Sunday, November 05, 2006

Diana Çuli: Po shtrembërojnë të vërtetën ndaj meje

Note: Diana Culi ne mos gabohem eshte me origjine nga zona e Himares. Shkrimtarja dhe deputetja Diana Çuli kërkon ndjesë dhe replikon.

Elsa Demo
Shekulli 05/11/2006

Diana Çuli I përgjigjet atyre që ajo I quan sulme për denigrim të figurës së saj, duke I veshur përgjegjësinë për vrasjen në vitin 1977 e dy poetëve Genc Leka e Vilson Blloshmi. “Zoti ministër i Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Bujar Leskaj, më sulmoi duke më quajtur përgjegjëse për vrasjen e dy poetëve, Vilson Blloshmi dhe Genc Leka. Ky sulm u pasua nga artikuj të ndryshëm në shtyp, ku u përsërit e njëjta gjë. Me anë të kësaj deklarate dëshiroj të bëj të ditur se ky sulm është i përsëritur prej vitesh, në varësi të interesave të ndonjë grupi të caktuar njerëzish, por edhe nga persona të lidhur me viktimat, të cilët, të lënduar nga dhimbja dhe të ndikuar nga fushata mediatike, identifikuan akuzatorin me personin tim.” Spekullim politik dhe sulm të maxhorancës e ka quajtur shkrimtarja dhe deputetja e PSD-së. Kjo deklaratë e Çulit bëhet pak ditë pas botimit të librit “Vilsoni dhe genci” i autorit Sadik Bejko, një libër i pajisur me dokumente arkuivorë dhe ku përfshihet edhe ekspertiza e Çulit që ka bërë për poezitë e Genc Lekës, e veç saj edhe dy ekspertiza të tjera të dy figurave të njohura të letërsisë shqipe. “E vërteta është se nuk ka patur asnjë ligj në Kodin Penal të asaj kohe që të jepte dënimin me vdekje për poezi pesimiste apo të paqarta dhe askush nuk është ndëshkuar me atë dënim për këtë arsye. Kjo është fare e qartë për këdo. Recenca si ajo e shkruar prej meje tridhjetë vjet më parë - në redaksinë e gazetës dhe jo në hetuesi, - sepse unë nuk jam paraqitur asnjëherë në hetuesi, prokurori apo gjyq për këtë çështje - shkruheshin edhe për krijimet e mija dhe të kolegëve të tjerë, madje dhe shumë më të rënda.” Deklara e shkrimtares deputete përmbante thuajse të njëjtat shpjegime që ajo ka dhënë me kohë për këtë histori. Argumente si në atë kohë, kam qenë vetëm 25 vjeç; ai ka qenë gjykimi im për letërsinë në atë moshë dhe në atë periudhë. E reja në këtë deklaratë është pohimi se Çuli nuk e paskësh ditur kush ishte autori i poezive, ku jetonte apo çfarë pune bënte në jetë. “Padyshim që kur e kam marrë vesh tragjedinë, në fillim të viteve ‘90, jam ndjerë shumë keq dhe vazhdoj të ndihem. Jam ndjerë keq dhe për dogmatizimin e kohës që shprehet edhe në analizën time, për koincidencën që ajo analizë imja ka përfunduar në një dosje gjyqësore dhe për tragjedinë që ka pasuar.” Mes rreshtave Çuli për herë të parë ka shprehur ndjesë kaq hapur, në publik për familjet e viktimave. “Por e kam të qartë se ndjesa për atë veprim të rinisë, të kryer padashur, është pak për familjen e poetit. Vepra ime e mëpasme dëshmon të kundërtën.” Ajo e mbyll këtë deklatë duke përsëritur se po hidhet mbi të përgjegjësia e dënimit me vdekje dhe po përdoret si fushatë. “Grupi i njerëzve që sot i fryn kësaj fushate, padyshim kërkon të fshehë të vërtetën, të mbrojë akuzatorët dhe organizatorët e vërtetë të gjyqit tragjik, akuzat e vërteta me anë të të cilave poetët u ndëshkuan me dënimin kapital. Ndoshta, dikush brenda këtij grupi kërkon të mbulojë gjurmët e veta, duke përhapur tymnaja të këtij lloji. Ky grup i errët përdor të njëjtat metoda të dikurshme, për të shkaktuar viktima të reja.”

No comments: