Monday, October 23, 2006

BALLKANI I BASHKUAR, PLATFORMË REALE APO UTOPI?

Janë të shumtë personalitetet historike që kanë hedhur mjaft teza dhe platforma për krijimin e një shteti të vetëm Ballkanik dhe ende sot kjo ka mbetur një platformë utopike e parealizuar asnjëherë, pra e mbetur në tentativë.Herë herë është tentuar për krijimin e një shteti të përbashkët shqiptaro-grek, veçanërisht në shek 19 kur shqiptaret dhe grekët dhanë një shembull të shkëlqyer të aleancës antiosmane, por qarqet ekstremiste fituan mbi këta idealistë dhe këto ide u rrëzuan në praktikë.......Por, a do të mundemi ndonjëherë të arrijmë në një bashkim ekonomiko-social? Ndoshta është ende herët për të parashtruar një ide të tillë aq më shumë kur kemi probleme shumë të mëdha midis kombeve. I ulur përballë hartës gjeografike të Ballkanit të lashtë në promemorien historike vijnë ato ditë të bukura ku ballkanasit lëviznin nga një skaj i gadishullit në tjetrin pa e ditur se një ditë gadishulli i dashur do të mbushej me mure imagjinarë ndarës midis popujve të quajtur në kohën tonë kufij politikë. Në planin politiko-social e ardhmja e Ballkanit të bashkuar në kuadrin e BE-së edhe për personin më optimist duket tepër e zbehtë dhe e largët. Zhvillimet më të fundit në Kosovë dhe reagimet tepër të dala jashtë kohës nga ana e Beogradit zyrtar nuk japin një tablo optimiste, pasi duhet theksuar se një mirëkuptim ballkanik do ti jepte një frymëmarrje të thellë zhvillimeve ekonomiko-sociale në rajon. Unë gjykoj se politika e shteteve të ballkanit duhet të orientohet drejt një pike ekuilibri të re ekuilibri diplomatik ku rezultantja e politikës ndërkombëtare të ndjekur nga fuqitë e mëdha progresive është pikërisht politika paqësore dhe një Ballkan të bashkuar. Sa më shpejt të orientohen shtetet e gadishullit tonë drejt kësaj platforme politike aq më shpejt do të mund të dalim nga një sherrnajë pafund dhe një prapambetje e dukshme. Ka nevojë për nisma konkrete që mendoj se do të ndikonin në solidaritetin dhe zhdukjen e urrejtjeve ndërshtetërore. Një nismë modeste do të ishte ajo e hartimit të një teksti të ri shkollor ku që në shkollat fillore të krijohet një mjedis paqësor për brezin e ri. Të theksohen anët pozitive dhe miqësitë midis dy popujve dhe në tekstet e gjeografisë të hiqen kufijtë, duke e trajtuar Ballkanin si një shtet të vetëm. Ka ardhur koha për një ndryshim të madh, të paktën në tekstet që po mësojnë brezat e tanishëm dhe të ardhshëm ti zhdukim kufijtë në gjeografitë tona dhe të mos flasim me urrejtje në orët e historisë!.....Të paktën kaq mund ta bëjmë për brezat që vijnë. Pra le të mësojnë fëmijët që në klasat e ulta se Ballkani s’ka kufij as urrejtje, kështu besoj se do te përmirësojmë të ardhmen dhe mos të trashëgojmë të njëjtat gabime. Unë mendoj se tekste të tilla në të gjitha shkollat e Ballkanit do të krijonin një ambient më paqësor. Ndonëse nacionalizmi është një rrymë e shekujve të shkuar që ka lindur në rrethana të tjera për arsye objektive apo subjektive të kohës , duket se ende popujt e Ballkanit zgjohen të tmerruar nga mitet dhe paragjykimet e ndoshta akoma më keq urrejtjen ndaj kombeve. Këto instikte të vjetra prehistorike tashmë po rishfaqen në mënyrën me alarmuese në gadishullin tonë, ku veçanërisht u theksuan gjatë diskutimit të statusit të Kosovës duke harruar një nga parimet më universale të shek të kaluar atë të vetvendosjes së popujve apo po të shkojmë ende më thellë në historinë botërore këto britma nacionalisto-arkaike i përkasin shek të shtatë si natyrë, kur popujt sllavë dyndeshin në gadishull. Ndoshta truri politik i këtyre politikanëve ka mbetur në orët më të përgjakshme të historisë pa e kuptuar se sot po flitet për një rend të ri global atë të një shteti të vetëm botëror. Kufijtë formalë gjeografikë janë një pengesë absurde dhe një masë e ngurtë që duhet shkrirë. Me siguri lashtësia do të na dënonte rëndë për këtë urrejtje që kemi mbjellë me duart tona në gadishull. Por, nga ana tjetër nuk duhet që në emër të kësaj të lihen pezull çështjet reale përkundrazi zgjidhja e çështjeve midis popujve e përshpejton këtë erë të rë botërore. Hapi i parë i gjithë Ballkanit është integrimi në Europë do të thonin shumë analistë, por unë do të thosha që hapi i parë do të ishte një Ballkan pa kufij dhe me një politikë të re progresiste dhe jo paranoiake,një politikë që të zhdukte racizmin dhe urrejtjen dhe t’i ofronte mbarë Tokës një shembull të mrekullueshëm sesi në vend të një “vullkani” të mbushur me urrejtje po lind një “Tokë e Re”. Tek e fundit kjo është një ëndërr shekullore e mbarë ballkanasve. Unë mendoj se kjo nuk është thjesht një utopi, por një mundësi që duhet ta kuptojnë të gjithë brezat.

TANUSH ÇAUSHI
Gazeta "Sot"

No comments: