Sunday, September 24, 2006

Flete nga ditari i nje mesuesi

Pjesa e fundit e artikullit "Zhurma e shtypit shqiptar për hapjen e një shkolle private në himarë"

Nderkaq mesuesit himarjote qe kane arsimuar shqiptaret ne gjithe viset e Shqiperise ndodhen ne nje pozite te pafavoreshme: ata nuk mund t'ju mesojne femijeve te vet gjuhën që flitet gjërësisht në familje, greqishten. Vazhdimisht kërkesa e tyre ka rënë në vesh të shurdhër. Në kuadrin e përpjekjes së qeverisë shqiptare për t’ju afruar familjes europiane duket se kërkesa e sipërme po fillon të gjejë rrugë. Por kompleksi ideologjik që mbizotëron në disa qarqe shqiptare është i papërgatitur për këtë stad të ri siç dëshmojnë artikujt e fundit të disa gazetave. Biles dhe studime akademikësh shqiptarë “argumentojnë” se gjuha greqishte në tre qendra, Himarë, Dhërmi, Palasë është “importuar” si gjuhë e dytë për shkak të mardhënieve tregëtare dhe një version më i ri i servirur nga K. Frashëri (Bisedë me historianët grekë-f. 6 e dorëshkrimit të publikuar në internet) importimi i gjuhës i detyrohet largimeve masive drejt ishujve përballë dhe mandej rikthimit të tyre. Dhe sipas tyre në fillim të 1800 aty nuk flitej fare greqisht. Të dy këto hipoteza janë pa baza sepse tregëtia nuk ishte profesion vetëm i Himarës Dhërmiut dhe Palasës por edhe i fshatrave të tjerë. Gjithashtu të dhënat dokumentare flasin se largimi drejt ishujve për tu shpëtuar inkursioneve turke ishte një soj i mundshëm edhe për Qeparoin dhe Vunoin. Konkluzioni i disa studjuesve është se gjuha kryesore në Himarë, Dhërmi e Palasë është shqipja dhe gjuhë dytë greqishtja ndonse jo të gjithë flasin greqisht (K. Frashëri). Në një studim gjuhësor të akademikut Shaban Demiraj (Himara në shekuj, f 240) nuk merr fare në konsideratë toponiminë e Himarës që dëshmon për një prani të hershme të popullsisë greqishtfolëse në Himarë.
Por të gjithë bien dakord që himarjotët e kanë folur greqishten gjatë dy shekujve të fundit (19-20). Himarjotët vetë në një masë të konsiderueshme i quajnë studimet e më sipërme si të pabaza dhe të shkruar me përgjegjësi jashtëshkencore. Ndërkaq ka dhe nacionalistë të shquar shqiptarë që e kanë pranuar si një fakt të pakundërshtueshëm që në zonën e Himarës ka një masë greqishtfolëse që shtrihet në kohë sado e lashtë të jetë ajo (Eqerem bej Vlora-Kujtime 1885-1925) dhe që sipas tij himarjotët “qortohen se janë më grekë se vetë grekët”(po aty f. 192).
Ndërkombëtarizimi i çështjes himarjote gjatë periudhave të zgjedhjeve ka sjellë si pasojë një ndryshim të taktikës së qeverisë shqiptare ndaj Himarës. Kështu ndonse himarjotët kërkojnë përfshirjen e arsimimit greqisht në shkollat publike, pikatorja e qeverisë shqiptare u hap për të lejuar një shkollë private ku do të mësohet dhe greqisht. Ndërkohë që prej kohësh në Tiranë është hapur një shkollë turke, ndonse nuk ka asnjë popullsi turqishtfolëse në Tiranë dhe Turqia nuk ka qenë kurrë model për iluminizmin siç ka qenë dhe është kultura greke. Pikërisht kjo “dhuratë” riaktivizoi disa ekstremiste shqiptarë të inkuaruar në shoqatën “Labëria”, “Petro Marko” etj të cilët me një letër proteste presidentit që lejohet një shkollë të tillë private duket si Don Kishoti kundër mullinjve të erës.
Megjithë kontaktet me Labërinë, Himara është bashkësi etnografike më vete, ka një konstitucion të dallueshëm fetar, shpirtëror e kulturor me të dhe as që i bie në pjesë asaj shoqate të prononcohet për Himarën. Nqs do të ishte siç përpiqen ata të argumentojnë që Himara nuk ka asnjë lidhje me kulturën greke, atëhere askush nuk do dërgojë fëmijët e tyre në këto shkolla. Eksperimenti klasik është mësimi i gjuhës ruse në Himarë për 8 vite të siklit mësimor gjate rreth 40 viteve. Kush arriti të flasë rusisht pa le më të bëhet rus! Pra po të jetë e vërteta me ta, edhe dështimi i arsimimit në greqisht është i sigurt.
Prandaj zotërinjtë e shoqatave jo himarjote do të ishte më e arsyeshme të sëkëlldisen për problemet e zonave të tyre se sa të qanë hallet e botës. Në Zvizër fëmijët arsimohen sipas kantoneve në gjermanisht, frengjisht apo italisht dhe kjo nuk ka qenë ndonjëherë burim destabiliteti, përkundrazi mohimi i të drejtave elementare për arsim në gjuhën amtare shërben si një shkak i tillë.

No comments: