Friday, October 20, 2006

IDENTITETE SHQIPTARE E ARBËRESHE

note: per nje gabim teknik ne paraqitjen e mepareshme po e riparaqesim artikullin e sjelle per blogger nga Simbad Detari

"Deshiroj t'i u percjell ketu me poshte nje studim te cilin, une personalisht e gjej me mjaft vlere ( sidomos per mendesite e sotme qe ndeshen jo pak, andej-kendej neper media apo mes individesh te veηante si edhe me diskutimet lidhur me kontekstin historik te identitetit te shqiptareve ). Sprova e meposhtme, shkruar nga Ardian Vehbiu, te cilen vete autori pat' miresine te me dergoje e po ashtu te me lejoje per publikim ne "forume" ne internet, eshte botuar per here te pare keto dite,ne gazeten "Bota Shqiptare" ( Rome ).

Simbad Detari
Në diskursin e mediave të sotme në Shqipëri, mania e disa entuziastëve për të gjetur bashkatdhetarë të shquar poshtë e lart nëpër botë duket se është pranuar tashmë si pjesë e kulturës së lartë kombëtariste, çka e dëshmon edhe popullarizimi madje kremtimi kohët e fundit i tezës së çuditshme e groteske se Ann Boleyn, e mirënjohura grua e dytë e Henrikut VIII Mbret i Anglisë dhe nënë e Mbretëreshës Elisabeth I, paskësh qenë me prejardhje nga Bolena e Vlorës. Përkundrejt shtimit marramendës të radhëve të atyre që ngazëllehen pa masë nga kuriozitete të tilla foshnjore, ka vend jo vetëm të pyetet se cilat janë karakteristikat konstitutive të të qenit shqiptar sot e në histori, por edhe të kërkohet përgjigjja përtej miteve kombëtariste dhe retorikës manipuluese të mediave. Një përgjigje e tillë do të orientohet diku midis pozicionit subjektivist e sipërfaqësor se shqiptar është kushdo që e mban veten për të tillë, dhe pozicionit tjetër, mistik e racial, se shqiptarë janë të gjithë ata që u rrjedh në deje gjak pellazgjik.

I vetmi tipar i sigurtë që vjen në vështrim për t’ia dhënë të paktën një përkufizim minimal dhe empirik këtij koncepti kaq të barsur me kundërti, është gjuha shqipe, në kuptimin që tingëllon e logjikshme të thuhet se shqiptarë janë të gjithë ata që e kanë shqipen gjuhë të vetën amtare. Ndryshe nga atribute të tjera si ndjenja kombëtare, raca ose prejardhja historike, gjuha gjithnjë mund të identifikohet objektivisht me siguri të mjaftueshme, duke u dalluar empirikisht prej gjuhëve të tjera. Përkufizimi i shqiptarit sipas gjuhës amtare, do të përjashtonte të gjithë ata që rrjedhin nga familje shqiptare, por që nuk e kanë shqipen gjuhë amtare, pavarësisht nëse e kanë mësuar më vonë apo jo, si dhe nëse ndonjë prej prindërve ua ka folur shqipen apo jo. Gjithashtu do të linte jashtë ata që për arsye të ndryshme e quajnë veten shqiptarë por që nuk e përmbushin kushtin e gjuhës, të tillë si shtetasit shqiptarë që megjithatë nuk e kanë shqipen gjuhë amtare. Ka edhe nga ata që nuk e flasin mirë shqipen, sepse e kanë harruar ose nuk e kanë mësuar kurrë mirë, edhe pse mund t’ua ketë mëkuar nëna; të cilët megjithatë do t’i quaja shqiptarë, sa kohë që arrijnë të komunikojnë normalisht me shqipfolës të tjerë.

Kriteri i shqipes si gjuhë amtare nuk është thjesht komod, as formal, as arbitrar. Ta kesh shqipen gjuhë amtare praktikisht do të thotë që socializimi yt ose gdhendja e njeriut në ty të jetë kryer nëpërmjet shqipes, meqë gjuha është pikërisht porta që na lejon të komunikojmë me njerëz të tjerë. Gjatë këtij komunikimi, jo vetëm krijohet një komunitet gjuhësor e kulturor, por përftohen edhe individët vetë, si qenie sociale. Në këtë kuptim, shqiptarë do të ishin ata njerëz që socializohen nëpërmjet shqipes, çka nuk është pak, sa kohë që komunikimi nëpërmjet shqipes është edhe pjesëmarrje në një kulturë të përbashkët shqiptare. Natyrisht shqipja brenda këtij argumenti nuk duhet njëjtësuar as me një dialekt a të folme të caktuar, as me gjuhën standard të mësuar në shkollë, as me aftësinë për të shkruar ose lexuar tekste shqipe. Është fjala për ç’ka të përbashkët gegërishtja me toskërishten, e folmja e Drenicës me të folmen e Dangëllisë, ligjërimi i Naimit me ligjërimin e Fishtës; pra një shqipe si gjenerator i të gjitha ligjëratave shqipe.

Disa gjuhëtarë e filozofë të gjuhës mendojnë se, në një nivel praktik dhe empirik, njeriu flet këtë apo atë gjuhë; por në një nivel më abstrakt është gjuha që e flet njeriun. Ndoshta një ditë do të arrijmë të kuptojmë më mirë lidhjet midis kategorive gramatikore e semantike të shqipes dhe mendësive “tipike” për shqiptarin. Ndërkohë, mund të mjaftohemi me bindjen se shqipja është në themel të kombit shqiptar si komunitet real dhe i riprodhueshëm, sikurse është në themel të kulturës shqiptare, ose të formës shqiptare të ekzistencës.

Vlera e një përcaktimi, megjithatë, varet nga zgjidhja që u jep ky përcaktim rasteve kufitare, ose problematike; pse nuk është aspak e vështirë të identifikosh si “shqiptar” dikë që ka lindur, është rritur e është shkolluar në Tiranë, gjatë shekullit XX, i rrethuar nga shqiptarë të tjerë e asnjëherë i ndodhur përballë situatash të tilla sociale dhe ekzistenciale ku t’i duhet ta rrokë mirë në mendje identitetin e vet, e të zgjedhë midis alternativave. Për këtë arsye, ka vend që shqiptaria si identitet kombëtar të përqaset me identitete të tjera të ngjashme e problematike, në lëmin sinkronik e funksional, por edhe në lëmin diakronik e historik. Të gjithë do ta pranonin pranojnë që dibrani, bie fjala, shquhet në mënyrë domethënëse nga skraparlliu, dhe të dy nga shkodrani. Këtu është fjala për diferenca kryesisht krahinore, të cilat tek e fundit i referohen një aksi geg-tosk. E pranojmë që ka edhe dallime midis vlonjatëve nga familje myslimane dhe vlonjatëve nga familje të fesë ortodokse, pavarësisht nëse besojnë apo jo, e që mund t’i quajmë fetare-kulturore. Përkundrazi, shqiptarët ortodoksë të Podkozhanit në Mokër dallohen nga vllehët ortodoksë të Llëngës përsëri në Mokër, sepse këta të fundit janë etnikisht vllehë. Minoritarët grekë të Dropullit gëzojnë identitet kombëtar grek, por qytetari shqiptare. Statusi i këtyre nuk është as mund të jetë i njëjtë me të komunitetit greqishtfolës të Zvërnecit të Nartës, i cili mund të jetë etnikisht grek, por jo kombëtarisht. Kjo vlen edhe për grekofonët në Himarë e në ndonjë fshat tjetër të Bregut. Një qytetar shqiptar prej Dhërmiut do të dallojë nga një qytetar shqiptar prej Pilurit sepse i pari shpesh përdor greqishten në jetën e përditshme dhe e mban veten grek, ndërsa i dyti gjithnjë shqipen; por kjo nuk i jep të parit ndonjë identitet kombëtar grek, të afërt me identitetin kombëtar të athinjotit ose të kretanit. Përtej kufijve shtetërorë të Shqipërisë, banorët shqiptarë të Kosovës kanë identitet krahinor kosovar të cilin e ndajnë me pakicat serbe, rome e turke të atjeshme, por identitet kombëtar shqiptar – në thelb të njëjtë me shqiptarët e Shqipërisë. Kohët e fundit ka pasur përpjekje për ta kualifikuar identitetin kosovar nga niveli krahinor në nivel kombëtar, krahas me përvijimin e së ashtuquajturës “kosovarishte” si formë e mëvetësishme e shqipes, të cilat duket të jenë bërë kryesisht për motive politike e ndoshta kulturore-gjuhësore, e gjithsesi brenda një orvatjeje për diferencim edhe rrënjësor nga shqiptarët prej Shqipërie.

Arbëreshët e Italisë, nga ana e tyre, kanë identitet etnik arbëresh, në kuptimin që janë të vetëdijshëm si arbëreshë; identitet krahinor përkatës sipas krahinës ku jetojnë – Kalabri, Sicili, Molise, etj.; identitet fetar-kulturor si katolikë të ritit grek, ose uniatë, çka i dallon nga masa e italianëve rrethues, të cilët janë të fesë katolike. Megjithatë, kur vjen fjala për identitet kombëtar, nuk është e lehtë t’ua atribuosh, sepse edhe ata vetë stepen e mjaftohen me identitetin etnik, duke u lëvarrur midis identitetit kombëtar italian nga pikëvështrimi realist dhe identitetit kombëtar shqiptar nga pikëvështrimi historiko-mitik; në një kohë që shteti italian i ka njohur prej vitesh si pakicë “gjuhësore”. Statusi identitar i arbëreshëve afrohet disi me atë të vllehëve ose arumunëve në Ballkanin e sotëm; sepse të dy këta popuj tani nyjëtohen në komunitete pak a shumë të atomizuara, ose projeksione të një realiteti etnik mesjetar anakronik. Megjithatë, vllehët nuk më rezulton të kenë gjetur te Rumania një atdhe të tyrin mitik siç duan të gjejnë disa arbëreshë me Shqipërinë; por dallimet strukturore midis arumanishtes së vllehëve dhe rumanishtes nuk duhet të jenë më të mëdha se dallimet midis arbërishtes dhe shqipes. Pakica të tilla si arbëreshët, arvanitasit, vllehët, goranët e romët i përkasin tipologjikisht një epoke parakombëtare që i referohet në mënyrë implicite Mesjetës së perandorive të mëdha; së bashku me greqishtfolësit e bregut të Himarës, grekanët në Itali të Jugut ose arbëreshët e Zarës në Dalmaci e plot pakica të tjera në Mesdhe.

Që shumë arbëreshë të mësuar shkruajnë sot e kësaj dite në shqipen standarde të Tiranës, kjo nuk lidhet shumë me ndonjë dëshirë për t’u afruar me “mëmën”, as me vullnetin për të njohur standardin vetë; por sepse shumë nga këta arbëreshë nuk e shkruajnë dot mirë dialektin e tyre. Midis teksteve klasike të letërsisë arbëreshe e mbarëshqiptare (Variboba, De Rada, Dara, Serembe, Santori, Skiro) dhe arbëreshit të sotëm sado të mësuar e të vetëdijshëm për etnicitetin e vet ka një hendek të trishtuar e shpesh të pakapërcyeshëm, e që ka lidhje me mungesën e praktikës sistematike të shkrimit të shqipes në shkolla. Shqipja standarde, përkundrazi, mësohet që në klasë të parë fillore, lexohet në libra e në gazeta, disiplinohet e stërvitet në abetare e në libra ushtrimesh gramatikore, përdoret në filma e në RTV; në një kohë që arbërishtja ekziston kryesisht në trajtë të folmesh të veçanta e në pak vepra letrare përgjithësisht të pakuptueshme nga lexuesit. De Rada, sado i madh e i adhuruar në ngulimet e gjetiu, nuk lexohet dot në origjinal as nga arbëreshët vetë. As mund të thuhet se ekziston ndonjë formë e shkruar e njësuar e arbërishtes, e krahasueshme për nga funksionet me variantin letrar geg të katolikëve të Shkodrës, ose shkodranishten letrare. Në rrethanat e sotme, është krejtësisht e mundshme të hartohet një gramatikë e shqipes standarde, duke i lënë jashtë format dialektore jostandard; por çdo gramatikë e arbërishtes do të jetë gramatikë e të folmeve arbëreshe ose vepër praktikisht dialektologjike. Për këtë arsye, shumë intelektualë arbëreshë janë të detyruar që, për të afirmuar identitetin e tyre etnik, t’i drejtohen shqipes letrare. Nëse hap një revistë arbëreshe të tillë si “Katundi Ynë”, do të shohësh se tekstet atje ndjekin kode të ndryshme gjuhësore: ka tekste folklorike në arbërishte pak a shumë të transkriptuara, të tilla si ninulla ose rrëfenja ose proverba shpesh të të folmeve të Kalabrisë; tekste shqipe të shkruara nga arbëreshët në standard ose së paku në toskërishte, e që kanë aromë të fortë të arbërishtes, kryesisht në leksik e në ndonjë formë gramatikore e drejtshkrimore jostandard që u referohet autorëve klasikë arbëreshë; tekste në shqipen letrare shkruar prej autorësh shqiptarë; tekste në italishten standard, të cilat janë edhe më të lexueshmet nga publiku i “Katundit”, i edukuar gjuhësisht në shkollat italiane.

A duhen konsideruar arbëreshët e Italisë dhe të Greqisë si shqiptarë? A duhen quajtur folmet e tyre si forma dialektore të shqipes? Këto pyetje janë të lidhura së bashku dhe kërkojnë përgjigje përtej ngashërimit kombëtarist, edhe pse kjo shpesh nuk është e lehtë, as gjithnjë e pranueshme. Dihet se arbëreshët janë zhvendosur nga trojet shqiptare në Ballkan drejt Italisë në një periudhë që pak a shumë koincidon me pushtimin e këtyre trojeve nga Perandoria Otomane. Katundet e tyre janë të shpërndara në krejt Italinë e Jugut: në Kalabri, në Molise, në Puglia, në Sicili, në Basilicata, në Irpinia e në Abruzzo. Nga pikëpamja dialektore, të folmet e ngulimeve arbëreshe i përkasin toskërishtes jugore me tipare arkaike, duke u afruar veçanërisht me labërishten dhe çamërishten.

Historianët sot e kësaj dite ende nuk e kanë shumë të qartë pse u zhvendosën arbëreshët drejt Italisë, pse një palë mendojnë që ikën prej turqve ndërsa një palë tjetër mendojnë se i shtyu kriza e thellë ekonomike në Ballkanin Perëndimor, ose epidemi sëmundjesh vdekjeprurëse të vetat ose të bagëtisë, ose boom-i demografik i popullsive arbërore të malësive përballë trysnisë sllave e sidomos serbe, ose thjesht pamundësisë së zonave malore për t’iu përgjigjur ekonomikisht shtesës së popullsisë. Historianët mendojnë se shumë nga këto ngulimet arbëreshe janë me prejardhje nga Bregu – zona e Himarës deri poshtë në Prevezë. Zhvendosja e arbëreshëve drejt Italisë nuk mund të shkëputet megjithatë nga zhvendosja e mëparshme arbërore drejt Greqisë – Atikës, Peloponezit dhe ishujve të Egjeut – e cila i parapriu në kohë dhe përgjithësisht nuk ka lidhje me Skënderbeun. Në të vërtetë një pjesë e mirë e arbëreshëve të Italisë u bartën për në Itali nga Peloponezi gjatë shekullit XVI, pasi ranë fortesat venedikase të atjeshme në dorë të Osmanëve, siç na dëshmon tërthorazi edhe kënga tradicionale “Oj e bukura Moré”, ku autori anonim i këndon vendit të origjinës, e pikërisht Morésë, ose Peloponezit, duke e identifikuar këtë vend me Arbërinë (“Oj e bukura Moré/si kur të lash/më nuk të pash/Atje kam u’ Zotin Tan/Atje kam u’ Zonjën Mëmë/atje kam edhe tim vlla/Gjithë mbuluarë në dhe/Oj e bukura Moré/Po të flas me lot në sy/Oj Moré, o Arbëri”). Më së fundi, të folmet arbëreshe kanë ruajtur një numër shumë të madh huazimesh nga greqishtja, mesjetare dhe moderne, të cilat vështirë se mund t’i kenë marrë pas zhvendosjes drejt Italisë së Jugut; pa përmendur tipare të tjera të kulturës materiale, folklorit, muzikës, zakoneve, veshjeve e kuzhinës, të cilat kur nuk janë arbërore të mirëfillta, i afrojnë arbëreshët me botën helene.

Në katundet arbëreshe të Italisë dallohen kështu dy të paktën dy shtresa të ardhurish: nga Bregu dhe nga Moreja. Veç kësaj, ka pasur edhe lëvizje arbëreshësh brenda për brenda Italisë, ose katunde të themeluara rishtas nga të ikur prej një katundi më të vjetër.
Gjatë shekujve XV-XIX praktikisht nuk ka pasur kontakte midis popullsisë arbëreshe dhe popullsisë shqiptare në Ballkan, edhe pse ka të dhëna që klerikë arbëresh i kanë njohur shkrimtarët e vjetër gegë katolikë të Veriut, sidomos Bardhin, Budin e Bogdanin. Sipas Çabejt, arbërishtja si tërësi e lirshme të folmesh jo vetëm u shtjellua në pavarësi të plotë nga shqipja ballkanike për shekuj me radhë, por edhe brenda komunitetesh të përziera, me të ardhur prej viseve të ndryshme shqiptare të Ballkanit, e ndonjëherë në kombinim edhe me elementë grekë, sllavë e vllehë, me të cilët i bashkonte riti fetar. Në të njëjtën kohë, të folmet arbëreshe iu nënshtruan një ndikimi të fortë të italishtes që flitej përreth, drejtpërdrejt dhe tërthorazi, nëpërmjet martesash të përziera atje ku kjo ishte e mundshme.

A mund të quhen atëherë arbëreshët shqiptarë? Kësaj pyetje s’i jep dot një përgjigje të drejtpërdrejtë. Vetë arbëreshët, në të folmet e tyre, nuk i kanë fjalët “shqip”, “shqipe”, “shqiptar”; pse veten e quajnë “arbëreshë” gjuhën e tyre “arbërisht” dhe vendin nga e kanë origjinën “Arbër” ose “Arbëri” (përkatësisht “Moré”). Nuk ka dyshim se edhe shqiptarët vetë e quanin veten “arbër” dhe gjuhën e tyre “arbërishte” deri të paktën në shek. XV por pas gjase edhe mjaft kohë më pas. “Arbëreshë” e quajnë veten edhe banorët e Arbanasit ose Borgo Erizzo, katund afër Zarës në Dalmaci të Kroacisë së sotme, të cilët thuhet se u shpërngulën atje nga Brisku dhe Shestani, katunde të Krajës në bregun e Liqenit të Shkodrës, për t’u ikur persekutimeve nga guvernatori turk i Tivarit.

Nuk ka dyshim se fjalë të tilla si “shqip”, “shqipe”, “shqiptar” e “Shqipëri” u shfaqën vonë në trojet e shqiptarëve në Ballkan, për arsye që nuk dihen mirë, edhe pse duket afërmendsh se vetëm një tronditje e madhe identiteti ose një traumë demografike mund ta bëjë një popull të ndërrojë emrin me të cilin quan veten dhe gjuhën e vet. Logjika ta do edhe që ky ndërrim emri të lidhet me dy faktorë historikë: (1) pushtimin osman të trojeve shqiptare në Ballkan dhe shkatërrimin me themel të qyteteve mesjetare të krishtera ku përpunohej kultura dhe vetëdija “arbërore” (2) zhvendosjen masive të popullsisë nga Lindja në Perëndim dhe nga mali në fushë, në kuptimin që të ikurve drejt Italisë, në Veri e në Jug të Shqipërisë ua zunë vendin popullsi të zbritura nga zonat e brendshme malore, me identitet etnik disi të ndryshëm, më të kufizuar e më të zbehtë se të ikurit. Kështu, nëse shumë arbëreshëve të Italisë mund t’u gjurmohet origjina në zonën shqiptare të Bregut, shumë banorë të fshatrave të sotme të Bregut, nga ana e tyre, kanë ruajtur mirë gojëdhëna të prejardhjes së tyre nga fise e zona malore deri të Shqipërisë së Veriut.

Po të besojmë se pesë shekuj sundimi osman në Shqipëri nuk mund të trajtohen si incident historik i padëshiruar, atëherë do të pranojmë edhe se këta shekuj janë tanimë pjesë konstitutive e identitetit kombëtar të shqiptarit, pavarësisht nga përkatësia ose prejardhja fetare. Pikërisht ky element konstitutiv u mungon krejt arbëreshëve të Italisë, të cilët për më tepër kanë integruar shumëçka nga identiteti italofon përreth. Për këtë arsye, megjithëse arbërishtja që flitet në Itali ende mund të trajtohet si një dialekt arkaik i shqipes, identiteti arbëresh do mbajtur i ndarë nga identiteti shqiptar.

Arbëreshët e Italisë, me të cilët na lidhin shumë gjëra, nuk e quajnë veten shqiptarë, as gjuhën e tyre, arbërishten, nuk e quajnë shqip. Shkëmbime sociale e njerëzore midis dy anëve të Adriatikut as ka pasur as ka, edhe ngaqë shumica e katundeve arbëreshe janë ngritur në zonat perëndimore të gadishullit të Apenineve, jo në brigjet lindore; madje shumë rrallë buzë detit, e më shpesh në brendësi. Ndryshe nga ngulimet greke të lashtësisë, ngulimet e arbëreshëve nuk u frymëzuan nga ndonjë vullnet për ekspansion e tregti me të tjerët, por nga nevoja për të mbijetuar në tokë të huaj. Për të njëjtën arsye, nëse ka qenë gjithnjë e natyrshme të flitet për “trojet shqiptare në Jugosllavi”, askush nuk ka folur ndonjëherë seriozisht për “troje shqiptare në Itali”, edhe ngaqë nuk ka kurrfarë njësie territoriale të ngulimeve arbëreshe, ishuj të ndarë prej njëri-tjetrit, të rrethuar nga katunde italisht-folëse e pa qytete si pika referimi kulturore.

Me fjalë të tjera, si njësi etnike arbëreshët e Italisë dhe të Greqisë janë relike e një periudhe parakombëtare në historinë e Evropës Mesdhetare, dhe nuk ka asnjë arsye për të mos i quajtur pikërisht siç e quajnë ata veten: “arbëreshë”, dhe gjuhën e tyre “arbërishte”. Për fat të keq, nuk kemi një fjalë që t’i mbulojë edhe arbëreshët, edhe arvanitët, edhe shqiptarët (siç quajmë sllavë, për shembull, edhe serbët, edhe kroatët, edhe sllovenët, edhe rusët, edhe polakët, edhe çeket, edhe ukrainasit e kështu me radhë) – pse termi “arbërorë” ende nuk ka ngjitur në përdorim përtej konteksteve historike të specializuara.

Të folmet e arbëreshëve, pas ikjes së këtyre nga Ballkani, i humbën kontaktet me trungun kryesor të shqipes dhe u shtjelluan e u zhvilluan në mënyrë të pavarur, si ishuj gjuhësorë rrethuar nga deti i të folmeve jugore të italishtes. Dihet, megjithatë, se gjuha kërkon një masë kritike folësish për të funksionuar normalisht, dhe arbërishtes së Italisë kjo masë kritike shpesh i ka munguar; jo vetëm sepse arbëreshët vetë janë relativisht të paktë, por edhe sepse lidhjet e rregullta mes katundeve arbëreshe janë penguar për arsye nga më të ndryshmet, gjeografike e historike. Arbërishtja, në shumë aspekte, është formë reliktuale mesjetare e vetëdijës sociale të një grupi komunitetesh të cilat tradicionalisht nuk kanë pasur identitet kombëtar të përcaktuar mirë, duke ia kompensuar mungesën me identitetin etnik.

Nëse të folmet arbëreshe janë larguar apo jo nga shqipja ballkanike aq sa të mund të flitet për dy gjuhë të ndryshme dhe jo për arbërishten si dialekt madhor të shqipes, kjo është relative dhe e pamundur për t’u vendosur me kritere objektive. E vërteta është se dallimet në fushë të fonetikës, të gramatikës e të leksikut janë të mëdha, dhe një shqiptar e një arbëresh, si tani si në kohë të De Radës, vështirë se do të mund të merreshin dot vesh përtej ca shkëmbimeve të tipit “çë bën”, “si je” e të tilla si këto. Për të dalë nga kufijtë e shqipes, edhe dialekti i Napolit me dialektin e Venetos ndryshojnë mes tyre më tepër se ç’ndryshojnë, për shembull, gjermanishtja me hollandishten; por dy të parat konsiderohen dialekte, ndërsa të dytat gjuhë të veçanta – për arsye historike dhe politike. Në rastin e arbërishtes, megjithatë, aq i rëndësishëm sa lënda e gjuhës është edhe funksionimi i saj social. Ngulimet arbëreshe në Itali janë ruajtur kryesisht sepse kanë mbijetuar në zona të humbura dhe ekonomikisht të prapambetura, por edhe sepse shumë prej arbëreshëve atje ndjekin ritin grek të cilin e sollën me vete kur u shpërngulën, e që vetvetiu i dallon prej katolikëve përreth. Të folmet arbëreshe janë të folme të “vatrës” e të “katundit”, në një kohë që sferat e tjera të funksionimit normal të gjuhës kanë qenë kapur nga gjuhë të tjera. Të gjithë këta faktorë dhe pikërisht moskomunikimi gjuhësor disashekullor me shqipen ballkanike e me popullsitë shqiptare të trungut kryesor; numri relativisht i paktë i folësve; reduktimi e rrëgjimi i funksioneve të gjuhës; atomizimi i komuniteteve; analfabetizmi i masës së folësve dhe mungesa e elitave përtej klerit; ndikimi i fortë i të folmeve e dialekteve italiane limitrofe i kanë larguar shumë të folmet arbëreshe, si grup, nga të folmet e tjera të shqipes, në një mënyrë të ndryshme nga ç’janë larg njëra-tjetrës, për shembull, çamërishtja nga gegërishtja.

Një tjetër gabim elementar që bëhet nga ideologët e sotëm kombëtaristë mes shqiptarëve, ka të bëjë me ndjenjën kombëtare tek arbëreshët si fill bashkues i brezave, ose në diakroni. Në këtë rrafsh, arbëreshëve në shekuj pak mund t’u atribuohet veç një sigurie të turbullt dhe gjysmë mitike për prejardhjen e tyre nga përtej detit, mbështjellë me mjegullën e kujtimit kolektiv të Gjergj Kastriotit. Çka thonë e ndonjëherë besojnë vetë arbëreshët sot është shpesh rezultat i ndikimit që kanë pasur në vetëdijën e tyre kolektive figura të tilla si De Rada, me tezat e njohura romantike të së kaluarës së lavdishme e profetike për zgjimin e lavdive të djeshme. Nuk duhet harruar, megjithatë, se popullsia e ngulimeve, për nga natyra e ngulimeve vetë, identifikohej kryesisht me besimin fetar ashtu siç organizohej rreth institucionit të Kishës; e aq më tepër vlen kjo po të kihet parasysh se, nga pikëpamja historike-sociologjike, ngulimet arbëreshe në Itali janë tipologjikisht relike të Mesjetës, ose të një periudhe kur identiteti kombëtar ende nuk kishte marrë trajtat që ia njohim sot. Vetë Italia e shekullit XIX të De Radës profet të Rilindjes Kombëtare shqiptare priste lëvizjen e vet të Zgjimit, për t’u bashkuar në një komb të vetëm. Kombi dhe vetëdija kombëtare janë tek e fundit procese dinamike që u përgjigjen rrethanave historike dhe sociale, jo ligjeve të natyrës e të “gjakut”.

Miti naiv se stërgjyshët e arbëreshëve të Italisë, të prirë nga fisnikët e tyre, u larguan nga trojet shqiptare në Ballkan për t’i shpëtuar kuçedrës osmane pas vdekjes së Skënderbeut dhe fundit të rezistencës shqiptare ndaj Portës së Lartë është kështu në masë të madhe produkt i rrëfenjave romantike të Rilindjes dhe i skemave ngushëllimtare të ideologjisë kombëtariste shqiptare. Për ta mbajtur larg shqyrtimit kritik të historisë, nuk mjafton të thuhet që është i sajuar e i mbështetur mbi një interpretim voluntarist të historisë, qoftë ndër arbëreshët vetë nga periudha romantike e këtej, qoftë në Shqipëri më pas. Ndonjë autor ikonoklast, si Arshi Pipa, ka përsiatur idenë se edhe kujtimi i Skënderbeut ndër arbëreshët i detyrohet një shartimi kulturor të vonë nga ana e elitave, dhe se rapsoditë mbledhur e përpunuar nga De Rada, të cilat gjithnjë janë përdorur si provë e persistencës së kujtesës historike ndër arbëreshë, janë në të vërtetë krijim i De Radës vetë, ose një formë arbëreshe e osianizmit. Pipa gjente kështu diçka të përbashkët midis orvatjes së De Radës për t’ia dhënë një kujtesë historike ngushëllimtare arbëreshëve dhe krejt shqiptarëve, dhe veprës së poetit skocez të shek. XVIII James Macpherson, i cili botoi vëllimin me titull Fragmente poemash të lashta qëmtuar në malësitë skoceze, duke e paraqitur si përkthim të poemave origjinale të Osianit, një poet legjendar kelt, por që në të vërtetë e kish shkruar Macpherson-i vetë. Pavarësisht nga kjo hipotezë që mbetet për t’u shoshitur, bustet e Skënderbeut që hijeshojnë sheshet e katundeve arbëreshe, sikurse stemat heraldike të familjeve fisnike arbërore në shtëpitë e arbëreshëve të sotëm, nuk duket të kenë aq lidhje me vijueshmërinë e pandërprerë të kujtesës historike mesjetare ndër arbëreshët e sotëm, sesa me dëshirën për ta pasur një vijueshmëri të tillë historike, në kundërvënie me margjinalizimin e arbëreshëve si pakicë në Italinë e sotme.

Në të vërtetë, ikje masive pas disfatës së rezistencës shqiptare ndaj Portës së Lartë do të ketë pasur, por kryesisht nga zonat ku edhe kjo rezistencë ishte vërtet e shprehur në vitet 70 të shekullit XV: Kruja, Shkodra, Durrësi, Lezha, Drishti, Danja, Ulqini, Tivari e në përgjithësi Shqipëria e Veriut dhe e Mesme. Popullsia e atyre zonave do të ketë qenë popullsi gege a gegërisht folëse, siç na e vërteton, ndër të tjera, e mirënjohura Formulë e Pagëzimit e Pal Engjëllit (e vitit 1462), dokumenti i parë i shqipes së shkruar, në gegërishte të kulluar. Nga ana tjetër, të folmet e arbëreshëve të Italisë sot jo vetëm i përkasin toskërishtes fund e krye, por edhe tipologjikisht u afrohen të folmeve më jugore të toskërishtes ballkanike, dhe pikërisht çamërishtes. Shenja të gegërishtes në të folmet e sotme arbëreshe praktikisht nuk janë gjetur. Ka vend, në këtë kontekst, të pyetet se ku përfunduan gjithë ata gegë, që i dhanë Skënderbeut masën kryesore të ushtrive të veta dhe bazën e nevojshme sociale për rezistencën. Alain Ducellier, i cili është autoritet për diasporat etnike të Mesdheut mesjetar, ka ndjekur gjurmë të shumta të refugjatëve arbëreshë gegë në arkivat e qyteteve e qytezave italiane të Adriatikut, që nga Venezia e poshtë në Abruzzo e Puglia. Duket se këta refugjatë, brenda pak brezash u tretën në popullsinë vendase dhe u italianizuan krejt; pse u vendosën në qytetet dhe jetuan së bashku me banorët italianë, në vend që të themelonin ngulime, si arbëreshët e Jugut; por kryesisht ngaqë arbëreshët gegë ishin të së njëjtës fé me italianët vendas: katolikë. Për të kuptuar rëndësinë kritike që pati feja në ruajtjen e identitetit etnik të arbëreshëve në Itali të Jugut, mjafton të përmendet edhe ekzistenca e një lëvizjeje paradoksale në vitet 1870 në arbëreshë të Italisë së Jugut, për “riatdhesimin” në Greqi, siç edhe u realizua për banorët e katundit Badessa, të cilët u vendosën në katundet arvanitase të Sulimohorëve të Trifilias; në një kohë që arbëreshë të mëtejshëm nuk u pranuan nga shteti grek edhe pse ishin të gatshëm për t’u kthyer në “mëmëdhe” (Aristidh Kola, Arvanitasit dhe prejardhja e grekëve, Shëpia botuese “55”, Tiranë 2002, f. 232.)

Megjithatë, një pjesë e elitave lokale arbëreshe, kryesisht priftërinj e mësues, gjithnjë kanë dashur për arbëreshët që t’i afrohen identitetit shqiptar, madje duke e ndier veten edhe si vazhdues të misionit të shenjtë të De Radës e të rilindasve të tjerë arbëreshë, që luajtën rol të dorës së parë në përndjeshmimin e opinionit publik evropian për çështjen shqiptare në Ballkan, gjatë shekullit XIX . Për fat të keq, kjo dëshirë duket të ketë qenë shumë më e fortë në vitet kur Shqipëria ishte “fanar ndriçues” i komunizmit në Evropë, sesa pas 1990-ës. Fiaskoja e Shqipërisë si shtet evropian gjatë këtyre viteve të fundit ua ka prerë hovin të gjithë atyre arbëreshëve që përnjimend shpresojnë në afrimin shqiptaro-arbëresh përtej retorikës fjalëmadhe të “gjakut të shprishur” e busteve të Skënderbeut në pjacat e katundeve. Të kishte qenë shtet më i suksesshëm Shqipëria, e të ishin sjellë më me dinjitet shqiptarët e shpërndarë në Evropën e pas Luftës së Ftohtë, lëvizja shqiptariste ndër arbëreshët do të kish qenë patjetër më e fortë e më e përligjur. Por sot për sot e me këtë Shqipëri që kemi, pakkush do të dëshironte ta merrnin gabimisht për shqiptar...

Për shqiptarët e sotëm, mitet kombëtariste mbeten megjithatë kolona të identitetit, sikurse edhe shihet nga reaksionet ndonjëherë tepër emocionale sa herë që dikush orvatet t’i marrë në pyetje. Mirëpo mënyra si funksionojnë sot këto mite nuk mund të njëjtësohet me funksionimin e tyre kur po popullarizoheshin, d.m.th. në kohë të Rilindjes kombëtare. Një shekull e kusur më parë, mitet kombëtare kishin për synim konstituimin e shqiptarëve si komb. Ky funksion sot ka mbijetuar si funksion riprodhues, në kuptimin që mbrojtësit e mitit thonë se ky është i nevojshëm për riprodhimin e ndjenjës kombëtare dhe të përkatësisë në bashkësinë kolektive të kombit. Çështja është, megjithatë, se çfarë po riprodhohet, përveç mitit vetë. Të thuash, bie fjala, që shqiptarë janë ata që e mbajnë veten “pasardhësit e Skënderbeut” (ose të “Lekës”, të “Pirros”, të “Udhësit” e kështu me radhë), duke e bërë të vetin mitin kombëtar të Rilindjes do të thotë ta kthesh përkatësinë kombëtare në një lloj kredoje politike, dhe kombin vetë në organizatë politike me program të caktuar.

Nevoja për një përvijim të kujfijve të shqiptarisë sot merr rëndësi praktike edhe në kushtet e ballafaqimit midis shqiptares dhe joshqiptares në përvojën e përditshme të çdo shqiptari të mërguar, i cili e përjeton identitetin e vet edhe si përpjekje për të ruajtur drejtpeshimin midis asimilimit në kulturën vendëse dhe vetizolimit në emër të ruajtjes së shqiptarisë së origjinës. Ndryshe nga arbëreshët e djeshëm, shqiptarët e sotëm nuk janë zhvendosur prej Shqipërie për të themeluar ngulime në brigjet e Mesdheut, por për t’u përfshirë në proceset globale të punës, përvetësimit kulturor dhe krijimit të vlerave materiale; prandaj për ta shpesh asimilimi nuk është rrezik për t’iu ruajtur ose kërcënim nga jashtë, por kusht i integrimit në vendet pritëse. Fëmijët e familjeve të mërguara shpesh përfshihen tërësisht në rrjetëzimet komunikative të mediave e të edukimit, ose në proceset që tek e fundit kanë për synim prodhimin e qytetarëve të vendeve ku jetojnë sot të mërguarit shqiptarë, e që nuk mund të shmangen nga askush që synon suksesin në karrierë ose realizimin e vetvetes. Arbëreshët e ruajtën gjuhën si instrument të vyer të riprodhimit të vetëdijes së tyre etnike; ndërsa shqiptarët e sotëm ndihen të pafuqishëm e të pamotivuar përballë trysnisë gjuhësore qendërzuese e homogjenizuese të kulturave pritëse, meqë kualifikimi gjuhësor është kusht themelor për integrimin në zonat metropolitane. Për këtë arsye, prirja është që shqipes si tipar përcaktues kombëtar t’ia zërë vendin miti kombëtarist i rrënjëve, ose vetëdija e rreme e “gjakut” shqiptar, si faktor përbashkues i shqiptarëve anembanë botës. Falë këtij mekanizmi surrogato, shqiptaria e diasporave të sotme vjen e u ngjan erëzave në gjellë, duke u katandisur në aromë etnike të një jete të përditshme përndryshe krejtësisht të asimiluar nga kultura pritëse; krahas me këngët popullore shqiptare të luajtura në veturë, medalionet e t-shirt-et me shqiponjën e zezë dykrenare, tavën e kosit e byrekun me gjizë, dhe mitet hiper-inflacioniste të shqiptarëve të kudopranishëm sa në rrënjët, aq edhe në burbuqet e qytetërimit planetar.

No comments: