Wednesday, October 25, 2006

Xherar Filip nga Simbad Detari

Shumë prej nesh e ruajnë padyshim të gjallë në kujtesë idhullin e brezit tonë Zherar Filipin. Për talentin, bukurinë, hijeshinë, inteligjencën? Padyshim, por ai kishte shumë më tepër se këto. Diçka vërtet tepër misterioze e cila bën që ai, të mbetet i paharruar e vazhdimisht i mes nesh. Ndërkohë që kanë kaluar më tepër se 45 vjet nga shuarja e tij, miti i princit të pavdekshëm të kinemasë franceze, vazhdon të jetë gjithmonë i gjallë.

Nga Simbad Detari
… Në veturë ishim katër vetë. Marsela, Fransinë, Antuan dhe unë. Udhëtonim për në Ramatuelle, një fshat i vogël në varrezat e të cilit prehet aktori i shquar i kinemasë franceze, Zherar Filip (Gérard Philipe ). Ishim nisur nga Roquebrune Cap Martin dhe po përshkonim rrugën plot dredha përgjatë Bregut te Kaltër ( Cote d’Azur ), ndërkohe që para nesh shpaloseshin, njëra pas tjetrës panoramat magjepsëse të tij. Ish një dëshirë e vjetër, por e paimagjinueshme kurrë, ajo që unë i kisha shprehur një mbrëmje vjeshte, shoqes ime Fransinë. Di që këtu afër, në një fshat afër Kanës (Cannes ), është varrosur Zherar Filip – i thashë – Sa mirë do të ishte, sikur një ditë të mund të shkonim atje. Ai kish qenë e mbetej idhulli im e, përderisa ndodhesha në Provancë, dëshiroja ta realizoja me çdo kusht atë dëshirë. Dhe Francinë e kish mbajtur fjalën. I kish mbushur mendjen Antuanit, i cili s’i donte dhe aq shëtitjet me makinë dhe, në mbasditën e një fundjave, pasi ndalëm në Montekarlo për të marrë me vete dhe miken e tyre të ngushtë Marselën, u nisëm për rrugë …

Plazhet dhe gjinjtë e vegjël buzë detit me ujërat ngjyrë gurkali, të cilat më sillnin para syve pamjet e largëta të qytetit tim, Kalasë dhe Jonufrës, më bënë të kthehem prapa në kujtime e të sillja në mend, gjithçka intime që më lidhte me imazhin e atij aktori të shquar. Në fakt, Zherar Filip kish qenë një artist i adhuruar jo vetëm për mua, por për breza të tërë. Filmat e tij “Fanfan Tulipan”, “Manastiri i Parmës”, “E kuqja dhe e zeza”, “Manovrat e mëdha” e “Mrekullia e djallit”, ishin shfaqur bujshëm në kinematë shqiptare, kryesisht në mesin e viteve ’60. Me subjektet, pasionin, delikatesën dhe shkëlqimin e pashoq të interpretimit të Zherar Filipit, ata kishin tronditur e turbulluar rrëmbyeshëm zemrat tona adoleshente duke e kthyer atë në mit, princ të bukurisë e madhështor në lojën e mrekullueshme si aktor. E, teksa mendoja këto, brenda vetes po ndjeja një sentiment të habitshëm. Vegimi i portretit të tij herë gazmor e herë i përdëllyer, për çudi s’më vinte nga vendi i tij i lindjes ku edhe ndodhesha, por nga tepër larg. Pikërisht nga qyteti im i lindjes, nga kinemaja e tij me një ekran prej pëlhure të zverdhur, ku dritat e projektorëve mbi celuloid u zgjonin jo pak dridhje, ëndrra e mirazhe, jetës sonë të varfër e tepër të zymtë djaloshare.

Vazhdimin mund ta lexoni duke klikuar ne linkun me poshte:
http://solarplexus.over-blog.com/

No comments: