Thursday, November 09, 2006

Dule: Vendimi, në përputhje me rregullat e Bashkimit Evropian

Shekulli

Kryetari i PBDNJ-së, Vangjel Dule, mbështeti vendimin e qeverisë së Greqisë për dhënien e nënshtetësisë greke banorëve të minoritetit grek që jetojnë në Shqipëri. Dule tha dje për mediat, se dyshtetësia merret në mënyrë individuale. Por, sipas tij, kjo do të varet nga aktet nënligjore të vendimit që ka marrë qeveria greke.“Natyrisht, që kërkon aplikim individual. Është një çështje që në aspektin praktik gjykohet dhe vendoset në rrafshin individual. Rrjedhimisht se kë do të prekë, sa do të prekë dhe kur do t’i prekë, mbetet për t’u parë në aktet nënligjore që do të rrjedhin nga ky vendim që ishte një vendim në parim”, - tha Dule. Kryetari i PBDNJ-së shtoi se, minoritarët që jetojnë në Shqipëri pas marrjes së nënshtetësisë greke, nuk janë të detyruar që të lënë nënshtetësinë shqiptare. Dule sqaroi më tej, se vendimi i qeverisë greke është në përputhje me rregullat e Bashkimit Europian. “Edhe ky vendim është konform legjislacionit në fuqi në Bashkimin Europian dhe garanton pikërisht dynënshtetësi. Sa për dijeni, kemi Konventën e Këshillit të Europës, e cila është miratuar edhe nga vendi ynë, pra kjo konventë është nënshkruar dhe garanton të drejtën e dy apo më shumë shtetësive për anëtarët e vendeve të Evropës dhe është kjo konventë, e cila parashikon edhe aspekte të tjera që rregullojnë të drejtat dhe detyrimet e qytetarëve të vendeve anëtare me dy apo më shumë shtetësi”,- tha Dule, partia e të cilit, më së shumti përfaqëson të drejtat e minoritetit grek.

No comments: