Wednesday, November 01, 2006

Ekspedita shqiptaro-greke, Antigonea

Ekspedita shqiptaro-greke, përfundon misioni

Shekulli


Gjirokastër - Ekspedita arkeologjike greko-shqiptare në qytetin antik të Antigonesë ka përfundon misionin e një muaji gërmimesh. U bënë kërkime në pjesën qëndrore të qytetit antik, në disa fragmente të murit të dytë rrethues, u kryen rilevimi topografik i gërmimeve të mëparshme dhe disa sondazhe në vendet ku mendohet se ndodhen nekropoli dhe teatri i qytetit. U zbuluan një pjesë e bllokut të banesave më peristil, një mur poligonal dhe sende të përdorimit të përditshëm. Në një kuadrat banesash të vendosura në pjesën qëndrore të Antigonesë 2 300-vjeçare u gjendën 15 monedha bronzi, shumica e të cilave me mbishkrimin IPIROTOM, ANTIGONON dhe disa me mbishktimin APOLLON. Në inventarin e gjetjeve përfshihen sende të tjera të përdorimit të përditshëm kulturor, ushtarak, ekonomik dhe jetik si enë balte, amfora, pjata balte, tjegulla që shërbenin për mbulimin e çative, maja heshtash, gjyle guri, fragmente të godinave urbane dhe të mureve rrethues. “Ndonëse numri i monedhave të zbuluara në Antigone edhe në ekspeditat e realizuara këtu kryesisht nga prof. Dhimosten Budina, arrin në 1 000 copë dhe që u përkasin qytetërimeve të ndryshme nga Azia e Vogël, Greqia, Kërkyra e deri dhe Roma e Lashtë, e që dëshmojnë për shkëmbimet ekomomike, monedhat e gjetura nga kjo ekspeditë kanë rëndësinë e tyre shkencore dhe historike. Do duhen studime të plota nga ekspertët e fushës”, theksojnë arkeologët. Në anën Lindore dhe Jugore të Antigonesë, rreth 450-500 metra jashtë murit fortifikues me gurë pareloid, u zbulua një mur poligonal që sipas ekspertëve dëshmon për një teknikë të lartë ndërtimi të kohës. Sipas drejtorit të Zyrës së Administrimit dhe Menaxhimit të Parkut të Antigonesë, Ëngjëll Serjani “u nënshkrua një marrëveshje mes Institutit Arkeologjik të Tiranës dhe ZAMPAA për një fazë të dytë ekspedite shqiptaro-greke.” U ra dakord që në kuadrin e bashkëveprimit shkencor të dy palëve Institutit Arkeologjik në Tiranë dhe Eforirinë Prehistorike Klasike Nr. 12 të Janinës, të vazhdojnë kërkimet gjatë vitit 2007. Një varr monumental i vendosur në pjesën ku dikur mendohet të jetë shtrirë nekropoli i qytetit antik epirot i Antigonesë dhe disa objekte brenda tij si pjesa e përparme të një përkrenareje prej bronzi dhe disa armë ishin disa nga zbulimet e arkeologëve që kishin zbritur aty më në fund pas 20 vitesh.

01/11/2006

No comments: