Monday, October 16, 2006

Kadare i jep pergjigje Paskal Milos

note: artikulli i Kadarese ka vend ne blogger vetem per faktin qe Paskal Milo eshte nga Palasa. Ndonse nga artikulli i Kkadarese nuk arrijme te marrim vesh se ku eshte "terbimi" i Paskal Milos, presim qe ndokush te sjelle ne blogger artikullin apo artikujt e Paskal Milo per Kadarene. Tani cmimi Nobel u dha keshtu qe nuk besoj se akuzohemi per "zhurmues" te figures se Kadarese

Më datën 11 tetor, në emisionin shqip të «Zërit të Amerikës», pyetjes lidhur me dënimin e krimeve të komunizmit në Shqipëri dhe hapjes së arkivave të fshehta, i jam përgjigjur, ashtu si shumica e shqiptarëve, në formë pohuese. Lidhur me këtë, kam shtuar se është monstruoze kërkesa për nderimin e diktatorit komunist.

Ndonëse për këtë të fundit nuk kam përmendur ndonjë emër, kryetari i partisë të Demokracisë Sociale, Paskal Milo, ka shpërthyer kundër meje një fushatë histerike, duke kapërcyer çdo masë të asaj që quhet përgjigje propocionale.

Personazhi është i njohur. Në rastin e një anketimi për vrasjen ose vetvrasjen e ish kryeministrit shqiptar me 1981, e kemi parë të gjithë kur ka dalë në ekran të TV-së me një letër kinse origjinale të viktimës, për të çorientuar publikun shqiptar dhe për të mbrojtur tezën zyrtare se ish kryeministri nuk është vrarë prej shokëve të vet të Byrosë Politike. Është e qartë se sa herë që familjes Hoxha i duhet një ndërhyrje e shpejtë për diçka, ky personazh është i pamunguar.

Por kjo është punë e tij. Ajo që nuk është vetëm punë e tij, por ka të bëjë me gjithë shoqërinë shqiptare është se ky njeri paraqitet si historian. Ai bën pjesë në ekipin që ka mbrojtur e vazhdon të mbrojë falsifikimet e rënda të historisë, ato që, ashtu si në krejt ish perandorinë komuniste, kanë ndodhur, por në mënyrë të shumëfishuar në Shqipëri. Do të mjaftonte vetëm një shembull, për të kuptuar se sa larg shkon ky falsifikim.

Është fjala për aktin më të turpshëm të historisë shqiptare, e ndoshta të krejt Europës, propozimi që udhëheqja e këtij vendi i bëri Titos më 1947 për bashkimin e Shqipërisë me Jugosllavinë. I trembur prej shantazheve të jugosllavëve, të cilët e kanë letrën origjinale, Enver Hoxha në librin “Titistët”, shkruar e botuar pak para vdekjes, është i detyruar ta pohojë këtë propozim.

Justifikimet e tij, se udhëheqja shqiptare donte të provonte se sa i poshtër ishte Titoja nëse e pranonte, janë për të qeshur. Gjer më sot nuk është njohur në botë ndonjë rast kur një qeveri i bën dhuratë vendin e vet një tjetër qeverie, për të provuar se sa e keqe është kjo qeveri e dytë. Historianët e tipit Milo jo vetëm nuk merren kurrë me kësi të vërtetash, por përgjojnë e vigjëlojnë që askush të mos i zbulojë ato.

Të kthehemi tek pohimi që kam bërë në “Zërin e Amerikës”. Është pohimi i zakonshëm, i shqiptuar këto ditë nga, së paku, tre çereku i shqiptarëve. Nisur nga kjo vetvetiu del pyetja: përse ky tërbim kundër një shkrimtari, i cili, në këtë rast, nuk ka thënë ndonjë gjë fort origjinale?

Nga vjen ky përqendrim i goditjes tek një njeri, në kohën kur çështja e shtruar ka lidhje me gjithë shoqërinë shqiptare? Shumë vite më parë kam propozuar publikisht hapjen e arkivave të fshehta dhe dënimin e krimeve, por në asnjë rast nuk kam kërkuar të jap përshtypjen e një nismëtari, ngaqë kam menduar se një proces i tillë do të ishte i thellë atëhere kur të vinte si nevojë e ndërgjegjësimit të krejt shoqërisë.

Në intervistën e “Zërit të Amerikës” nuk ka gjithashtu ndonjë zell të tepruar, përkundrazi, është theksuar disa herë se ky proces jo i gëzueshëm, përveçse duhet të jetë i kufizuar vetëm tek njerëzit publikë, duhet bërë me seriozitet, pa nervozizëm e pa ndjenjë revanshi. Përsëri del pyetja, përse atëhere ky acarim kaq i pakontrolluar? Është e qartë se kemi të bëjmë me një mllef të grumbulluar, një urrejtje të ftohtë e një hakmarrje që pret të shpërthejë.

Në parathënien e librit “Vilsoni e Genci“ të autorit Sadik Bejko, libër që iu kushtohet dy poetëve të pushkatuar më 1977, Vilson Blloshmi e Genc Leka, kam shkruar, midis të tjerash, se sa herë që në Shqipërinë e sotme dikush do të shkelë ca gjëra , që për stalinistët quhen tabù, kundër tij hakmarrja nuk do të vonojë. E ndër dy tabutë kryesore janë përmendur: krimet e diktaturës dhe paratë e grabitura të popullit shqiptar e të depozituara jashtë shtetit prej kupolës së diktaturës. Ndër këto, ndërsa tabuja e parë është duke u thyer, e dyta vazhdon të jetë siç ka qenë.

Me sa duket, këtu qëndron kyçi që shpjegon histerinë e papërmbajtur të Milos. Ashtu si herët e tjera, dikush i ka kërkuar të ndërhyjë. Të ndërhyjë për të hedhur baltë mbi një shkrimtar të njohur, vetëm se ka shprehur një mendim që stalinistëve shqiptarë iu prish punë. Me këtë ata duan të bëjnë një provë force, të tregojnë se janë ende në gjendje të mbyllin gojët e njerëzve, si dikur. Ata duan të paralizojnë mendimin e lirë dhe, bashkë me të, procesin e zbulimit të krimeve, që Këshilli i Europës, bashkë me ndërgjegjen shqiptare e kërkojnë sot më fort se kurrë.

Ndërkaq ne e dimë se kjo nuk është veçse një trysni kufomash. Koha e tyre ka vdekur. Të tilla janë edhe shantazhet e tyre, shpifjet e nxjerra nga uzina e ndryshkur e ish policisë së fshehtë shqiptare, shpifje që në gojën e një kryetari partie tingëllojnë dyfish të neveritshme. Për stalinistët e tipit Milo s’ka nevojë opozita e sotme shqiptare. Madje për ta s’kanë nevojë as ish-komunistët, ata që dikur sinqerisht besuan në idetë dhe iluzionin e komunizmit. Në fund të fundit, për këta horra pa atdhe të politikës nuk ka nevojë kurrkush.

No comments: