Kush kerkon te largoje bustin e deshmorit te Gjuhes greke Aristotel Guma?

H προτομή του εθνομάρτυρα Αριστοτέλη Γκούμα

Procedeengs of The III Panhimarjot Conference -

http://www.himara.eu/adver/KHimariot/konferenca3_1.html

Llambro Ruci shvlefteson "argumentat" e Kristo Frasherit, Luan Malltezit, Shaban Sinanit etj

Le të thonë sa të duan Kristo Frasheri, Luan Malltezi, Shaban Sinani etj.se gjuha e parë në Himarë është shqipja dhe më pas greqishtja. E kjo është thënë qartësisht, por vendosmërisht, pa ekuivoke dhe duke e faktuar

Regjistrimi i popullsise-Presidenti Topi: presione nga qarqe ultranacionaliste

“Ndjeshmëria e madhe është sepse nga individë të qarqeve ultranacionaliste tentohet të bëhet një politikë presioni dhe deformacioni të një procesi që duhet të jetë nacional dhe ligjor” Presidenti la të kuptohej se ai ishte ishte edhe për deklarimin e lirë të etnisë dhe fesë

Ivanov: "ende në rajonin tonë qarqet ultranacionaliste veprojnë në dëm të vendeve të tjera".
(Shqip)

In contrast with 52-personality peticion, in the report of Europian Commission it is said that:

There is a lack of accurate data on minorities in Albania. This situation is expected to be addressed by the conduct of a population census in 2011, respecting international standards including the principle of free self-identification. This census will include optional questions on the ethnic origin, religious affiliation and mother tongue of respondents.

Pse nuk i jepet shtetesia shqiptare fortlumturise se tij Anastasios?

Lufta midis civilizimeve ne Shqiperi e gjen shprehjen ne luften frontale te qarqeve ateiste dhe antikrishtere qe perfaqesohen deri ne kupolen e shtetit per 20 vjet rresht dhe kontrollojne totalisht mediat.
S ipas raportimeve te ShIK-ut dhe shtypit, fondametaliste musilmane kane marre shtetesi shqiptare, kurse kryepeshkopi dekorohet nga Presidenti por ende nuk i ploteson kushtet per shtetesi megjthe qendrimin permanent prej 19 vjetesh ne Shqiperi !!!!


Monday, October 13, 2014

Intervista/Marrëdhëniet shqiptaro-greke në 100 vjet të shtetit shqiptar. Politikat e Venizellos, Zogut dhe Enver Hoxhës. “Afrimi i Shqipërisë me Greqinë pengohet nga faktorë të huaj"


"Kam përshtypjen se pushteti politik dhe kultura e pushtetit, bashkë me inferioritetin që prodhon nacionalizmi i sëmurë dhe pa argumenta, po e shtrembërojnë realitetin e Himarës. Në këtë plan elementi grek në Himarë nuk gëzon as të drejtat që kishte para Luftës së Dytë Botërore dhe skemat e sistemit komunist në trajtimin e Himarës janë mbisunduese" .


 Z. Barka themelimi i Shqipërisë politike më 1912, është edhe një udhë e nisur rishtasi e bashkëjetesës mes shqiptarëve dhe pjesëtarëve të pakicës greke në Jug të vendit. Si do ta përshkruanit shkurtimisht këtë përvojë?

Përgjigje: Kufiri politik për të cilin flisni solli në skenë një element të ri të historisë politike në këtë pjesë të Epirit. Ndarjen për herë të parë në dy njësi administrative, në shtete të ndryshme, proces që u shoqërua dhe me përplasjen e parë etnike. Në këtë kuptim bashkëjetesa e gjatë historike ndëretnike, multikulturore dhe multifetare në këtë rajon u prish nën ndikimin e faktorit të ri politik - të Shtetit. Pra, që nga ky moment përvijohen dy nivele përcaktuese të këtyre mardhënieve. Niveli politik dhe ai njerëzor. Niveli i marrëdhëniëve njerëzore ruajti pothuaj të njëjtën trajektore të bashkëjetesës paqësore. Marrëdhënia e nivelit politik me komunitetin etnik grek të përfshirë në shtetin e ri shqiptar, ishte dramatike dhe me pasoja më të rënda se veprimet e bandave të hajdutëve dhe keqbërësve mbi këtë popullsi. Këtë e tregon fakti se në këtë periudhë, sipas statistikave të vet shtetit të atëhershëm shqiptar, u larguan si refugjatë gati 20 mijë grekë, shifër kjo që përbën 50% të popullsisë minoritare greke të njohur nga mbreti në fund të viteve ‘30. Dhe këta ishtin të gjithë njerëz të arsimuar, me pasuri dhe kredibilitet. Pra bëhet fjalë për ajkën e kësaj popullsise, pasi si kudo, në situata të tilla, kjo shtresë është më sensibël dhe i përjeton më rëndë pasojat. Le të mos harrojmë se qeveritë shqiptare, edhe pse të shumta në periudhën midis dy luftrave, ndoqën një politikë asimiluese ndaj popullsisë greke në territorin shqiptar, pas të cilave, hapur ose në mënyrë të fshehtë, ishte dora e vendeve të huaja, sidomos e Italisë dhe e Turqisë.Zogu ishte i pari, që bashkë me politikën e kërbaçit përdori edhe atë të kulaçit. Përfshirja në administratën e shtetit tij të elementit grek dhe shqiptarizimi “i rinisë greke me mjete të moderuara”, ishte një “meritë” që atij ia njohën edhe shërbimet e fshehta amerikane.E njëjta taktikë u ndoq edhe nga sistemi komunist. Diktatura komuniste pasi përndoqi me zjarr dhe hekur gjithë kundërshtarët e saj nga minoriteti etnik grek, kundërshtarë etnikë, ideologjikë e politikë, ftoi pjesën tjetër, të trembur dhe në autoçensurë, në abadonimin e tipareve esenciale të identitetit etnik, pra të brohorasë për të. Ajo që u ruajt e paprekur ka të bëjë me marrëdhëniet njerëzore. Njerëzit e thjeshtë, pavarësisht nga politika kishin kodet e veta të komunikimit që u siguronin një bashkëjetesë ndryshe.

Nëse do të ndanim historinë e Shqipërisë politike në tri periudha: periudha e Mbretërisë, periudha e regjimit të Enver Hoxhës dhe ajo e tranzicionit, cilën prej tyre do të quanit më pozitiven për minoritetin dhe cilën më të vështirën?

Përgjigje: Është e vështirë të thuash se cila periudhë ishte më pozitive. Përshkrova më lart se në lidhje me minoritetin etnik grek në Shqipëri, metodat dhe qëndrimet politike ishin të njëjta në strategji në të gjitha periudhat që ju përmendni. Ndryshonte vetëm forma dhe mjetet nga vareshin edhe rezultatet. Ajo që ka rëndësi të theksohet në këtë rast, është shkalla e vitalitetit etnik të komunitetit të këtij minoriteti.Në periudhën para Çlirimit ky vitalitet ishte më i dukshëm, më rezistent dhe më aktiv ndaj veprimeve asimiluese.Në periudhën komuniste, duke filluar bile që nga vitet e Luftës, ky vitalitet filloi të tërhiqet, humbi karakterin e veprimit rezistent kolektiv dhe duke filluar nga vitet ’60, kur u goditën edhe insitucionet e besimit fetar, u bë inekzistent. Identiteti etnik u kthye në çështje personale, ndërsa në komunitet kishte karakter formal dhe ishte vënë në shërbim të ideologjisë komuniste. Ishte mjet për të vërtetuar “vërtetësinë”  e tezave të kësaj ideologjie në respektimin e të drejtave të minoriteteve etnike. Kjo do të thotë se sistemi komunist kishte arritur të sheshonte deri në zhdukje cilësitë thelbësore të identitetit etnik grek, (Imponoi izolimin hermetik nga kombi amë, tjetërsoi doket dhe zakonet, gjuha amtare u kufizua në fjalorin e përditshëm dhe u kthye në gjuhë të ideologjisë, -nuk përbënte elelement kulturor identitar. Sistemi komunist i detyroi qytetarët e përkatësisë etnike greke të quheshin thjesht “minoritarë” pa përcaktorët “etnik” e “grekë”, emërtim që fitoi konotacionin negativ. Aplikoi masa për një asimilim toponomastik, administrativ, demografik etj.).Shteti komunist kishte arritur të impononte anëtarëve të këtij komuniteti “vetëdeklarimin vullnetar” se  gëzonin të gjitha të drejtat. Pikërisht, këtë anë formale, këtë vitrinë, shteti komunist e mbronte me fanatizëm. Kjo, bashkë me “lumturinë” e vetëdeklaruar të minoritarëve, krijoi imazhin e gabuar tek shoqëria shqiptare se minoriteti grek në Shqipëri në kohën e komunizmit përjetonte një status diskriminimi pozitiv. Bëhet fjalë për një mentalitet e bindje, të trashëguar me këmbëngulje edhe në pëeriudhën e tranzicionit. Në realitet minoriteti etnik grek vuajti dyfish, si në aspektin e të drejtave etnike, ashtu edhe në aspektin e të drejtave të tjera njerëzore, si çdo qytetar shqiptar.Periudha e tranzicionit, është ndoshta periudha më e vështirë për minoritetin etnik grek në Shqipëri. Ajo provoi se sa rëndë e kishin dëmtuar integritetin dhe vitalitetin e identitetit të përkatësisë etnike, pushtetet pararendëse. Hapja e kufijve shkaktoi një hemoragji masive dhe shumëvjeçare drejt Greqisë. (Më e rëndë edhe se ajo midis dy luftrave botërore). Tranzicioni provoi se ky minoritet kishte humbur koherencën dhe strukturat komunitare dhe se ai nuk posedonte asnjë mjet, argument e instrument për të rehabilituar të vërtetën historike dhe për të kërkuar të drejtat e tij. (Provë më të mirë për këtë përbëjnë forcat politike përfaqësuese të tij). Por edhe mjedisi i tranzicionit ndikonte shumë negativisht. Në arritjet, në lidhje me të drejtat  etnike të këtij minoriteti, me shumë vështirësi kapërcehet niveli i të drejtave formale për minoritetin grek  “realizuar” nga sistemi komunist.Ka edhe një anë tjetër të rëndë. Sistemi komunist e kontrollonte “nacionalizmin popullor” antihelen. Në periudhën e tranzicionit, antihelenizmi si pjesë e arsenalit të nacionalizmit në Shqipëri, ka adoptuar dhe ka kthyer në teza vepruese e inspiruese të padiskutueshme, aksiomat e paverifikueshme të antihelenizmit komunist. Por ndryshe nga sistemi komunist që kishte një qendër të vetme orientimi dhe kontrollonte dozat e këtij nacionalizmi sipas interesave të politikës komuniste, sot ai lulëzon nga një mori e pafund qendrash dhe është vetëm agresiv.  

Ka një mendim, të thënë si nën zë, mes atyre që kanë një njohje të realitetit social në Jug, se nën regjimin e Enver Hoxhës u realizua një asimilim i butë i minoritetit grek, sidomos në krijimin e një kodi bashkëjetese në qytete. Është e vërtetë kjo tezë për ju?

Përgjigje:  Është absolutisht e vërtetë. Kjo bashkëjetesë kishte si kod të pashkruar parashkrimin e identitetit etnik grek dhe bëhet fjalë për ajkën e këtij minoriteti. Po mundohem në vijim të përshkruaj funksionimin e këtij mekanizmi. Asimilimi i butë për të cilin flisni është pjesë e pandarë e taktikës së kërbaçit dhe kulaçit të ndjekur nga Zogu. Ndryshimi është se kërbaçi i Hoxhës, sidomos pas viteve ’60, duhet identifikuar me autocensurën në lidhje me identitetin etnik. Në këtë kuptim regjimi i Hoxhës ishte shumë i suksesshëm. Ashtu si qeveritë e mbreterisë, ai vazhdoi konceptin e italianëve të pushtimit të parë të Shqipërisë 1917-20, për caktimin apriori të zonave të pastra minoritare që përmblidhnin rreth 110 fshatra përgjatë kufirit me Greqinë dhe asnjë qytet. Shumë zona të tjera, ngjitur me to, të cilat paraqitnin një natyrë gri në aspektin etnik, u homogjenizuan me vrull nëpërmjet pushtetit të ideologjisë dhe kulturës së pushtetit etnosocialist. Menjëherë pas luftës, sistemi komunist përndoqi të gjithë kundërshtarët e tij minoritarë grekë, që ishin të shkolluar, si  dhe pjesë të klerit. Në analogji me popullsinë, numri i të përndjekurve nga minoriteti etnik grek është shumë më i lartë se në pjesët e tjera të vendit. Pjesën tjetër të shkolluar, atë që me hir ose pahir, pasoi idelogjinë komuniste, shteti e thithi në strukturat e veta. (Veprim identik si i Zogut) Karriera, situata dhe ambienti i kërkonte kësaj pjese të minoritetit të fshihnin identitetin etnik. Nga ana tjetër, kjo bëri që zonat e pastra minoritare të varfëroheshin nga superstruktuara e kultivuar. Në këtë ndikoi edhe thithja në vijimësi e trurit të minoritetit në thellësi të vendit. Arsimdashja e njohur e tyre i detyronte të arsimoheshin në atë profesione që nuk mund të ushtroheshin në zonat e pastra minoritare me zhvillim monoton bujqësor e blegtoral. Sistemi nxiti me mënyrën e vet martesa mikse nëpër zonat urbane etj.. Pra, nga njëra anë e izoloi minoritetin etnik grek në disa zona të ngushta, nga ana tjetër thithte elementin e tij më të mirë në zona urbane larg këtyre zonave. Studimet tregojnë se nga zonat e pastra me popullsi homogjene minoritare greke u larguan për në thellësi të vendit 37-43 % e popullsisë së vitit 1990. Në vendet e reja të banimit (punësim, martesë, internim) sistemi nuk u njihte asnjë të drejtë në lidhje me përkatësinë etnik. Madje kërkesa për këto të drejta përbënin shpesh penalitete të rënda për autorët e tyre.

Z. Barka, ju i besoni tezës së dy popujve miq?

Përgjigje: Po, dhe kjo e vërtetë ka vlerë për popuj fqinj me histori të gjatë bashkëjetese dhe kur kultura dhe etnogjeneza e tyre nuk kanë disnivele të paafrueshme.

Si një person që njihni realitetin e sotshëm, klishetë dhe paragjykimet e shoqërisë greke dhe të asaj shqiptare për njëra-tjetrën, mund të thoni se cilat janë elementët kryesorë përmes të cilëve riprodhohet ky keqkuptim i vazhdueshëm nga të dy krahët?

Përgjigje: Që në krye të herës dua të them se këto klishe e kanë origjinën tek historia me e re në marrëdhëniet midis dy popujve, e cila nis me shpërbërjen e Perendorisë Otomane në këtë pjesë të Ballkanit. Nga ana tjetër, historia ma provon se ka edhe faktorë të huaj që nuk duan afrimin midis popullit grek e atij shqiptar. Një afrim i tillë ndryshon totalisht ekulibrat gjeostrategjikë në rajon e me gjerë dhe i promovon ata në faktorë primarë. Në këtë kuptim midis dy vendeve nuk ka probleme mirëfilli të reja. Edhe kur provokohet ndonjë problem i ri, ai ka për bazë shtratin e ngrohtë të nacionalizmit që ushqehet nga historia dhe interpretimi i gabuar i saj, ose sipas interesave të të treteve. Balkanologu grek, profesori i Universitetit “Aristoteleio” të Selanikut me origjinë nga Korça, Vasilis Kontis, i jep pëgjigje pyetjes suaj me konstatimin se të dy vendet, si Greqia ashtu edhe Shqipëria, në këtë periudhë historike, pretendojnë të njëjtën hapësirë gjeografike, Epirin. Greqia ka argumentin se kjo hapësirë gjeografike që nga lashtësia deri në realitetin e Perandorisë Otomane ruante identitetin grek, të cilin e gjen si nënshtrat të vetin edhe në realitetin e kohës që po flasim. Pala shqiptare niset nga realiteti i krijuar në kohën e Perandorisë Osmane veçanërisht me Ali Pashën. Dhe këtu ka një të vërtetë. Kadareja, në mënyrë të përsëritur ka theksuar deri në autosarkazëm se Perandoria Otomane ishim ne. Historiani turk Mehmet Haxhisalihoglu, i ftuar në Tiranë për konferencën ndërkombëtare, për 100-vjetorin e luftrave ballkanike 1912-1913, argumentoi se shqiptarët kanë qenë drejtuesit kryesorë të administratës osmane. Ai mohon përdorimin e termit pushtim të shqiptarëve nga kjo perandori, pasi sipas tij, vetë shqiptarët kanë drejtuar disa nga vendet kryesore të Perandorisë Osmane. Mos të harrojmë se Ali Pashë Tepelena, sipas pohimeve të tij tek udhëtari i parë amerikan në oborrin e tij, Eduart Everet, thotë se vetëm ushtria e familjes së tij në Janinë e Thesali, i kalonte të 45 mijë ushtarë të ardhur nga veriu i sotëm i Shqipërisë. Kjo bëri që Perandoria Otomane të indentifikohej në Greqi me shqiptarin në shërbim të kësaj perandorie. (Këtu e kanë burimin ato këngë ushtarake nacionaliste antishqiptare që mbarten akoma në pjesë të shkëputura të ushtrisë greke, apo edhe ai lloj antishqiptarizmi, që i ngjan jehonës së largët të historisë). Në Greqi, ky realitet marrëdhëniesh krijoi dy shtresime. Një zyrtar dhe një civil. Ana zyrtare u tërhoq nga këto pretendime që në fundin e shek. 19-të dhe në fillim të shek. 20-të. Nuk e bëri për të respektuar realitetin, por për ta përdorur këtë territor për këmbime territoriale më të favorshme për shtetin grek. Ana tjetër e medaljes mbeti në dorë të shoqatave, sillogeve, organizatave të ndryshme pa asnjë lidhje të drejtëpërdrejtë me politikën zyrtare. Është fakt që kjo strukturë, ta quajmë nacionaliste, përgjatë pothuaj një shekulli, nuk arriti t’i modifikojë, ose t’i moderojë qëndrimet e veta në përshtatje të ndryshimeve të ndodhura. Mbeti a priori në standarde të së kaluarës historike, shpesh anakronike e që nga pala shqiptare interpretohen si nacionalizëm grek antishqiptar.Në anën shqiptare problemi qëndron ndryshe. Së pari është i unifikuar në një të vetëm qëndrimi zyrtar me atë civil. Niset nga realiteti i tanishëm dhe shkon në të shkuarën duke kërkuar a priori  argumente sa më të qëndrueshme për t’i mbështetur pretendimet veta. Si të tilla deri tani kanë shërbyer konstatimet e filologjisë romantike të Rilindjes Kombëtare Shqiptare, të kthyera në të vërteta të paverifikueshme nga sistemi komunist. Sipas albanologut gjerman të kohës sonë, Oliver Schmitt, historia në Shqipëri po përdoret si mjet propagandistik duke u mbështetur në kategoritë interpretuese të kohës së  Hoxhës....Pa marrë parasysh shkencën ndërkombëtare dhe kështu ajo vetëizolohet. Pra, jemi në të njëjtën fazë si në kohën e diktaturës, ku objektivi kryesor i historisë propagandistike mbetej plazmimi i njeriut shqiptar me këtë produkt, pa i lënë asnjë hapësirë për të kërkuar të vërtetën, pa lejuar ballafaqimin me shkencën ndërkombëtare. (Prandaj ngjallën kaq trazime deklaratat e profesorit turk)Pikërisht ky boshllëk argumenti shkencor mbushet shpesh me filologji e mitologji të interpretuar si shkencë, ose duke përvetësuar kulturë dhe realitete historike të popullit grek. Shkohet p.sh deri atje sa të thuhet se orakulli i Dodonës dhe gjithë gjeografia e veprimit të mitologjisë greke e shtrirë në hartën e gjerë të këtij orakulli, të konsiderohen shqiptare, me argumentin se në kohën e Perandorisë Otomane banonin aty edhe shqiptarë(!!!). Ky boshllëk shkakton shpesh kompleksin e inferioritetit që provokon kompleksin e dyshimit. Për fat të keq në kësi historish nga pala shqiptare mpleksen edhe institucione serioze si Akademia e Shkencave. Pra po e përsëris, në përgjithësi nuk ka probleme midis dy vendeve e popujve. Rimarrja e momenteve rastësore ose në minorancë të problemeve atakuese të historisë midis dy vendeve dhe amplifikimi i tyre në shërbim të nacionalizmit dhe të politikës së ditës, përbëjnë thelbin e klisheve paragjyuese e që  rimirren sa herë që u duhet atyre faktorëve që ushqehen me frymën e konfliktit. Vini re gjithashtu që këto klishe rimirren sa herë që bëhen përpjekje serioze për afrimin strategjik të të dy vendeve.   

Mund të themi se Ali Pashë Tepelena është faktori kyç i historisë së re që stabilizoi këtë realitet social dhe demografik në Jugun e Shqipërisë dhe në Veriun e Greqisë? Dhe a është ai një lloj pararendësi i kësaj klime të marrëdhënies të sotme?

Përgjigje: Po! Madje në këtë drejtim Ali Pasha ia kaloi shumë Turqisë. Me dhunë të egër, represion, grabitje, me dinakëri, demagogji etj., Ali Pasha vendosi sundimin e tij satrap ndaj popullsisë greke dhe ortodokse, por edhe myslimane në këto territore. Me drejtësi, demagogji, me reforma dhe përkrahje ai fitoi njëkohësisht simpatinë kryesisht të popullatës greke. Nga ana tjetër për vendosjen e sundimit të tij satrap depërtoi me mijëra ushtarë, sidomos nga viset e sotme veriore të Shqipërisë. Në ushtri dhe në pushtetin ekzekutiv mbizotëronte elementi shqiptar. Në superstrukturën e oborrit kishte fuqinë elementi grek. Ai synonte mbisundimin e elementit shqiptar në të gjithë Epirin, por të edukuar me kulturën greke. Me ndërgjegje ose jo, ai mund të quhet njeriu që ringjalli ëndrrën e vjetër të një shteti të fuqishëm të Epirit. Ndryshe nga Skënderbeu që e artikulonte këtë në ligjërimin e tij dhe e manifestonte në simbolikën që përdorte, Ali Pashë Tepelena eci në këtë rrugë ndoshta me instiktin e një njeriu që e përjetonte natyrshëm këtë ëndërr. Në këtë ndërmarrje Aliu shartoi kulturën greke me vrullin luftarak të shqiptarëve. Ndërkohë që prishte e shkatërronte kisha e digjte manastire që i dilnin pengesë, njëkohësisht ndërtonte të tilla për interesin e tij. (Nuk flasim për xhami që ishin gjë e natyrshme) Lejoi dhe stimuloi përhapjen e shkollave greke në Janinë e Epir duke e kthyer atë në qendrën kulturore më të fuqishme të kohës në gjithë perandorinë. Njëkohësisht kishte edhe burgjet më të tmershme të kohës. Stimuloi krijimin e shoqërisë së parë tregtare të librit dhe themeloi shërbimin postar e telegrafik. Ndërmori vepra bonifikuese dhe të infrastrukturës rrugore.  Është e vërtetë se në natyrën e Epirit, bashkëjetesa e gjithfarë të kundërtash në demografinë dhe civilizimin e vet ishte një gjendje normale në shekuj. Pushtimi i gjatë otoman e prishi këtë balancë. Pavarësisht kërkimeve të veta Ali Pashë Tepelena nuk e ndryshoi situatën. Kondradikta ose armiqësia dhe bashkëpunimi apo bashkëjetesa, ruanin nivelin e pushtetit të tij. Sot anët negative të kësaj bashkëjetese i mban gjallë dhe i stimulon nacionalizmi i sëmurë dhe anakronik.

Diçka për shoqërinë greke, rolin e elementit shqiptar në të, atë historik dhe aktual. Ne njohim se në Greqi jetojnë arvanitasit, mirëpo ka të dhëna se përveç tyre aty jetojnë edhe shqiptarë të tjerë. D.m.th sa është i ndërfutur, në dijeninë tuaj, elementi shqiptar në shoqërinë greke? Si dhe sa është realizuar ky integrim i brendshëm?

Përgjigje: Prof. Çabej në librin “Shqiptarët midis Perëndimit dhe Lindjes”, duke iu referuar marrëdhëneve midis shqiptarëve e grekëve nënvizon dialektikën e marrëdhënieve midis tyre në  konkluzionin se shqiptarët janë të fortë në racë, grekët me kulturën e tyre. (Kësaj dialektike vitale i trembën faktorët që përmenda më lart) Kjo dialektikë e prof. Çabej na jep të kuptojmë raportet e gjithkohshme midis shqiptarëve e grekëve. Për mua, faktori vendimtar që i dha Greqisë epërsinë kulturore në botë dhe vitalitet racës së vet, është së pari karakteri ekumenik, gërshetimi kulturor, ndikimi dhe përvetësimi i arritjeve të gjithkujt në një hulli helenizuese. Pra, flasim këtu për batica dhe zbatica të karakterit ekumenik ose global. Vetia e dytë lidhet me aftësinë  që jep ekumenizmi kulturor për të asimiluar e helenizuar fise e popuj të tjerë. Kjo veti nuk ndodhi vetëm për një moment në histori, por u përsërit në mënyrë ciklike nga thellësia e miteve deri në ditët tona. Roli primar në këtë proces i takoi Epirit. Në këtë botë greke kanë pjesën e tyre dhe arvanitasit. Historia e tyre më rezulton në disa faza. Pikënisja përmblidhet afër shekullit të 11-të pas Krishtit, kur emri i ar(l)banëve, pas një mungese shekulllore, rishfaqet në historiografinë e kohës. Faza e dytë lidhet me kryqëzatat. Arbanët ose arvanitasit u thirrën në viset greke nga arkondë grekë e latinë si stratiotes-ushtarë. Faza e tretë lidhet me dëpërtimet arvanitase në Greqi për shkak të invazioneve, fillimisht me Stefan Dushanin e në vijim ai otoman. Eshtë faza që, fillimisht si albanë (albanoi) dhe aty nga shekullit të 18-të si shqitarë, ata kërkuan rol politik në territoret greke.Po ashtu më rezulton që arvanitasit (jo albanoi-shqiptarë), me një gjuhë e cila u pasurua dhe u mbajt gjallë nga huazime dhe anihuazime nga kontaktet e shumta që kishin me botën greke, madje që para se ata të zbrisnin në tokat greke, fituan një ndërgjegje etnike greke dhe përbëjnë vlerën më luftarake të kombit të tyre grek, në të gjitha kohërat. Ajo që është interesante, më rezulton që arvanitët në historiografinë e tyre të mos reflektojnë kontakte dhe trashëgimi me ilirët, pavarësisht se ilirët, sipas mitologjisë greke, kanë marrëdhënie “gjinore” me grekët.Arvanitasit janë pra një histori greke. Ata ndryshojnë nga shqiptarët e tjerë që invaduan në Greqi përgjatë pushtimit otoman. Pjesa më e madhe e këtyre të fundit, me shpërbërjen e Perandorisë Osmane u asimiluan në grekë, madje më plotësisht se arvanitasit, të cilët ruajtën të paktën identitetin e tyre gjuhësor. Të tjerë u larguan.Pjesa më e re e shqiptarëve në Greqi i takon periudhës së tranzicionit postkomunist në Shqipëri. Janë shumë, gati një milion. Besoj se kemi të bëjmë me emigrim të kohëve moderne. Kjo do të thotë se proceset integruese në vendin pritës Greqi janë shumë intensive. Por, edhe komunikimi dhe kontaktet me kombin amë janë po ashtu të pashkëputura dhe intensive. Në brezin e dytë a të tretë, pasi brezi i parë u kapërcye, do të kemi një komunitet me dy identitete, siç ndodh me çdo kategori emigrantësh në vende të ndryshme të botës. Pavarësisht problemeve, (35 % e të burgusurve në Greqi janë shqiptarë) emigrantët shqiptarë në Greqi  po integrohen në shoqërinë greke. Shoqëria greke, për shkak të traditës shekullore, por dhe të përjetimeve të vetat emigruese, kishte gati kodet e sjelljes ndaj emigrantëve, veçanërisht shqiptarëve. (Pavarësisht të ndonjë fakti absurd, siç është reagimi negativ ndaj mbajtësve (nxënësve) shqiptarë të flamurit grek në festat kombëtare të Greqisë!) Unë i shoh të dështuar ato qarqe shqiptarësh që  kërkojnë të ngrenë barriera në procesin integrues, me pretendimin se kështu do t’i shpëtojnë nga “asimilimi” grek. Apo edhe qarqet greke që manifestojnë antishqiptarizëm me objekt emigrantët shqiptarë. Kam besuar dhe besoj se ky është investimi më i madh që ka bërë shoqëria greke për të vendosur një balancë të re bashkëpunimi midis dy popujve.

Në historiografinë shqiptare është folur shumë për rolin e Kishës në farkëtimin dhe konservimin e identitetit të kombit grek. Madje për përpjekjet e saj helenizuese. Është e vërtetë kjo sipas jush dhe nëse mund të jepni mendimin tuaj, cila është hallka analoge në botën shqiptare, për kultivimin dhe ruajtjen e identitetit shqiptar?

Përgjigje: Kur filloi të shembej Perandoria Otomane në territorin evropian të saj, procesi u shoqëria me lindjen e kombeve shtete. Ky ishte edhe interesimi i vendeve  perendimore: Fati i popujve të krishterë që çliroheshin nga kjo perandori e mugët. Greqia, jo vetëm që ishte shteti i parë që i hyri kësaj rruge, por ishte edhe trashëgimtarja e cilësuar e kishës së Bizantit në Perandorinë Otomane. (Dihet që Perandoria Otomane nuk mundi edhe nuk arriti ta shmangte totalisht Perandorinë Bizantine. Jo vetëm që adoptoi struktura të saj, por njohu në pjesën më të madhe të territorit të pushtuar prej saj, elementin fontamental të perandorisë Bizantine, fenë e krishterë ortodokse).Në kuptimin e marrëdhënieve të ngushta me ortodoksinë, Greqia kishte filluar të ngjizte identitetin vet kombëtar që në shekullin e 13-të. Në këtë rrugëtim të gjatë, feja kishte rolin e vet, por e fitoi këtë rol duke mbartur në shtratin e vet filozofinë dhe botën klasike greke, (në pikturat murale të manastireve p.sh, ishin pikturuar si pjesë të kishës ortodokse, filozofë të lashtësisë greke) arsimimin laik, ku përfshihej edhe filozofia dhe matematika. Pra nuk është e vërtetë se ideologjia e re greke për çlirimin kombëtar para revolucionit të 1821-it, kishte bazë fetare. Përkundrazi! Kishte një ngjizje unikale të dy lëvizjeve kryesore, por të kundërta të Perëndimit:  Iluminizmin dhe romantizmin. (Të njëjtën formulë adoptoi në kohën e vet edhe Rilindja Kombëtare Shqiptare)  Por feja ortodokse luante një rol të rëndësishëm në këtë lëvizje, e cila në fund të fundit shfaqej si përplasje fetare. Pra, kisha ortodokse është pjesë themelore e identitetit kombëtar helen dhe nuk mund të flitet për përpjekjet e saj helenizuese kur helenizmi dhe feja ortodokse ishin deri atëherë binom dialektik i pandarë. Është e vërtetë që përpjekja e Kishës Ortodokse për të ruajtur natyrën (gjuhën kryesisht) greke në kishat ortodokse të shteteve të reja në Evropën Juglindore, (madje ndryshe nga politika fetare e Bizantit që kishte aplikuar parimin “një fe shumë gjuhë”), ka krijuar reagime të forta të këtyre popujve. Por, kjo është një tjetër gjë.Në historiografinë botërore problemi i krijimit të kombit-shtet shqiptar haste pikërisht në mungesën e homogjeniteti fetar. Sipas balkanologes franceze Natalie Clayer, ky fakt së bashku me afinitetin e faktorit shqiptar me Perandorinë Otomane, krijoi vështirësi dhe vonesa për një zgjidhje të qenësishme. Si faktor uniteti etnik, nuk u përdor feja, si në rastet e popujve të tjerë ballkanas, por gjuha. Vetë gjuha shqipe u stimulua nga Shoqëria Biblike Protestane, fillimisht si mjet për të përhapur krishtërimin ortodoks midis popullsisë shqiptare. (Fakt për të cilin kishte dhënë pëlqimin e vet edhe Patriarkana e Stambollit.) Shoqëria Biblike angazhoi në këtë mision figurat më të spiktatura të kohës si Kristoforidhin, Vreton, Meksin, Argjirokastritin, Mitkon, të cilët deri në atë kohë e shikonin të ardhmen e tyre dhe të shqiptarëve përmes helenizmit. Është kjo arsyeja që Clayer thotë se deri në fund të shekullit të 19-të lëvizja kombëtare shqiptare kalonte përmes helenizmit, ose si reagim, ose si identifikim. Kjo fazë u pasua pastaj nga realiteti i simbolikës së Pashko Vasës “Feja e shqiptarit eshtë Shqiptaria”. Le të mos harrojmë se me këtë lëvizje u pajtua Italia dhe Austro-Hungaria si fuqi Adriatike, pra që donin kontrollin e Adriatikut, por edhe Turqia, që shikonte te krijimi i shtetit shqiptar trashëgimtarin e interesave të veta në rajon. 

Cila është e pavërteta më e madhe që historiografia greke thotë për shqiptarët dhe e anasjellta, ajo që historiografia shqiptare thotë për grekët?

Përgjigje: Tek historiografia greke nuk kam hasur ndonjë të pavërtetë mbresëlenëse për shqiptarët. Në historiografinë shqiptare haset përditë e pavërteta se shqiptarët janë autoktonë dhe grekët janë të ardhur. Tek kjo historiografi haset akoma aktive teoria e Fallmerayerit që grekët e sotëm nuk kanë asnjë lidhje me grekët e lashtë dhe se shqiptarët janë krijuesit e vërtetë të mitologjisë greke si edhe pasuesit e drejtpërdrejtë të kulturës së lashtë greke. Si edhe përpjekja që të anashkalohet ose të shtrembërohet, ose të tjetërsohet çdo gjë nga kultura greke në  Shqipëri, sidomos në fushën e arkelogjisë në Jug të vendit. 

Z. Barka, cili është sipas jush roli i shkrimtarëve në përpunimin e opinioneve dhe gjykimeve nacionale? Në Shqipëri, p.sh Ismail Kadare është një shkrimtar, i cili me sprovat e veta ka orientuar një pjesë të mirë të opinionit?

Përgjigje: Pjesa e parë e pyetjes është retorike. Përsa i përket Greqisë do të thoshja se njerëzve të letrave nuk u është dashur të merren shumë me idenë nacionale, d.m.th me evidentimin  e nacionalizmit. Ka ndihmuar në këtë substrati i vet kulturor, historia e evidentuar nëpër të cilën eci kombi grek, por edhe më shumë, natyra ekumenike e helenizmit që nuk pajtohet me nacionalizmin. Në këtë kuptim, aq më pak i është dashur të mbështesë nacionalizmin e vet tek antishqiptarizmi.Në Shqipëri, tradita e shtetit totalitar për një produkt letrar e filologjik të angazhuar sipas parimeve dhe në shërbim të ideologjisë komuniste dhe të etnosocializmit hoxhist, krijoi steriotipe shumë të dëmshme edhe për fiozionominë e nacionalizmit. I dëmshëm për identitetin etnik është nevoja e mëshimit në çdo gjë të nacionalizmit, gjë që shpesh vet kjo rrugë e vë në dyshim atë. Me shterpësinë e vet, sistemi komunist nuk mund të prodhonte dhe të promovonte vlera nacionale e as të afirmonte ato të traditës, jashtë logjikës së përvetësimit të tyre si pjesë e arsenalit komunist. Kështu që në retorikën e vet nacionaliste iu desh të ruante të paprekur formulën e shekullit të 19të, sipas të cilës përcaktimi i “unit” arrihet në ballafaqim me të tjerët. Në atë kohë,  për popujt e Ballkanit këta “të tjerë” ishte Perandoria Otomane, ndërsa për shqiptarët u bënë fqinjët. Ky lloj nacionaizmi kultivohet edhe sot dhe fatkeqësisht fqinjët mbeten edhe sot të tillë, “të tjerë” që shqiptarët të mund të vetëpërcaktohen më mirë etnikisht,  me të vetmin ndryshim, që grekët zëvendësuan serbët. Kadare, është e vërtetë se përbën një rast shumë të veçantë. Është i vetmi që kuptoi seepoka e Skënderbeut, (si periudhë e etnogjenezës shqiptare të përcaktuar nga Rilindasit për efektet  antiosmane të kohës së tyre), i siguronte një cektësi kohore historike kësaj etnogjeneze. Për këtë arsye, ai, në një serë veprash të karakterit letrar, studimor apo sprove, përpiqet ta spostojë këtë kufi kohor nga periudha e Skendërbeut në periudhën e antikitetit grek. Ndryshe nga pjesa tjetër filologjike shqiptare që përpiqet të gjejë rrënjët e kulturës së lashtë greke tek faktori shqiptar(!), Kadareja e trajton si një bashkëjetesë në komunikim. Dhe në këtë horizont ai përpiqet, ashtu siç thotë Shaban Sinani, to konturojë Shqipërinë e dëshiruar, kur ishte e barabartë me vendet e tjera të qytetëruara.    

Në këto 23 vjet kemi parë një angazhim publik të Greqisë për minoritetin shumë më të madh se më parë. Sa është i sinqertë ky angazhim dhe sa është instrumentalizuar ai nga faktorët politikë të minoritetit, por edhe ata shqiptarë, për qëllime të ditës?

Përgjigje: Mendoj se është mëse i logjikshëm dhe legjitim interesimi i Greqisë  për minoritetin e saj etnik në Shqipëri. Konstatimi se është më i shtuar në vitet e tranzicionit shqiptar lidhet me faktin se Shqipëria  në këtë kohë u hap. Greqia pati një kontakt të drejtpërdrejtë me realitetin e këtij minoriteti dhe minoriteti etnik grek në Shqipëri doli nga korniza e vitrinës komuniste. Edhe pse i shtuar ky interesim, unë do ta quaja të pamjaftueshëm se nuk ka një kontinuitet dhe një kuadër politik të përcaktuar. Në këtë këndvështrim nuk kemi të bëjmë me një instrumentalizim të Athinës zyrtare nga faktori politik i minoritetit etnik grek. Unë besoj se ky faktor ka kuptuar se, që të jetë i pëlqyeshëm për Athinën, duhet të mos promovojë  probleme e të mos kërkojë të drejta për minoritarët grekë, kur përgjegjëse është Athina. E njëjta formulë vlen edhe për raportet e këtij faktori me autoritetet e vendit. Për të siguruar avenirin e tyre politik dhe jo vetëm, ky faktor nuk promovon asnjë problem të këtij minoriteti në palën shqiptare. Kur ky faktor shikon se i cenohen këto interesa, ose nuk i plotësohen, atëherë del me flamurin e mbrojtjes së të drejtave të minoritetit etnik grek. Rasti më i freskët janë raportet e tanishme të kreut të PBDNj-së me kryeministrin Rama. Në përgjithësi kam përshtypjen se faktori politik, ose përfaqësuesi i minoritetit etnik grek është i kontrolluar. Është kjo arsyeja që vitet e fundit, raportet e ndërkombëtarëve janë shterruar përsa u përket referimeve në lidhje me të drejtat e këtij minoriteti.  

Keni një mendim për çështjen çame? A pranoni se ndaj komunitetit çam në Greqi, ish-nënshtetas të Greqisë, është aplikuar represion? Dhe çfarë nuk është thënë sipas jush për të historinë e krijimit të kësaj çështjeje të ndjeshme për marrëdhëniet dypalëshe?

Përgjigje: Kam mendimin dhe argumentin se çështja çame si problem politik nuk egziston. Ekziston vetëm problemi i ish qytetarëve grekë me vendbanim në Çamërinë greke, i cili është kryesisht pronësor. Pengesa e zgjidhjes për këtë nuk lidhet me të ashtuquajturin Ligji i Luftës, i cili de jure dhe de facto nga pala greke nuk ka forcë vepruese, aq më tepër për anëtarët e komunitetit çam. E them këtë se në bazë të akteve normative në zbatim të këtij ligji, në Greqi konfiskoheshin pasuritë e nënshtetasve të vendeve që u shpallej luftë, konkretishtë të Italisë e të Shqipërisë. Çamët ishin atëherë nënshtetas grekë dhe ky ligj nuk i prekte. Fakti që disa  dhjetra qytetarë çamë në mënyrë individuale i fituan të drejtat e tyre pasurore në Greqi, madje edhe nënshtetësinë greke, e vërteton më së miri këtë. Alibia e ngritur me pretendimin se Ligji i Luftës mbahet në këmbë nga Greqia për pronat çame, i shërben qëllimit të fshehjes së një të vërtete tjetër të rëndësishme. Asaj që një pjesë e madhe nga ky komunitet ka probleme me drejtësinë greke dhe për pasojë nuk mund të fitojnë të drejtat e humbura, në rrugë ligjore, kuptohet në mënyrë individuale. Mendoj, se ky është shkaku kryesor, që problemi politizohet në formën e një çeshtjeje midis dy vendeve. Arsyeja tjetër mendoj se lidhet me motivet e mbijetesës  politike dhe jo vetëm, të disa faktorëve brenda vendit.  Një arsye tjetër duhet kërkuar tek nevoja e devizës antihelene të nacionalizmit në Shqipëri për të patur një casus beli “konkret” në ligjerimin e tyre nacionalist.Do të pranoja se ndaj këtij komuniteti është aplikuar represion, (megjithse termi më duket pak i rëndë në konteksin e një lufte), nëse më përpara do të pranohet si shkak, represioni i ushtruar nga struktura të organizuara të këtij komuniteti, përkrah fashistëve italianë dhe nazisteve gjermanë, kundër popullsisë greke në atë territor.Në lidhje me këtë problem në Shqipëri nuk është thënë p.sh se që me daljen e Italisë si forcë adriatike (pak pas unifikimit të shtetit italian), elementi shqiptar në Çameri u përdor si instrument kundër interesave greke. Nuk është thënë se Lufta e Italisë ndaj Greqisë më 1940, u përgatit dhe u shpall në emër “të bashkimit të Çamërisë me Shqipërinë”. Dihet se planet pushtuese të Duçes ndaj Shqipërisë dhe Greqisë nuk kishin “OK” e Hitlerit. Kjo do të thotë se po të mos qe sebepi i Çamerisë do të ishte shmangur gjakaderdhja e dhjetëra mijëra njerëzve, pasojat e një lufte dhe armiqësitë që ajo trashëgoi. Nuk është thënë se në Çameri, shqiptarët kishin struktura të plota fashiste që zëvendësonin ato të shtetit grek e që drejtoheshin kundër popullit grek.Pikërisht se i dinte të gjitha këto, E. Hoxha më 1943 prishi Marrëveshjen e Konispolit midis Fronteve Nacionalçlirimtare lokale të të dy vendeve, për një analogji të minoritetit etnik grek dhe të komunitetit shqiptar në Çamerinë greke, pasi qëndrimi ndaj luftës së popullit shqiptar i minoritetit etnik grek në Shqipëri ishte diametralisht i kundërt me atë të shqiptarëve në Çamëri. Dhe është për t’u shënuar se minoriteti etnik grek në Shqipëri, pavarësisht nga ky qëndrim prej bashkëluftëtari me popullin shqiptar, provoi raprezalje dhe përndjekje të llahtarshme nga regjimi komunist për shkak të identitetit të tij etnik. Mëgjithatë, kurrë nuk shpalosi as tendencën më të vogël irredentiste. Besoj se po të thuhen të gjitha këto nuk do të ketë “çështje Çame”, dhe për Shqipërinë ashtu siç nuk ka për Greqinë. Nga ana tjetër, them se është e drejta e shtetit shqiptar të interesohet për zgjidhjen nëpërmjet drejtësisë greke, ose ndërkombëtare e të drejtave të ligjshme të anëtarëve të komunitetit çam, por kursesi kjo nuk mund shpaloset si një çështje politike, e cila në fund të fundit, krijon tension në marrëdhëniet midis dy vendeve dhe në praktikë, për hir të saj, humbasin të drejtat e tyre, edhe ata që nuk kanë probleme me drejtësinë greke.

Vijmë te një moment historik për të cilin ka shumë mjegull. E kam fjalën për lëvizjen e vitit 1914 në Jug me Zografon dhe kërkesën për autonomi të Epirit. Në bazë të kësaj lëvizjeje sipas jush, qëndron elementi fetar, apo ai etnik?

Përgjigje: Autonomia e Epirit të Veriut të vitit 1914 në vetvete nuk ka asnjë pikë mjegulle. Është një ngjarje historike në vijën kohore të krijimit të shtetit shqiptar. Lëvizja për këtë shtet autonom në thelb është i natyrës etnike. Vija ndarëse e pjesëmarrësve në këtë përplasje luftarake ishte midis atyre që e shikonin të ardhmen e tyre me Greqinë. Në këtë kategori përfshiheshin grekët, ortodoksë dhe myslimanë shqiptarë. Në anën tjetër ishin forcat që nuk e dinin akoma mirë se çfarë ishte shteti shqiptar, por nuk ishin shkëputur mirë nga interesat me Turqinë. Kjo lëvizje shpërtheu pasi  u pa se shteti grek kishte hequr dorë nga pretendimi edhe i pjesës veriore të Epirit, pasi këtë pjesë e kishte kthyer në instrument këmbimi për plotësimin e interesave të veta kombëtare në Dodekanez dhe në Trakë. Prandaj edhe ajo u quajt autonome, se nuk kishte përkrahjen e shtetit grek. Venizellos, si njeri i bindur i fuqive të mëdha, jo vetëm që kërcënoi ish- ministrin e Jashtëm të Greqisë dhe kryetarin e qeverisë së VorioEpirit, Zografon nga Qestorati  dhe oficerin e lartë të ushtrisë greke dhe ministër të Mbrojtjës së kësaj qeverie, Dulin nga Nivica, por ai, u preu forcave të autonomisë telekomunikacionin, furnizimin me armatime, e veshmbathje  e  të holla, bllokoi portin e Sarandës, si të vetmen mundësi furnizimi. Konsideroi tradhëtarë të gjithë ata ushtarë e oficerë të ushtrisë greke që nuk iu bindën urdhërit të tij në zbatim të vendimit të Fuqive të Mëdha për tërheqje nga territorët e Epirit të Veriut, të njohura në parim nga konferenca e parë e Firences si pjesë e shtetit të ri shqiptar. Nëse do të bëhet e njohur në publikun shqiptar (por edhe grek), komunikimi i Venizellos me autoritetet e kësaj lëvizjeje, do të bindet edhe më fanatiku se qeveria greke iu kundërvu me gjithçka mundi asaj. Por, është e vërtetë se kjo lëvizje pati një përkrahje të gjerë e të fuqishme nga shtresat popullore. Edhe Kanzanzaqis i madh erdhi në atë kohë në Gjirokastër si pjesëmarrës i vullnetarëve të ardhur nga Kreta e largët.Realitetin e  kësaj  autonomie e njohën katër palë:  qeveria e Zografos, pala shqiptare, pala greke dhe pala ndërkombëtare. Është tjetër gjë implementimi i kësaj formule. Midis faktorëve ndërkombëtarë, veçanërisht interesat e Italisë që e sabotuan atë,  spikat përsëri roli i Greqisë me Venizellon në krye, i cili vazhdonte të shikonte të parëndësishme për Greqinë  pjesën e Epirit të Veriut përpara ishujve të Egjeut dhe Trakën. Ai dëboi nga parlamenti grek 16 deputetë të zgjedhur në territorin autonom të VorioEpirit. Refuzoi të zyrtarizojë njohjen e qeverisë së Zografos, vëçanërisht kur ky i fundit i dorëzoi drejtimin e territorit të VorioEpirit forcave ushtarake greke që me urdhër të Fuqive të Mëdha në përfundim të luftës së Dytë Ballkanike, vunë nën kontrollin e tyre territorin e Epirit të Veriut dhe i dhanë fund misionit të qverisë autonome. Kjo është historia. Por mbi këtë histori ka sot abuzime të shumta. I pari lidhet me identifikimin e termit “Epiri i Veriut” me irredentizmin grek. Si fakt historik dhe gjeografik është e vërtetë se kufiri shtetëror Greqi-Shqipëri e ndau Epirin, për herë të parë në shekuj, në Epir të Veriut dhe të Jugut. Është fakt gjithashtu se Epiri i Veriut identifikohet shpesh me ngjarjet historike të 1914-s, si ngjarje që kulmuan peripecitë e vendosjes së kufirit midis dy vendeve. Ashtu siç është fakt që fati i Epirit të Veriut i shërbeu për një kohë të gjatë nostalgjisë se shtresave nacionaliste të shoqërisë greke. Por është gjithashtu fakt se u përdor nga retorika nacionaliste e E. Hoxhës si argument për të inspiruar ndjenjën nacionanaliste antigreke midis shqiptarëve dhe për të ngjallur frikën e represionit midis elementit grek në Shqipëri. Por është e padrejtë që fakti historik të ngatërrohet qëllimisht me retorika nacionaliste. E them këtë se e njëjta retorikë e Hoxhës po u serviret sot shtresave të shoqërisë shqiptare që në aspektin e teorisë dhe praktikës së nacionalizmit, nuk mund të dalin nga kuadri i tashëgimisë komuniste. Pra, është një mjet që plotëson arsenalin e “argumenteve” të nacionalizmit antihelen. Vërtetohet kjo edhe nga fakti se minoriteti etnik grek në Shqipëri, ende sot, nuk mund të rehabilitojë asnjë nga ngjarjet apo figurat e historisë së tij të vjetër e të re, të shpallur armiq nga sistemi komunist.Në fund të fundit, besoj se të gjitha llojet e nacionalizmave në lidhje me autonominë e Vorio Epirit duhet të ndjehen inferiorë përpara faktit se kushtetuta e shtetit shqiptar i jep sot qeverisjes vendore, dhe në këtë kuadër edhe mioritetit etnik grek, më shumë të drejta dhe kompetenca se akti historik i njohjes së Autonomisë së Vorio Epirit, siç është Marrëveshja e Korfuzit të majit 1914. 

Çfarë simbolizon Himara në të gjithë kontekst sipas jush? A është ky një problem i shpikur apo real?

Përgjigje: Himara si krahinë ka veçoritë e veta. Rektori i Universitetit të Athinës, nga Vunoi, Dhedhes, gjen në greqishten e Himarës së viteve 30’ fjalë dhe struktura gjuhësore të dorikëve, krijuesve të njërit prej dialekteve të hershëm të greqishtes së vjetër. Në shekullin 15-16 këtu zbritën luftetarët mirditorë për të luftuar në drejtimin e djalit të Skendërbeut dhe të Venedikut, turqit. (Luftë e cila u fali statusin e një autonomie të vaçantë.) Pak kohë më vonë zbritën popullsi të tjera nga veriu i Shqipërisë që përbënë thelbin e Laberisë, e cila për arsye të njohura pati një zgjerim territorial. Tri fetë, ortodoksia myslimanizmi dhe katolicizmi, krijuan marrëdhënie dhe përplasje shekullore. Përzierje pati edhe popullsia autoktone me atë të ardhur duke krijuar kështu një trevë multifetare, multi etnike dhe multi gjuhësore. Në një trevë të tillë me autonomi politike  ku marrëdhëniet me perëndimin ishin shumë të zhvilluara, unë gjej edhe djepin e formës së sotme të polifonisë së lashtë popullore të Epirit. Pra, Himara, mund të ketë fituar statuse të tjera gjuhësore, fetare apo edhe etnike, por nuk pushoi se spikaturi identiteti grek. Me këtë status Himarën mund ta pretendojnë të gjithë, ndaj edhe ajo, në krenarinë e saj, formuloi statusin e vet të pavarur autonom, atë të Himarës. (Njëkohësisht, në marrëdhëniet e veta ndërkombëtare, Himara evidentonte atë status që i krijonte mundësi më të mëdha përkrahjeje nga Perëndimi apo Lindja)Me krijimin e shtetit të ri shqiptar, në ndarjen e parë territoriale , atë  të vitit 1920 në mos gaboj, Himara u përfshi në zonat e pastra minoritare të krijuara de facto nga italianët. Pas kësaj ajo u shkëput administrativisht nga këto zona. Nga ana tjetër, në të gjitha lëvizjet për të drejtat e karakterit etnik të minoritetit etnik grek, Himara përbënte elementin thelbësor dhe pararojë të tyre. Më kryesorja është lëvizja për hapjen e shkollave në gjuhën amtare, e viteve 1933-35 ku qeveria e Zogut, pas vendimit të Gjyqit të Hagës u detyrua t’i hapë. U hapën të tilla edhe në tri fshatra të Himarës. Këto shkolla u ruajtën të tilla deri në vitin 1946, kur E. Hoxha, pas marrëdhënieve armiqësore që vendosi me krahinën, i mbylli.Himara mbeti një histori e largët për pjesët e tjera të minoritetit etnik grek deri në vitin 1991. Në ditët e sotme, unë mendoj se qëndrimet aktuale cenojnë identitetin e Himarës të krijuar në shekuj. Këto qëndrime nuk më rezultojnë jashtë kuadrit të nacionalizmit dhe sidomos të klimës nacionaliste antihelene dhe në këtë rast edhe e kundërta. Problemi është se për atë se çfarë përfaqëson Himara, nuk lejohen të flasin vetë edhe të gjithë himariotët. Kam përshtypjen se pushteti politik dhe kultura e pushtetit, bashkë me inferioritetin që prodhon nacionalizmi i sëmurë dhe pa argumenta, po e shtrembërojnë realitetin e Himarës. Në këtë plan elementi grek në Himarë nuk gëzon as të drejtat që kishte para Luftës së Dytë Botërore dhe skemat e sistemit komunist në trajtimin e Himarës janë mbisunduese. Por e keqja është se mbi këtë situatë po mundohen të nxjerrin përfitime politikanët dhe jo vetëm. Rritja e frymës dhe e përplasjeve nacionaliste në Himarë vitet e fundit, deri edhe në viktima, bashkë me qëllimin e prishjes së ekulibrave etnokulturorë, fsheh edhe një qëllim tjetër me karakter ekonomik. Pas kësaj “lufte” fshihet mafia e rrëmbimit të tokave dhe të filetove turistike në perlën e bregut. Dhe këta aktorë pa fe e komb, përdorim armën më produktive, përplasjen etnike për të realizuar qëllimet e tyre.

Sa ndikon, sipas jush, në raportet dypalëshe, dinamika e re gjeopolitike e shqiptarëve në Ballkan, me Kosovën dhe rolin e ri në Maqedoni?

Përgjigje: Kam përshtypjen se në këtë dinamikë të re gjeopolitike të faktorit shqiptar në Ballkan është e dukshme ana emocionale, e cila sado e ligjshme dhe e pashmangshme, shoqërohet nga një vetëbesim i tepruar, që s’mund të shmangë sëmundjet ballkanase. E thënë ndryshe, është i dukshëm manifestimi i egoizmit kombëtar si shprehje e sfidës ndaj padrejtësive historike të fqinjve dhe si plazmim i idesë për unifikimin e trojeve të banuara nga shqiptarët, sipas përcaktimit të termit “Shqipëri etnike”. Kjo ndjesi, më shumë e brendshme, së bashku me gjallërimin e krimit të organizuar, duket se krijojnë terrenin për zotërimin e kësaj gjeopolitike të re nga neodogmat e së kaluarës, ose nga aleanca që ndryshojnë ekulibrat evropianizuese në Ballkan. Parë në këtë plan dhe duke u nisur nga arsyet e Greqisë për mos njohjen zyrtare të statusit të Kosovës, apo rezervat e saj ndaj emrit të shtetit të Shkupit, pa harruar këtu atë lloj nacionalizmi shqiptar të kristalizuar si antihelenizëm, kuptohet që në marrëdhëniet dypalëshe të krijohet një gërç, i cili fatmirësisht për momentin është më shumë emotiv. Faktikisht e ardhmja e evropiane e aspiruar nga faktori shqiptar në Ballkan presupozon të kundërtën: Marrëdhënie shumë të mira dhe bashkëpunimim në të gjitha fushat. Por, siç e thashë edhe më lart, një afrim i tillë u prish punë faktorëve të tjerë që duan kontrollin e aksit historik të ekulibrave midis Perëndimit e Lindjes. Dhe faktori shqiptar duhet të bëhet i ndërgjegjshëm dhe i përgjegjshëm në këtë pikë.

“Shqipëria është vend europian dhe jo një vend mysliman”, thotë kryeministri. Qëndron sipas jush ky pohim? Dhe shihni një rol të ri të fesë në vendin tonë?

Përgjigje: Pohimi lejon shumë kënde vështrimi. Shqipëria është vend i tillë në aspektin fetar, në aspektin e kulturës dhe të mentalitetit, në aspektin gjeografik, të marrëdhënieve institucionale, të institucioneve demokratike...të aspiratës e të perspektivës?! Ndoshta vlera e vendit evropian duhet kërkuar te bashkejetesa dhe toleranca fetare. Them ndoshta për disa arsye.Së pari, është esencial apo periferik roli i feve në civilizimin social të komuniteteve të tyre? Besimet fetare në Shqipëri nuk kanë kontributet e tyre, ashtu siç ndodh në  kulturën perëndimore në lidhje me respektimin e ligjit të shtetit dhe të lirisë e të drejtave të njeriut. Ndoshta në këtë status, duhet kërkuar edhe vlera e vërtetë e bashkëjetesës dhe tolerancës fetare. Ato do të fitonin vlera shumë më të qenësishme në përpjekjen e përbashkët që besimtarët të fitonin një kulturë evropiane në veprimtarinë e tyre në raport me ligjin dhe shtetin, në raport me njohjen e hapësirës së lirisë personale si kufi që përcaktohet  nga hapësira e lirisë së tjetrit. Së dyti, vizita e Papa Franceskut u përshëndet nga bota për faktin se Papa u prit me entuziazëm nga besimtarë të larmisë fetare në vend, midis tyre shumë myslimanë. Po ashtu ai u priu në një takim përfaqësuesve të tyre më të lartë në Shqipëri, ndërsa ata qëndronin së bashku pothuaj gjatë gjithë vizitës së tij. Por, disa ditë më vonë, në të njëjtin bulevard, nga ku bota e gjithë mori mesazhin me vlera ekumenike të shembullit të bashkëjetesës fetare, u panë shumë më shumë myslimanë që faleshin të vetëm për “Kurban Bajramin”. Pra, a kemi një bashkëjetesë fetare që buron nga thelbi i misionit të çdo feje, apo i tolerancës, për shkak të rolit të tyre periferik?Së treti. Duam vërtet një multigram fetare, apo rikthimin në identitet? Mesazhet e Papës në Tiranë për kthimin në identitet ishin të qarta dhe të përsërituara. Nga ana tjetër, në Kosovë përpjekja institucionale për t’i dhënë rrugë krishtërimit katolik (me ndërtimin me kontribute edhe të myslimanëve të një katedraleje katolike madhështore në mes të Prishtinës, duke lënë në rrënim një katedrale ortodokse të papërfunduar dhe duke krijuar pengesa për ndërtimin e një xhamie) nuk jep rezultat. Megjithatë midis besimtarëve të thjeshtë (përjashto të krishterët ortodoksë) sundon bashkëjetesa e toleranca.Së katërti -  Në Shqipëri pesha e feve, si në aspektin shoqëror, ashtu dhe në raport me ndjenjën kombëtare, është e vogël. Nga ana tjetër, duket se tradita e vjetër, e ndërvarësisë së besimit nga interesa politike apo ekonomike, në disa raste po bëhet evident dhe mund të sjellë pasoja shumë të rënda.Unë besoj se rrugës tonë evropiane i duhet edhe roli i vërtetë i misionit të feve. Kështu ajo do të bëhet më e qenësishme dhe më e sigurt. Por kjo duket edhe shumë më e vështirë, pasi politika nuk i lë hapësirë veprimi fesë në këtë mision dhe i do fetë si elementë kozmetikë.

Intervistoi: Skerdilajd Zaimi 

No comments: