Kisha Ortodokse Autoqefale Shqiptare ka reaguar pas deklaratës së ish-kreut të SHISH, Fatos Klosi, se Kisha greke është më problematike se islamikët
Aty ku kulmon kapërcimi i së
logjikshmes, bashkë me predispozitën për të shpifur të z. Klosi, është
këshilla e tij se “shteti shqiptar duhet të jetë më i kujdesshëm me
Kishën Greke sesa me këta islamikët”
Sinodi i Shenjtë i Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë ka
reaguar dje ndaj deklaratës të ish-kreut të SHISH-it, Fatos Klosi, mbi
organizatat xhihadiste dhe ekstremiste, si dhe mbi rolin e Kishës
Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë e veçanërisht të Kryepeshkopit të saj
Anastas, se mes dy ndikimeve, më i rëndë është problemi i ndërhyrjes së
Kishës greke në problemet e Kishës Autoqefale Shqiptare. Intervistën e
tij, Klosi e ka dhënë për gazetën “Illyria” të SHBA-së, por që u ribotua
edhe në disa media në Shqipëri.
Zëri zyrtar i Kishës Ortodokse
Autoqefale të Shqipërisë shprehet se këto janë komente arbitrare,
çorientuese dhe të pabazuara për Kishën Ortodokse Autoqefale të
Shqipërisë, që përpiqen të helmojnë opinionin publik dhe njëkohësisht të
tërheqin vëmendjen nga serioziteti që mbartin ngjarjet e fundit. Ndaj
tezës së Klosit se Kisha Ortodokse Autoqefale e Shqipërisë (KOASH) është
pjesë e Kishës greke, Sinodi i Shenjtë shprehet për pavarësinë e saj:
“Jemi të detyruar të rikujtojmë se iniciativën për ringritjen e Kishës
së Shqipërisë e mori Patriarkana Ekumenike e Kostandinopojës (dhe jo
Kisha Autoqefale e Greqisë), e cila ka përgjegjësinë të mbështesë kishat
Ortodokse të ndodhura në sprovë. Me autoritetin kompetent kishtar,
ishte ajo që në vitin 1937 i dha autoqefalinë Kishës së Shqipërisë
(ashtu si dhe më parë i kishte dhënë autoqefalinë Kishës së Greqisë në
vitin 1850).
Në aktivitetin e Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë,
që është krejtësisht e pavarur nga Kisha e Greqisë, kanë kontribuuar
përveç kuadrove vendas dhe grupe bashkëpunëtorësh të huaj nga Greqia e
SHBA-ja, numri i të cilëve lëvizte në periudha të ndryshme nga 3 deri në
5 klerikë dhe nga 5 deri në 8 laikë, burra e gra. Nuk duhet harruar
fakti se të huajt që punojnë në komunitetet e tjera fetare janë me
qindra”. Një tjetër tezë që hap gjithmonë debat sa herë që hidhet në
publik është dhe roli i Kryepeshkopit Anastas Janullatos. Klosi në
intervistën e tij shprehet se “nuk kishte ngut që të vinte këtu një
prift, me të vërtetë shumë i ditur, shumë vërtet, një intelektual i
vërtetë, që të organizonte Kishën shqiptare. Le të organizohej një çikë
më ngadalë, por të mbante si të thuash pamjen… Sot është pjesë e Kishës
greke, fatkeqësisht!”. Si kundërthënie ndaj kësaj deklarate, KOASH
vlerëson punën e Kryepeshkopit në ringritjen e Kishës dhe investimet e
tij dhe të Kishës që drejton në Shqipëri. “Zhvillimi i jashtëzakonshëm
në një kohë të shkurtër e në cilësi i Kishës Ortodokse Autoqefale të
Shqipërisë, sipas pohimit të përgjithshëm, lidhet me autoritetin dhe
përpjekjet e Kryepeshkopit Anastas dhe me besimin e përgjithshëm që
ushqejnë ndaj tij jo vetëm grekët, por në tërësi të gjithë ortodoksët
dhe më gjerë, të krishterët anembanë botës. Ai vetë, është
Zëvendëspresident i Konferencës së Kishave të Evropës, President i
Këshillit Botëror të Kishave dhe President Nderi i organizatës më të
madhe ndërfetare në botë “Fetë për Paqen”.
Këta miq të Kryepiskopit, të
shumtë në numër, kanë mbështetur përpjekjet e tij në Shqipëri.
Karakteristike është se ndihma e parë e madhe erdhi nga një fondacion i
krishterë i Danimarkës (Dan Church Aid). Sektori i Kishës sonë “Shërbimi
i Dashurisë”, që ka përgjegjësinë e programeve të ndryshme filantropike
dhe sociale, gjatë gjithë këtyre viteve mbështetet ekskluzivisht në
ndihmën e kishave evropiane (të Gjermanisë, Holandës, Zvicrës,
Mbretërisë së Bashkuar, Norvegjisë, SHBA-së dhe vendeve të tjera).
Programi i madh i mbështetjes ndaj 33.000 refugjatëve kosovarë të
besimit mysliman, në vitin 1999, i realizuar me iniciativën e
Kryepiskopit Anastas, me një vlerë 13 milionë dollarë, u mundësua me
ndihmën financiare të Këshillit Botëror të Kishave dhe të organizmave të
tjerë të krishterë.”- shkruhet në deklaratën për shtyp duke shtuar se
ndihma ekonomike që ka ardhur prej vendeve dhe burimeve të ndryshme, u
përdor në ndërtimin e kishave të shkatërruara, si dhe atyre të reja, në
edukimin brenda vendit të qytetarëve seriozë shqiptarë që të bëhen
klerikë, në arsimin e përgjithshëm, por edhe në vepra filantropike
shëndetësore e kulturore, të rëndësishme për progresin e përgjithshëm të
vendit.
Të gjithë këto investime sipas KOASH u realizuan me ofertat
bujare të shumë miliona eurove nga burime të ndryshme, të cilave
Kryepiskopi iu drejtua për realizimin e programeve konkrete e si fakt
për këtë risillen në kujtesë fonde që kjo kishë ka marrë nga Fondacionet
Onasis, Niarko, Laci dhe testamenti i avokatit athinas P. K, që la të
gjithë pasurinë e tij prej 3 milionë eurosh për veprën shpirtërore dhe
filantropike të Kishës Ortodokse të Shqipërisë. Pohimin e ish-kreut të
SHISH-it për mbështetjen e kësaj kishe nga shteti grek, Sinodi i Shenjtë
e konsideron naive, duke dhënë si argument se të gjitha komunitetet
fetare marrin kapitale nga shtete të ndryshme të botës. “Në komentet e
z. Klosi duket qartë koncepti se e konsideron Greqinë, nëse jo një shtet
armik, të paktën një shtet të rrezikshëm dhe çdo gjë që mund të vijë
nga shtetasit me besim të njëjtë nga ky vend, shikohet si e dyshimtë.
Por faktet nuk vërtetojnë bindjet e tij “të fshehta”. Greqia dhe
Shqipëria janë vende të NATO-s, të shumë organizmave ndërkombëtarë dhe
shpresa e të gjithëve është se së shpejti Shqipëria do të jetë brenda
Bashkimit Europian, gjë për të cilën edhe Greqia qartazi po ofron
ndihmën e saj. Nga ana tjetër, pohimi i tij se ‘Kisha Ortodokse ka para
pa fund! Ka paratë e Greqisë, të cilat janë paratë e Evropës’, është po
aq paradoksal. Si fraza e parë dhe ajo e dytë, janë të pasakta dhe pa
lidhje midis tyre. Kisha Ortodokse e Shqipërisë vazhdon të ketë burime
financiare shumë të kufizuara. Gjithashtu, Evropa nuk i jep para Greqisë
për qëllime fetare.” – shkruhet në përgjigjen zyrtare të KOASH.
Në
fund, Sinodi i Shenjtë shprehet se deklarata që bën Klosi si ish-kryetar
i SHISH-it, që shteti shqiptar duhet të jetë më i kujdesshëm me Kishën
greke sesa me islamikët, kapërcen të logjikshmen. “Institucionet e
shtetit dhe kryesisht qindra-mijëra ortodoksët e Shqipërisë janë në
gjendje të ndjekin dhe të gjykojnë sa kanë ngjarë këta 22 vjet brenda
Kishës Ortodokse dhe me siguri nuk presin të mbrohet shteti dhe Kisha me
të tilla dyshime personale, teori të pabazuara dhe këshilla
çorientuese”.
No comments:
Post a Comment