Friday, June 20, 2014

Edhe nje here rreth statusit administrativo-territorial të Himarës-kunder "bashkimit administrativ për interesa elektorale dhe egoizem për pushtet”


sent by Jorgji HANXHARI  

Prof. Dr. Priamo Bollano -  Prof. As. Dr. Jorgji Hanxhari

Në kuadrin e reformës së re territoriale, diskutime dhe shkrime të shumta, me mendime të kundërta, janë dhënë edhe për Himarën. Ndër të tjera, na bëjnë përshtypje, sipas mendimit tone, qëndrimi  dhe argumentet jo bindëse, të shtruara në takimin e zhvilluar, për këtë qëllim, në Himarë, nga ministri Çuçi  si dhe deklarimet e deputetit të rrethit të Vlorës, Koço Kokëdhima. Përpjekjet e tyre, për të argumentuar e mbështetur, me çdo kusht, opsionin e propozuar, pra “krijimin e një  zone funksionale me qendër Himarën, përfshirë   Komunën e Vranishtit të zonës së Lumit të Vlorës dhe Komunën e Lukovës, të Bregdetit të poshtëm”, janë sa jo bindëse, aq edhe jashte realitetit. Ndër të tjera, ata theksojnë se me këtë  variant që propozohet, Himara do të  ketë në dispozicion edhe potencialet e mëdha ekonomike, që ka komuna e Vranishtit, se argumente bindëse, për te kunderten, mungojnë, perveç disa argumenteve të idhëtarëve të Vasil Bollanos, etj, etj.
E theksojmë që në fillim, se deklarime të tilla nuk qëndrojnë dhe nuk janë shprehje e dëgjimit të zërit të popullit dhe dëshirës ë tij. Për më tepër, ato nuk i shërbejnë qëllimit të lartë, për të cilin ndërmerret reforma territoriale. Aq më shumë kur deklarime të tilla bëhen nga përfaqësues të Kabinetit Qeveritar dhe të Parlamentit, mbasi ato, gjithmone sipas mendimit tone, pak dallohen, për të mos thënë qe nuk dallohen fare,  nga politika e monizmit “ ç‘thotë partia bën populli, ç’don populli bën partia”! Dhe,perhere behej si thoshte Partia!
Është fakt se himariotët, përfaqësuesit e shoqërisë civile dhe shoqata Bregdeti, në forma të ndryshme, përmes Letrave të Hapura dërguar Kryeministrit, Zotit Edi Rama, por edhe përmes shkrimeve të ndryshme, kanë shprehur pozicionimin e tyre, me argumente historike, ekonomike, sociale dhe topogjeografike, përse një bashkim i tillë nuk duhet bërë. Në parim, edhe ne jemi shprehur kundër bashkimit të Himarës me komuna të tjera. Siç shprehet, politikani dhe publicisti shqiptar, i viteve postkomuniste, zoti Preç Zogaj: Realitetet historike nuk vijnë nga qielli, as janë pjellë e fantazive të studjuesve dhe historianëve të ndryshëm, por vijnë nga thellësia e viteve dhe e shekujve. I tillë është dhe komuniteti greqishtfolës në Himarë. Ai ka historinë e vet autentike, disa shekullore...” dhe se “ nacionalizmi i sëmurë është anakronik dhe armik i historisë, por në kohën e globalizmit, internetit, lëvizjes së lirë, multilinguizmit etj, nganjëhere shkon deri atje sa t’u kërkojë llogari një pakice njerëzish se përse flasin si gjuhë të parë, gjuhën që  kanë  mësuar në krahët e prindërve”                                                                                                 
Qëndrimin dhe  mbështetjen sa sipër, ndër të tjera, e arësyetojmë sa vijon:

Së pari, historikisht Himara ka patur një status të veçantë.  Për të mos shkuar në mesjetë, në vitet e sundimit osman,  nënvizojmë se Qeveria Shqiptare e dalë nga Kongresi i Lushnjës, me Kryeministër Sulejman Bej Delvina, i njohu Himarës një status territorial administrativ.  Sipas marrëveshjes së Qershorit 1921, nënshkruar nga përfaqësuesi i saj,  deputeti i Vlorës dhe ministër i kabinetit,  Spiro Gogo Koleka (i pari), me përfaqësuesit e autorizuar nga paria e Krahinës , Himarës i njiheshin shumë të drejta, përveç të tjerave edhe pasjen e dy deputetëve, pavarësisht nga numri i popullsisë së saj. ( Shih AQSH,  Fondi Nënprefektura e Himarës, viti 1921, dosja 203, shih, edhe Arkivi i Ministrisë Jashtëme të Greqisë, viti 1927, Arkivii i Himarës, Nr. 10 592, edhe Kastriot Dervishi, Marrëveshja e Spiro Kolekës për 7 fshatrat dhe Himarën, Gazeta 55, 13 gusht 2006).
Së dyti, në Himarë dhe në mbarë Bregdetin Jonian, mbetet ende i pazgjidhur problemi i pronave, ku  pushtetit vendor, i mbështetur nga Qeveria, i takon të luajë një rol të veçantë. Me një Bashki të re, që do menaxhojë disa mijëra banorë, përfshi edhe disa fshatra të Lumit të Vlorës, kjo zgjidhje na  duket shumë e largët, për të mos thënë që do të anash kalohet. Ndërkohë, një bashkim i tillë, nuk i shërben unitetit dhe bashkëekzistencës popullore, krijimit të një zone ekonomike funksionale, ku në përbërjen e saj hyjnë komunitete apo subjekte, që kanë pretendime pronësore dhe, për rrjedhojë, janë në konflikt interesi lidhur me ‘të.                                                                                     
 Është e njohur historikisht, se pas ndërrimit të fesë, nga fshatrat brenda hinterlandit, këto dy krahina, për shkak të kundërshtive, që lidhen me pronat, kanë qënë në konflikt të vazhdueshëm. Banorët e Lumit të Vlorës (konkretisht, të Kuçit), disa herë u orvatën të zaptojnë tokat e Qeparoit, sikurse me mbështetjen e Ali Pashë Tepelenës,   kuçjotët zaptuan tokat himariote të Panormës dhe filluan të ndërtojnë edhe xhami në qafën e Lerës, por që, pas rënies së Aliut dhe në saje të luftës heroike të himariotëve, u larguan me turp. Po kështu, për qëllime grabitqare, ata shpërngulën Pilurin nga vendbanimi i quajtur Katund  dhe  himariotët i sistemuan ata në vendin ku janë sot. E vetmja lidhje, po thuajse e qëndrueshme, midis Himarës dhe Lumit të Vlorës, ka qënë ajo për verimin dhe dimërimin reciprok të bagëtive. Sa për lidhje të tjera, deri nga fundi i viteve 60 të shekullit të kaluar, nuk mund të bëhet fjalë. Aq është e vërtetë kjo, sa që, në fillim të viteve 60 të shekullit të kaluar, kur himariotët kërkuan të mernin një pjesë të ujit nga Buronjat e Kuçit, për pirje nga popullsia dhe për vaditje, ata preferuan që uji të rridhte në Shushicë dhe prej andej, përmes Vjosës, të derdhej në Adriatik. ( Shih librat: Janko Pali, ‘’Historia e fshatit Qeparo’’, Rami Memushaj, ‘’Histori e Kurveleshit’’).
Dikush mund të thotë se të gjitha këto i takojnë të shkuarës, pra historisë. Jetojmë në kohëra të reja dhe duhet ndërtuar marrëdhënie që i përgjigjen situatës. Do të ishte me vend një arsyetim  e gjykim i tillë, në rast se faktet  dhe realitetet  do ti përgjigjeshin dhe do të mbanin parasysh situatën që jetojmë. Por kjo bie ndesh me atë që, edhe sot e kësaj dite, komuniteti kuçjot pretendon se ata,  fillimisht kanë banuar në Porto Palermo, ku kanë pasur edhe pronat e veta dhe mandej janë vendosur aty  ku janë edhe sot,  se ata lejuan Ali Pashë Tepelenën të ndërtonte në tokat e tyre kalanë e Porto Palermos, e të tjera  broçkulla të kësaj natyre  (Shih, Seit Alikaj, ‘’Kuçi i Labërisë në shekuj’’ )
Së treti, Himara, si Krahinë, posedon potenciale të mëdha ekonomike dhe humane, veçanërisht intelektuale, për zhvillimin e turizmit detar, malor e kulturor, si dhe të agrokulturës, me bazë olivikulturën dhe agrumet, në interes të tij. Ato i kanë mundësuar dhe i mundësojnë asaj një zhvillim e përparim të kënaqëshëm dhe punësimin e gjithë forcave të afta për punë. Statistikat tregojnë, se në vitet e monizmit, të tre kooperativat e bashkuara të Himarës, siguronin një të tretën e prodhimit bujqësor të rrethit të Vlorës. Pavarësisht politikës së çmimeve të ulta të blerjes, sidomos të ullirit dhe të agrumeve,  në krahasim me ato të zonave të tjera, si dhe të politikës fiskale, që ndiqte regjimi monist, që i përfshinte këto ekonomi në zonë fushore, ato ndanin për ditëpune, ( ose si pagë mesatare ditore) 15-18 lekë, si dhe realizonin një normë të lartë akumulimi, për në fondin e pandarë. Le të përmëndim kalimthi, gjithashtu, se këto kooperativa, nga të ardhurat vjetore  të çdo viti, kalonin miliona lekë në formën CAS, pa u investuar, por vetëm që të mos u shpërndaheshin kooperativistëve. Në fund të viteve 90 të shekullit të kaluar, fondet e mësipërme të lira monetare, llogariteshin mbi 100 milionë lekë, fati i të cilave edhe sot nuk dihet.
Mos shfrytëzimi i potencialeve ekonomike dhe humane të Krahinës,  deri më sot,  nuk kanë lidhje me statusin ekzistues administrativ territorial të Himarës, as edhe me faktorë të  ndryshëm, që varen nga himariotët. Prandaj, Himara, sot karakterizohet nga një prapambetje ekonomiko-sociale, me tipare ekstraversionin. Ajo shprehet në faktin që, konsumi material i bregdetasve, në një masë të madhe, mbulohet nga të ardhurat që prodhohen jashtë Krahinës dhe që, në formën e  transfertave monetare, konsumohen në 'të. Kjo gjëndje e ka burimin në politikat jo të studjuara, të ndjekura nga qeveritë e para 23 qershorit 2013, që, nga njera anë, kanë të bëjnë  me ligjën 7501  dhe me pranimin edhe sot të parimit enverian “pronë e shtetit”, në një kohë kur në Himarë s’ka pasur çifligarë dhe bejlerë, ndërsa shteti s’ka pasur prona të vetat. Nga ana tjetër, ajo është shprehje e investimeve publike të munguara në infrastrukturë, sidomos në sigurimin e ujit të pijshëm, në pastrimin e mbetjeve urbane, në funksionimin e qëndrave shëndetësore, etj.                                                                                    
Së katërti, është fakt i padiskutueshëm se, shumë turistë vendas por edhe të huaj, zgjedhin Himarën për pushime, sidomos gjatë stinës së verës. Prandaj, duhet një Bashki më vete dhe  pushteti qendror t'i japë prioritetin e duhur, me fonde, sepse, deri më tani, ato kanë qënë  qesharake. Edhe ndonjë punë me peshë, që është bërë aty, është rrjedhojë e investimit të portofolit nga vet himariotët dhe të ndonjë kredie pa rëndësi të veçantë, të dhënë nga bankat e huaja ose fondacionet e tjera financiare. Siç shkruan me të drejtë studjuesi i mirënjohur shqiptar Moikom Zeqo: “ ka ardhë koha që politika shqiptare t’i kthejë sytë nga Himara, kjo Princeshë në gjumë, pa dyshim, që do të zgjohet” dhe se “ në se politika  shqiptare do të kthejë sytë nga Himara atëhere çështja e  shpopullimit të kësaj  kryevepre natyrore, të ikjes së banorëve të saj në emigracion nëpër botë, do të ishte kushti i parë ekzistencial i një ringjalljeje. Një projekt vizionar i strukturuar për Himarën, do ta kthente atë, të paktën, në një purgator turistik, për të mos përdorur fjalën apologjike parajsë. Në këtë kuptim, populli i Himarës do të kishte një kontakt të ri të shumfishtë me gjithë qytetarët e botës. Stinët do të kishin karakterin e festave të veçanta masive të Diellit, të ullinjve dhe të detit, të polifonisë, ...që tek popujt e tjerë, po thuajse ka vdekur, kurse në Himarë ka një karakter shpërthyes, të brendshëm, të përtejkohshëm, të kapërcimit të hapsirave dhe marrëzive idioteske të politikave të pa emancipuara ”
Së pesti, përfshirja e Komunës së Vranishtit në Bashkinë e Himarës nuk i përgjigjet vetdijes historike, kulturore dhe shpirtërore të popullsisë së dy zonave, por i ngjan më shumë një amalgame, të ngjashme me bashkimet mekanike në kohën e komunizmit të kooperativave fushore me ato malore, që,  në shumë raste, nuk kishin as një vazhdimësi tradicionale. Bashkimi i Himarës me Vranishtin, në vend që të sigurojë një rikonceptim të qeverisjes vendore, i ngjan më tepër  një rikonfigurimi të kufijve aktualë administrativë. Siç ka vënë në dukje, në mendimet e shfaqura për reformën territoriale-administrative, kolegu i ynë Prof. Dr. Arqile Bërxholli, një  gjë e tillë  përbën një  bashkim “administrativ për interesa elektorale, nxitur nga egoizmi për pushtet” dhe jo një liberalizim të pushtetit vendor dhe rritje të kompetencave të tij.  Prandaj, ne, nuk ka si të pajtohemi me një bashkim të tillë mekanik, me  tendenca të theksuara politike, sepse bie ndesh me qëllimet e reformës administrative terriroriale, që duhet bërë në Shqipëri.                                                 
Ne pajtohemi me atë që shpreh Prof. Dr. Rami Memushaj se “ Sot fshatrat e Kurveleshit janë shpërndarë në pesë komuna: Kallarati, Bolena dhe Kuçi janë pjesë e komunës së Vranishtit;  Golemi, Kaparjeli,Nivica, Rexhini, Progonati dhe Lekdushi bashkohen me komunën e Progonatit, Ftera e Çorraj janë pjesë e komunës së Lukovës, kurse Vermiku është pjesë e komunës së Smokthinës. Ky copëzim ka goditur rëndë lidhjet tradicionale midis fshatrave të Kurveleshit, ndërkohë që do të kishte qënë në interesin jo vetëm të kurveleshasve, që krahina të tilla me lidhje të ngushta historike, kulturore e ekonomike, të formonin një njësi administrative më vete, ashtu siç kanë qenë në shekuj” (nënvizimi i yni ).
Së gjashti, në aspektin topogjeografik, këto dy zona, kanë një ndarrje të fortë natyrore, vargmalet Akrokeraune. Komunikimi  midis tyre, edhe sot, sikurse në të kaluarën, bëhet  duke ecur nëpër shtigje e monopate nga kalojnë dhitë, duke çarë dëborën e dimrit dhe duke përballuar vapën e verës. Për të ardhur me mjete bashkëkohore në Himarë , banorët e tyre duhet të shkojnë ose në Vlorë, ose në Borsh dhe prej andej në Himarë, duke përshkuar 70 deri 100 km. Vështirësitë e komunikimit sigurisht që do të mbartin ndikimet e tyre edhe në cilësinë e kryerjes së shërbimeve nga pushteti vendor dhe, në vend që ai të jetë sa më afër banorëve, si një ndër synimet themelore të reformës, me këtë bashkim, do të largohet.
Së fundi, në rast se gjykohet se Himara nuk mund të qëndrojë zonë administrativo ekonomike më vehte, ashtu siç jemi shprehur edhe në një Letër të Hapur dërguar Kryeministrit në 09.11.2013 ( përmes gazetës Shqiptarja.com), në një letër tjetër, të dërguar Kryeministrit, në datën 08.06.2014 (me postë dhe me e-mail), si dhe në disa shkrime të mëparëshme, gjykojmë se ajo mund të bashkohet vetëm me Komunën e Lukovës të Bregdetit të Poshtëm,  në mbështetje të variantit 5 të reformës territoriale. Me këtë bashkim, formohet një zonë ekonomike funksionale, që mban parasysh lidhjet e vjetra, veçantitë  dhe vetdijen historike, kulturore, të besimit, si dhe  shtrirjen në vazhdimësi topogjeografike të saj, në mbarë Bregdetin Jonian. Pra, mbështesim një kombinim të variantit 3 dhe 5, paraqitur nga Ministri përkatës, në Komisionin e Posaçëm Parlamentar.
Ne shpresojmë dhe besojmë se qeveria, me Kryeministër zotin Edi Rama, me obligimin e saj, për të dëgjuar dhe për  t’i shërbyer sa më mirë popullit, do t’i japë rrugëzgjidhje të drejtë statusit të Himarës, në interes të  përparimit dhe prosperitetit krahinor e mbarëkombëtar. E shohim me vend që,  mbylljen e këtij shkrimi, ta bëjmë me thënjen e publicistit Loloçi se “ Himarën s’mund ta posedojë askush, sepse kjo gjë nuk ka ndodhur edhe në mote më të vështira të egzistencës së saj. Atje mund të marrin fund përrallat me piratët e përtej detit, nëse nisin seriozisht investimet, riformulohen politikat për më shumë dashuri për truallin amë dhe për fqinjët e dhënë nga perëndia dhe kur atje kthehet normaliteti i një qyteze krejt të veçantë”.

16.06.2014

No comments: