Saturday, November 25, 2006

Përfundoi punimet Samiti i Nismës së Evropës Qendrore

24/11/2006 (http://www.keshilliministrave.al/)
Në përfundim të punimeve të Samit të Nismës së Evropës Qendrore, Kryeministri Berisha, Drejtori i Përgjithshëm Ekzekutiv i NEQ-it, Ambasadori Herald Kreid dhe Kryeministri i Maqedonisë, Zoti Nikolas Gruevski, dhanë një konferencë të përbashkët për shtyp, gjatë së cilës bënë këto komente:

Kryeministri Berisha: “Po mbyllim punimet e Samitit me theksimin e disa prej përfundimeve të aktivitetit më të rëndësishëm politik të Nismës së Evropës Qendrore, me pjesëmarrjen e Kryeministrave dhe përfaqësuesve të lartë të qeverive të të gjitha vendeve anëtare të CEI-it. Ky Samit vlerësoi të gjitha veprimtaritë e zhvilluara gjatë këtij viti nën presidencën shqiptare dhe shumëllojshmërinë e tyre. Gjatë kësaj presidence u krijua edhe forumi i rinisë dhe mendoj se presidenca shqiptare tregoi një fuqizim të mëtejshëm të një prej Nismave më të hershme, siç është ajo e Evropës Qendrore.

CEI ka të bëjë me bashkëpunimin rajonal në të gjitha fushat, ndaj dhe tema kryesore e saj është pikërisht ky bashkëpunim. Të të lidhura këto edhe me integrimin në Bashkimin Europian dhe në NATO. Në 1 janar 2007, 9 nga 18 vendet anëtare të Nismës së Europës Qendrore do të jenë vende anëtare të Bashkimit Europian. Kjo është një lëvizje e madhe, është një shpresë dhe një ndihmë e madhe për 9 vendet e tjera të Nismës për përparimin e tyre në procesin e integrimit në Bashkimin Europian dhe NATO, në të cilin janë angazhuar.

Presidenca e kësaj iniciative do të mbahet nga Bullgaria. Unë jam thellësisht i bindur se edhe presidenca bullgare do të karakterizohet nga një performancë e lartë. Faleminderit!”

Drejtori i Përgjithshëm Ekzekutiv i NEQ-it, Ambasadori Herald Kreid: Faleminderit Zoti Kryeministër.

Jam shumë mirënjohës ndaj jush personalisht, Zoti Kryeministër, si dhe ndaj qeverisë shqiptare për gjithçka ju keni bërë gjatë presidencës tuaj për të zgjeruar qëllimet dhe mandatin e organizatës tonë. Siç u deklarua edhe nga Zoti Kryeministër, tema kryesore e Nismës, bashkëpunimi rajonal është karakterizuar nga një nivel i lartë efikasiteti i mirëstrukturuar dhe i orjentuar drejt arritjes së qëllimeve konkrete. Dialogu politik, siç e zhvilluam edhe sot në takimin në nivel kryeministrash, mbeten një element i rëndësishëm i punës sonë.

Bashkëpunimi teknik, mbështetja në drejtim të projekteve në sektorët e infrastrukturës, energjisë, transportit, të nxitjes së ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, mbetet prioritet i rëndësishëm i punës sonë, si edhe zhvillimi dhe zgjerimi i mëtejshëm i kapaciteteve dhe burimeve njerëzore, sidomos në fushat e arsimit, edukimit, të rrjeteve universitare, etj..

Dëshiroj të përfundoj duke theksuar se qeveria shqiptare nëpërmjet këtij Samiti dha një sinjal të fuqishëm, sinjalin se Shqipëria përfaqëson një shoqëri dinamike, një vend të hapur, i cili është i vendosur dhe i aftë që të ecë përpara në të gjitha strukturat shoqërore të pluralizimit politik dhe të ekonomisë së tregut. Ky sinjal dëshmoi, gjithashtu, vokacionin evropian të Shqipërisë dhe ajo që ka jashtëzakonisht rëndësi, Shqipëria, nëpërmjet këtij sinjali, demostroi edhe gadishmërinë dhe vullnetin e saj për marrëdhënie të fqinjësisë së mirë në kuadrin rajonal. Faleminderit”.

Kryeministri Berisha: Më lejoni t’i jap fjalën Kryeministrit të Maqedonisë, Nikola Gruevski, i cili po kryen një revolucion fiskal në vendin e tij.

Kryeministri Gruevski: “Më lejoni të shpreh falenderimet për organizimin shumë të mirë të këtij Samiti me pjesëmarrejn e kryeministrave, zëvendëskryeministrave, ministrave dhe pjesëmarrësve të tjerë të lartë dhe me këtë rast dëshiroj t’i përcjell urimet më të mira Kryeministrit Berisha.

Diskutimet që u bënë ishin të rëndësishme dhe dua të theksoj se rajoni ynë po bën përparime. Jemi në një periudhë të sfidave madhore dhe është momenti për të kapërcyer disa situata që janë krijuar në të shkuarën dhe këtu kam parasysh edhe zgjidhjen e statusit përfundimtar të Kosovës.

Një sfidë tjetër madhore është përgatitja e vendeve tona për anëtarësimin në BE e NATO. Tre vendet tona, Shqipëria, Maqedonia dhe Kroacia po përgatiten për anëtarësim në NATO dhe në këtë drejtim ne presim nga Samiti i Rigës një sinjal pozitiv dhe inkurajues për të siguruar mundësi serioze për vendet tona që në samitin e ardhshëm ne të marrim ftesën për anëtarësimin e plotë në NATO. Mendoj se jemi në rrugën e duhur. Sigurisht ne duhet të bëjmë detyrat tona të shtëpisë, duhet të kryejmë disa reforma si reformat për përmirësimin e jetesës dhe rritjen e cilësisë së jetës së qytetarëve tanë, vazhdimin e reformave në fushën e drejtësisë, të kryejmë reforma dhe të forcojmë luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Duke kryer me sukses këto reforma dhe duke bërë përpjekje për anëtarësimin tonë në NATO e BE, ne do t’i bëjmë vendet tona më tërheqëse ndaj biznesit dhe investimeve të huaja. Kjo është një nga detyrat dhe qëllimet tona kryesore. Sikundër ne kemi detyrën që të krijojmë më shumë mundësi për njerëzit tanë dhe për t’i bërë vendet tona më të fuqishme. Faleminderit.”

Pyetje: Zoti Kryeministër, në fjalën tuaj në hyrje të Samitit i kushtuat një vend mjaft të rëndësishëm një nga çështjeve të pazgjidhura të Ballkanit, siç është Kosova. Si u prit qendrimi i Shqipërisë nga pjesëmarrësit në Samit?

Kryeministri Berisha: Nga pikëpamja si unë e shoh hapësirën e Nismës së Evropës Qendrore, Kosova përfaqëson një çështje themelore. Ndaj dhe unë e solla këtë çështje në vëmendjen e pjesëmarrësve të këtij Samiti. Unë besoj gjithashtu se edhe për ata kjo është një çështje themelore përderisa paqja dhe stabiliteti konsiderohen si të tilla. Unë bëra thirrje për të mbështetur përpjekjet e Presidentit Ahtisari. Siç e theksova dhe do të vazhdoj ta theksoj e një rëndësie themelore është edhe respektimi i plotë i të drejtave të njeriut e të pakicave serbe dhe të gjithë pakicave të tjera atje, si dhe respektimi i vullnetit të shumicës që duhet të prevaloi.

Pyetje: Në rast të një ndryshimi politik në rajon, bëhet fjalë për statusin e Kosovës, a do të ishte organizata juaj e hapur për të pranura një shtet të ri?

Ambasadori Herald Kraid: Përgjigja është shumë e thjeshtë, pasi ne patëm një rast të tillë më 1 gusht të këtij viti me Malin e Zi. Qeveria e Malit të Zi bëri kërkesë për t’u pranuar anëtare e Nismës së Evropës Qendore dhe kjo u pranua nga anëtarët. Prandaj nuk kam arësye të besoj se do të ndodhë ndryshe me një Kosovë të pavarur.

Pyetje: Zoti Berisha, ju nënshkruat MSA-në më 12 qershor të këtij viti me BE-së dhe një nga përqasjet kryesore të kësaj marrëveshjeje është bashkëpunimi rajonal. A keni ndonjë projekt a program konkret për zbatimin e këtij dimensioni rajonal në Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit me BE-në?

Kryeministri Berisha: Për Shqipërinë nënshkrimi i MSA-së ishte një moment vendimtar. Siç e theksova në ditën e nënshkrimit, Marrëveshja u konsiderua nga qeveria që unë drejtoj si kontrata më e rëndësishme që ne kemi nënshkruar ndonjëherë me BE-në. Disa muaj më vonë, Komisioni Evropian botoi raportin e progresit për Shqipërinë. Jam shumë i kënaqur me gjetjet e raportit, me vlerësimet pozitive dhe sugjerimet konstruktive të këtij raporti. Unë e konsideroj bashkëpunimin dhe integrimin rajonal të një rëndësie themelore. Ne po punojmë me të gjithë fqinjët tanë me shumë përkushtim e të vendosur në këtë drejtim. Ne po bëjmë përpjekje për të hequr çdo pengesë në këtë drejtim. Siç i kam thënë mikut tim Gruevsku, të njëjtën gjë i kam thënë edhe Kryeministrit Çeku, ia kam thënë ish Kryeministrit dhe do t’ia them edhe Kryeministrit aktual të Malit të Zi, se duke qene vende të vogla është e domosdoshme të eleminojmë çdo pengesë në këtë drejtim.

Ne jemi të vendosur të punojmë me Serbinë dhe unë besoj se të dy vendet dhe kombet tona duhet të kene mënçurinë dhe kurajon të kthejmë faqen e së kaluarës së hidhur dhe duke u mbështetur në mësimet e mëdha të historisë evropiane të shohim përpara drejt të ardhmes së përbashkët. Në këtë drejtim ne mbetemi të vendosur dhe të angazhuar.

Pyetje: Një nga problement me të cilat haset rajoni janë ato energjitike. Sa kemi ndjekur edhe nga Samiti ju e keni trajtuar këtë çështje. Mund të na thonë nëse është folur për ndonjë inisiativë apo sipërmarrje në aspektin e energjisë?

Ambasadori Herald Kreid: Faleminderit për pyetjen. Është e vërtetë se kjo çështje është ende e pazgjidhur. Në këtë drejtim ka patur zhvillime të rëndësishme, të cilat kanë krijuar një bazë për të zhvilluar bashkëpunimin në fushën energjitike. Më lejoni të them se Nisma e Evropës Qendrore nuk është drejtpërdrejt e angazhuar në këtë drejtim. Ne si Nismë e Evropës Qendrore parapëlqejmë të përqendrohemi në disa fusha dhe drejtime ku Nisma dhe aktorë të tjerë nuk janë përqëndruar ose nuk janë përqëndruar sa duhet. Ne punojmë më tepër në fushën e burimeve të energjisë së ripërtëritshme, e cila, siç mund ta kuptoni, po bëhet gjithmonë e më e rëndësishme. Prandaj ne përqëndrohemi dhe do të përqendrohemi më shumë në dhënien e asistencës për dijet teknike (Know-how), si dhe për projektimin e hidrocentraleve dhe veprave të ndryshme energjitike. Në këtë drejtim, gjatë këtij viti ne kemi patur takime të nivelit të lartë në Shqipëri.

No comments: