minoritare greke, e që janë pasojë e politikave të ndjekura deri me sot.  Një kufizim me shumë pasoja, të paktën në aspektin ekonomik, duket se do të jetë zgjatja e pretenduar e bashkisë së qytetit të Sarandës përgjatë gjithë bregut Çukë-Pali-Ksamil-Mursi deri në Shkallë e Konispol. Pra heqja e mundësisë së zonave të minoritetit të komunikojnë me detin si alternativë turistike e veprimtari ekonomike, është me pasojë në integritetin e vet si ekonomik ashtu edhe territorial, që sjell në vijim pasoja identitare etnike. Probleme të kësaj natyre ka edhe në zona të tjera si në Delvinë e Gjirokastër.  
Po ashtu respektimi i të drejtave të minoritetit etnik grek në Jug të vendit kërkon që edhe qendra administrative e njësisë më të madhe, Prefekturës, apo qarkut, të jetë në një qendër tradicionale sa më afër tij. Një qendër e tillë është Gjirokastra, e cila tradicionalisht është një qendër administrative nga më të rëndësishmet në rajon pas Janinës. 
Në këtë drejtim, është me interes shumë të madh të merret në konsideratë pika 2 e nenit 108 të Kushtetutës, e cili thekson se “ndarjet administrative caktohen me ligj mbi bazën e nevojave e të interesave të përbashkëta ekonomike dhe të traditës  historike dhe se kufijtë e tyre nuk mund të ndryshojnë pa u marrë me parë mendimi i popullsisë që banon në to”. Që do të thotë se respektimi i interesave të krahinave minoritare greke, mund të lejojë përfshirjen në njësitë administrative minoritare edhe të pjesëve me popullsi shqiptare, mjaft që ato të mos tejkalojnë një përqindje limiti që mund të shkaktojë asimilim demografik. Në këtë pikë, nga strukturat përfaqësuese të minoritetit etnik grek manifestohet një sjellje e cila më shumë çudit, se sa krijon terren për diskutim. Qoftë OMONIA, apo PBDNJ e MEGA, nuk shfaqin mendim publik për ndarjen e re administrative. Në fakt edhe një herë nuk dalin në mbrojtje të interesave të këtij minoriteti që lidhen me ndarjen e re administrative. Aq më tepër po të kihet parasysh historia e pasojat që rrodhën në drejtim të ruajtjes dhe respektimit të identitetit etnik.  
Nga ndonjë deklaratë e deritanishme duket se këto struktura presin që organet kompetente të qeverisë për reformën administrative, të bëjnë “gabimin” që ato të kenë një argument për të akuzuar qeverinë shqiptare për shkeljen e të drejtave të minoritetit. Kjo është ndoshta pjesë e taktikës për justifikimin e pakënaqësisë ndaj bashkëqeverisjes me socialistët, por që është shumë e dënueshme kur sakrifikohen për interesa kaq të vogla çështje kaq jetike për këtë komunitet. Ashtu siç është i paarsyeshëm pretendimi se duhet t’i thërrasë për mendim  qeveria kur e kundërta duhet të ndodh. Organet kompetente të reformës duhet të kishin me kohë mbi tavolinë të gjitha propozimet e mundshme që i interesojnë minoritetit. Po ashtu vihet re se ngurrimi i këtyre strukturave për të dalë me propozime konkrete lidhet me faktin se kanë koncepte të tjera për natyrën dhe shtrirjen e minoritetit etnik grek, siç është p.sh rasti i Himarës, apo të ndonjë zone tjetër. Por këto koncepte i ruajnë për konsum të brendshëm. Megjithatë, në ndarjen e re administrative, shteti, në rastin e minoriteteve duhet të tregojë ekzigjencë maksimale të çliruar nga mentalitete të së kaluarës me pikë referimi respektin e të drejtave të tyre. 

No comments: