Thursday, November 09, 2006

Nënshtetësia, Berisha: Vendim pozitiv, për emigrantët tanë në Greqi

Shekulli

Kryeministri, Sali Berisha, e ka cilësuar një hap pozitiv dje vendimin e qeverisë greke, për dhënien e nënshtetësisë minoritarëve grek, por duke marrë të mirëqenë faktin se vendimi lidhej me emigrantët shqiptarë në Greqi që janë të pajisur me kartën e homogjenit. “Qëndrimi im është, që Greqia dhe të gjitha vendet anëtare të BE-së, të mund t’jua japin nënshtetësinë sa më shpejt të jetë e mundur të gjithë emigrantëve që punojnë aty. Nuk është pasaporta ajo që ndryshon kombësinë, as dhe identitetin kombëtar. Ky është një akt që lehtëson jetën e qytetarëve me origjinë shqiptare në Greqi, në Itali, në Gjermani apo kudo që ata mund të ndodhen. Vendimi i qeverisë greke, është në kuadrin e normalizimit të mëtejshëm të jetës së tyre”,- tha dje Berisha, pas pyetjes se përfaqësuesve të medias lidhur me vendimin e dy ditëve më parë të marrë nga qeveria greke. Në fakt, kryeministri Berisha ka theksuar edhe njëherë se vendimi në fjalë, është marrë për qytetarët që jetojnë dhe punojnë në Greqi. “Ky vendim është marrë për qytetarët që jetojnë dhe punojnë në Greqi, gjë të cilën unë e shoh si një përparësi për ta”,- tha Berisha. Ndërkohë, dy ditë më parë, qeveria greke vendosi që për të gjithë shtetasit shqiptare me kombësi greke, që kanë Kartën e Homogjenit (dokumenti që vërteton kombësinë greke) do të mund të marrin pasaportë greke. Po dy dite me parë, si ministrja e Jashtme, Dora Bakojanis, ashtu edhe ministri i Brendshëm grek, saktësuan se edhe Kushtetuta Shqiptare e lejon dhënien e dyshtetësisë, duke lënë të kuptohet se vendimi përfshinte edhe shtetasit shqiptarë që jetojnë në Shqipëri, dhe që janë të pajisur me kartën e homogjenit.

No comments: