Monday, June 02, 2014

MISTERE MEDIATIKE-frymë e ndyrë dhe e fëlliqur denigrimi kundrejt ortodoksëve shqiptarëhttp://peizazhe.com/2014/05/31/mistere-mediatike/

Nuk është mbushur java, që kur për herë të parë më zunë sytë një shkrim disi të çuditshëm – fillimisht, në gazetën Panorama. Shkrimi mban datën 24 Maj 2014, dhe këtë titull:
Rama fton për vizitë kryepeshkopin serb, Amfilohije? 
Ja dhe me figurë:
panorama
E pabesueshme!
Gazeta Panorama citon si burim të vetin për këtë lajm agjensinë e lajmeve “Presheva Jonë” – me të njëjtën lehtësi do të shtoja, siç mund të citojmë Reuters për shembull dhe Zërin e Amerikës.
Pas tronditjes nga leximi i titullit, i dyti nga përshtypjet, ishte mosbesimi. Përse duhej që kryeministri Edi Rama, të ftonte mitropolitin Amfilohije në Tiranë? Për një takim madje midis këtyre të dyve dhe Kryepiskopit Anastas – që emrin këtij të fundit, vazhdojnë t’ia thonë në zhargon të gazetave si “Janullatos”. Kjo e fundit, është çështje dytësore, gjithsesi, dhe tashmë është bërë traditë. Për t’u paraprirë mbase këtyre pyetjeve të lexuesve skeptikë si unë, mendova se edhe gazeta në fjalë, prandaj e ka vënë pikëpyetjen shpëtimtare në fund. Se nëse citimi si burim lajmi i një agjensie si “Presheva Jonë” është larje duarsh, shenja e pikëpyetjes mosbesuese, ambige dhe fisnike në fund – duhet të jetë – larje fytyre.
Shkrimi i Panoramës, më bëri kurioz mjaftueshëm sa të kërkoja për më shumë në lidhje me këtë lajm. Kështu, në motorin e kërkimit vendos keywords, dhe mbërrij përpara sajtit opozitar me emrin kuptimplotë opozita.com.
Aty gjendej i njëjti shkrim, por me disa ndryshime të vogla…
Titulli aty ishte pak a shumë kështu: Kryeministri ortodoks Rama fton në Tiranë kryepeshkopin serb Amfilohije/ Shpërthejnë thirrjet për protesta në rrjetet sociale. 
Ja dhe me figurë:
opozita
Jo vetëm ndriçim, por edhe kushtrim!
Tashmë, edhe më syleshët ndër lexues, e kanë marrë vesh pse pikërisht kryeministri Rama ka ftuar pikërisht Amfilohijen në Tiranë. Tashmë janë të gjitha të qarta: Rama e ka ftuar Amfilohijen, pikërisht se, si thotë opozita.com kryeministri ynë është ortodoks.
Ditët e fundit të Majit pas këtij zbulimi, duhet të iknin të qeta, për tia lënë stafetën Qershorit, po kjo mund të ndodhë, vetëm nëse dikush nuk lexon gazetën e mirënjohur 55. Kjo gazetë, para tre ditësh (datë 28 Maj, 2014), kishte një farë analize mbi “lajmin” në fjalë, të cilin e gjeni me titullin:
Në prag të 1 Qershorit/Rama dhe Janullatos, ditë serbe e ruse në Tiranë. 
Nga brendia – më saktë nëpër zorrët e shkrimit të mësipërm, citoj:
E diela e parë e muajit që pritet të hyjë nuk do spikasë për ndonjë gjë të veçantë që mund të kujtojë ndonjë festë fëmijësh, por do sjellë simbolikisht Lindjen më afër se kurrë në Tiranë. Janë rregulluar punët që më 1 qershor 2014 të përurohet kisha e madhe ortodokse në qendër të Tiranës. Kjo kishte ka kohë që është ndërtuar, por po zgjidhet ky moment për të sjellë disa simbolika e për të bërë bashkë disa mbrapshti që nuk kanë asgjë të përbashkët me karakterin perëndimor të kombit shqiptar.
Gazeta e Fahri Balliut, ndjen kërcënimin e Lindjes, që ditën e parë të lindjes së Qershorit. Jo vetëm një mitropolit serb i ftuar, por edhe rusë, rumunë dhe bullgarë. Çfarë po bëhet kështu?
Në media, ajo që po bëhet – sipas mendimit tim, është nxitja e një frymë të ndyrë dhe të fëlliqur denigrimi kundrejt ortodoksëve shqiptarë, e vënë re kjo më shumë se një herë; dhe përmbledhje më të detajuar të kësaj fryme qelbi, më mirë se gazeta 55, nuk do e bënte kush tjetër.
Në realitet, Ajo që pritet të ndodhë në datën 1 Qershor, është një ceremoni fetare për shenjtërimin e katedrales “Ngjallja e Krishtit” të ndërtuar para dy vjetëve. Aty pritet të vijnë, në të njëjtën ditë, gjithë primatët e Kishës Ortodokse në botë. Që nga Patriarku i Kostandinopojës Vartholomeu, Theofili i Jeruzalemit, Irineu i Serbisë (dhe jo Amfilohije), Danieli i Rumanisë etj. Lajmin për këtë event, mund ta shihni në sajtin e KOASH-it. 
Praktikisht, nga ana fetare dhe për besimtarët ortodoksë, kjo është ngjarja më madhore e të paktën këtyre 24 viteve të fundit.
Është veç fatkeqësi, e madje fyerje e rëndë – në mos në kufijtë e kriminales – që një ngjarje si kjo, të përshkruhet në atë mënyrë si më sipër nga një pjesë e mediave të Tiranës.

No comments: