Thursday, November 16, 2006

Myftaraj i ben biografine Pollos

I Saturday, 04 November 2006 ("Sot")

Misteret e karrierës së Genc Pollos nipit të oficerit grek Take Pollo


Nga Kastriot Myftaraj - Kur Genc Pollo hyri në politikë me instalimin e pluralizmit politik në Shqipëri, në dhjetor 1990, ai i kishte të gjitha kredencialet për të hyrë natyrshëm në lidershipin e ri të partisë së majtë të reformuar që do të dilte nga PPSH, çka pas gjashtë muajsh do të ishte PS.Genc Pollo i përkiste një familjeje të nomenklaturës komuniste të kohës- babai i tij Stefanaq Pollo ishte drejtor i Institutit të Historisë, një post shumë i rëndësishëm ky në hierarkinë akademike të regjimit komunist, që kishte obsesionin e manipulimit të historisë, aq saktë të përshkruar nga George Orwell tek “1984“. Kështu, Genc Pollos i shkonte shprehja “born with a silver spoon in his mouth“ (i lindur me lugë argjendi në gojë) që përdorej dikur për pinjollët e familjeve aristokratike. Genc Pollos në jetë nuk i mbetej veç të shijonte të mirat që do t’ i jepnin me “lugën e argjendtë“. I ati i tij, patriarku i historiografisë komuniste, Stefanaq Pollo, po i përgatiste një karrierë nën hijen e vet. Genc Pollo u diplomua në Universitetin e Tiranës në vitin 1986 për histori, me një specializim në arkeologji. Me të marrë diplomën u emërua në sektorin e kërkimit shkencor në Akademinë e Shkencave, në një kohë që bashkëstudentët e vet merrnin emërimin si mësues historie. Pasi u end për dy vjet korridoreve të Akademisë së Shkencave pa u shquar për ndonjë gjë, në vitin 1988 ai fitoi të drejtën për të bërë një specializim dyvjeçar në Universitetin e Vjenës, në Austri. Izolimi në atë kohë ishte për shqiptarët e thjeshtë, të cilët duhet të mbaheshin larg influencës së dëmshme të botës kapitaliste, ndërsa njerëzit e nomenklaturës ishin të privilegjuar në këtë pikë. Kur u kthye në Shqipëri, në vitin 1990, Pollo u emërua në Institutin e Arkeologjisë në Tiranë, ku drejtor ishte Neritan Ceka. Pra, Pollo, për nga origjina familjare dhe privilegjet që kishte pasur, i përkiste “establishmentit” komunist që ishte i lidhur me PPSH-në dhe që me ndryshimet politike që po ndodhnin në Shqipërinë e vitit 1990, duhej të qe pjesë e atij grupimi intelektualësh të rinj që do të reformonin PPSH-në duke e shndërruar në një parti të majtë të llojit të socialdemokracisë perëndimore. Në këtë rol do të qe i natyrshëm dhe legjitim angazhimi politik i Genc Pollos me instalimin e pluralizmit politik në Shqipëri. Përndryshe ishte krejt e panatyrshme dhe kompromentuese për të parën parti opozitare që u krijua në Shqipëri në dhjetor 1990, pra për PD-në, që Genc Pollo dhe të tjerë si ai hynë në lidershipin e kësaj partie me krijimin e saj. Me këta nuk dua të them se komunistët dhe bijtë e familjeve komuniste nuk duhej të hynin në lidershipin e partive opozitare me PPSH. Madje ardhja e tyre ishte e domosdoshme që të çahej blloku monolit që kërkonte të krijonte PPSH me 200 mijë anëtarët dhe kandidatët e partisë dhe njerëzit e familjeve të tyre. Por, këtu duheshin përjashtuar, në mënyrë të natyrshme, njerëzit që u përkisnin 2-3 mijë familjeve të lidhura ngushtë me PPSH-në dhe që përbënin nomenklaturën. Ardhja e njerëzve nga këto familje në lidershipin e PD-së nuk kishte sens as edhe nga pikëpamja elektorale se këta njerëz nuk mund ta bënin shtresën së cilës i përkisnin që votonte për PD-në dhe koha e tregoi se nuk arritën që ta bëjnë dot këtë gjë. Miranda Vickers, reportere për Shqipërinë e Grupit Ndërkombëtar të Krizave, në librin e saj “Shqipëria-nga anarkia te një identitet ballkanik” e përshkruan kështu Genc Pollon: “Genc Pollo, i biri i njërit nga nomenklatura e vjetër, që më vonë u bë zëdhënësi kryesor i Berishës”. (Miranda Vickers: “Shqipëria- nga anarkia te një identitet ballkanik”, “Toena”, Tiranë 1998, f. 58) Hyrja në lidershipin e PD-së, që me krijimin e kësaj partie, e njerëzve si Genc Pollo mund të shpjegohet vetëm me skemën e regjimit komunist për të kontrolluar partitë opozitare me anë të njerëzve të nomenklaturës. Kur në 13 dhjetor 1990 u krijua komisioni nismëtar prej 16 vetësh i PD-së, që funksiononte edhe si forum drejtues i partisë, Genc Pollo nuk u përfshi atje me ndërhyrjen e Gramoz Pashkos, i cili, duke qenë vetë pinjoll i një familjeje të nomenklaturës, kishte frikë se mos binte në sy për keq që në lidershipin e partisë së re kishte shumë njerëz të nomenklaturës. Por, Genc Pollo, edhe pse mbeti jashtë komisionit nismëtar të PD-së u emërua zëdhënës i partisë së re, së bashku me Preç Zogajn që ishte anëtar i komisionit nismëtar. Pra ishte e qartë se një dorë e fshehtë, donte që ta mbante Genc Pollon, në një mënyrë ose në një tjetër, në lidershipin e partisë së re. Se kush ishte kjo dorë, kjo u kuptua pas disa ditësh në janar 1991, kur gjatë vizitës së kryeministrit grek Micotakis në Tiranë, Genc Pollo u përfshi në përfaqësinë e PD-së që u takua me kryeministrin grek. Në këtë takim kryeministri grek dha të kuptojë simpatinë e tij, në rradhë të parë për Gramoz Pashkon dhe pastaj për Genc Pollon, u përpoq të joshte Azem Hajdarin që ia prezantuan si lider të lëvizjes studentore dhe kryetar të përkohshëm të partisë dhe e injoroi krejtësisht Sali Berishën, “ylli” i të cilit ishte duke u ngjitur në “qiellin” e politikës shqiptare ngase kishte qartas mbështetjen e amerikanëve për të dalë në krye të partisë, çka e kuptonte kushdo edhe nga publiciteti që i bënte “Zëri i Amerikës”. Sjellja e kryeministrit Micotakis në rastin e Genc Pollos e kishte shpjegimin së pari me atë se Genc Pollo qe kristian ortodoks nga një familje tradicionalisht shumë filogreke. Në gazetën “Tema”, të Mero Bazes, në 4 qershor 2000 (f. 12-13) është botuar një dossier me titull “Gjyshi i Genc Pollos kapiten grek” ku botohen dokumente të nxjerra nga arkivi i shtetit që tregojnë se gjyshi i Genc Pollos, Themistokli Pollo (i njohur si Take Pollo) ka qenë oficer i ushtrisë vorio-epirote në vitet 1914-1917, me gradën kapiten. Në këtë dossier thuhet: "Take Pollo është njëri prej tri komandatëve të andartëve grekë që masakruan shqiptarët në Jug të Shqipërisë…Dëshmi mbi këtë veprimtari dhe përplasjen e kapiten Pollos me çetat patriotike të Butkës janë ende të freskëta edhe në zonat e Jugut. Shtëpia e Pollos u dogj në fshatin e tij të lindjes në Përmet, pikërisht nga çeta e Butkës në shenjë hakmarrjeje ndaj udhëheqësit të çetës andarte greke. Biografia e zezë e Take Pollos filloi të përbënte një problem më vete për të birin e tij Stefanaq Pollo pas vendosjes së komunizmit në Shqipëri. Take Pollo andarti që ka rrafshuar 27 fshatra dhe që akuzohet për vrasjen e së paku 440 shqiptarëve në zonën e Lunxhërisë, Hormovës, Leskovik dhe Çarshovë…Tentativa për mbulimin e veprimtarisë së Take Pollos janë bërë edhe nga nipi i tij Genc Pollo. Duke shfrytëzuar emrin e gazetës “55” si gazetë nacionaliste dhe sidomos duke përdorur miqësinë me drejtorin e gazetës, arriti të botojë në atë gazetë një shkrim të montuar keq për veprimtarinë e Take Pollos”. (“Tema”, 4 qershor 2000, f. 12-13) Sigurisht që nipi i Themistokli Pollos qe njeriu i parapëlqyer i Athinës për të qenë në lidershipin e PD-së. Në takimin me kryeministrin grek, gjatë prezantimit, në momentin që ambasadori grek në Shqipëri i tha emrin e Genc Pollon Micotakisit, Pollo ndërhyri dhe duke buzëqeshur tha se emri i tij i pagëzimit qe Jorgo (madje ai tha “Jorgos”), por për shkak të frymës së regjimit komunist, babai i tij kishte qenë i detyruar t’ i vinte emrin “Genc”. Dhe Jorgos (Genc Pollo), para njerëzve të tjerë të habitur të PD-së, vazhdoi të tregonte historinë se si, në vitin 1963, pak kohë pasi kishte lindur, gjyshja e kishte çuar në kishë gjoja fshehur prindërve, siç bëhej në atë kohë, për t’ u pagëzuar sipas ritit të krishterë ortodoks nga gjyshi i Gramoz Pashkos, kryepeshkopi ortodoks i Tiranës dhe Durrësit, Paisi. Micotakis përfitoi nga rast dhe tha se tash që ortodoksët kanë mundësi ta ushtrojnë lirisht fenë e vet, në mënyrë që kjo të realizohet duhet që në Shqipëri të vijnë klerikë grekë, gjë të cilën e mbështetën pa hezitim Pashko dhe Pollo, ndërsa të tjerët nuk dinin se çfarë të thoshin, pasi u zunë të papërgatitur për këtë çështje. Por, impakti kryesor në PD i vizitës së kryeministrit grek në Tiranë qe se Athina zyrtare po nxiste krahun ortodoks në PD që të merrte kontrollin e partisë. Atëherë PD ishte në prag të konferencës konstituive që do të mbahej në shkurt, ku do të zgjidhej kryetari. Që pas takimit të lidershipit të PD-së me kryeministrin grek Micotakis në PD filloi një luftë e ashpër për të marrë kontrollin e partisë, mes dy klaneve, njërit të grumbulluar rreth Sali Berishës dhe tjetrit rreth Gramoz Pashkos-në këtë të fundit bënte pjesë dhe Genc Pollo. Në dinamikë të këtij konflikti qe ambicia e Gramoz Pashkos, e nxitur nga Athina, për t’ u bërë kryetar i PD-së. Që nga takimi me kryeministrin Micotakis, Genc Pollo, në pozitën e tij si zëdhënës i PD-së u bë praktikisht zëdhënës personal i kandidatit për kryetar Gramoz Pashkos, duke bërë në të njëjtën kohë replika të tërthorta me deklaratat e kandidatit tjetër për kryetar, Sali Berisha. Duke nxitur krahun ortodoks në PD të merrte nën kontroll partinë kryeministri grek Micotakis ishte duke prishur një kompromis SHBA-Greqi për politikën shqiptare të erës pluraliste sipas të cilit amerikanët do të dominonin PD-në dhe grekët të dominonin partinë e majtë që po lindte nga reformimi i PPSH. SHBA-të preferonin të mbështeteshin tek njerëzit me origjinë muslimane për të krijuar lidershipin e PD-së, kjo për shkak se muslimanët qenë shumësia e vendit dhe shumësia absolute e shqiptarëve në Kosovë, Maqedoni dhe troje të tjerë në Jugosllavi, ku SHBA-të kishin interesa të posaçme, qenë muslimanë. Në anën tjetër, Greqia, synonte që të mbështetej tek kristianët ortodoksë për lidershipin e PPSH (PS), për shkak se donte ta përdorte fenë e përbashkët ortodokse me atë të një pjese të madhe të shqiptarëve, si premisë për influencë politike dhe madje për asimilim etnik. Në konferencën konstituive të PD-së, në shkurt 1991, klani i Gramoz Pashkos, ku bënte pjesë edhe Genc Pollo, tentoi që ta merrte nën kontroll partinë, duke zgjedhur Gramoz Pashkon kryetar, me anë të një manovre të sofistikuar, sipas së cilës në votimin e parë për kryetar nuk do të fitonte askush dhe në votimin e dytë do të fitonte Gramoz Pashko. Skema funksionoi përgjysmë, pasi në votimin e parë Berisha mori vetëm 9 nga 10 vota që i duheshin në komisionin drejtues prej 19 anëtarësh. Por në vazhdim ky klan e pa se nuk mund ta merrte nën kontroll partinë, kryesisht për shkak të kundërshtimit amerikan, ndaj u mjaftua duke mos lejuar që Berisha të zgjidhej kryetar me një shumësi votash të dalë nga votimi në kryesi, sipas statutit, por me një konsensus të grupeve rivale, çka e bënte pozitën e tij të cenueshme. Pas konferencës konstituive të shkurtit 1991 Pollo mbeti përsëri në një pozitë evazive, me një këmbë brenda lidershipit dhe me një këmbë jashtë, duke qenë se nuk u zgjodh në komisionin drejtues që ishte një lloj kryesie e partisë, por ruajti postin e zëdhënësit të partisë. Në zgjedhjet e para pluraliste, të 31 marsit 1991, Pollo ishte një nga tre kandidatët e PD-së për deputetë që humbën në qytetin e Tiranës, nga 19 vetë që PD kandidoi në qytetin e Tiranës. Kjo humbje, që duhet t’ i atribuohet mosbesimit të elektoratit të PD-së për të, si pinjoll i nomenklaturës, e dobësoi pozitën e Genc Pollos në PD. Në prag të Kuvendit I të PD-së, që u mbajt në shtator 1991, klani kundër Berishës në lidershipin e PD-së u riaktivizua duke planifikuar që të mbështeste kandidaturën e Neritan Cekës, për postin e kryetarit të partisë, në vend të Berishës. Neritan Ceka si drejtor i Institutit të Arkeologjisë vazhdonte që të ishte shefi i Genc Pollos, që vazhdonte të ishte punonjës i këtij Instituti. Kjo ishte një arsye shtesë për të cilën Pollo ishte praktikisht pjesë e stafit të Cekës, që punonte për zgjedhjen e këtij të fundit në postin e kryetarit të partisë. Kjo gjë sigurisht që e rriste distancën mes Pollos dhe Berishës. Me disfatën e Cekës në Kuvend, ku u konfirmua Berisha në postin e kryetarit të PD-së, u frenua dhe ngjitja e Pollos në hierarkinë e PD-së. Pollo u zgjodh anëtar i Këshillit Drejtues (homolog i Këshillit Kombëtar të tashëm) të PD-së, por jo anëtar i kryesisë të partisë. E megjithatë, Pollo vazhdoi të mbante postin e zëdhënësit të partisë. Duke mos qenë mes favoritëve të Berishës, Pollo nuk u fut në listën e kandidatëve për deputetë të PD-së, në zgjedhjet e 22 marsit 1992. Pas moszgjedhjes në kryesi, kjo e mbushi kupën e zemërimit të Pollos për Berishën, çka bëri që të rebelohet në shkurt 1992, duke e akuzuar praktikisht Berishën për “Oksidentofobi”. Rasti që zgjodhi Genc Pollo për ta bërë këtë ishte sinjifikues pasi dëshmonte se ai kërkonte të fitonte kredit grek për ta përdorur në politikën shqiptare. Në shkurt 1991, në kulmin e debatit për ligjin e ri elektoral që ia ndalonte organizatës politiko-kulturore të minoritetit grek, “Omonia“-s, që të ishte një subjekt elektoral, edhe pse kjo gjë u bë me votat e përbashkëta të PS-së që kishte mazhorancën parlamentare dhe të PD-së, Genc Pollo e ndjeu të nevojshme të bënte një distancim në favor të Greqisë. Në një intervistë që i dha gazetës “Hapësirë” të Forumit Rinor të PD-së, në numrin e shkurtit, Pollo, pasi e quajti ndalimin elektoral që iu bë “Omonia”-s si “oksidentofobi” u shpreh se: “ s’ e kishte parë ndonjëherë që valët e oksidentofobisë që e kanë qendrën diku nga mesi i rreshtave të majtë të Kuvendit të përfshijnë edhe rreshtat e djathtë”. Është e qartë se kjo ishte një akuzë për kryetarin e PD-së Berisha, që në këtë rast kishte përgjegjësinë për dominimin e krahut “oksidentofob” në PD, përballë krahut oksidentofil, si kuintesencë e të cilit na dilnin përfaqësuesit politikë të minoritetit grek në Shqipëri, ndërsa si zëdhënës i të cilit në këtë rast dilte Genc Pollo. Pra, paradigma Oksidentofil-oksidentofob që artikuloi Pollo, ishte ajo që kërkonte të induktonte Greqia në mendimin politik shqiptar dhe në kancelaritë perëndimore: Në Shqipëri Oksidentalizmi përfaqësohet nga progrekët, ndërsa oksidentofobia nga antigrekët. Duke qenë se në këtë aferë, si protagonist në debatin në parlament doli deputeti Abdi Baleta, i njohur për proislamizëm, kjo u konvenonte grekëve dhe njerëzve të tyre në Shqipëri për t’ i dhënë paradigmës edhe ngjyrimin fetar aq të pëlqyer për ta, pra që minoriteti grek i fesë ortodokse në Shqipëri, që kërkonte të ushtronte të drejtat e veta, sipas modelit perëndimor, po persekutohej nga shqiptarët muslimanë oksidentofobë. Kështu, konflikti mes oksidentofobëve dhe oksidentofilëve në Shqipëri dilte si konflikt mes minoritarëve grekë dhe të krishterëve ortodoksë nga njëra anë dhe muslimanëve, në anën tjetër. Kështu ka tentuar ta paraqesë Greqia konfliktin politik në Shqipëri që nga ajo kohë dhe deri më sot dhe Pollo u bë zëdhënësi i parë në politikën shqiptare i kësaj paradigme politiko-kulturore, një veprim i denjë ky për të nipin e kapitenit të andartëve grekë. Pra, në këtë aferë, Pollo u bë drejtpërdrejt zëdhënës i Greqisë në politikën shqiptare dhe deklarata e tij, duke qenë se ishte dhe zëdhënës i PD-së, sigurisht që u përdor nga grekët në kancelaritë ndërkombëtare. Në të vërtetë, e gjithë kjo çështje u montua nga Greqia, si një manovër me të cilën me një gur vrau dy zogj. Nga njëra anë ia arriti që ta ndërkombëtarizonte çështjen e minoritetit grek në Shqipëri, si një çështje të dhunimit të të drejtave të njeriut, edhe në rrafsh politik, ndërsa në anën tjetër siguroi me krijimin e PBDNJ të drejtën e kandidimit në zgjedhje në të gjithë vendin, ndërsa “Omonia” e kishte të kufizuar vetëm në Dropull dhe Vurg.

Nesër vijon

No comments: