Thursday, November 16, 2006

Vendimi i qeverisë greke -nga Adrian dule (gazeta"Sot")

note: Nga te paktat komente pozitive nga shtypi shqiptar per dishtesine, artikulli i meposhtem parashikon nder te tjera krijimin e lobit shqiptar ne politiken greke


Fillimisht nga zoti Godo dhe më pas edhe nga një pjesë e opozitës, vendimi i qeverisë Greke për t’ju dhënë nënshtetësinë dhjetëra mijëra emigrantëve që kanë përfituar kartën homogjenis, apo që kanë vendqëndrim të rregullt mbi dhjetë vjet panvarësisht kombësisë, është parë e trajtuar si antikombëtar dhe antishqiptar me arsyetime vërtet për të ardhur keq. Zotit Godo nuk mund ti vësh faj pasi ka ngritur shumë çështje të drejta më parë për raportet Greqi – Shqipëri dhe këtë rast mund tja quash një gabim të vetëm i cili lidhet me moshën dhe mentalitetin e tij të vjetëruar të patriotizmit arkaik. Më e rënda është kur opozita e majtë pa u thelluar aspak në këtë vendim ose akoma më keq po të jetë thelluar dhe ta bëjë qëllimisht, fillon dhe bërtet duke arritur të kërkojë të prenoncohet edhe Këshilli i Sigurimit të OKB –së për këtë çështje, e një mori marrëzirash. Të ketë Zoti Godo patriotizëm arkaik i falet dhe madje i duhet vlerësuar, sepse e dimë të tërë që jemi një popull i vuajtur e i shqyer nga fqinjët e çdo fuqi e madhe që ka hyrë e dalë në shekuj në këto troje. Ai ka përjetuar shumë gjëra vetë personalisht nga e kaluara dhe sot natyrisht çdo veprim që bën Italia, Greqia, Serbia, Mali i Zi apo Maqedonia e sheh me syrin e së kaluarës dhe dhëmb. Por të orientohet me patriotizëm arkaik opozita dhe të gjykojë veprimin e sotëm të fqinjëve nën këndvështrimin e së shkuarës, natyrisht që nuk është thjesht e pafalshme. Veprimet e opozitës me ndërkombëtarët, apo në tërësi të raporteve të Shqipërisë me jashtë kohët e fundit janë tepër regresive dhe opinioni i tyre për vendimin e qeverisë Greke duhet parë në këtë këndvështrim.
Në pamje të parë duket sikur po shpalosin atdhedashuri dhe patriotizëm me taban, për ti treguar këtij populli se sa dhëmbin për të dhe këtë tokë të zhuritur. Harrojnë që kur ishin tetë vjet në pushtet nuk bënë asgjë për çështjen çame dhe për shumë çështje të tjera që lidhen me shkollat dhe të drejtat e emigrantëve në Greqi si dhe të drejtat e minoritarëve në Shqipëri. Greqia ka shumë kusure dhe gabime ashtu siç kemi edhe ne një pjesë, por këtë rradhë vendimi i qeverisë Greke duhet përshëndetur sepse është një hap vërtet shumë i rëndësishëm për marrëdhëniet e dy popujve. Sipas këtij vendimi në një të ardhme të afërt qindra mijëra emigrantë që jetojnë në Greqi do të jenë nënshtetas Grek panvarësisht kombësisë dhe besimit të tyre fetar. Kjo do të thotë që po në një të ardhme të afërt të ketë edhe deputet me nënshtetësi Greke dhe Shqiptare në parlamentin Grek dhe në tërë administratën e këtij vëndi. Do të thotë që nuk do të ngelen në zyra emigracioni për të drejtat e tyre dhe të shkelen me këmbë nga pronarë të ndryshëm grek , apo të fshihen nëpër kanalet e buzë arave të fermerëve se mos i kapë policia. Mbi të gjitha do të kenë të drejtë të votojnë në të dy vendet dhe të japin verdiktin e tyre për klasat politike që udhëheqin. Shkurt një hap i madh edhe për futjen e Shqipërisë në familjen Europiane.
Për habi opozita shqiptare as nuk e mendon fare këtë dhe vihet në një linjë me atë pjesë të shovinizmit të egër në Greqi që është kundra këtij vendimi të qeverisë Greke. Bën sikur nuk e di apo nuk e di vërtet kjo opozitë e marrë, që në Greqi jetojnë dhe punojnë mbi 800.000 emigrantë Shqiptarë dhe se edhe rreth njëqind ca mijë që kanë përfituar kartat homogjenis më shumë se gjysma i kanë me kombësi shqiptare, pasi i kanë marrë nga burri ,gruaja apo një pjestar i familjes që ka pasur kombësinë greke? Të kesh kartën homogjenis nuk është detyrimisht e përcaktueshme të jesh minoritar, madje kjo është më se e vërtetueshme tepër thjeshtë. Në çdo kartë homogjenis shënohet edhe kombësia dhe në rast se burri e ka përfituar nga gruaja minoritare i shkruhet kombësia shqiptare, ndërsa së shoqes kombësia greke. Shkurt përfitimi më i madh në këtë rast nga ky vendim i qeverisë Greke nuk është shtimi i numrit të minoritarëve, por e drejta për tu bërë qytetar të BE – së e 800000 shqiptarëve që rropaten për të nxjerrë bukën e gojës e për të ardhur çdo festë me mall për Shqipërinë. Nuk e kanë parë opozitarët e sotëm vargun me kilometra të këtyre njerëzve të drobitur që me fëmijë rrinin me ditë në dy anët e kufirit kur opozita ishte në pushtet dhe as lëviste gishtin për ti ndihmuar? Po të jenë nënshtetas të BE –së kjo nuk ndodh më, sepse procedurat e kalimit do të jenë pothuaj inekzistente dhe kjo më e pakta vuajtje që ju hiqet nga kurrizi aq shumë sa kanë në jetën e përditshme.
Për të krijuar celula të PS –së dhe LSI -së në Greqi Edi Rama dhe Ilir Meta shkojnë me vrap tek emigrantët e ju shesin brockulla me qëllim që familjarët e tyre në Shqipëri të votojnë për ta, por kur vjen puna që vërtet vjen një vendim në të mirë të tyre, ju kthejnë kurrizin në emër të patriotizmit të vjetëruar. Përvec kësaj luhet në një mënyrë të tillë aq sa nuk di kë të besosh. Xhufi dhe Brokaj që u zgjodhën deputetë me vendim të Ilir Metës dhe jo të zgjedhësve(ashtu si edhe postet e tyre të larta në parti) deklarojnë se po preket siguria kombëtare, kushtetuta dhe invazioni grek po arrin pikën më të lartë në 150 vjet. Ndërsa sekretari i marrëdhënieve ndërkombëtare të LSI –së E. Haxhinasto(diplomat dhe specialist në fushën e tij) e sheh si një hap të rëndësishëm për emigrantët këtë vendim. Kësaj i thonë që mishi të piqet dhe helli të mos digjet dhe ta kthejmë kur të duam sit ë na shkojë më për mbarë. E shkuara asnjëherë nuk duhet harruar por jo të bëhet aq regresive sa të tërheqë pas të tashmen dhe të ardhmen e një populli të tërë dhe këtë mesazh e jep më së miri Haxhinasto, por që nuk ka vlerë kur “kokat” e LSI –së deklarojnë mllefe patriotiko – arkaike.
Do të ishte më se normale që opozita jo vetëm të përshëndeste vendimin e qeverisë Greke, por ti bënte thirrje edhe qeverisë Italiane që të ndiqte shembullin e qeverisë Greke, pasi edhe atje janë me qindra mijëra emigrantët që kalojnë vështirësi pa fund dhe kanë mbi dhjetë vjet që jetojnë e punojnë me ndershmëri. Madje do të ishte tepër normale që ti bënin thirrje edhe qeverisë Shqiptare edhe Presidentit që edhe arvanitët në Greqi të kishin mundësi të merrnin nënshtetësinë Shqiptare , pra dy nënshtetësinë. Sic thashë edhe më lart nuk është rasti i vetëm që opozita nën siglën e koalicionit të majtë mban qëndrime të mbrapshta në raportet e Shqipërisë me fqinjët dhe ndërkombëtarët. Që dëshira për të rimarë pushtetin është kthyer në makutëri për ta kjo është e dukshme, por jo të arrijnë deri aty sa të shkelin mbi shpatullat e popullit të tërë dhe të ardhmes së tij. Kushdo e di që në rast se ky vendim i qeverisë Greke do të ishte marrë në kohën kur kjo opozitë ishte në pushtet do fillonin të bërtisnin me të madhe që ishte meritë e tyre kjo arritje, ndërsa sot nxjerrin kleçka të shëmtuara që dëmtojnë një Shqipëri të tërë. Nuk pranojnë asnjë arritje të Shqipërisë dhe vlerësim të ndërkombëtarëve, nuk pranojnë asnjë konsensus për probleme madhore që kanë të bëjnë me imazhin tonë si vend.
Tek çdo gjë shohin të kundërtën, aq sa ju kundërvihen edhe ndërkombëtarëve kur ata me përgjegjshmëri të lartë mundohen të ndihmojnë.Jo vetëm kaq, por ajo që tashmë këto kohë ka dalë dukshëm, thekshëm dhe turpshëm është edhe fushata në hije që kanë ngritur kundra Ismail Kadaresë. Një fjalë e tij për Paskal Milon dhe nderin që ai i bëri figurës së ish diktatorit, shtrëngoi rradhët e zeza të kësaj opozite regresiste dhe filluan të hakmerren kundra tij paturpësisht. Është për këdo e qartë që tashmë lufta kundër Kadaresë ka për prapavijë kokat( jo antarësinë) e opozitës dhe koalicionin e majtë që ju prek figura e ish diktatorit më të egër të bllokut komunist. E tërë ajo pjesë e medias së shkruar dhe vizive që dihet prej kujtdo që manipulohet prej tyre është rreshtuar në këtë barrikadë anti Kadare, që arrin deri aty sa të mos merret pothuaj fare me reçencën vdekjeprurëse të Diana Culit. Kadareja ka mëkatet e tij, por askush nuk doli dhe të vërë në raport të këqijat dhe të mirat që ai i ka sjellë dhe po i sjell këtij kombit me veprat e tij. Përkundrazi edhe në rast se lexuesit në botë respektojnë dhe vlerësojnë Shqipërinë nëpërmjet leximit të veprës së tij, opozita shqiptare e sotme me Edi Ramën në krye e telendisin Kadarenë dhe ju thonë lexuesve ndërkombëtarë që Shqipëria është një vend që nuk mund të pjellë artistë e shkrimtarë të mëdhenj, por vetëm klandestinë dhe kriminelë. Kur edhe Kadarenë e godasin për hir të festimit të konferencës së Pezës dhe nderimit të ish diktatorit, mendoni se çmund ti bëjnë emigrantëve të thjeshtë dhe shqiptarëve në tërësi. Si kjo opozitë e sotme nuk ka pasur kurrë Shqipëria, që të punojë kaq shumë për të shkatërruar imazhin e Shqipërisë në botë. Uroj të kenë mbetur njerëz me mend në të majtën shqiptare për tja ndalur turravrapin regresist Edi Ramës dhe koalicionit të tij që vetëm i majtë dhe socialist nuk është me mënyrën se si po vepron. Nuk është kjo e majta, nuk është kjo PS –ja e cila i ka treguar shpesh vlerat e saj si forcë progresiste dhe padyshim do të dijë të heqë nga qafa këtë “Ramametamilogjinushizim neritantesk” që po i bëhet të majtës këto kohë.

1 comment:

Anonymous said...

Duleja, Barka, Marko ja fusin kot sepse:

1) nuk dihet sa 'homogjene' (fjale e shpifur) nga R. e Shqiperise ka. Kur eshte pyetur Min e Brendshme e Greqise nuk eshte dhene numri i sakte per 'arsye te sigurise kombetare'.

2) nr 200,000 i botouar nga Kathimerini eshte numer 2 here me i larte se sa mendohet te jene 'homogjenet' e Veri-Epirotas. Ekspertet thone 100,000 karta jane leshuar

3) dyshtetesia me baze ne fene Ortodokse eshte shuplake per cdo Shqiptar i cili duhet te prese 10 vjet e te paguaj 1500 euro kur 'homogjeni' s'i paguan

4) Homogjen eshte fjale e SHPIFUR. Turp atij qe e mban, edhe ne qofte, ose u ndjefte Grek.

5) Homogjenia e Veri-Epirotasve s'ka te beje fare me alogjenine e Shqiptareve. Keshtu qe Dules, Barkas, Markos ta mbyllin sqepin.