Friday, November 24, 2006

Politikë me «letra të hapura»

note: Kshilletari i Berishes, K. Danaj, analist konstant antigrek, ka nje koncept tjeter nga punedhenesi i tij per dyshtetesine. Perderi sa sipas tij dhe analisteve te tjere kemi nje rritje artificiale te numrit te shtetasve greke me kombesi shqiptare, atehere nenshtesia e pjeses se regjistruar fiktivisht si greke, ne te vertete do te ishte ne favor te politikes shqiptare per te krijuar lobin proshqiptar ne Greqi.



Nga Koço Danaj

Eshtë vërtetë një situatë komplekse, politika që po luhet në Shqipëri dhe përreth saj, në rajon. Po duke qënë komplekse është edhe e bukur. Rrallëherë ka qënë e tillë. Përse vallë? Po sepse si rrallëherë, kjo është politikë e letrave të hapura. Të gjitha llojet e letrave që nga spathitë politike e deri tek pokeri politik po luhen hapur.

Po përse është politikë e tillë dhe a është në interes të shqiptarëve kjo politikë? Le të renditim disa fakte te ditëve të fundit: Fakti i Parë: Doris Pak siç u shpreh vetë ishte lemerisur nga qëndrimi i delegacionit serb në Parlamentin Europian, nga urrejtja e tij ndaj Kosovës. Kishte të drejtë, delegacioni serb luajti me letra të hapura. Luajti në Strasburg, në sallën e PE, në vitin 2006, njësoj si në vitin 12 apo 20 të shekullit të kaluar.
Fakti i dytë: Pak më shumë se një muaj pas shpalljes së pavarsisë,
policia speciale malazeze nëpërmjet operacionit «Fluturimi i Shqiponjës», arrestoi nëpërmjet trajtimesh çnjerzore 14 shqiptarë në Tuz dhe fshatrat përreth. Të gjithë ishin të besimit katolik dhe midis tyre, 3 ishin nënshtetas shqiptaro﷓amerikanë. Prokurorja malazeze Vesna Medenica pas protestave ndërkombëtare u detyrua të thoshte në fillim se të arrestuarit ishin bërthama e Alkaedës katolike. Ndërsa herën e dytë se ishin bërthama e UÇK etj. Artificet e Medenicës nuk kanë rëndësi.

Rëndësi ka një dukuri tjetër. Dukuria është që pasi me anë të votave të shqiptarëve, Mal i Zi fitoi pavarësinë, filloi të luajë ndaj shqiptarëve, politikën e letrave të hapura mbi tavolinë. Fakti i tretë: Qeveria greke shpall vendimin për dhënien e dyshtetësisë për minoritarët dhe emigrantët nga Shqipëria. Nuk ka asfare dyshim se me anë të këtij vendimi, qeveria greke po luan politikën e letrave të hapura. Ajo me një gur kërkon të vrasë dy zogj.
«Zogu i parë» : Ajo kërkon të shtojë numrin e minoritarëve që jetojnë në Shqipëri.Dhe në kushtet kur politika shqiptare nuk e ka bërë vetë këtë regjistrim, politika greke e letrave të hapura, zë më shumë vënd. «Zogu i dytë» : Greqia kërkon të krijojë imazhin e një shteti demokratik përballë kritikave të BE dhe SHBA﷓së. Ka edhe fakte të tjera.
Por faktet e mësipërme mjaftojnë në ndihmë të saktësisë së titullit të analizës. Loja Politike që po luhet ne rajon, është lojë me letra të hapura. Shqiptarët janë në qëndër të kësaj loje politike. Ata nuk mund të shmangen dot. Janë të detyruar të lozin. Po si? Do t'u përgjigjen partnerëve të tyre rajonalë, apo do të vazhdojnë me sllogane miqësie, bese dhe dokesh të tjera? Deklarata e qeverisë së Shqipërisë ishte shenja e parë dinjitoze e politikës me letra të hapura. Deklarimet e politikanit nga Kosova Fatmir Limaj ishte shënja e dytë dinjitoze e politikës me letra të hapura.
Deklarimet
Ndërsa deklarimet e disa politikanëve vetëm ndaj politikës që vjen nga Athina dhe heshtja për këtë politikë që vjen edhe nga Beogradi, edhe nga Podgorica edhe nga Shkupi, janë mëdyshjet e politikës shqiptare. Janë shfaqur këto mëdyshje në momentet kruciale të historisë së shqiptarëve.
(Për disa prej këtyre politikanëve, Ali Pashë Tepelena do të thoshte atë shprehje që tha për Omer Vrionin dhe Tahir Abazin se ata u bënë me Sulltanin jo se ishin turq, por se Turqia u premtoi më shumë pasuri). Politika e letrave të hapura nuk përballohet me politikë qaramane, ankuese apo fataliste. As me politikën e rrudhosjes sipas variantit të kërmillit. Ajo kërkon të njëjtën politikë që ndjekin edhe të tjerët. Domethënë që Akademia e Shkencave duhet të ishte ngritur në këmbë kur mori vesh se homologia e saj në Shkup, nuk pranoi të lëshonte një sallë për
Skënderbeun. Domethënë që politika e Tiranës duhet të shpallë një moratorium të përkohshëm deri sa të bëjë regjistrimin e popullsisë edhe sipas kombësisë.
Politika
Kjo është politikë me letra të hapura përballë të njëjtës politikë. Domethënë që politika shqiptare në Tiranë, Tetovë, Prishtinë, Ulqin, Preshevë duhet të shpallë një moratorium politik për probleme të dorës së dytë deri sa të perfundojë Pavarsia e Kosovës.
Domethënë që politika shqiptare duhet ta shpallë hapur para Greqisë, Maqedonisë, Malit të Zi, Serbisë, para aleatëve të saj se nuk mund të jetojë akoma me paradoksin unikal: Cili është ky paradoks? Ky është paradoksi që shteti shqiptar në bazë të së drejtës ndërkombëtare kufizohet me katër shtete fqinj. Ndërsa kombi shqiptar nuk kufizohet me asnjë komb fqinj. Ai kufizohet me vetveten.
A dini ndonje komb tjetër në këtë botë që të ketë fqinj vehten e tij? Kërkesa për ta eleminuar këtë paradoks, me dialog, me vazhdimësi, është politika më e mirë e letrave të hapura, që ka filluar të luhet ne rajonin e Ballkanit.
E Enjte:24/11/2006 (Koha Jone)

No comments: