Tuesday, June 24, 2014

PBDNJ-PR, ultimatum qeverisë mbi Himarën: Jo 7501-it dhe bashkimit me Vranishtin.

Dy parti politike, PBDNJ-ja në qeverisje dhe PR-ja në opozitë, janë bashkuar në Himarë të mbështetura nga Organizata e Minoritetit Etnik Grek Omonia dhe disa shoqata lokale, për të shpallur zyrtarisht vendimin për mosbindje civile ndaj ligjit Nr.7501 “Për ndarjen e tokës bujqësore në përdorim” duke deklaruar se “populli i Himarës njeh vetëm pronat e trashëguara nga gjyshërit, bazuar në nenin 41 të Kushtetutës së Shqipërisë”. Gazeta Shqiptare njofton se me anë të një “ultimatumi” prej tri pikash drejtuar qeverisë shqiptare në 19 qershor 2014 paralajmërohet mbajtja edhe e një referendumi lokal “ku populli i Himarës të shprehë vulletin e vet për të vendosur për të ardhmen e tij”, në rast se nuk do të merret në konsideratë propozimi për bashkimin në një njësi më vete administrative të Bashkisë Himarë me Komunën Lukovë. 
Vendimi i dy partive shqiptare, i mbështetur nga OMONIA dhe pesë shoqata lokale vjen fill pas takimit konsultues që ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, Bledi Çuçi zhvilloi me banorë të zonës për reformën e re administrativo-territoriale. Në këtë bashkëbisedim Çuçi theksoi se “njësitë vendore të Himarës, Vranishtit dhe Lukovës do të përbëjnë një zonë funksionale më vete që do t’u sigurojnë banorëve më shumë të ardhura”. Por nga ana e tyre himariotët e pranishëm në këtë bashkëbisedim duke mos refuzuar bashkimin me Lukovën kontestuan bashkimin me Vranishtin. Më herët Çuçi, në emër edhe të qeverisë shqiptare, ka bërë të qartë se me ndarjen e re territoriale të vendit, Himara nuk do të jetë një njësi administrative më vete, pasi sipas tij këtë status do ta gëzojnë vetëm zonat minoritare.

No comments: