Sunday, November 19, 2006

Unifikimi shqiptarëve, eksperimente historike në “provëzën” europiane

note: opinioni i meposhtem duket sikur verteton tezat e Hunigtonit per "Luften midis civilizimeve" me arene Shqiperine. Ekstremistet nacionaliste nuk ngurojne ta quajne Stavri Markon nje fare poliagjenti. Lufta kunder pikepamjeve te tij eshte njekohesisht dhe lufte per eliminimin e tij, mjerisht provat qe paraqiten per te mbeshtetur akuzat e tyre jane vetem retorike. Me sa duket sipas ketyre ekstremisteve gazetari S. Marko ka kryer krimin me te madh duke deklaruar se i perket kombesise greke e cila mandej mund te trefishohet dhe dhjetefishohet ne mendjen e tyre....


Nga Përparim HALILI – Gazeta Sot (17-10-2006)

Pak ditë më parë, në gazetën “SOT”, opinionisti me dy kombësi, me tre shtetësi dhe me 10 paga, Stavri Marko, duke folur për mungesën e rreziqeve për Shqipërinë,prej vendimit të fundit "dashamirës" të qeverisë greke për dhënien e dyshtetësisë për minoritarët, duke propaganduar "1000 mirësitë" greke ndaj Shqipërisë dhe shqiptarëve, duke "harruar" të përmend Ligjin Grek të Luftës ende në fuqi, duke mos përmendur Çështjen Çame e cila është shoqëruar me një genocid "model botëror" tipik milosheviçian, konstatonte, se nacionalistët e shfrenuar shqiptarë, të tipit "Sabri Godo" nuk duhet të frikësohen, mbasi tashmë shqiptarët janë të unifikuar dhe ky vendim "dashamirës" grek, nuk krijon asnjë shans për shpërbërje kombëtare të shqiptarëve prej Greqisë. Pikërisht tek unifikimi i shqiptarëve, mendoj të ndalem. A janë dhe a lihen të lirë e të qetë në vullnetin e tyre shqiptarët, të jenë të unifikuar, zoti Stavri Marko? Historia e qëndrimit të Europës ndaj Ballkanit, ka qenë dhe vazhdon të jetë një proces i plotë dhe pafund eksperimental, me personazhe shtetet e vegjël dhe me përmbajtje qëllimet e fuqive për të projektuar luftëra, për të përmbysur sisteme, për të provuar lëvizje ekonomike, për të ngritur e kontrolluar kapitale, deri në vendimet arbitrare për të ndërtuar harta të reja territoriale mes vendesh fqinj. Kur shfleton këtë histori, konstaton se provat e këtij “laboratori”, kanë patur dhe kanë si element vetëm shqiptarët, mbi të cilët janë përqendruar përpjekjet eksperimentuese. Gjithë operacioni për të cilin po shpenzohen mjete dhe energji të shumta, rezulton në një betejë të pabarabartë mes dy forcash kundërvepruese: njëra është pala shqiptare me bazë natyrore dhe tjetra, është komuniteti ndërkombëtar, me qëndrime artificiale. Thamë që elementi kryesor në “laboratorin” e ndërkombëtarëve, janë shqiptarët, mbasi kemi parasysh, që është populli i të vetmit vend, që në kohë të ndryshme, me procese të dhunshme nga jashtë tij, ka pësuar shpërbërje të unitetit të natyrshëm, duke u përfshirë pjesë-pjesë në rrjedha aspak të përshtatshme, me pamundësi shkrirjeje e njëtrajtësimi me elementët përbërës etnikë të tij. Kjo ka ndodhur edhe për hir të karakteristikave të ndryshueshme thelbësore mes këtyre elementëve (shqiptarët dhe ndërkombëtarët), të cilët më tepër janë shtyrë kundër njëri-tjetrit, sesa janë afruar, ose njehësuar, duke krijuar kështu reaksione të vrullshme me raporte të dhunshme. Tashmë ndërtuesit e skemave mbi fatin e shqiptarëve kanë nisur të flasin ndryshe, lojërat e tyre po shpërbëhen, duke u bërë gradualisht të pafuqishëm, për të ruajtur dekoret e publike të uniteteve fals. Mbështetur në këtë realitet ndryshe tashmë, forca të natyrshme të elementit shqiptar, jo vetëm brenda Shqipërisë, por kudo që ndodhen, janë aktivizuar drejt një procesi të natyrshëm të lidhjes me pjesët e tjera, që instinktivisht e logjikshëm, janë të vetëdijëshme të priren për të shkuar drejt njëra-tjetrës. Janë pjesë të elementit shqiptar, ndaj ndjejnë domosdoshmërinë për tu kthyer në një gjendje natyraliteti të unifikuar përballë entiteteve të tjera të ndryshme, duke kërkuar dhe mbrojtur tërësinë e parametrave të tyre identifikues. Kjo forcë tërheqëse, me prirje drejt unifikimit të pjesëve troje-komb, të ndara artificialisht ka një vullnet të fortë instiktiv për t’u realizuar, pavarësisht ndërhyrjeve deri të dhunuese që janë ushtruar mbi ta, për të ulur “shenjat” treguese të elementit shqiptar, madje dhe për t’i eleminuar ato me procese përzierje me elementë të tjerë jo shqiptarë, ose anti-shqiptarë. Është për t’u evidentuar fakti, që në skemat e mbajtura deri tani me dhunime e mohime të drejtash etnike, elementi shqiptar është distancuar dukshëm nga elementët e tjerë, megjithëse është futur e po mbahet dhunshëm në të njëjtin mjedis me ta, gjë që është evidente në Kosovë e Maqedoni, por jo në Mal të Zi, Greqi, Sanxhak, ku nëse futet një element nxitës, “zgjohet” plogështia. Përballë kësaj force instiktive të natyrshme, që mbështetet në karakteristika të mirëqena bashkuese dhe në domosdoshmërinë organike për të qenë një entitet i pa copëtuar, janë vënë në lëvizje forca të shumta penguese që po aplikojnë në terrenin ballkanik, shëmbëlltyrën e një laboratori eksperimental. Ndërkohë që aliazhet e krijuara në kohë të tjera po prej këtyre forcave të jashtme, nuk janë veçse realitete të shpërbëra në brendësinë e tyre, janë grumbullime të “thata”, “pa jetë” dhe pa lidhës organikë, po veprohet me ngulm me të njëjtin program eksperimental, për të krijuar aliazhe të reja. Synimi është i qartë: Me anë neutralizimesh politiko-ideologjike, të arrihet bllokimi sa të jetë e mundur e forcës tërheqëse natyrale, drejt unifikimit të elementit shqiptar. Kjo ndodh, për të favorizuar ashtu si deri tani, elementët e tjerë sllavë dhe grekë, të cilët mbeten tepër të vobektë e të papërfillshëm, në një rast të tillë të zgjimit të vetëdijes dhe vullnetit mbarëshqiptar për identitetin dhe unifikimin e tyre. Në anën tjetër, duket se unifikimi i elementit shqiptar, kaq shumë i kundërshtuar e kaq i sulmuar nga të gjithë anët, shndërron Ballkanin, nga një laborator eksperimental për politikat dhe "kërkimet shkencore" të fuqive të mëdha, në një realitet me bazë të natyrshme, ku dalin jashtë loje të gjithë mjetet laboratorike. Kjo rezulton, sepse elementët kanë zënë vendet e tyre dhe zhvillojnë karakteristikat vetjake, në përputhje me ligjet e zhvillimeve natyrore. Në ato pjesë, ku shkëputja prej aliazhit është bërë e ndjeshme, si në Kosovë e Maqedoni, si dhe në pjesët e tjera që përbëjnë Shtetin Shqiptar, janë hedhur në veprim reagentë të shumtë shpërbërës, që kanë për qëllim shkatërrimin nga brenda të instiktit organik, që formon vetëdijen unifikuese kombëtare. Këta reagentë, kanë arritur të pengojnë përqendrimin dhe përcaktimin e drejtimit të asaj force tërheqëse që thamë, duke vonuar në kohë procesin e natyrshëm. Ndërsa në pjesët e tjera që ende notojnë në letargji, bëhen të gjitha përpjekjet për të neutralizuar çdo lloj simulanti që mund të vinte nga pjesët e ndërgjegjësuara. Duke i hedhur një sy realitetit të tanishëm, duhet thënë se ai me të vërtetë ka evoluar në krahasim me kohë të tjera të mëparshme. Gjë që bën të besohet se aspirata unifikuese nuk është më një iluzion romantik, por një terren i cili mund të konkretizohet nëse mbi të shtrohet një strategji e njëmendtë dhe i jepet jetë e vihet në binarë të shëndetshëm ajo forcë tërheqëse instiktive drejt unifikimit. Ndërkombëtarisht, pjesët tashmë janë të evidentuara dhe paraqesin specifikat e tyre momentale, që duhen studiuar pikërisht në funksion të asaj strategjie. Kosova, tashmë është një nga pjesët e fuqishme që ka dalë në skenë si tentativë e realizuar pjesërisht e asaj force tërheqëse unifikuese. Edhe pse ende nuk ka një status të qartësuar, edhe pse gjendet në lakun e një rezolute asfiksuese, përsëri përbën një shans për përparimin e një natyralizimi të elementit shqiptar të unifikuar në një njësi të vetme shtetërore. Shqipëria Lindore, tashmë ka dalë nga gjendja apatike dhe po tenton drejt afirmimit të plotë, si pjesë përbërëse e njësisë kombëtare shqiptare, duke prishur atë aureolë të rreme që i jepte pamjen e një minoriteti të pazëshëm apo të një lënde të pavlerë që mbushte boshllëqet e një shteti sllav të sajuar. Lugina e Preshevës, ose pjesa e shkëputur prej njësisë së konsiderueshme shqiptare të Kosovës edhe pse, nën juridiksionin e shtetit serb është evidentuar si entitet shqiptar i patjetërsueshëm. Shqipëria veri-perëndimore, apo Mali i Zi, tashmë nuk mund të fshihet më tej, në kuadrin e një “bashkësie të madhe popujsh të ndryshëm”, siç ishte Jugosllavia. As nuk mund të konsiderohet si një realitet i papërfillshëm, pasi vetë përmasat e tij në raport me pjesën sllave të ish-shtetit liliput, nuk lejojnë një gjë të tillë edhe pse, lëvizjet afirmuese të ngjashme me ato të Luginës së Preshevës ose Maqedonisë, nuk kanë ndodhur akoma. Shqipëria e jugut, apo Epiri, që përfshin Çamërinë dhe viset e ashtuquajtura “Maqedoni jugperëndimore” si Kostur, Follorinë etj., është mbuluar nga një mjegull e sipërfaqshme, por që gjithsesi në kohë të volitshme, mund të marrë të njëjtat forma me ato që përmendëm më sipër. E njëjta gjë mund të thuhet dhe për shqiptarët e Sanxhakut të Novi Pazarit, që deri tani, janë lënë jashtë vëmendjes së politikave shqiptare. Përballë këtyre realiteteve, formula të reja politike ndërkombëtare, po prezantohen si novacione të vlershme për këtë rajon dhe për këtë realitet shqiptar në Ballkan, nga “ekspertët laborantë” të gjeo-politikave të mëdha të raporteve të “bashkëjetesës” europiane, aq më tepër asaj ballkanike. Ndërtohen skema integrimesh rajonale, federalizimesh, kantonizimesh, protektorate etj., me synim për të ruajtur dhe pasuruar praninë e aliazheve, mes elementesh aspak të harmonikë e të pranueshëm për njëri-tjetrin. Këto skema qarkullojnë me shumicë në “laboratorin” ballkanik. Të gjithë ato formula, kanë si emërues të përbashkët kushtin lidhës me emrin "multietnicitet", që duket se ka marrë përparësinë për t’u kthyer në qëllim në vetvete, duke suprimuar rëndësinë, vlerat dhe karakteristikat natyrale të vetë elementëve. Në të vërtetë, ato formula sajohen dhe kalkulohen vetëm për të frenuar atë forcë tërheqëse natyrale të unifikimit të shqiptarëve. Zgjidhjet artificiale, afrohen pafund në vend që të arrihet në zgjidhjen e natyrshme të realizimit të vetvetishëm të elementëve, në bazë të potencialeve zotëruese e karakteristikave bashkuese. Gjë që do të sillte normalitetin dhe futjen e rajonit në rrugë të stabilizuar e të përcaktuar përfundimisht. Ndërsa siç thamë, forca tërheqëse instiktive e pjesëve të gjendura në pozicione aspak të natyrshme, shkon drejt prirjes për unifikim të elementit shqiptar të kudondodhur. Kjo prirje që na fakt është një pështjellim i brendshëm i cili “minon” kushtet për ta bërë të favorshëm veprimin e asaj force, dominon në pjesët kryesore, në shtetin shqiptar, në Kosovë, por dhe në Maqedoni. Jo rastësisht, padyshim, në Kosovë vihet në dukje me reklamim dashakeq, pamundësia dhe paaftësia e institucioneve vendore për të dalë prej “pellgut” të intrigave dhe armiqësive mes politikanëve shqiptarë. Paralel me këtë, në shtetin politik të shqiptarëve ka krizë besimi, krizë ekonomike, tendenca për destabilitet të brendshëm, kjo për shkak të interesave të politikanëve të të gjithë palëve. Në Maqedoni, ka tërheqje dhe lëshime nga pala shqiptare, përballë presionit dhe agresivitetit sllavo-maqedon, por dhe për shkak të imponimit "dashamirës" të faktorit ndërkombëtar. Në Luginën e Preshevës, shpërfillen marrëveshjet e imponuara shqiptaro-serbe. Duket se një dorë e padukshme, por shumë e fuqishme së jashtmi, lëviz kukullat shqiptare të politikës në një kahe të volitshme, për të “minuar” aspiratën shqiptare dhe për të krijuar imazhin e “pafuqisë së shqiptarëve për tu qeverisur edhe në pjesë të vogla administrative”, e jo pastaj të “vetëqeverisen në rastin e një shteti të unifikuar shqiptar”. Kjo lloj rrëmuje e institucioneve politike shqiptare, shkon paralel me formulat që prezantohen përditë në Ballkan, në lidhje me zgjidhjet liberale të problemeve të akumuluara, për shkak të fragmentarizmit të elementit dominues shqiptar. Është absurde dhe e dhimbshme, që pikërisht në gjirin e vetë elementit shqiptar, që thamë se zotëron një forcë të pashterueshme instiktive dhe vetëdijeje për unifikim, të veprojnë këto lloj ndërhyrësish bllokues, apo shpërbërës. Kjo ndodh, pasi çdo lloj elementi ka edhe “skorje”. Fatkeqësisht shqiptarët, këto i kanë vënë në krye dhe ende nuk po dinë të çlirohen prej tyre. Këto lloj “skorjesh”, po bëhen të dëmshme dhe rrezikuese, për aq kohë sa shqiptarët kanë nisur realizimin e aspiratës së unfikimit. Ato janë tepër të afta për mbijetesë dhe mjaftë të përshtatshme për realizim aliazhesh e më pa, të japin përshtypjen publike, se vetë elementi shqiptar i dëshiron ato kur në fakt dëshiron të kundërtën. Forca instiktive e vetëdijes dhe e karakteristikave të njëmendta të elementit shqiptar në kohë të favorëshme dhe me anë të atyre reagentëve natyralë që vënë në lëvizje mekanizmat realizues, mund e duhet të kthehen në një proces të pandalshëm, të pakthyeshëm drejt unifikimit. Ajo që po ndodh tashmë brenda shqiptarëve, duket tepër e paqartë dhe pështjelluese, por në realitet nuk është çudi, të jetë një proces vendimtar i shkëputjes fatlume nga “skorjet” e politikës, për të shkuar më tej të qetë e të sigurt drejt vetvetes së plotësuar, drejt unifikimit, këtij procesi, që shtete historikisht të interesuara në Ballkan, të mbështetur edhe nga “ustallarët” e tyre në Europë, nuk e dëshirojnë, madje punojnë për ta bllokuar me të gjithë mënyrat.

1 comment:

Anonymous said...

Jam shqiptar me 2 universitete nga ShBA dhe Kanadaja. Mund t'ju deshmoj qe teza e Huntigtonit eshte ajo qe shpjegon me bindshem rrymen e ngjarjeve nderkombetare pas Luftes te Ftohte. Mund t'ju deshmoj qe ne baze kesaj teze Greqia/Greke/Ortodokset nuk jane Perendimore. Mund t'ju deshmoj qe, duke qene se Shqiptaret nuk jane as lindore as perendimore, dhe nje pjese e tyre jane Ortodokse, ishte dhe mbetet qellimi i Greqise Bizantine ti beje te gjithe ata homogjene ne dem te rraces (po! rraces!) arberore.